Iluzioni i dijes. Ajo që të gjithëditurit nuk e dijnë

606
Shumë njerëz janë të bindur se dinë më shumë se të tjerët në fusha të ndryshme, por në realitet gabohen rëndë. Dhe nuk arrijnë ta pranojnë një gjë të tillë as përballë provave të gabimeve të tyre
Një ditë të vitit 1995 në Pittsburgh të Shteteve të Bashkuara një burrë i bëshëm i moshës së mesme ka grabitur dy banka në mes të ditës. Nuk ishte maskuar fare dhe përpara se të dilte u ka buzëqeshur videokamerave të sigurisë. Po atë mbrëmje policia ka arrestuar McArthur Wheeler, që ka reaguar i befasuar kur ka parë filmimet. “Ta hajë dreqi, po unë përdora edhe sprei…!!!!!!”, ka murmuritur ai. Me sa duket se spërkatja e lëkurës me lëng limoni do ta kishte bërë të padukshëm për videokamerat: duke qenë se është përdorur si bojë simpatike, mjaftonte që ai të mos i afrohej një burimi nxehtësie për të mos u shikuar. Policia ka konkluduar se Wheeler nuk ishte as i çmendur, as nën efektin e drogave, thjeshte e kishte tmerrësisht gabim. Çështja në fjalë ka tërhequr vëmendjen e psikologëve David Dunning dhe Justin Kruger të Cornell University, të cilët kanë kërkuar të kuptojnë se pse disa njerëz i konsiderojnë dijet e tyre shumë më të larta nga sa janë në të vërtetë. Ky iluzion i dijes, i njohur si “efekti Dunning – Kruger”, përshkruan deformimin konjitiv që të çon tek të mbivlerësuarit e vetes.
Për të studiuar fenomenin, Dunning dhe Kruger kanë ideuar eksperimente të lezetshme. U kanë drejtuar pyetje me sfond gramatikor, logjik dhe humoristik disa studentëve dhe më pas i kanë kërkuar secilit që ta vlerësojnë pikaverazhin e tyre të përgjithshëm dhe pikaverazhin relativ respektivisht atij të të tjerëve. Në mënyrë të habitshme, kush kish totalizuar pikaverazhin më të ulët në ushtrimet konjitive e mbivlerësonte gjithmonë paraqitjen e tij dhe jo pak. Kush qëndronte në zonën e fundit ishte i bindur se kishte dalë më mirë se dy të tretat e të tjerëve.
Por iluzioni i dijes shkon përtej sallave universitare. Për studimin e kontrollit Dunning dhe Kruger kanë shkuar në një poligon qitjeje për t’u kërkuar frekuentuesve të tij informacioneve lidhur me sigurinë e armëve. Edhe në këtë rast, kush ka dhënë më shumë përgjigje të gabuara i mbivlerësonte njohuritë e veta lidhur me armët e zjarrit. Por përjashto nocionet konkrete, efekti Dunning – Kruger mund të vërehet edhe në vetëvlerësimin e shumë dijeve të tjera. Mjafton të shikosh një talent shoë për të vërejtur shtangien në fytyrën e konkurrentëve që nuk kalojnë provat dhe skartohen nga gjykatësit: janë jo të vetëdijshëm lidhur me faktin sesa i ka mashtruar ndjenja iluzive e tyre e superioritetit.
Të mbivlerësuarit është shumë i përhapur si fenomen. Nga një hulumtim ka dalë se 80% e automobilistëve e mban veten mbi mesataren, gjë statistikisht e pamundur. Problemi është se të paaftit jo vetëm bëjnë zgjedhje të gabuara, por janë edhe të paaftë për t’i kuptuar gabimet e tyre. Në një studim të zgjatur një semestër, studentët më të zot qenë në gjendje ta parashikonin më mirë dorëzimin e tyre ndaj provimeve të ardhshme duke analizuar rezultatet e mëparshme dhe pozicionin e tyre ne renditje. Kurse ata që arrinin rezultatet më të kqija realisht bënin parashikime të gabuara, pavarësisht se merrnin të dhëna të qarta për gabimet tyre. Të vënë përballë gabimeve të tyre, të paaftit i mbronin me forcë ato. Siç shkruan Charles Darwin në librin e tij “Origjina e njeriut dhe seleksionimi seksual”, “padija gjeneron besim shumë më shpesh nga sa mendojmë”.
Por as personat inteligjentë nuk arrijnë që t’i vlerësojnë me korrektësi kapacitetet e tyre. Nëqoftëse studentët që nuk sigurojnë kalueshmërinë mbivlerësojnë veten, ata që marrin maksimumin e notave e nënvlerësojnë veten. Në fakt, Dunning dhe Kruger kanë zbuluar se studentët më të mirë e nënvlerësonin dijen e tyre relative, duke prezumuar se nëse për ta ushtrimet konjitive qenë të lehta, do të ishin të tilla edhe për të tjerët. E ashtuquajtura sindromë e mashtruesit mund të krahasohet me një efekt Dunning – Kruger sëprapthi: më të aftit nuk arrijnë që ta njohin talentin e vet dhe i konsiderojnë të tjerët njëlloj kompetentë. Diferenca është se me verifikimet e duhura personat kompetentë janë në gjendje që ta modifikojnë vlerësimin e vetes, kurse jokompetentët jo. Është pikërisht ky këndvështrim për të mos pasur përfundimin e rrëmbyesit budalla të bankave: mos u mashtroni nga ndjenja e superioritetit dhe mësoni që t’i vlerësoni me korrektësi dijet. Në thelb, siç thoshte Konfuci sipas Henry D. Thoreau, “Të dish që dimë ato që dimë dhe që injorojmë ato që injorojmë është urtësia e vërtetë”.
(Kate Fehlhaber për Aeon)
Sigal