Ilir Kerni: Ka kontrata pa firmën e punëdhënësit, pa numër protokolli dhe pa dokumentacion të plotësuar

661
Sigal

INTERVISTA/ Flet drejtori i TKOB-it, Ilir Kerni: “Kontrata është nxitje për nivelin artistik, për një punë profesionale”

 Dje pas botimit në “Telegraf” të bisedave me disa nga artistët dhe drejtuesit e Sindikatave të Artistëve të Shqipërisë mbi problemin e kontratave 6 -mujore që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës, mora një takim të veçantë me Drejtorin e TKOB z. Ilir Kerni. Në bisedën me ‘të, pashë që ai ishte shumë i shqetësuar dhe u mundua të jetë sa më konkret dhe korrekt në bisedën e tij. Dua të sqaroj lexuesit se, Kerni është një nga balerinët më të shquar shqiptar, i cili për mëse 20 vjet ka debutuar në skenat më të mëdha të Europës, duke e lartësuar emrin e Shqipërisë. Në bisedë ai solli shembuj konkret, por duke u shprehur që kolegët dhe punonjësit e TKOB duhet ta mirëkuptojnë sepse një reformë është e domosdoshme për vet artin shqiptar, për vetë artistët, që ata të jenë në lartësinë dhe kërkesat e kohës, pasi pa konkurrencë nuk mund të arrihet një standard i nivelit evropian. “Unë, -theksoi Kerni,- jam pjesë e tyre, jam mik i tyre, jam pjesë e dhimbjes së tyre, jam dashamirës i tyre, por që ata duhet ta kuptojnë që kontrata është domosdoshmëri njëkohësisht nxitje për nivelin e tyre artistik. Ne do të shkojmë në Europë me standarde europiane dhe standardet e kontratave të punës i kanë si pjesën më të besueshme të suksesit. Unë kam qenë vetë jashtë dhe e di sesi funksionin kjo mënyrë pune që jep rendiment. Ne duhet të arrijmë në atë nivel që këngëtarët lirikë europianë të kërkojnë të vijnë të luajnë tek ne dhe vetëm atëherë, mund të themi se kemi arritur ta ngremë TKOB në lartësinë e kohës”. Në bisedë z. Kerni, konkretizoi jo idenë e tij, por nismat dhe reformat që do merren nga Ministria e Kulturës si domosdoshmëri për të ecur në rrugën si pjesë e pandalshme e BE-së.

 Ju jeni në dijeni të deklaratave të artistëve dhe sindikalistëve të TKOB, përsa i përket kontratave 6-mujore që atyre iu bënë prezent nga Ministria e Kulturës. Cili është mendimi juaj për këto deklarata?

 Në radhë të parë unë jam artist, jam balerin, jam pjesë e tyre, jam një prej tyre. E them me ndjesinë më të madhe si njeri dhe si artist se jam dashamirës për çdo artist, për punën e tyre, për artin e tyre, për vlerat e tyre, për çdo gjë që ata kanë dhënë për vendin tonë dhe për TKOB në veçanti. Unë më shumë se çdokush ua di hallet, sakrificat, shqetësimet, vështirësitë, arritjet, mundimet dhe përpjekjet për të mbijetuar. Të gjithë kemi pasur vështirësi në jetë, kemi pasur momente që na kanë sjellë shumë ngacmime për ecurinë, por me punë dhe sqarime çdo gjë është bërë më e lehtë, më konkrete, më e lehtë për ta kaluar. Dhe unë them se sot ka ardhur koha që ne të jemi si gjithë teatrot europiane, me qëllim që artistët e huaj të duan të vijnë në TKOB ashtu siç duan të shkojnë në Romë, Berlin, Paris apo gjetiu. Pra ashtu siç dëshirojmë ne të shkojmë në këto skena, po ashtu duhet ta bëjmë TKOB tonë që të mësyhet nga artistët e tjerë europianë.

 Atëherë le të vijmë në pyetje më konkrete, në teatrot simotra si TKOB në Europë, si punohet me kontrata individuale, apo me kontrata kolektive dhe me sa afate kohore janë këto kontrata?

Ju siguroj që në të gjitha teatrot e vendeve europiane punohet me kontrata 6-mujore, njëvjeçare, dyvjeçare deri dhe trevjeçare. Pra këto janë llojet e kontratave dhe nuk ka kurrë kontrata kolektive. Kjo mënyrë funksionimi është apo ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk mund të ketë kontrata kolektive kur arti është specifik, është individual. Çdo këngëtar ka zërin e tij, ka individualitetin e tij, ka mënyrën e vet të interpretimit. Nuk kam parë as dëgjuar që të ketë kontrata të përhershme deri në pension në asnjë nga teatrot evropiane. Besoj se nuk gaboj, n.q.s dikush ka një shembull të tillë mund ta thotë.

 Me sa di, aktualisht në TKOB ka rreth 240 punonjës, apo artistë që janë pjesë definitive, me këto kontrata a do të ngelen ata pa punë?

Unë mund të them me siguri një gjë. Asnjë artist i vërtetë nuk duhet të trembet nga kontrata. Kontrata është një normë që e kërkon koha. Pas çdo kontrate artisti kalon sërish në audicion. Pra ai që punon, ka besim në forcat e veta, që i përshtatet kohës, që nuk fle, që gjurmon, e përsërit shumë lehtë e përsërit çdo herë kontratën sa herë që ajo përfundon. Ana tjetër. Ne këta artistë kemi, me këta do punojmë pasi sot për sot, asnjë artist që punon jashtë, apo artist i huaj nuk e mësyn vendin tonë për opera për shumë arsye. E para se nuk kemi atë nivel, e dyta se rrogat janë të ulëta në raport me ata. Ndaj artistët tanë s’kanë pse merakosen se do u mbarojë kjo kontratë, pasi ata pas 6 muajsh apo një viti, do kenë mësuar më shumë, do kenë dalë në skenë më shumë dhe do jenë më të aftë që ta përsërisin audicionin.

 Kjo do të thotë se ka pasur raste që artistët kanë vegjetuar pa dalë në skenë gjatë këtyre viteve?

 Unë s’mund të them se nuk kanë dalë në skenë, por them se nuk kanë qenë në ato nivele. Ndërsa kontrata i vë ata para përgjegjësisë. I nxit për punë, i përjashton nga gjumi letargjik, i bën më aktiv. Ndërsa në këto kushte nuk nxitet ecja para. Po e them me bindje se Kontrata është nxitje për nivelin artistik, mbajtje të artistit në gjendje të lartë pune profesionale. Madje, mund të them se kam vërejtur që ka pasur shumë artistë pa kontrata me firmë ose të pranuar pa kritere, ose anë qenë kontrata një mujore apo dy mujore dhe më pas ka vazhduar rroga pa përsëritje. Ka kontrata pa firmën e punëdhënësit, pa numër protokolli dhe pa dokumentacion të plotësuar.

 Çfarë do të arrini me funksionimin e kontratave?

Do të arrijmë standardin. Nivelin europian të teatrit. Vetëm kështu mund të arrijmë shkëmbim eksperiencash. Shumë dobësi në teatrin tonë vijnë pasi ne jemi teatër shtetëror, bëjmë kontrata kolektive dhe i bëjmë të përhershme. Atëherë çdokush që hyn në teatër nuk ka më shtysë që të arrijë rezultate, por të kapet fort mbas vendit të punës. Sot është më tepër se kurrë që të arrihet standardi. N.q.s duam që spektatori t’i kthejë më shumë sytë nga opera, n.q.s duam të shtojmë simpatizantët, n.q.s duam që artistët e huaj të mësyjnë në skenën tonë, atëherë patjetër duhet që të arrijmë tek kontrata. Kontrata është një kërkesë ligjore që e kërkon koha, e kërkon vetë zhvillimi dhe përparimi i TKOB. Kontrata bën që të disiplinohen punët  dhe çdo gjë të jetë në mënyrë perfekte.

 Pra, kontrata, sipas jush, do të rriti disiplinën, konkurrencën reale, përgjegjësinë, mësymjen e artistëve të huaj. Pas sa vjetësh do të japë rezultatet maksimale kjo lloj pune?

 Mendoj se duhen të paktën 7 vjet. Duhet punuar me këto kërkesa, me këto ide, me këtë performancë, ndryshe kurrë të mos pretendojmë se do arrijmë rezultate të shkallës europiane. Pse artistët tanë më të mirë shkojnë jashtë shtetit? Pasi aty ka norma, rregull, disiplinë, korrektësi, kontrata si dhe pagesa të mira. Askush nga artistët tanë që po arrin rezultate jashtë nuk tenton të kthehet në atdhe, në TKOB. Vetëm n.q.s do vijnë artistët e huaj të mësyjnë TKOB, mund të themi se kemi arritur standardet.

 Cili është synimi yt si drejtues i TKOB?

Dua që të arrij të realizoj një teatër të hapur, që të justifikoj çdo investim të shtetit dhe të taksapaguesve. Ne jemi larg administrativisht, por jemi dhe larg si dëshirë për të realizuar një teatër të hapur, konkurrues dhe të nivelit botëror. Ku është e keqja që të bëhet audicion apo të realizohen kontratat? Artistët e vërtetë duhet ta kërkojnë vetë audicionin, që të shikojnë veten se ku janë, pasi audicioni nxit ecurinë dhe zhvillimin.