Hysni Kapo: “Njerëzve t’u themi, ejani tëhu e jo, ikë tutje!”

1326
Bexhet Rrapo 
Kryetar i Shoqatës A.K.Tërbaçi, Vlorë.
Biri i lavdishëm i Tërbaçit e gjithë Shqipërisë Hysni KAPO, u nda nga jeta më 23 shtator 1979, si rezultat i një sëmundjeje të rëndë. Ai u varros me të gjitha nderimet e respekt në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, si hero i popullit dhe komisar i atyre dëshmorëve të rënë për çlirimin e Shqipërisë në Luftën Nac-Çlirimtare. U përcoll me dhimbje nga familja, të afërmit e i gjithë populli shqiptar. Mbas disa vitesh do vinte një kohë që nuk vlerësohet puna e kontributi i këtyre luftëtarëve për liri e pavarësi dhe për rindërtimin e Shqipërisë, e cila ndodhej në një prapambetje shekullore si ekonomike ashtu dhe kulturore. Ndryshimi i qëndrimit ndaj tyre do të bënte që ata do të quhen të padëshirueshëm që të preheshin bashkë me dëshmorët që prunë lirinë e vendit. Pra po ndaheshin komandantët nga ushtarët. Një gjykim i tillë do të bëhej dhe për Hysni Kapon nga politika e kohës. Ishte viti 1992, ata filluan zhvarrosjen e komandantëve, komisarëve e gjithë drejtuesve te lartë te shtetit shqiptar nga varrezat e dëshmorëve. Veprim ky i turpshëm antikombëtar dhe jonjerëzor. Në këto kushte, në terrorin fashist të mbjellë nga politikanët e kohës kundra figurave dhe heronjve të këtij kombi, tërbaçjotët nuk do ta linin birin e tyre ta zhvarrosnin këto bisha. Në bashkëpunim e koordinim me familjen, bashkëluftëtarët e tij tërbaçjotë dhe nga gjithë Shqipëria, organizuan zhvarrosjen e tij. Vendimi nga familjarët dhe bijtë e Tërbaçit ishte që ai të rivarrosej në vendlindjen e tij në Tërbaç të Vlorës dhe kështu u bë. Ky ishte një veprim mjaft patriotik, që shprehte dashurinë, respektin dhe unitetin tërbaçjot të trashëguar në breza dhe të farkëtuar më shumë nga vete Hysni Kapo. Siç e thamë, kjo nismë u udhëhoq nga bashkëshortja Vito Kapo, nga fëmijët e tij Pëllumbi, Vera e Besniku si dhe nga bashkëluftëtarët tërbaçiotë Vebi Hoxha, Arif Hasko, Kadri Kiça, Haki Gjondeda , Ali Xhaka , Hysni Berdaj etj. Kjo nismë u mbështet nga shumë bij të tjerë tërbaçiotë në Tiranë, Vlorë e qytete të tjera. Gjatë lëvizjes Tiranë –Vlorë –Tërbaç Autokolona u përshëndet nga shumë qytetarë në çdo qendër banimi. Një pjesë do t’i bashkohen kortezhit për në Tërbaç. Gjatë rrugës tentuan të krijonin pengesa individë të izoluar, ndoshta të porositur nga ata që kërkuan zhvarrosjen nga varrezat e dëshmorëve . Në sajë të zgjuarsisë e guximit të organizatorëve, i cili përbëhej nga ushtarakë dhe ish-ushtarakë, këto tentativa do të shmangeshin. Autokolona e kortezhi, jo që nuk do pakësohej, por do të shtohej gjatë rrugës për në Tërbaç. Krahas grupit organizator nga Tirana kishte dhe një grup tjetër në Vlorë që kishte siguruar dhe pjesëmarrjen më të madhe, si dhe ai i pritjes në Terbaç që kryesohej nga kryeplaku Xhevair Rrapo. Pjesëmarrja ishte shumë e madhe nga gjithë krahina e lumit të Vlorës përveç atyre të ardhur nga Tirana e qytete te tjera me autobuzë e mjete private. Fjalën e rastit do ta mbante kryeplaku i fshatit Xhevair Rrapo dhe sipas traditës. Folën dhe figura e personalitete të tjera, si nga parti politike, nga shoqata e veteranëve të Luftës e të dëshmorëve. Si hero i popullit dhe komisar i njësive të larta të ushtrisë Nac-Çlirimtare atij rivarrimi do t’i bëhej me breshëri armësh. Për këtë ishin marrë masa nga një grup ushtarakësh e ish-ushtarakësh, bij të Tërbaçit dhe të fshatrave të tjerë të Labërisë e më gjerë. Më në fund Besniku do të ulej përgjithmonë të prehej në vendlindjen e truallin e tij. Nuk do të kishin më mundësi ta shqetësonin. Kjo ishte data 25 maj 1992, pra ai bën 25 vjet që prehet i qetë në tokën e tij, atje ku lindi. Aty ai ka kundruall dëshmorët që nisi e përfundoi luftën, ideologun e luftëtarin për liri e dije, Halim Xhelon e trimëreshën , burrëreshën, legjendaren Miro Tërbaçen, por dhe gjithë bashkëfshatarët e tij qç i donte dhe e donin shumë. Nga ajo ditë kanë kaluar shumë vite ku është folur e hedhur baltç për shumë drejtues e bashkëluftëtarë të tij, por për Hysni Kapon, birin e Terbaçit nuk kanë mundur të nxjerrin ndonjë gjë. Me vjen keq që para dy muajsh nga z .Zija Lepenica, vëllai i Sadik Premtes, është promovuar një libër kushtuar S. Premtes, ku thuhen dhe disa të pavërteta historike për Luftën Nac-Çlirimtare për qarkun e Vlorës dhe në veçanti për Hysni Kapon e Tërbaçin. Aty thuhet se këshillat Nac-Çlirimtare në Lumin e Vlorës dhe në Tërbaç i ka krijuar Sadik Premte, po ashtu dhe për organiz. e Partis Komuniste. Z. Zija e vërteta qëndron ndryshe. Sipas historikut që ne disponojmë i përpiluar nga Vebi Hoxha e Arif Hasko ishte dhe bashkëluftëtar me S. Premte deri sa ai i tradhtoi idealet e Luftes Nac-Çlimtare ku thuhet: Në mars të viti 1942 në shtëpinë e H. Kapos në buzujk është formuar këshilli i fshehtë me 5 veta, nga vete Hysni Kapo. Më vone në nëntor 1942 në shtëpinë e Baxhul Gjondedes është formuar këshilli më i plotë i deleguar në emër të frontit antifashist Nac-Çlirimtar ka qenë Ibrahim Dervishi, nga leximi dhe historikut te Vranishtit rezulton se dhe atje i deleguar ka qenë po Ibrahim Dervishi. Per sa i takon formimit të organizatës së Partisë Komuniste ne Tërbaç i deleguar ka qenë Mehmet Shehu. Sipas po këtij historiku rezulton, se Sadik Premte të ketë ardhur në Tërbaç vetëm në 1943, periudha e fraksionit, i cili ka kërkuar mbështetje nga organizata e partisë. Ata i janë përgjigjur duke i thënë ,se kur të vijë djali ynë do ta diskutojmë këtë problem dhe e dimë vete ne si do gjykojmë dhe kështu u bë. Hysniu vjen, bën takime e sqarime me popullin dhe më 15.5.1943 bëhet mbledhja e fshatit në Bragjin, bregu i kuvendeve për Tërbaçin, aty u vendos mbështetja e luftës Nac-Çlimtare e vetë Hysni Kapos dhe njëkohësisht dënimi i tradhtisë së Sadik Premtes. Do të veçoja se në këtë promovim libri nga folës të ndryshëm u tha se S. Premte është heroi i Lumit të Vlorës. Ky deklarim është ofendim për ata që janë heronj të vërtetë, të cilët e nisën dhe përfunduan Luftën, duke vlerësuar ata që i lanë në mes dhe i tradhtuan idealet e kësaj Lufte. Këto shpifje nuk i deformojnë dot faktet historike dhe sidomos vlerat dhe kontributin e Hysni Kapos, ai ka lënë gjurmë të mira, si në luftë, por dhe më vonë në rindërtimin e vendit. Për këtë figurë thuhen vetëm fjalë të mira, sepse ai ka dashur e ka mbështetur njerëzit e thjeshtë, ndoshta dhe pa përkrahje. Le ta konkretizojmë këtë me ngjarje reale të kohës para viteve 1990. Hysni Kapo siç e kish zakon niset për një inspektim në zonën e Lumit të Vlorës me disa drejtues të komitetit Partisë së rrethit. Në afërsi të urës Gjormit, pa se në fusha po punohej, qëndroi duke u futur në fushë për t’u takuar. Si ndodh në këto raste u afruan të gjithë pranë tij. Një grua vazhdoi të punonte, atij i ra në sy dhe pyeti. Po ajo vajza pse nuk erdhi. Drejtuesit e kooperativës i përgjigjen se ka një problem në biografi. Thirreni të vijë u thotë. Mbasi vjen e pyet dhe del se ai njihte prindërit e saj, të cilët e kishin strehuar gjatë Luftës , problemin ajo, si duket e kishte nga ana e burrit. Mbasi bën dhe fotografi me të ai u drejtohet atyre që kishë me vete dhe u thotë; “Njerëzve duhet t’u themi hajdeni tëhu, jo ikni tutje!”, bëhet fjalë për vitet 1975. Pra ai thoshte t’i mbajmë afër dhe ata që mund të kenë ndonjë gjë te vogël. Pra ky është Hysni Kapo, mundohej t’i zbuste gjërat dhe jo t’i acaronte. Kam mendimin se kjo merr vlera dhe sot që jemi në pluralizëm dhe e luftojmë njëri-tjetrin si armiq. Episode të tilla për këtë personalitet ka shumë, ato tregohen në çdo takim, grupe te vegjël e të mëdhenj. Duke qenë se jemi dhe në 25 vjetorin e prehjes në vendlindjen e tij, ia vlen të flasim pak dhe për një ndërhyrje që është bërë në memorialin ku ai prehet. Kishte kaluar një kohë e gjatë, nga koha e rivarrimit që përkonte dhe me një periudhë të vështirë, ambienti nuk ishte dhe shumë i përshtatshëm, me kalimin e kohës kishte dhe dëmtime, kjo kërkonte ndërhyrje. Ajo u bë nën kujdesin e familjes dhe kontributin e atyre që e kanë dashur dhe e duan Hysni Kapon . Puna u krye nga specialisti talentuar tërbaçjot, Adif Cane, i cili është mjeshtër i punimit të gurit e mermerit. Në sajë edhe të projektit ambienti ka dalë shume i bukur, i punuar krejt në mermer nga porta dhe ambientet e sheshit. Me këtë rast dhe ne emër të fshatit i falënderojmë kontribuuesit duke u uruar suksese në punët e tyre. Për këtë figurë të ndritur, shoqata A.K. Tërbaçi dhe vete fshati nuk do të mjaftonin vetëm me rivarrimin e tij në vendlindje, ata do të zhvillojnë shpesh përkujtime, të cilat janë bërë të paktën tre herë në vit si data 20 janar, përkujtimi Brig. V Heroike, 5 Maji si dhe takimi përvitshëm i brezave. Por shoqata nuk do mjaftonte vetëm me kaq, ajo ka zhvilluar aktivitete të përmasave të mëdha për jubiletë e datëlindjeve si në Tërbaç dhe në Tiranë, në ambientet e Muzeut Kombëtar organizuar nga shoqata, dega e Tiranës me kryetar Hasan Hoxhën. Në kuadrin e 70-Vjetorit të Çlirimit, po nga shoqata në bashkëpunim dhe me Bashkinë Vlorë e shoqatën mbarë kombëtare “Labëria” si dhe Komitetin e veteraneve u zhvillua një aktivitet i madh në kino-teatrin “Petro Marko”. Në këtë kuadër me propozim të shoqatës Tërbaçi , shoqata “Labëria” e vlerësoi Hysni Kapon me titullin Personalitet i shquar i Labërisë, për kohën titull mjaft domethënës e vlerësues. Në vazhdimësi ne do vazhdojmë të punojmë si shoqatë në ruajtje e promovim të këtyre figurave me vlera të mëdha historike.

Bexhet Rrapo 
Kryetar i Shoqatës A.K.Tërbaçi, Vlorë. 
Sigal