I madhi Dritëro fejtonist i shquar

89
Nga Gaqo Veshi
Në revistën “Hosteni“ në vitin 1072, u botua fejtoni i tij “Që ditën që u bëre shef”, i cili bëri bujë të madhe në Vlorë 
I paharruari Dritëro Agolli nuk ishte vetëm një poet i madh e tregimtar i rrallë, romancier e dramaturg i shquar, por edhe një fejtonist i shkëlqyer, që mbetet model i kësaj gjinie të gazetarisë edhe sot e kësaj dite, pas kaq vitesh. Mbahen mend e s’harrohen fejtonet e tij si “Galeri artesh apo depo grumbullimi” “Foqkë, Foqkë”, “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën për karshi”. “Llustromania”, “Pse s’ ma bëjnë estradat për të qeshur“ e… sa e sa të tjerë të botuar gjatë viteve në shtypin e kohës. Ai, duke qenë një nga anëtarët më të shquar të kolegjiumit të revistës “Hosteni”. ka dhënë një kontribut të veçantë. Në faqet e kësaj revistë është botuar kryevepra e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, pjesa e parë e romanit “Kalorësi lakuriq”, fejtoni “Bamka ther patokun”, që ishte bërthama e romanit të madh “Arka e djallit”. Satira, humori dhe fejtonet e tij mbeten model edhe sot, pas më tepër se gjysmë shekulli. Në revistën “Hosteni“ në vitin 1072, u botua fejtoni i tij “Që ditën që u bëre shef”, i cili bëri bujë të madhe në Vlorë, aq sa u “bombardua” redaksinë e revistës me letra urimi për autorin. Ky fejton i shkruar dhe botuar 45 vjet më parë, është model si mund të shkruhet një fejton me ngjarje e personazhe të vërtetë. Fejtonin e tij, po e paraqes ashtu si e ka shkruar i Madhi Dritëro, duke i hequr vetëm emrin e personazhit, duke lënë të pa ndryshuar postin që ai mbante, si shef i seksionit të arsimit e i kulturës në Vlorë . Ky fejton, edhe pas kaq vitesh, është aktual, pasi disa qeveritarë, jo fort të rrallë, sa bëhen shefa e drejtorë, shndërrohen në prepotentë e arrogantë ndaj qytetarëve nevojtarë
QË DITËN QË U BËRE SHEF
Letër Hyskë Borobojkës ku flitet për disa sjellje të papëlqyeshme të shefit të arsimit e të kulturës të Vlorës
Hyskë, këtë radhë në Vlorë u tremba. Ti e di që unë jam trim. U çudita me veten time kur ndjeva një të dredhur përpara shkallëve të komitetit ekzekutiv. Lulushja më shikonte tërë zemërim. Në sytë e saj në atë çast nuk isha ai Bamka i dikurshëm, por një Bamkë tjetër, i ndrojtur gjer në frikë. Ajo më binte me bërryl e më thoshte:
-Dhe unë kam besuar se e kam burrin trim! Pika! Pika!
Ajo më nxori gjuhën, pastaj prishi buzët
-Ai, thonë se është i tmerrshëm! Kam frikë se do më nxjerrë jashtë! Nuk dua t’i vete në zyrë! Shko ti Lulushe, – i thashë unë.
Lulushja më nxori përsëri gjuhën. Qëndronim të dy përpara shkallëve të ndërtesës së komitetit ekzekutiv. Nuk më bënin këmbët të ngjitesha deri në zyrën e shefit të arsimit e të kulturës. Por Lulushja më shtynte me bërryl.
-Më mirë të shkojmë të pimë një kafe në “Sazani” që të marrim pak zemër! – i thashë Lulushes në formën e lutjes.
Përsëri më nxori gjuhën. Pastaj më tha:
-Ahere ti shko pi kafe, rabeckë! Do të ngjitem vetë në zyrën e shefit! – dhe hodhi një hap përpara.
Unë kujtova diçka dhe u zbeha:
-Nuk të lë Lulushe! Mos shko! Pu-pu! Të vrau!
-Mua të më vrasë! – tha ajo me përbuzje.
-Shefi të vret! Ai nxori me shkelma nga zyra një grua me barrë jo ty që ke dhjetë vjet që s’lind!
Lulushja kthe kokën nga unë.
-Atë gruan e pengonte barku, ndaj e nxori nga zyra lehtë. Mua s’më pengon barku… Unë e bëj gjakun gjer në gju…
Tani e ndjeva se Lulushja ishte e vendosur t’i shkonte shefit në zyrë. Kjo më tronditi më shumë. Nuk doja që shefi të fillonte ta shtynte, pasi do të bëhej kërdia. Lulushja është nga gratë më të çuditshme. E dini se ajo ka mësuar sambo dhe boks?. Shefi do t’i lëshohej për ta nxjerrë jashtë, ajo do t’i hidhej me tërsëllëm. Do të ngrihej në këmbë gjithë komiteti. Ngërzit do të thoshin se Lulushja e Bamkës luftoi si Leonidha në Termopile. Nuk doja të merrte një nam të tillë shtëpia ime.
-Lalushe ktheu! – thirra unë, i zbehur në fytyrë.
-Unë prandaj erdha nga Tirana që të takoj shefin e t’i them të shkojë t’i kërkojë falje mikut tonë që e nxori jashtë aty përpara. Këtë duhet ta bëje ti. Por ti dridhesh.
Unë e zura për krahu:
-Kthehu!
-Bamkë, largo duart! – thirri Lulushja dhe filloi të ngjisë shkallët me shpejtësi.
I verdhë dyllë i rashë pas Lulushes, duke ju lutur të kthehej. Por ajo ngjiste nga dy shkallë. Ç’do më shohin sytë e ç’do më dëgjojnë veshët!”. Mendova duke ndjekur Lulushen
-Kjo nuk është në vete. Shefi i arsimit dhe i kulturës nxori jashtë nga zyra mikun tim të nderuar, Shaqon, pjesëmarrësin e luftës së Vlorës, bashkëluftëtarin e Selam Musajt, e jo të mos nxirrte Lulushen time! Thonë se dhe vetë Selam Musanë mund ta nxirrte jashtë. Ja, xha Shaqoja atë ditë hyri në zyrën e shefit dhe, sa po matej t’i thoshte një fjalë për punën e një të drejte studimi, ai iu turr:
-Dil jashtë! Apo të të përfshij për krahu dhe të të flak nga dera!
I tmerrshmi shef dridhej. Sytë i kishin dalë nga orbitat. Xha Shaqoja i zi e vështroi njëherë i hutuar dhe qëndroi i heshtur para tij.
-Të përfshiva, por mbathja! – thirri shefi
Ahere shtatëdhjetë e pesëvjeçari Shaqo uli kokën e doli nga zyra. Nga dëshpërimi dhe fyerja atij iu prenë gjunjët. Mezi zbriti shkallët. Fyerja ishte e madhe.. 
Ashtu si ia bëri Shaqos ia punoi edhe një gruaje me barrë për të cilën i thashë pak më parë Lulushes sime.. Gruan fatkeqe e zuri për krahu dhe i thirri:
-Të hyj me shkelma unë!
Kur kujtoja të gjitha këto ,më ngjethej mishtë. Kisha frikë për Lulushen. “Pu-pu, do ma vrasë gruan! – mendoja me vete. Mendova? Jo, këtë mendim e thashë me fjalë më zë të lartë. Njëri që u ndodh aty, më dëgjoi e më pyeti:
-Kush do të vrasë?
-Kush? Shefi juaj!- bëra unë.
-E vrau, por mos e lerë të hyjë! – tha ai përnjëresh.- Për nder, është inatosur shumë me njërin!
-Ahere inatin do t’ia nxjerrë Lulushes! – thirra unë.
-Ma merr mendja. Parandiej përleshje! – tha i panjohuri.
-Aman, ndihmomë ta kthej Lulushen – i thashë atij, pastaj i thirra asaj: “Lalushe, t’u bëftë Bamka, ktheu! Ktheu,se ky shoku thotë se shefit i kanë hipur xhindet!”.
-Le t’i hipin në daç pleshtat, – tha Lulushja dhe “drëng” derës e brenda.
Mua më mbuluan djersët. E preva frymën dhe mbajta vesh pranë derës! 
-Sus! – thirri shefi
-Sus! – thirri Lulushja ime..
Pastaj qetësi. Pastaj prapë:
-Sus! – thirri shefi.
-Sus! – thirri Lulushja.
Pastaj qetësi.
Mua më rrodhi në fytyrë një buzëqeshje. “Të keqen Bamka, moj Lalushe! “ – thashë me vete.
Ndërkohë diçka krisi në zyrë. Buzëqeshja ime iku.
-E vrau! – thashë me ngadalë dhe u mata të futesha brenda, por e lashë këtë mendim se dëgjova:
-Sus!…
-Sus!……
Njëri nga këta “sus-e” i përkiste buzëve të Lulushes sime.
Pas një farë kohe Lulushja doli ngadalë dhe e qetë.
-Ç’dëgjove? – pyeti ajo.
-Dy “suse”! – i thashë unë
-Njëri “sus” ishte imi! – tha Lulushja
-Të keqen Bamka! – thashë unë.
Ne dolëm në rrugë. Më shkonte mendja tek Shaqoja. Më kujtohej se si gati sa s’qante kur i shkova në shtëpi. Shefi i arsimit dhe i kulturës, që është në moshën e nipit të xha Shaqos, vete dhe e nxjerr me të bërtitura e me arrogancë nga zyra! Çuditen Hyskë! Ky shef si nuk skuqet kur flet për patriotizmin e njerëzve, që luftuan më pushtuesit italianë më 1920-n. Njërin nga këta luftëtarë gati sa s’e përzuri me shkelma nga zyra!… Ky shefi i arsimit dhe i kulturës mund të punojë shumë mirë, mund të ketë dhe plot suksese, por si qytetar paska moral të cunguar… Nuk është vetëm rasti me xha Shaqon. Edhe plot të tjerë në këtë mënyrë i ka pritur e përcjellë.. Babai ia ka dhënë zyrën e seksionit të arsimit e të kulturës këtij njeriu? Babai e ka bërë shef? Përgjigju, o Hyskë Borbojka?

Bamkë Çomaga