Ilir Sula është klarinetisti që muzika i buron nga shpirti. Është një nga klarinetistët më të mirë në Shqipëri. Ai  njihet ndryshe me emrin Liri i Shitit, ky është  emri i artit. Liri është një muzikant profesionist në klarinetë, një nga me të mirët sot për sot. Njihet si një nga mjeshtrat e Shqipërisë së mesme duke luajtur në mënyrë të përsosur të gjitha llojet e  muzikës së jugut, veriut, muzikës së lehtë etj. Liri  mbetet pa diskutim mjeshtër për muzikën e Shqipërisë së Mesme e në veçanti për muzikën e tabanit popullor.

Liri është një nga instrumentistët më të mirë të klarinetës që profesionin ose, më saktë, artin ua ka kaluar si trashëgim edhe të dy djemve të tij,  Xhersi Sula që vazhdon Akademinë e Arteve për violinë dhe Françesk Sula që vazhdon Liceun “Jordan Misja” në Tiranë për klarinetë dhe saksofon. Ilir Sula ka një marrëdhënie shumë të mirë më të gjithë kolegët e tij, në veçanti me të gjithë këngëtarët më të mirë të momentit si:  Artjola Toska, Bujar Çiçi, Greta Zani, Rati, Hajredin Gjeta,  Eranda Libohova, Sinan Hoxha, Aurela Gaçe, Valbona Mema, Bledi, Arben Gjeloshi, Shkëlzen Jetishi etj., të cilët janë të shumtë dhe me emër momentalisht.  Ilir Sula ndryshe siç njihet me emrin e artit Liri Shitit rrjedh nga një familja artistësh dhe muzikantësh të njohur. Liri ka një agjende goxha të ngarkuar, madje dhe në kulmin e sezonit të verës ka pasur një numër rekord aktivitetesh si dhe gëzimesh të shumta familjare.

Planet e Lirit janë të shumta, atë e  presin koncerte dhe aktivitete brenda dhe jashtë vendit gjithmonë duke bashkëpunuar me këngëtarët dhe instrumentistët e tjerë.  Ilir Sula është një ndër klarinetistët më të kërkuar në Shqipëri, pasi  atij muzika i buron nga shpirti dhe çdokush do e donte ta kishte në gëzimet familjare, pasi ai sjell me artin e tij hare dhe një atmosferë të papërsëritshme. Urime Ilir, jo vetëm për ty, por edhe për dy djemtë e tu artistë, duke shpresuar që, pse jo, një ditë t’ju shohim në një koncert recital si familje!