Ilirian SPAHIU / A është shtëpia botuese një hallkë e tepërt dhe e kushtueshme për krijuesin?!…

620
Sigal

Pas disa shkrimesh lidhur me problemet e librit në vendin tonë, sidomos dy shkrime të botuar në gazetën “Telegraf” me autorë Behar Gjokën dhe Fatmir Musain, mendoj se duhet të hapet një debat për mënyrën e botimit të librit, rrugët dhe filtrat që duhet të kalojë ai. Jam dakord me idenë e studiuesit Behar Gjoka se, jemi në një moment që kemi shumë botime, por pak tekste letrare. Ka një situatë paradoksi ku shumëkush shkruan pambarimisht, pakkush ndalet për të gjetur vlera letrare. Askush nuk kontrollon çfarë shkruhet dhe si shkruhet, askush nuk seleksionon, askush nuk sit, por me miellin gatuhen dhe krundet. Mungon filtri më minimal ku derdhen në një vend uji i pastër, por edhe llumi. Nuk ka një institucion libri, një organizatë apo një grupim tjetër të mbledhë veprat, por edhe njerëzit më me vlerë. Nuk ka një gazetë apo një revistë ku të botohen gjërat më me vlerë, por edhe të debatohet, të zhvillohet kritika. Botuesit shqiptarë  kanë një marrëdhënie absurde me shkrimtarët, pasi librin e paguan autori. Libri është kthyer në një mall, në një mall që nuk shitet. Ka botime që veç Bibliotekës Kombëtare që i jepen pesë kopje për ISBN-në, nuk shitet asnjë kopje. Ai shpërndahet në formë dhurate. Në shumë raste libri nuk shkon nëpërmjet shtëpive botuese, por direkt nga shtypshkronja. Këtë mënyrë botimi e përkrahin edhe krijuesit. Kështu Fatmir Musai, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Elbasanit është i mendimit se mënyra e përgatitjes së librave pa kaluar në shtëpinë botuese, është shumë e mirë dhe racionale. Ne jemi si puna e bujqve që nxjerrin produktet bujqësore në treg, thotë ai. Ata lërojnë tokën. E mbjellin e prashisin, e ujisin dhe e nxjerrin në treg vetë. Në qoftë se prodhimi i vet nuk blihet, s’është cilësor, ai do të falimentojë. Rritet konkurrenca dhe bujku e kupton që duhet të rrisë cilësinë. Ndërsa tek krijuesit gjithë kjo punë, si e bujkut, është krijimtaria, hedhja në letër, në kompjuter, korrektimi, redaktimi, faqosja, kopertina, dhe çuarja në shtypshkronjë. Pra duke pasur eksperiencë ne tashmë i bëjmë të gjitha proceset vetë dhe i vetmi proces është shtypja. Atëherë pse t’i çojmë në shtëpi botuese për të na marrë lekë më shumë? Këto procese që po i bëjmë vetë pse t’i ripërsërisim dhe aty? Pra dhe unë  e shmanga hallkën e botuesit dhe librin e bëra më lirë, më mirë, më shpejt. Ose në qoftë se do punosh me shtëpinë botuese, ajo duhet të të marrë përsipër botimin ose të të japë fitimin e shitjes. Pra krijuesit shkojnë tek shtëpia botuese me lekët e tyre dhe nuk fitojnë asgjë. Çfarë roli luan në këtë mes ajo? Por një pjesë tjetër e atyre që shkruajnë, ku bëj pjesë edhe unë, nuk janë dakord me këtë mënyrë botimi. Në këtë rast kush do t’i diferencojë vlerat, kush e mban përgjegjësinë kur libri, fjala vjen, mund të ketë  shkelje ligjore, mund të ketë thirrje naziste, raciste, probleme të integritetit territorial, të sekretit shtetëror etj. Pra një hallkë shtetërore ose një hallkë e specializuar në këtë rast duhet të jetë. Pra kalimi i librit nëpërmjet shtëpisë botuese është i domosdoshëm. Se në fund të fundit shtëpia botuese është një shteg kontrolli. Puna është që libri do kontrolluar dhe ndjekur deri në fund, edhe pas shtëpisë botuese. Unë nuk i njoh mirë mekanizmat që veprojnë në perëndim për librin, por është fusha ku shteti duhet të ndërhyjë me forcë. Që kjo punë nuk është në rrugë të mirë, e tregon edhe fakti që te ne nuk vepron ligji i të drejtës së autorit. S’ka si të veprojë ai kur librat botohen pa rregull, kuturu. Kush duhet të dënohet në rast shkelje? Autori? Po autori nuk është regjistruar me asnjë vend si krijues me detyrime që rrjedhin më pas. Të ndëshkohet botuesi? Që në këtë rast është shtypshkronja. Ajo është thjeshtë një teknikë pa përgjegjësi ligjore, pasi nuk ka tagrin botuesit!…