Ilir Meta, vizitoi ekspozitën e “Piktorit të Popullit”, Skënder Kamberi

825
Sigal

Kreu i Kuvendit: Ti je Vlora, je ashpërsia e kohës së sotme dhe pritja me padurim e të ardhmes

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ka vizituar ekspozitën e “Piktorit të Popullit”, Skënder Kamberi. Artisti i mirënjohur vlonjat ka ekspozuar për publikun në ambientet e Muzeut Kombëtar disa nga veprat e tij më të njohura të realizuara në karrierën e tij 50-vjeçare.  Njëkohësisht, kjo ekspozitë vjen me rastin e 75-vjetorit të lindjes së piktorit z. Skënder Kamberi. Sakaq, artisti i ka prezantuar me detaje z. Meta disa nga punët e tij më të spikatura, duke ndalur disa prej tyre. Bëhet fjalë për pikturat “Otranto, ‘97”, “Antigona” dhe “Buka e duarve tona” realizuar nga mjeshtri vlonjat. Kryetari i Kuvendit gjatë bashkëbisedimit me “Piktorin e Popullit”, Skënder Kamberi i ka shprehur atij konsideratën e lartë që ka për veprën e tij. “Miqtë e tu të shumtë, dashamirësit e artit tënd realist e ekspresiv, thonë se ti je Vlora! Ai qytet i ashpër i detit dhe malit, besoj se ishte mësuesi yt”, tha z. Meta. Sipas zotit Meta, në veprën e Kamberit gjendet edhe Shqipëria e djeshme, historia e hershme ilire, heroika e Gjergj Kastriotit edhe përgjakja partizane.

“Ti Mjeshtër je edhe shkëlqimi i vetmuar e plot miq nën komunizëm, je ashpërsia e kohës së sotme dhe pritja me padurim e të ardhmes”, u shpreh ndër të tjerash Kryetari i Kuvendit gjatë bashkëbisedimit me “Piktorin e Popullit”. Në fund z. Meta i ka uruar artistit 75-vjetorin e lindjes si edhe 100 vjet krijimtari, teksa kujton portretin e tij, cigaren në buzë, penelin në dorë dhe mbi kokë, beretën e famshme të Mjeshtrave të mëdhenj të pikturës së Rilindjes Europiane. “Kështu presim të gjithë të na flasësh dhe nesër, me zjarr…, me zjarr zemre dhe shije ngjyrash edhe për një mijë piktura!”, u shpreh Kryetari i Kuvendit. Z. Meta i dhuroi piktorit dy bereta karakteristike, që tashmë që prej rinisë së piktorit janë bërë simbol i portretit të tij. Nga ana e tij, Skënderi, – pasi e ka prezantuar Kryetarin e Kuvendit me dy miqtë e tij të ngushtë, dashamirës të artit të tij, avokatët Salati dhe Braka, – e ka falënderuar për vëmendjen që i ka kushtuar veprës së tij dhe e ka vlerësuar rolin e z.Meta në politikën shqiptare. “Unë e kam ndjekur rrugëtimin tuaj z. Meta në politikë. Gjithashtu, e di që jeni artdashës dhe njerëz si ju do t’i bëjnë nder kombit në përgjithësi dhe komunitetit artistik në veçanti”.