Iljaz Demolli:Disiplina në shkollë në regjimin komunist ishte shembullore

1000
Sigal

INTERVISTA/  Flet ish- mësuesi i matematikës, Iljaz Demolli

Me origjinë nga Ponçara e Devollit, në rrethin e Korçës. Ai ka qenë një mësues model i lëndës së matematikës, në Stravaj në Librazhd  dhe Dritaj  në zonën e Karkavecit dhe më vonë në Devoll  në shkollën e mesme Bujqësore në Miras, pastaj  drejtor i shkollës 8-vjeçare në Menkulas, qendra  e ish -Kooperativës bujqësore e fshatrave të asaj zone. Të gjithë nxënësit dhe populli i asaj zone e përmend me nderim emrin e tij si një mësues korrekt, i përgatitur dhe me një frymë bashkëpunimi në punën në grup. Emigrant në Greqi dhe më vonë në SHBA, ai asnjëherë nuk e harron atdheun, por dhe profesionin, të cilin vazhdon ta ushtrojë në USA, por jo në Greqi.

  Mësues në disa zona, a ishte i respektuar ky profesion në regjimin komunist?

Në atë sistem profesioni i mësuesit ka qenë një profesion i nderuar dhe i respektuar dhe mësuesit mundoheshin që respektin që tregonte populli për figurën e tij, ta  shpërblente, duke kontribuar dhe duke mësuar sa më mirë fëmijët e tyre  duke dhënë mësim të nivelit bashkëkohor, duke  rritur nivelin e mësimdhënies me metodat  e perfeksionit të profesionit të tij.

 Kishte kërkesë llogarie ndaj mësuesve dhe ndaj nxënësve në atë sistem dhe si vlerësohej puna juaj?

 Kërkesë kishte jashtëzakonisht shumë. Kërkesë deri në detaj. Si vlerësim pune për mësuesit ka qenë fjala e vetë nxënësve dhe e prindërve, notat e tyre, rezultatet e tyre, po dhe kontrollet që ushtronte Seksioni i Arsimit të rrethit të asaj kohe dhe kabineti Pedagogjik për cilësinë e mësimdhënies së mësuesve. Këto kontrolle  kanë qenë njëherë apo dy herë në një vit shkollor, ku ata konkludonin, se sa i lartë ishte niveli mësimdhënës i një mësuesi dhe mbi bazën e saj  bëhej dhe kriteri i vlerësimit të shtetit ndaj mësuesve.

 Cilat ishin problemet e arsimit në atë periudhë?

Problem kryesor ka qenë lëvizja e nxënësve nga një fshat në një fshat tjetër. Pra, shkolla tetëvjeçare nuk kishte çdo fshat, mbasi numri i nxënësve ishte i pakët, kështu që nxënësit shkonin për mësim në një fshat tjetër.  Pra nuk kishte mjete komunikacioni për lëvizje, nuk kishte ura, rrugë, makina, për të lëvizur lirisht. Kjo bënte që nxënësit të lëviznin me vështirësi në kushtet e një moti të keq.  Në raste të tilla kalimi i lumenjve nga një fshat në tjetrin bëhej nëpërmjet kafshëve, apo mjeteve primitive. Kjo bëhej për nxënësit e shkollave 8-vjeçare apo nxënësit e shkollave të mesme bujqësore. Pra kishte vështirësi teknike, por dhe baza materiale e shkollave nuk ishte në nivel të lartë. Shkollat e mesme sidomos në qytete kishin një bazë materiale më të mirë se ato në fshatra. Pra shteti nuk kishte fuqi ekonomike për një bazë materiale të qëndrueshme dhe bashkëkohore. Megjithatë, mësimi zhvillohej me nivel të lartë, kërkesat ishin të larta, dhe nuk bëhej kompromis në dëm të nivelit të nxënësve. Por edhe ushqimi. Fëmijët vinin në shkollë me bukën me sheqer që sot se beson askush.

 A kishte mitmarrje në atë sistem?

Në regjimin komunist as mund të bëhej fjalë për mitmarrje, pasi mësuesi e shikonte veten si një baba i mençur i fëmijëve të asaj kohe, dhe sa pretendon babai të bëjë mitmarrje ndaj fëmijëve të tij, aq pretendonte mësuesi të bënte këtë akt të shëmtuar ndaj nxënësve.

 Kur e ke ndjerë veten më keq si mësues në atë periudhë?

Veten më keq e kam ndjerë në periudhën e fundit në vitin 1991, kur mësuesi u lirua nga detyra e Komisarit të Partisë dhe ishte i lirë të përqafonte lirinë e mendimit të tij, të përqafonte ide dhe bindje që i përshtateshin jashtë ndikimeve,  kur unë përqafova idetë e lira të mendimit të rilindjes së intelektualëve shqiptarë, frymën e demokracisë  dhe rashë në kundërshtim me mësues që donin të ruanin Statuskuonë e regjimit të mëparshëm. Pra unë isha njeriu që doja të isha i lirë në bindje aty në shkollën  8-vjeçare në Menkulas, por hasa në kundërshtinë dhe presionin e shokëve të mi të ngushtë, të cilët më shikonin si të tepërt në mesin e tyre. Tani unë nuk i kisha shok idesh dhe mendimesh, dhe pse ruaja të njëjtin respekt dhe korrektësi. Kështu unë e lashë profesionin e bukur të mësuesit, e lashë postin e drejtorit dhe mora rrugën e mërgimit, të cilin s’e dija as e mendoja se si ishte.

 Ju shkuat emigrant në Greqi, si u ndjetë në emigracion?

Unë në fillimet e para shkova në Atikë të Greqisë, në periferi të Athinës, në Oropo,  ku qëndrova  7 vjet dhe më vonë u zhvendosa në lagjen “Marusi” të Athinës. Punova çdo lloj pune dhe pse ishte e vështirë.

Ke ndjerë shenja racizmi?

Po kam ndjerë nuk e mohoj. Grekët nuk mund ta pranonin që një intelektual i një shteti të huaj, ti jepnin mend atyre, apo të zgjidhnin probleme që ata as merrnin mundimin t’i shkruanin në fletore.  Pra ata s’e konceptonin që një emigrant të zinte pozicion të njëjtë me atë të tyre, ose nuk mund ta pranonin që punën e tyre ta zinte një emigrant dhe këtë racizëm e shprehnin në forma të ndryshme, duke bërë dallime fetare, duke nënvleftësuar fenë myslimane, ose duke paraqitur vështirësi dhe pengesa  për të ecur më tej në punët ku ishin emigrantët, sidomos ndaj intelektualëve.

Kur ikët në SHBA?

Pas 16 vitesh punë në Greqi, pasi e pashë që dy vajzat e mia të lindura në Greqi, nuk ju dhanë kurrë nënshtetësinë greke dhe nuk u pranuan  në shoqërinë greke si vajza të lindura dhe të rritura në atë shoqëri, kur  pashë se unë dhe familja ime nuk kishim perspektivë në shoqërinë greke, mendova bashkë me bashkëshorten të largohemi nga Greqia. Kështu ne aplikuam për vizë në SHBA, ku fitoi gruaja ime dhe në vitin 2007 u larguam përfundimisht nga Greqia. Erdhëm në Tiranë dhe prej Tiranës në SHBA, ku u vendosëm në Kalifornia.

Ku është ndryshimi midis Amerikës dhe Greqisë?

Në SHBA  është një shoqëri multietnike, multikulturore, me CV të ndryshme, që bashkohen në punë me të njëjtin qëllim, të përmirësojnë jetën e tyre ekonomike dhe të arsimojnë fëmijët. Objektivi i tyre është të ngrenë SHBA në një nivel më të lartë, kulturor, politik, shoqëror, ekonomik. Ky është emëruesi i përbashkët si i popullit amerikan ashtu edhe i emigrantëve. Njëkohësisht, Amerika të jep mundësinë të afirmosh veten. Mund të them se, Kalifornia është një nga shtete më të pasur të SHBA, shteti më i zhvilluar, me mundësi të pakufizuara të punës. Emigrantëve ju jepen mundësitë që nëpërmjet punës dhe shkollimit mund të realizoj ëndrrat dhe dëshirat e tij. Këtu është dhe ajo që quhet ëndrra amerikane, realizimi i ëndrrave të tua, për kushte më të mira  dhe perspektiva më të mëdha për fëmijët.

Sot si ndihesh aty?

Plotësisht i realizuar.  Pas gjashtë vitesh qëndrimi kam marrë nënshtetësinë amerikane, me gjithë  pjesëtarët e familjes time dhe ndihem i integruar. Jam arsimuar më tej dhe jap mësim me klasa të veçanta në kolegjin e shtetit ku jetoj, pasi unë kam vazhduar studimet për biznes dhe jap mësim në disa klasa. Njëkohësisht kam një biznes të vogël në qytetin e Sakramentos dhe po përpiqem që njohuritë që marr nga shkolla dhe nga puna e përditshme ta vë në funksion të biznesit tim që të siguroj shkollimin e vajzave të mija dhe një jetë normale familjare.

Ka ndryshime mes Greqisë dhe Amerikës në kuadrin e të qënit emigrant?

Ndryshimet janë të mëdha, as nuk krahasohen. Në Greqi kurrë s’do të merrja nënshtetësinë greke, kurrë nuk do kisha në Greqi biznesin tim, kurrë nuk do të arsimoja fëmijët si në Amerikë. E vetmja që ka të keqe Amerika është largësia nga Shqipëria. Ne dhe pse jemi mirë atdheun s’e harrojmë. Ne kemi një ndryshim kohe prej 9 orësh gjë që na e vështirëson komunikimin.

 Si e gjete Shqipërinë këtë radhë?

Shoh pak ndryshime, por mos të them që s’bien në sy. Por s’mund të them se ka bërë përparime të dukshme.

Si është sistemi arsimor në SHBA?

Më i përparuari në botë. Baza materiale është e jashtëzakonshme dhe arsimtarët mjaft korrektë. Mitmarrja apo plagë apo fenomene të kësaj natyre as që diskutohen. Të pyesësh ngrenë supet. I dituri aty vlerësohet.