Ikonat e skenës! Presidenti Nishani dekoron 7 aktorët e mëdhenj shqiptar

737
Në një ceremoninë solemne të zhvilluar sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, ku ishin të pranishëm artistë dhe aktorë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, regjisorë e skenaristë, familjarë dhe personalitete të artit e kulturës, Presidenti i Republikës Bujar Nishani vlerësoi aktorë të mëdhenj të skenës teatrore dhe kinematografisë shqiptare me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Kreu i Shtetit i akordoi dekoratën e lartë shtetërore, pas vdekjes aktorëve Sulejman Pitarkës, Sandër Prosit, Kadri Roshit e Violeta Manushit “Në shenjë vlerësimi që ishin ndër të parët e artit skenik shqiptar, bashkëkontribues në fillesat e Teatrit Kombëtar, duke vënë në shërbim të roleve dhe interpretimeve e të zhvillimit të teatrit e kinematografisë në Shqipëri talentin, kulturën, dijen, urtësinë, punën e tij të palodhur që e bënë një shprehës të përkryer mjeshtërie të lartë dhe përkushtimi të pashoq.” Kreu i Shtetit i akordoi dekoratën e lartë shtetërore edhe aktores Margarita Xhepa, “Si mjeshtre e përkryer dhe interpretuese e rrallë e artit skenik dhe atij kinematografik të vendit tonë të personazheve aq të spikatura jetësore, e cila për dekada me radhë ka portretizuar karaktere të panumërta dramatike e aq të dashura, duke mbetur përjetësisht e gdhendur në kujtesën e artdashësve shqiptarë.” Robert Ndrenikës “Në vlerësim të artistit të rrallë e të talentuar, i cili me rolet dhe interpretimet e tij të paharrueshme në skenat teatrore dhe në kinematografi, është bërë tashmë, me thjeshtësinë e tij karakteristike të rrallë njerëzore, një nga figurat kryesore e të paçmueshme të artit kombëtar shqiptar.”; si dhe Tinka Kurtit “Me vlerësim të merituar shtetëror për interpretimet e saj të përkryera e mallëngjyese, duke u shndërruar prej disa dekadash me radhë në njërën prej aktoreve më të adhuruara e mbresëlënëse të filmit shqiptar që nga filmi i parë ‘Tana” e deri në qindra role të paharrueshme nëpër skenat tona teatrore.” Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Nishani u shpreh se kontributi i këtyre personalitete është i shtrirë gjatë në kohë dhe nga pikëpamja artistike i ka fillesat e tij që nga filmi i parë shqiptar ‘Tana’ ku ishin të pranishëm në moshë shumë të re në atë kohë me interpretimet e tyre mjeshtërore Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi Marie Logoreci, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Esma Agolli e shumë e shumë të tjerë, që percollën dimension të madh kulturor, artistik, e profesional. 
Sigal