Humbje e madhe për kulturën shqiptare

806
Sigal

Shuhet jeta e poetit dhe intelektualit të shquar kosovar Ali Podrimja

Siç është bërë e ditur nga shtypi vendës, kosovar dhe i huaj, është gjetur në Francë trupi i pajetë i poetit të mirënjohur kosovar, Ali Podrimja, i cili konsiderohej i humbur prej 18 korrikut. Trupi i pajetë i poetit është gjetur  pa shenja dhune, në një zonë malore, 4 kilometra larg qytetit Lodeve të Francës, ku zhvillohej festivali i poezisë. Trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja do të riatdhesohet brenda pak ditësh, menjëherë sapo  të  përfundojnë procedurat mjekoligjor. Ndërkohë Kosova dhe mbarë Shqipëria vazhdon të jetë e tronditur nga vdekja e parakohshme e poetit Ali Podrimja, pasi vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen, për të gjithë miqtë e tij të shumtë, për lexuesit që e çmonin dhe e donin, për gjithë kulturën dhe letërsinë shqiptare”. Për më shumë se gjysmë shekulli Podrimja ishte zëri identifikues i Kosovës, zëri që artikuloi dhembjen dhe shpresat e Kosovës, idealet dhe synimet e saj.

***

Ali Podrimja ishte një ndër poetët më të mirë shqiptarë, një nga përfaqësuesit më tipikë të saj, një poet me një emër të madh në shkallë vendi, por edhe në shkallë ndërkombëtare. Botën e vet poetike, të personalizuar dhe origjinale ai ka artikuluar përmes një sistemi figurativ të konsoliduar, me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Në stilin e ti poetik, veç figurave të tjera zenë vend, sidomos simboli dhe metafora. Ali Podrimja solli në poezinë shqipe elementë modernë, madje e gjithë poezia e tij është moderne, sepse ai e çliroi poezinë shqipe nga konvencialiteti, nga disa rregulla metrike, rimë, ritëm, vargu i thurur apo, nga përmbajtjet si, fryma propagandistike. apologjike, e poezisë së pasluftës etj. Jo, ai vendosi parime të tjera krijuese, vargun e lirë, shqiptimin metaforik, gjuhën ironike, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Parimet dhe metodat krijuese të Podrimjes përbëjnë një shkollë më vete për poezinë shqipe dhe poetët e rinj. Sepse poetët e mëdhenj janë shkollë për të tjerët, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Atij i ra që në momentet e pjekjes artistike të jetojë të pushtuar nga zgjedha serbe. Kush më shumë se zemra e poetit mund ta ndjente këtë pushtim, por edhe kush më shumë se ai do të kundërvihet me krijimtarinë e tij artistike këtij pushtim. Ai bashkë me shumë intelektualë të tjerë kosovarë u bënë zëdhënësit dhe udhëheqësit shpirtërorë të rezistencës dhe luftës kundër pushtuesit. Pas viteve ’90 me hapjen e Shqipërisë atë e gjeje shpesh në Tiranë përkrah kolegeve të shquar, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu etj., çka solli te ai një njohje më të gjerë të vendit, të mjediseve sociale dhe rrjedhimisht edhe të një tematike të larmishme, që bëri të respektohet poezinë e tij në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjes karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Gjatë viteve ’60 ka patur një moment të vështirë në jetën e poetit Ali Podrimja, të cilin ai e përjetoi rëndë dhe la gjurmë në të gjithë krijimtarinë e mëpasshme të poetit. Kjo ishte vdekja nga një sëmundje e pashërueshme e djalit 12-vjeçar, Lumit, të cilit ai i kushtoi një vepër të tërë artistike, që është nga më të bukurat dhe më prekëset e krijimtarisë së tij.

  Ndahet nga jeta Prof.Dr. Shefik Osmani

Pas një sëmundjeje të gjatë, dje pasdite, i mbylli sytë përgjithnjë, në Tiranë, prof.dr. Shefik Osmani. Prof. dr. Shefik Osmani është njëri ndër  pedagogët e studiuesit më të shquar të fushës së arsimi dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, didakt e publicist  i njohur,  botues i sa e sa veprave nga praktika pedagogjike e metodike etj. Është autori i veprës tashmë të njohur e unike, “Fjalori i Pedagogjisë”, për të cilën iu dha “Çmimi i Republikës”  dhe  një ndër bashkautorët kryesorë,  në veprën madhore “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”. Ka lindur në qytetin e Shkodrës së traditave të lashta atdhetare, arsimore, kulturore, letrare e shkencore, në vitin 1923. Me pasionin e të riut për dije e shkencë, ai iu përkushtua tërë jetën edukimit dhe mësimit të brezit të ri. Pas mbarimit të studimeve të larta për pedagogji jashtë vendit, shërbeu me përkushtim të veçantë në disa shkolla, që përgatitën mësuesit e rinj. Gjurmët e pashlyera të tij i gjejmë sot e kësaj dite, në qytetet Shkodër, Peshkopi e Tiranë. Më pas, vite të tëra shërbeu inspektor e gazetar në Ministrinë e Arsimit e Kulturës dhe punonjës shkencor në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Gjatë jetës së tij, prof. Shefik Osmani shkroi e publikoi shumë vepra didaktike e shkencore nga fusha e arsimit, si dhe qindra artikuj e studime, në gazeta e revista të ndryshme. Me aftësitë e pjekurinë e tij pedagogjike e shkencore, me zellin e këmbënguljen e dallueshme të tij për kërkime dhe studime të thelluara, arriti të shkruajë e publikojë afër 40 tituj librash kërkimorë, studimorë e shkencorë. Ndihmesa  shumëvjeçare e tij, pedagog, studiues e botues në fushën e arsimit kombëtar shqiptar, do të kujtohen dhe vlerësohen jo vetëm sot, por ato do t’u qëndrojnë edhe viteve pasardhës.

 

 

Unë, biri yt, Kosovë

 Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,

t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,

t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,

t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuja të kulluara;

ta di gjakun që të vlon në gji,

dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta

e të shpërthej do si vullkan:-

më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.

Unë biri yt.

Rënkimi

 Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!

Diellin tënd verbuar e kanë tytat,

E vatrat shkimbur deri në një.

Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë

Me duar të mia të çara

Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;

Pragje thyer e konaqe mbyllur…

Për gjithkë e për askë vrarë jemi…

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj

Plepi im qiellin do ta shpojë,

Plepi im i kallur

Qiellin e humbur majë një shpate.

Kush ishte Ali Podrimja

Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë, Kosovë. Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Me krijimtarinë e tij të veçantë është cilësuar si një nga poetët më të mëdhenj shqiptar. Ai e kaloi gjithë jetën e tij në Kosovë, në fillim në Gjakovë dhe më pas në Prishtinë. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme Rilindja, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në Edicionin e Botimeve “Rilindja”, ku drejton bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i PEN-it shqiptar, ai në vitin 1996 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i saj. E filloi krijimtarinë që në vitet ’60 me përmbledhjen e parë me vargje elegjiake “Thirrje”, që i kushtohej shtypjes serbe. Më pas vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969), “Torzo” (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore “Lum, lumi”, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare. Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz” etj., deri te dy librat në prozë: “Burgu i hapur” (1998) dhe “Harakiri” (1999). Krahas këtyre, Ali Podrimja ka dhe një numër të madh trajtesash shkencore, mbajtur në universitete, akademi dhe takime poetike, që e kanë bërë fitues të shumë shpërblimeve të ndryshme letrare.

 

Ali Podrimja i Pikëllimës

Myslim PASHA

M’u kujtua, pikëllima në ditën e paditur.

Në mosdijen e Botës, dikush kërkon thërmijen “Higgs”

Dhe e gjetën pardje në mëngjes.

E gjetën tek përplasnin thërrmijat në limitet e thella.

Drejt “vrimave të zeza”

 

Po ti vëlla, ç’kërkoje në atë mal thërrmijash pafund.

Në atë mosnjohje të njohur, lum e pate jetën

Lum e pate, fatin lum dhe vdekjen.

Të gjithë me ditë lume.

Dhe pa ditën e lume!

 

Në cilin orientim rrjeti yt i Arushës së Madhe

Me yjëzit që ti i hidhje si farë gruri mbi Kosovën e e patretur.

Erdhi një çast, që kujtesa po shterej, e mbushur dingas

Me dhimbjen e dhimbjes së gjenit.

Ndërkaq në Unazat e Saturnit ti kërkoje një metaforë hidhërimi.

Sa larg kishe shkuar, sa mijëra vite dritë, në shtigje.

Dhe tani thonë se kishe humbur udhën.

Kishe lënë tryezën e poetëve për të gjetur të pagjeturën.

Sikur  sëmundja Alzhemejër përzierë ndër mistere.

Në atë mal të pamal, ta solli në çast kujtesën.

Në mijëra vjet dritë, Ali i Podrime me Kosovën po ndrit.