Ilia Laska, zagoriti që kujtohet me nderim dhe respekt në Memaliaj

803
Sigal

Janë dy krijues letrar Izet Çulli e Ilia Laska, njëri nga Progonati i Tepelenës dhe tjetri nga Zagoria e Gjirokastrës (Sheperi). Izet Çulli ka punuar në Tepelenë si mjek neuropsikiatër, ndërsa Ilia Laska ka punuar në Tiranë, si ish-punonjës propagande. Të dy i ka lidhur njohja në Memaliaj, kur Izet Çulli jetonte e punonte familjarisht në qytetin minator, ndërsa Ilia kishte atje prindërit e tij, Qako e Amali dhe vëllezërit Viron, Aristidh e Edmond Laska dhe shkonte shpesh nga Tirana në Memaliaj, për t’i takuar e çmallur. Por njohja e tyre e pandarë, duket se ka patur lidhje të fortë me krijimtarinë letrare. Izeti punonte mjek dhe krijonte, po kështu dhe Ilia krijonte, më tepër në librat e kujtimeve e të mbresave nga jeta e njerëzve të Zagorisë dhe vendlindja e tij e dashur. Tashmë, Izeti dhe Ilia nuk janë më bashkë, mbasi Ilia ka ndërruar jetë.  I ndau vetëm vdekja “tinëzare”.

Këto ditë, Izeti më dërgoi një shkrim nderimi, për ish-mikun e tij Ilia Laska. Poeti, shkrimtari, eseisti dhe publicisti Izet Çulli jeton, punon e krijon tashmë në Tiranë edhe pse mosha ecën, duke i lënë pas afro 70 vite jetë. Ndërsa Ilia Laska, nëse do të ishte në jetë, do të kishte mbushur 70 vjeç, aq sa doktori dhe poeti Izet Culli. Nëse Ilia Laska, do të ishte gjallë, sot në këtë përvjetor, do të ishin bashkë, duke pirë kafenë, duke trokitur “gotën” e përvjetorit e duke kujtuar vitet e fëmijërisë në Sheper dhe Memaliaj, si dhe momentet e miqësisë së tyre të pastër e solide.  Siç më shkruan Izet Çulli, ia vlen që në këtë 70- vjetor të lindjes, edhe pse nuk është gjallë, Ilia Laska të përkujtohet me nderim. Ai ka lënë prapa shembull, emër, punë e vepra të mira, të dashura për njerëzit, të vlerësuara e të paharruara për ‘ta, ndaj nuk harrohet as si emër, por përkujtohet përherë e madje, jo vetëm në përvjetorët e tij, por dhe në biseda të përditshme. Kështu ndodh përherë me emrin dhe veprën e Ilia Laskës, njeriut që ka mbetur model për ata që e kanë njohur dhe kanë patur fatin të punojnë. Izet Çullin dhe Ilia Laskën nuk i ka lidhur interesi, por dinjiteti, korrektesa, puna e ndershme, modeli si familjarë të rregullt, si prindër korrekt e të përkushtuar dhe si ish-fëmijë, që kanë ditur të respektojnë prindërit e tyre. Në këtë shkrim, mendojmë të shkruajmë diçka më tepër për Ilia Laskën, intelektualin e kompletuar, krijuesin me ndjesi të mëdha shpirtërore dhe qytetarin, që diti të përcjellë vetëm qytetari të shkallës sipërore. Në një bisedë që kam patur afro 6 muaj më parë në Memaliaj, me Viron Laksën, vëllain e Ilia Laskës, profesorin e nderuar e të talentuar të shkollës së Memaliajt, ai më tha: – Sa ishte gjallë vëllai, nuk e dija se ishte me aq vlera si njeri e intelektual, por kur ai iku nga jeta dhe këto vite pas mungesës së tij, vlerësimet e ardhura nga çdo zonë e Shqipërisë prej njerëzve për figurën e tij, më mësuan se kam patur pranë një vëlla model, të cilin ne djemtë e Qako e Amali Laskës, nuk po mundim ta arrijmë dot si shembull e kjo më ka bërë, të ndihem shumë krenar, më duket sikur e kam ende gjallë vëllanë tim të shtrenjtë”. Në fakt, profesor Viron Laska, me sa e kam njohur gjatë viteve që e kam patur mësues dhe bashkëqytetar, kishte të njëjta cilësi njerëzore, intelektuale, humane, qytetare e korrektese në punë, si vëllai i tij Ilia Laska, edukuar këto cilësi e vlera prej dy prindërve të tyre, që ishin model në Memaliaj.

Mjeku dhe poeti Izet Çulli, shprehet, se me Ilia Laskën ka patur një miqësi, madje duhet thënë vëllazëri të fortë mbi 50 vjeçare, ndonëse ishin në profesione të ndryshëm. Ata nuk i lidhi as mosha, as interesat, por cilësitë e përbashkëta që kishin dhe respekti i ndërsjellë. Sipas doktor Izetit, miku i tij që tashmë i mungon, kishte aftësinë natyrale të hynte lirshëm në zemër, pa imponime, pa motive të tjera përveç shoqërisë së pastër.

Ilia Laska, njeri me shpirt atdhetari e krijuesi

Por Ilia laska kishte dhe një cilësi tjetër, siç shprehet miku (vëllai) i tij, poeti Izet Çulli. Ai kishte edhe një shpirt të madh e të kristaltë poetik. Gjithnjë meditonte, shkruante poezi epiko-lirike, artikuj publicistikë, sidomos fabulat në librin “Stani me breshka”, ku fshikullonte veset dhe deformimet morale njerëzore, nëpërmjet, të cilave bënte apel për virtyte, fisnikëri e zemër të pastër njerëzore. Ilia Laska “vuante” nga dashuria për Shqipërinë dhe vendlindjen e tij të dashur, Sheperin e Zagorisë. Ai ka shkruar disa libra për Zagorinë, libra në të cilët pulson dashuria, atdhetaria dhe shpirti poetik. Po përmendim librat “Zagori-histori dhe tradita”, “Sheperi-një vështrim historik“. Po ashtu, ai punoi për librin “Njeriu mal, apo mali njeri” (2004), libër me 240 faqe, kushtuar Çajupit, poetit të trevës së tij, ku përmblodhi studime të shumta dhe poezi nga poeti i madh. Paçka se ishte i sëmurë e trup-imët si labët e thatë e të fortë të vendkreshtave ajërplotë, paçka se ishte i rehatuar prej shumë vitesh në Tiranë, Ilia Laska shkoi në vendlindjen e tij në Sheper të Zagorisë dhe mbi themelet e shtëpisë  prindërore, gjysh e stërgjyshore, ringriti “strehën” e të parëve të tij, ku shkonte çdo vit e çmallej shpirtërisht me pemët dhe rrugicat e gurta të Sheperit ku kishte ecur, ku kishte luajtur, ku kishte gërvishtur gjunjët e bërrylat dhe ku kishte provuar shpesh pëllëmba përkëdhelëse nga pleqtë e fshatit kur bënte “prapësi” fëmijërore. Në krijimtarinë e Ilia Laskës, gjen vargje për Kosovën martire, për këngën labe, për Ujin  e Ftohtë të Tepelenës, për malin shpatullgjere të Bohotinës në Progonat, për grykat dhe fushën e Çajupit, për shkrepat dhe honet e thikta të Zagorisë, për lisat, kullotat dhe njerëzit e mirë të asaj zone. Ilia Laska ka lënë si “trashëgimi”, vargje e kujtime për prindërit e shtrenjte Qako e Amali, për mësuesit e tij të paharruar, për miq e shokë të shumtë në Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Tiranë e kudo, ka lënë kujtime e kushtime poetike për vëllezërit, për fëmijët e tij Anila dhe Ervin e madje edhe për nipin e tij Orion. Nga biseda më mjekun dhe krijuesin Izet Çuli, mësuam se, miqtë e tij po mendojnë të shkruajnë një libër për figurën e Ilia Laskës, njeriut, poetit dhe qytetarit të mirë, që ka lënë edhe këto vargje në formë dëshire e lutjeje: “E pra, o miq/veç këtë dëshiroj përherë/a do të bëhet fshati siç dua unë?/A do të vijë si më parë ajo pranverë/dhe të dalë mbi të përjetshmin “gjumë”?!”

 Për Ilia Laskën, vlerësim nga miku i tij, poeti Izet Çulli

 “Do ta them troç: Ilia Laska edhe pse jetoi e punoi që në rini të vetë në Tiranë në detyra të rëndësishme në sektorin e punës me njerëzit, ai quhet dhe ka mbetur djali i dashur i Memaliajt. Kishte si cilësi, një dashuri të pafund për njerëzit, për të cilët siç thotë populli: “Bëhej copa për t’i ndihmuar e këshilluar të ecnin në rrugë të mbarë”. Gjithë memaliasit, kur vinin në Tiranë për studime, punë, apo për ndonjë zgjidhje problemi që kishin e deri për shëndetin, shpreheshin: “Në Tiranë kemi një vëlla, një derë të hapur tek Ilia. Ose thoshin: “Do shkojmë te Llikoja”, siç e përkëdhelnin që nga fëmijëria. Dhe pa asnjë ndrojtje, pa marrë “letër porosie” as nga babai i tij Qakoja, as nga nëna e tij Amalia, as nga vëllai i tij profesor Vironi, ata shkonin në Tiranë, takonin dhe i kërkonin ndihmë Ilia Laskës, si ta kishin vëllanë e tyre. Ilia Laskës i shkonin në zyrë, e takonin në rrugë, apo i trokisnin në shtëpi në rrugën “Budi”. Shpesh, për memaliasit, të cilët i drejtoheshin për ndihmë, të cilët Ilia i quante, i respektonte dhe i trajtonte si prindërit, motrat dhe vëllezërit e tij, mjaftonte edhe një telefonatë dhe… Ilia gjendej pranë tyre, duke i pritur, ose duke i kërkuar në adresat që ata i linin. Ilia Laska ishte pasardhës i një familjeje të nderuar të Laskajve të trevës së Zagorisë së poetit të madh Andon Zako Çajupi. Ishte njeri human, një zagorit me mendje e zemër të madhe, që nuk u mërzit e nuk u lodh kurrë prej mirësive që bëri në jetën e tij. Ishte “gen” prej Sheperi të Zagorisë, por përherë, deri në fund të jetës së tij, Ilia, djali i Qakos e Amalisë dhe vëllai i Vironit (siç njihej), tha: “Jam nga Memaliaj”! Dhe në Memaliaj, Ilia ka mbetur në kujtesën e të gjithëve…

 Përparim Halili