Hysni Burgaj: “Nga zyrat tona, nuk dëgjojmë asnjë armë të bëjë bam”

591
Sigal

INTERVISTA/Kryepolici Hysni Burgaj: “Banditët duke u vrarë me njeri-tjetrin, lehtësojnë edhe punën e policisë kundër krimit”

E kisha lënë me kryepolicin që të takoheshim te zyra e tij, sepse vetëm aty, kryepolici Burgaj më garantoi se do të ishim më të sigurt nga ndonjë koqe plumbi jetim, nga ata që bredhin çdo çast fiu-fiu në Pazar. Dhe vërtet, kur pashë me sytë e mi, aty, para zyrës së kryepolicit të shtetit, tërë ato masa fortifikimi, që vetëm Bagdati i ka, u binda që vetëm këtu, plumbat jetimë, e kanë të vështirë që të bredhin fiu-fiu, e jo më banditët që duan të bëhen trima me policët. Para policisë nuk janë më gardhet e parë, por kanë mbjellë ata bunkerët e Enverit, që shkulën fushave e maleve. Ca tanke, nga ato që i shpëtuan  privatizimit e shitjes për skrap, i kanë parkuar para zyrës të shefit të madh të policisë dhe siç më tha me të qeshur roja, duke më dëftuar me gisht tanket: “Banditëve, po jua mbajti menderja, le të vijnë këtu”.

– Po a kanë predha këto tanket e policisë?- e pyeta policin që zgërdhihej me fuqinë e tankeve të parkuar para zyrës së shefit të madh të policisë.

-Predhat i kemi bërë skrap në Gërdec, po banditët i tremb hija e tankut- ishte përgjigja e policit roje. Në korridorin e zyrës së shefit të madh të policisë kishin dislokuar një top fushor, ndërsa te dera e zyrës ishte në fortifikatë një mitraloz me rrota, i kohës së Stalinit.

– Akoma punojnë këta?- i thashë policit, që më shoqëronte, për mitralozin me rrota.

– Nuk punon, po ne e morëm nga muzeu, sepse lekët që na tepruan, nga tenderi, i hëngrëm bërxolla e i pimë birra në Gjermani, kur vajtëm të blinim armë për policinë.

Kur hyra në zyrën e shefit të madh të policisë, syri më zuri ca frëngji të vogla, mbi të cilët vigjilonin ca snajper me dyfekë në sy.

Kam shumë nostalgji për vendlindjen, ndaj edhe zyrën time e kam bërë si dhomën e kullës në fshat,- më tha kryepolici, zoti  Hysni Burgaj, kur lexoi habinë time për frëngjitë në zyrën e shefit të madh të policisë, këtu m’u në mes të Tiranës.

– Zoti Kryepolic, mileti jashtë është trembur nga vrasjet, jo vetëm në mes të pazarit, por edhe brenda në shtëpi.

– Vrasje në Pazar? Kur ndodhi? Mua nuk më ka ardhur asnjë informacion nga vartësit e mi.

– Ka ditë të tëra, që këtu te ne, janë vrarë më shumë se në Bagdat, zoti Kryepolic.

– Emo, nuk u bë ndonjë qamet i madh, se u vranë dy-tre copë. Situatën e kemi, ja në pëllëmbë të dorës.

– Nuk e di se ç’keni ju në dorë, po a e dini që mileti ka lepurin në bark nga plumbat që u derdhen kokës, kudo që janë e kudo që venë, si breshëri i beharit?

– Nëse nuk më beson mua, si kryepolic, na shiko shifrat. Ditët që unë jam kryepolic janë vrarë më pak nga koha Nanos. Kot nuk më qëndisi këto kurora në ngjyrë ari në sup, i nderuari Noka.

Po le t’i lemë shifrat. Ju, veç tankeve që keni dislokuar para portës, veç bunkerëve që keni mbjellë si gardh, veç mitralozave që keni te dera, e veç frëngjive të zyrës tuaj, miletin, si do ta mbroni nga krimi?

– Derisa nuk më beson, po të them planin operativ, po ama, mos e bëj muhabet pazaresh, që të na zbulohet nga kriminelët. Policia i lë vet kriminelët që të vriten me njëri-tjetrin.

– Po shteti ligjor?

– Lëre mo shtetin ligjor ti. Atë e kemi parullë për miletin. Plani ynë operativ synon që kriminelët, duke vrarë njëri-tjetrin, i lehtësojnë barrën policisë, sepse ulet vetë numri i kriminelëve. Pakësohet edhe puna e gjykatave dhe e prokurorëve. Po ulen edhe shpenzimet që shteti do paguante për kriminelët, po t’i mbajë në burgje xhaba. Por, më kryesorja, është që mbrojmë edhe policët tanë.

Si i mbroni kështu policët?

– Po, pse budalla është polici sot, që të luftojë ballë për ballë me kriminelët? Ata e panë me sytë e tyre, se ata policë që u vranë duke luftuar me kriminelët, ç’fituan? Vetëm 2 metro katror tokë.

– Kjo do të thotë që edhe vetë ju pranoni që polici dhe policia është inkriminuar në botën e krimit?

– Avash- avash, ti, me këto fjalë të mëdha. Bashkë llafosemi, duke pirë kafe, e nuk na dëgjon mileti, që të shtiremi kot. Po a nuk do të jetojë polici? Hë ma thuaj?

Polici, a nuk paguhet që të  punojë për të mbrojtur jetën e qytetarëve?

– Po, pse, me ato kacidhe rrogë që i jep shteti, sot e jeton dot familjen polici? Hë, ma thuaj? E, pastaj, i jap dot urdhër unë, që të vërë kokën e tij në plumba, që të mbrojë kokat e miletit?

Po ti nuk je ankuar fare për të shkretët policë?

– U kam thënë policëve. Bëjini vetë derman kokës, se shteti nuk ka për ju. Dhe ata nuk më ankohen më dhe unë tani jam i qetë.

– Kur nuk u jep lekë shteti, ku i gjejnë policët paratë?

– Punë e tyre. Të marrin gjë ty? Jo. Shtetit nuk i marrin, po as i kërkojnë më. Atëherë, ç’të duhet të mësosh.

– Po ky a nuk është korrupsion, zoti Kryepolic?

– Po te shteti sot, të gjithë shikojnë rrushi- rrushin si piqet.

– Po krimi vret edhe fëmijë e gra brenda në familje, juve nuk ju dhimbet fare?

– Po, ç’të bëj unë? Të vë nga një polic pas çdo gruaje, që ka sherr me burrin e saj? Gratë, që të kenë kokën e tyre në vend, të mos ia bëjnë dysh fjalën burrit. Se nga anët tona, themi, që gruaja është pronë e burrit.  E di ti sa policë paguaj unë që ruajnë zonjën Kryetare të Kuvendit dhe zonjën ministre? Një batalion policie. Që të ruaj gratë e tjera, më duhet të vesh policë gjithë miletin kinezë.

– Po ty të kanë vrarë komisarët e tu, e nuk bëre asgjë, zoti Kryepolic?

– Po ata, bënë me kokën e tyre, nuk zbatuan urdhrat e mia. Përditë u them vartësve të mi. Qetësi dua, jo sherre me asnjë. Hajde në ujdi me këto. I zoti bëhesh kur i vë kriminelët   t’i nxjerrin sytë tjetrit, po pa na bërë dëm neve të tjerëve. Kush e gjeti të drejtën, që ta gjejë polici. Po e ngacmove tjetrin në punën e  vet, do ta gjesh gjëmën. Ndaj,  të përgjigjem me sinqeritet. Ç’të bëj unë për komisarët e vrarë? Të gjej belanë e vetes? Budalla jam?!