Ilir Harxhi:“Dy kohë” solli në vëmendje pas 35 vjetësh “Koncert në vitin 1936”

1580
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisori i filmit dokumentar “Dy kohë”, Ilir Harxhi

Filmi dokumentar “Dy kohë”, me regjisor Ilir Hraxhin, çoi pas 35 vjetësh sërishmi në qytetin e Libohovës (pas xhirimit të filmit “Koncert në vitin 1936”, një pjesë të aktorëve dhe realizuesve të këtij filmi si Margarita Xhepën, Robert Ndrenikën, Albert Verrian si dhe skenaristin Kiço Blushi, regjisorin Saimir Kombaro. Pikërisht djali i Libohovës, regjisori i talentuar Saimir Kumbaro  e përjetësoi Libohovën me një nga filmat më të bukur shqiptar “Koncert në vitin 1936” ( film i xhiruar në vitin 1978 dhe që i kushtohet sopranos Tefta Tashko Koço), ndërsa këtë herë, ai me shumë aktorë të filmit erdhën pas 35 vjetësh për një dokumentar të Ilir Harxhit “Dy kohë” për të parë se si ka evoluar Libohova, sa e ruajnë ata në memorien e tyre këtë film, dhe sa e ruajnë dashurinë për aktorët e mëdhenj  që realizuan “Koncert në vitin 1936”. Dhe pritja ishte e befasishme, e pamenduar, entuziaste, plot mall dhe lot. Këto emocione janë fokusuar në dokumentarin e Harxhit, ku jo vetëm nxënësit e shkollave, por gjithë populli u turrën tek artistët si në një ditë mitingu, por jo me ndarje partish, por me dashurinë e të qenit artist i të gjithë popullit.

  -Si lindi ideja për të realizuar një film të tillë dokumentar duke u bazuar në filmin “Koncert në vitin 1936”?

Ideja lëviz dhe unë pata një ide dhe vazhdon që të jetë ide, që të merresha me monumentet që po shkatërrohen çdo ditë, pavarësisht se disa qytete pranohen dhe hyjnë në gjirin e UNESCO-s. Gjirokastra festoi përvjetorin e hyrjes në UNESCO dhe njëkohësisht është edhe Berati që pretendon në këtë linjë. Mua më ngacmoi ideja e monumenteve që shkatërrohen. Përveç filmit, jam i lidhur edhe me monumentet.Babai im ka qenë inxhinier  restaurimi në Institutin e Monumenteve që kur u themelua dhe deri sa doli në pension, pra pionier i këtij Instituti dhe nëna ka qenë pioniere në Institucionin e Kinostudios që filloi që në vitin 1952 me grupin e parë dhe atje doli në pension. Kjo ide e filmit ishte një proces që vazhdon sot e kësaj dite dhe unë doja të vija të dyja në pah, punën e kineastit, pra punën e një regjisori (në respekt të nënës) dhe punën  e një njeriu që i është përkushtuar monumenteve të kulturës që ishte babai im, si inxhinier restaurator. Doja t’i miksoja të dyja  dhe kisha zgjedhur Gjirokastrën dhe për një fakt të vogël, pasi vajza ime studion në vit të pestë në Arkitekturë dhe në ekspeditë kishte zgjedhur Gjirokastrën, meqenëse rrënjët e gjyshit janë nga Gjirokastra. Pra  gjeneza është nga Gjirokastra edhe pse unë jam lindur dhe rritur në Tiranë. Ajo ishte në ekspeditë në Gjirokastër, në restaurimin e disa veprave të artit me studentë të shkollës së lartë të Arkitekturës, ku shihnin  realisht procesin e restaurimit të monumenteve të kulturës. Atje ishte një grup që punonin  për shtëpitë e Babametos, të financuar nga UNESCO, si monumente të kategorisë së parë ku nga të huajt (vajza ime e flet mirë anglishten) duke komunikuar me ta, mori vesh se “ne në të gjitha dokumentet e restaurimit, na del inxhinier restaurator, Eqerem Harxhi”. Vajza i përgjigjet se është gjyshi im. Dhe kështu vendosa që këtë film t’ia kushtoj Gjirokastrës, kujdesit që  ka pasur ai sistem për veprat e artit, monumentet e kulturës. Gjithë ajo trashëgimi kulturore po varroset në gur. Pra ishin të dyja, që unë doja që t’i gërshetoja në dokumentar, historinë e filmit dhe historinë e restaurimit. Mendova dhe më lindi ideja e filmave që janë xhiruar në Gjirokastër, ku ishin disa, sepse është  qytet ku “edhe i dehuri kur i merren mend nga pija, nuk rrëzohet në rrugë, por rrëzohet në pullazin e një shtëpie”. Kjo është tek romani i Kadaresë “Kronikë në gur”. Kujtova disa filma dhe më erdhi në mendje filmi “Përrallë nga e kaluara”, sepse ai është xhiruar kryesisht në Gjirokastër. Bëra takim me Dhimitër Anagnostin. Më tha  se unë e kam mbaruar misionin tim dhe nuk mund të them  më asgjë se si është transformuar tani vend-xhirimi. Ai film është një monument. Unë, më tha, e kam thënë  fjalën te filmi, aty është mpiksur gjithçka. Atëherë u tërhoqa brenda nga qyteti i Gjirokastrës, por më tërhoqi si një qytet shumë interesant, po në rrethin e  Gjirokastrës, që është Libohova. Në Libohovë është luajtur  “Koncert në vitin ‘36” i cili është një film që i ka mbetur kohës dhe për kohën (në vitin 1978) kur u realizua kishte rekordin e dekorit më të madh 120 metra dekor, transformime të një qyteti. Vizatohet qyteti i periudhës së monarkisë si në asnjë film tjetër. Pra Lushnja e viteve 1936 u përcoll i gjithi në Libohovë.

-Çfarë kishit si synim të përcillnit me këtë film dokumentar?

Unë nuk kisha ndërmend  të bëja një film të dytë, si filmi i parë “Përrallë nga e kaluara” dhe “Koncert në vitin ‘36”, pasi këta dy filma janë shumë të bukur dhe i kanë rezistuar të  dy kohëve dhe publiku i pëlqen, pasi shfaqen shpesh në media dhe  meqenëse nuk mora një përgjigje për njërin “Përrallë nga e kaluara”, vazhdova edhe tjetrin. Qëllimi nuk ishte që unë të bëja një film mbi film. Qëllimi ishte që unë të zbuloja ato gjëra që njeriu nuk i sheh në film, pasi janë pas skene, ose para filmit. Psh, puna  që bën regjisori dhe për marrjen nga një copë letre që është  skenari dhe ta mishërosh dhe të krijosh një vepër transformimesh  deri në  detaje që i dinë vetëm profesionistët. Doja të nxirrja në pah çfarë  komponentësh ka filmi që fillon nga skenari, regjisori, vendi se ku do të xhirohet filmi, ndihma e  teknicientëve për transformimin  e vendeve të xhirimit, skenografi që është piktori i filmit dhe deri  te komponentët artistikë shumë të rëndësishëm, siç është kompozitori Limoz Dizdari që ka bërë muzikën e filmin në “Koncert në vitin ‘36” dhe shumë faktorë të tjerë.

Mendimi dhe veprimi i piktorit mendoj se është vepër më vete?

–        Po ajo është vepër më vete dhe unë e vlerësoj  shumë. Puna që ka bërë ai në këtë film është unikale. Po të shohësh gjithë atë punë që është bërë me fotot e Lushnjës të asaj kohe që nuk ekzistonte më, duket një iluzion. Nga piktori, Lushnja u gjet si një qytet i ngjashëm me ato fasada si dyqanet, pallatet, rrugicat, dekoret, pra 120 metra linearë dhe sigurisht kanë vulën e vetë piktorit, Astrit Tota.

Unë kisha njohje personale me Astrit Totën dikur, falë nënës që kish punuar në Kinostudio dhe u lidha me të në Neë York dhe kisha caktuar pyetjet që do t’i bëja. Kur unë i çoj pyetjet ai më thotë: Ilir unë kam ca ditë që jam në Tiranë dhe do të rri ca kohë, rreth  një muaj e gjysmë. Ishte një fat i madh që Astrit Tota ishte këtu.

Së bashku me të, u futëm në bodrumin e shtëpisë ku miu ishte më i madh se macja,  ku arritëm të gjejmë skicat origjinale mbas 35 vjetësh. Ato skica i ripërpunova. I gjithë ripërpunimi i skicave u bë nga vajza ime që është arkitekte. Prandaj u vendos, përpunim grafik Egla Harxhi. Ato skica kanë kaluar një për një jo vetëm në fotoshop, por edhe në ribërje si origjinale, sepse  pluhuri kishte bërë të vetën dhe  ishte fakt shumë unikal që unë gjeta skicat në arkivë. Më ka ndihmuar shumë i gjithë stafi i arkivit, me në krye drejtoreshën Elvira Diamanti e inxhinieri Andi Lubonja, që më gjetën pllakatin origjinal dhe fotot. Me anë të fotove unë arrita të krijoj një lidhje të dy kohëve. Se çfarë filmi është ai, ne e kemi parë, por çfarë ishte bërë përpara për të arritur atë realizim mjeshtëror të Kumbaros, ne nuk e dinim. Këtë solla në filmin dokumentar “Dy kohë”

-Kur shkuat në Libohovë me personazhet kryesore të filmit, me Margarita Xhepën,  regjisorin Kumbaro,  me Robert Ndrenikën, Kiço Blushin,  a pati reagime?

Unë nuk e prisja. Ishte një surprizë. Pashë njerëz të përmalluar se xhirimi i atij filmi ka qenë një ngjarje për qytetin që ata e kanë të pashlyeshme. Fëmijë që ishin bërë burra, burra që ishin thyer në moshë. Ato çaste kur zbritën aktorët filluan t’i puthnin duart sikur i kishin perëndi. Emocionet kanë qenë shumë të forta. Njerëzit përloteshin duke takuar Margarita Xhepën. Ata kishin qenë pjesë e memories së tyre. Ajo ishte një kënaqësi e madhe për ta. Ajo ishte një ngjarje e madhe për qytetin. Shumë nga rolet sekondare ishin luajtur nga njerëzit në Libohovë. Një pjesë nuk jetonin më, por jetonin  nipërit e tyre. Është një personazh që luan Birçe Hasko, tellallin, dhe mbante një fëmijë. Ai fëmija i vogël dikur, tani burrë i madh, kur erdhi në shesh tha: Ku ma keni babanë, pse nuk ma keni marrë babanë të ç’mallem. Ai po thoshte për Birçe Haskon. Emocionet e mëdha , mikpritjen, mallin, lotët, kënaqësinë, u mundova t’i kaloj në dy kohë. Filmi “Dy kohë” do të thotë para 35 vjetësh dhe mbas 35 vjetësh.

 U nisët nga një dëshirë për monumentet, por përcollët një mesazh shumë ndryshe. Cili është ky mesazh?

Objektivi kryesor i filmit ishte që të jepnin një përcjellje të jetës në të dy kohët, para dhe pas xhirimit. Titulli është  tema që të orienton. Titulli përcakton gjithçka. Titulli ishte “dy kohë” duke marrë për bazë filmin 35 vjet më parë dhe çfarë është bërë pas  këtij 35 vjeçari në atë vend xhirimi, si kanë ndryshuar kohët, njerëzit, ambienti, artistët, teknikët, gjithçka që ndërton një film. .

Filmi do të paktën një vit që të përpunohet skenari etj. Por kryesorja si do të ndjehej Libohova dukë parë artistët pas 35 vjetësh dhe si do të ndjeheshin artistët duke parë Libohovën dhe ata njerëz që bashkëpunuan pas kaq vitesh?

 Ishin lajmëruar libohovitët kur shkuat?

 Unë vura vetëm një afishë për t’i provokuar. Në afishen e thjeshtë shkruhej: Në Libohovë së shpejti vjen  Eleni Markollari (Margarita Xhepa), dhe Nënprefekti zoti Fotaq (Robert Ndrenika) që do t’ju takojë juve.

Pra unë luaja me dy kohët. Ku hynin personazhet e sotëm dhe vinin në vazhdim të batutës 35 vjet më parë. Kjo krijoi shumë emocion dhe as unë nuk e prisja këtë. Gjatë procesit të montazhit ndodhin çudira. Nuk  e prisja  dot se do bashkoheshin në një ngjizje dy kohë dhe bëhej  një kohë dhe po të  bëja një titull të dytë do të thoja: dy kohë baraz me një kohë.

 Sa ditë ndenjët në Libohovë?

Ndenjëm dy ditë. Emocionet e njerëzve që na prisnin kudo mbas 35 vjetësh, ishin të papërshkruara. Por më i emocionuar ishte regjisori Sajmir Kumbaro, i cili  është edhe  bir Libohove po ndoshta po aq dhe  aktorët  e tjerë me role brilant. Në atë  film ata  janë  zgjedhur si me dorë.  Kur ka realizuar këtë film, Sajmiri ka qenë  33 vjeç me eksperiencë vetëm me dy filma artistik.  Ishte filmi i parë  që bënte si regjisor i pavarur. Dy filmat e parë i ka me të madhin Rikard Ljarja. Rikardi ka edhe role në filmat “Rrugicat që kërkojnë diell” dhe filmi “Ilegalët” që e kanë bërë po këta  të dy. Në filmin e tretë, Kumbaro bën një mrekulli dhe unë i them Sajmirit, se ti mund të krenohesh edhe me filmin “Vdekja e Kalit” ‘Historianë dhe Kameleoni”, por filmi më i mirë është “Koncert në vitin ‘36”, sepse ke vizatuar gjithçka në mënyrë perfekte, ashtu siç thotë edhe skenaristi Kiço Blushi. Këtë e thotë edhe Limoz Dizdari në një intervistë. Kjo është puna edhe njerëzve të tjerë si drejtori i prodhimit etj. Unë për hir të minutazhit nuk arrita ta flas me drejtorin ekzekutiv të filmit.

  Momentin e fundit kur jeni larguar nga Libohova?

Momenti i fundit duke u larguar nga Libohova ka qenë  ditë e hënë  dhe njerëzit që  ishin rrethuar gardh përpara makinës na shtruan një drekë në Libohovë me ato gatimet e famshme, si  lakror dhe qifqinj dhe shumë  gatime karakteristike.

Kur kemi dalë përjashta, një turmë akoma më e madhe njerëzish që pyesnin se kur do të vini përsëri, sepse ne ju duam shumë. Të njëjtën respekt (duke qenë edhe unë një pjesë e tyre në filmin dokumentar) shprehnin edhe ndaj meje, se për ata unë isha anonim, por duke  qenë me këta njerëz që i dhanë shumë  jetë memories së atij qyteti, unë u ndjeva shumë i lumtur.

Kiço Blushi

Çdo gjë është vizatuar në këtë film, mban vulën si asnjë film tjetër.

Bashkë me bashkëshorten time ngelëm të mrekulluar nga ky dokumentar i një lloji të veçantë. Realizimi në Libohovë dhe të gjitha ç’ka dhënë ky film, janë reale, plot ndjenjë, plot finesë, kanë jetë brenda.

 Margarita Xhepa

Ishte një pritje e mahnitshme, një pritje e paparashikuar. Na njohën sikur të mos ishim ndarë 35 vjet. Libohova ka një popull patriot, mikpritës, të sinqertë, të ditur. Vetëm  një popull i tillë, di të presë në këtë mënyrë. U befasova, pasi edhe kur ktheva kokën pas 35 vjet, ishte e njëjta situatë. Atëherë dhe pse kushtet ekonomike ishin më të këqija, ky popull çdo natë na ftonte në shtëpitë e tyre dhe na sajdiste. E falënderoj Ilir Harxhin për këtë film dokumentar, pasi na solli dhe njëherë në atë vend ku ne realizuam një film shumë të bukur. Filmi dokumentar “Dy kohë” përcjell një mesazh shumë të qartë, por na bëri dhe ne paksa nostalgjik.

 Saimir Kumbaro

 Kjo nismë e Harxhit duhet përshëndetur. E veçanta e këtij filmi është gjetja e tij, një gjetje e veçantë, origjinale. Ishte një kthim në Libohovë pas 35 vjetësh dhe ne pamë si kemi ndryshuar, si kemi ecur, sa gjurmë kemi lënë. Ne u befasuam nga mikpritja pasi menduam se dhe mund të ishim harruar. Më erdhën ndërmend të gjitha skenat se si realizova filmin tim të parë si skenarist i vetëm, pas dy filmave me regjisorin Rikard Ljarja. Për mua ai film kishte përgjegjësi të dyfishtë, pasi ishte filmi i parë që realizova vetëm (pastaj shumë filma të tjerë), dhe se isha vetëm 33 vjeç përpara aktorëve më të mirë shqiptarë. Pra duhej të përballesha me shumë të papritura që më bënë më të fortë. Sot, kur shihet se ai film po shikohet shumë, komentohet shumë, e them me modesti se ka hyrë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare.

 Birçe Hasko

Ky film ka qenë shumë i organizuar, ku kanë dalë figura të vërteta artistike, me një besueshmëri të spikatur. Në tërë filmin ndihet një dashuri e bukur midis aktorëve dhe popullit të Libohovës. Ne ndenjëm mbi një muaj aty dhe u bëmë si të shtëpisë.  Regjisori i filmit Saimir Kumbaro ka bërë realizimin e tij më të bukur, duke punuar me përgjegjësi. Unë kisha rolin e tellallit, por që kishte atë të veçantën e tij për pozicionin që ka zënë ky njeri në kohën për të cilën bëhet fjalë. Ky film kishte aktorë të shkëlqyer që luajtën duke dhënë maksimalen e tyre. Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Ilia Shyti,  Manushaqe Qenami, Roland Trebicka dhanë të gjithë atë që zotëronin duke sjellë atë film që dhe sot mbetet ndër më të pëlqyerit.