Ilir Kerni riktheu dinjitetin e Teatrit të Operas

604
Deputetët e PS-së kanë reaguar në lidhje me dorëheqjen e Ilir Kernit nga posti i drejtorit të Teatrit të Operas dhe Baletit duke kërkuar madje dhe rikthimin në detyrë të tij. Përmes komenteve në faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale deputetët socialistë: Erjon Braçe, Fatmir Toçi dhe Ledi Shamku, kanë shprehur keqardhjen për një artist i cili i riktheu besimin dhe spektatorin Teatrit të Operas dhe Baletit. “Ilir Kerni, balerini që kam admiruar për moderninë dhe shpresën që sillte në Tiranën e asfiksuar nga diktatura. Ilir Kerni, shqiptari që më jepte më pas kaq krenari sa herë duartrokitej fort në platetë e famshme të botës. Ilir Kerni, artisti që u kthye në atdhe në krye të TOB-it, si i barabartë mes artistësh e i dha shkëlqim e solidaritet sallave të gërvishtura. Ilir Kerni dha dorëheqjen… Ndjesi e pabukur…”, shkruan Shamku në reagimin e saj. 

Ndërsa për Fatmir Toçin është e pabesueshme dorëheqja e një dite më parë e Kernit. “Ilir Kerni jep dorëheqjen?! Nuk mundem ta besoj…. Keqardhje për një artist të pashoq si Ilir Kerni, që i riktheu besimin dhe spektatorin Teatrit të Operas dhe Baletit, por më shumë keq më vjen për TOB-in dhe adhuruesit e muzikës dhe artit të vërtetë…”, thekson deputeti i Vlorës. Ndërsa Erjon Braçe i lutet kujtdo që e ka në dorë që ta rikthejë në detyrë Ilir Kernin. “Lexova mbi këtë rrëmujën në Opera. As që dua ta zgjas, nëse do më dëgjohej fjala për këtë, do i lutesha kujtdo që të rikthente në detyrë Ilir Kernin. Si sot me shfaqje, Operan nuk e kam parë ndonjëherë. Për vete, do bëj çmos për buxhetin e ri të saj”, mbyll reagimin e tij nënkryetari i grupit parlamentar socialist, njëherësh dhe kryetar i Komisionit të Ekonomisë.
Sigal