Hoxhë Tahsini, i pari që nisi të gjallërojë vetëdijen kombëtare

1902
Sigal

INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Bashkim Kuçuku: “Tahsini u caktua drejtor i Universitetit të parë në STamboll”

Hasan Tahsini, shkencëtar dhe dijepërhapës enciklopedist, është një figurë, që edhe sot, pas 200 vjetësh nuk është përsëdytur, në përmasa të tilla, në historinë e kulturës shqiptare. Megjithëse dijet e shumëllojshme i ushtroi, kryesisht, larg atdheut dhe jo në dobi të gjindjes së vet shqiptare, ndihmesat kombëtare janë të shquara. Sami Frashëri, në kujtimet e tij, ka shkruar “I ndjeri Hoxhë Tahsin ishte një nga ata njerëz të mëdhenj që qindvjeçarët dhe kohët (epokat) i nxjerrin rrallë dhe me vështirësi.”1

Vepra dhe veprimtaria e tij ka dy përmasa:

1. Përmasa universale, gjithënjerëzore, e përbërë nga afrimi dhe integrimi/ndërfutja e kulturës, dijeve dhe shkencave perëndimore europiane në ato aziatiko- afrikane lindore.

2. Përmasa shqiptare, kombëtare.

-Si një njohës i mirë i figurës së tij, ç’mund të na thoni për figurën e Hasan Tahsinit në kontekstin historiko-shoqëror?

Në rrafshin historik shqiptar është koha, kur shqiptarët jetonin në Perandorinë Osmane, me vetëdije kombëtare të përhumbur, në prag të Rilindjes dhe në periudhën e parë të saj. Në rrafshin e Perandorisë Osmane, është koha, kur ndjehej pesha e rëndë e prapambetjes dhjetra shekullor dhe e krisjeve të pleqërisë së fundme, si dhe nevoja e emancipimit shkencor dhe qytetar europian, ndonëse ende nuk ishte e aftë ta kryente.

Në rininë e tij, për dhuntitë e shquara intelektuale, Hasan Tahsini ishte mes nxënësve të grupit të parë që u dërguan posaçërisht për të studiuar në Francë dhe prej andej të sillnin botëkuptimin, dijet, shkencat dhe kulturën europiane. Ai e kreu këtë mision mësëmiri përtej çdo parashikimi dituror dhe përtej formimit të shoqërisë osmane të atëhershme.

I formuar fillimisht si hoxhë, me dije dhe kulturë islame lindore, i mbiformuar me dijet dhe shkencat perëndimore europiane, pikërisht, në Universitetin e Sorbonës, në Paris të Francës, një nga universitetet më të përparuar e më të njohur në kontinent, ku punoi disa vjet në Observatorin e vëzhgimeve të kozmosit,veprat e tij, “Historia e qenies ose e krijimit”, ndër dijet më të vështira, të abstraksioneve më të lartë, “Sekretet e ujit dhe të ajrit”, “Psikologjia”, të gjetura, dhe të tjera të humbura, janë përpunim dhe përhapje e dijeve filozofike, shkencave të natyrës, matematikës, astronomisë, psikologjisë, në Perandorinë Osmane. “Ndër ne, ka shkruar Sami Frashëri, gjenden dijetarë në lëmin e dijeve antike dhe në lëmin e dijeve të reja, po nuk gjenden njerëz që të zotërojnë së bashku këto dy grupe; janë shumë të paktë. Ja pra, Hoxhë Tahsini është në krye të  këtyre dijetarëve të rrallë. Ai, përveçse zotëronte së bashku dijet edhe shkencat e këtyre dy grupeve, po nuk kishte as shembëllim (krahasim). Prandaj unë besoj se njerëzit tanë të ditur, intelektualët, nuk do të preken kur do të mëtoj (pretendoj) që në atdheun tonë (Perandorinë Osmane, sqarimi ynë) në këtë qindvjeçar titullin “savant”i ditur (sqarimi ynë) nuk e meriton askush tjetër, përveç Hoxhë Tahsinit. Në të vërtetë ai njeri që mëton për këtë titull, duhet të zotërojë të gjitha shkencat dhe dijet e zbuluara dhe të njohura, si edhe duhet të ketë aftësi të thella dhe të gjera në këtë drejtim. Hoxhë Tahsini zotëronte jo vetëm të gjitha dijet dhe shkencat që ishin zbuluar e njohur që në kohën e Ibn-i Sinës, po njëkohësisht ai kishte dijeni të gjera edhe në lëmin e dijeve dhe shkencave të reja; kështu ai me të drejtë e meriton këtë titull.” 2

Arritjet e shkencave europiane, që përhapi dhe lëvroi, si dhe dijet lindore, janë vlera universale për të gjithë, pavarësisht nëse i përkasin qytetërimit europian, aziatik, afrikan, krishterimit apo islamizmit. I ndodhur në pikën kohore nyje të afrimit të shkollave të Lindjes me ato të Perëndimit, Hasan Tahsini nisi të gjejë përbërësit plotësues dhe të përpunojë ndërkomunikimin mes tyre, duke i ngritur vlerat e secilës në rrafshin universal.

 “Donte, shkruan Sami Frashëri edhe për këtë anë të rëndësishme të botëkuptimit të tij, mbarë njerëzimin, të cilin e shikonte dhe e quante si një familje të përbashktë. Të gjithë njerëzit i shikonte si vëllezër të një fisi dhe të një gjaku. Mërzitej nga ndasitë që ishin ndërmjet njerëzve dhe nga grupimet e dallimet e tyre. Mendonte e pranonte se njerëzimi në tërësi ka shumë nevojë për përmirësime të gjendjes së tij dhe për qytetërim. Të gjitha lutjet në zemrën e tij të pastër i përkisnin mbarësisë dhe dobisë së njerëzimit. Shkallën dhe gjendjen e qytetërimit të evropianëve e njihte fare mirë, po nuk e kënaqte dhe nuk e pëlqente çdo gjë të tyre. “Ata, thoshte, janë më të përparuar se sa ne, por ende kanë shumë të meta dhe shumë nevoja” 3  Përpjekjet për t’i afruar dhe ndërfutur/integruar mes tyre këto dy kultura, e zgjerojnë mjaft përmasën e saj universale me një lëndë të thellë humanizmi mbarënjerëzor. Duke qenë në shkallare të tilla, kaq të larta, u zgjodh rektor i universitetit të parë në Perandorinë Osmane.

-Po intelektualët turq çfarë kanë shkruar për të ?

Në tekstin “Historia e shtetit, shoqërisë dhe e qytetërimit osman”, shkruar vitet e fundit nga një grup i madh autorësh turq, për Hasan Tahsinin janë edhe këto  radhë: “Zyrtarisht, universiteti osman u formua më 1869 sipas një dekreti perandorak… dhe u hap në shkurt 1870 në një ceremoni madhështore të pritur nga kryeveziri Ali Pasha, ministri i Arsimit Safvet Pasha dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Tahsin Efendiu (Hoxha Tahsin), i cili kishte dhënë mësim në Shkollën Osmane në Paris në vitin 1857, u caktua drejtor… Ai rikonstruktoi programin mësimor sipas mundësive të kohës në një mënyrë që binte ndesh me rregulloren.” 4

Sami Frashëri sqaron konfliktin dhe pasojat që ranë mbi Hasan Tahsinin. “U emërua rektor i universitetit, por u pushua për shkak se përdori në një rast, gjatë një mësimi të përgjithshëm, një shprehje të keqkuptueshme” 5

Mendimi i hoxhallarëve dhe i emisarëve të tjerë fanatikë nuk i pranoi shkencat e reja europiane, i quajti ato kundërfetare, dhe Hasan Tahsini u shpall heretik. Zyrtarët u detyruan ta ndëshkojnë rëndë, duke e larguar nga detyra. Sami Frashëri, që e kishte njohur nga afër dhe e dinte të vërtetën e paraqet kështu shkakun dhe gjendjen e tij të mëpasme: “Ndonëse pësoi një ndëshkim si atë që pëson shumica e shkencëtarëve, meqë ishte nga ata që shkojnë deri në mohimin e fesë, u mjaftua pas kësaj vetëm me rrogën që merrte për gradën shkencore që mbante, duke zgjedhur për banesë dhe vend për dhënie mësimi një shkollë të vogël të braktisur përballë Portës së Lartë.” 6

Këtë mision dijepërhapës, në mënyrë institucionale, e kreu vet Sami Frashëri, ish- nxënës, mik i afërt e pasues i tij, sidomos me veprat enciklopedike në turqisht.

-A njihej në Europë Hasan Tahsini ?

Vite më vonë, deri në ditët e sotme, kolegjet dhe universitet europiane dhe universitetet vendase të europianizuara i ndërruan kahjen e zhvillimit Turqisë, kulturës, arsimit dhe shkencave të saj, drejt afrimit dhe ndërfutjes/integrimit të saj në Europë, atë që filloi Hasan Tahsini i ndëshkuar.

Vepra e tij emancipuese ka qenë në konflikt me formimin dituror dhe mjedisin e Stambollit, ku jetonte, tabloja e përmbledhur e të cilit, do të ishte kjo: një zhvillues dhe përhapës i shkencave moderne europiane përballë Perandorisë së madhe Osmane tepër të prapambetur. Përfundimi: duke qenë e papërgatitur për ta mirëpranuar dhe përdorur, me sa mundi, ajo e pengoi, ndaloi dhe  zhduku pjesën më të madhe të saj.

-Po përmasat e tij kombëtare shqiptare, si do t’i cilësonit?

Edhe pse veprimtarinë kombëtare e filloi më vonë, dhe është me shtrirje më të vogël, ajo është themeli, sepse lidhet me qenien shqiptare. Më i madh në moshë, ai është mësuesi i rilindësve më të rëndësishëm, Naim e Sami Frashëri, iniciator veprimtarish atdhetare dhe bashkëpunëtor me Kostandin Kristoforidhin, Jani Vreton, Pashko Vasën, etj., sidomos për krijimin e alfabetit të shqipes. Ishte kundërshtar i vendosur, me argumente shkencorë për të mos marrë alfabetin arab, sepse, nuk i përshtatej shqipes, nuk e shprehte tërë gjerësinë dhe pasurinë e saj. Për të duhej një alfabet i përgjithësuar, një lloj i pranueshëm, si për muhamedanët, që e kishin Kuranin në arabisht, ashtu edhe për të krishterët, ortodoksët, që e kishin Biblën në greqisht, dhe katolikët, që e kishin në latinisht. Ndryshe nga iniciatorët e tjerë, dhe për të shmangur grindjet përçarëse të shqiptarëve, që anonin nga njëri ose tjetri alfabet, sipas feve dhe formimit të tyre kulturor, krijoi një alfabet krejt të veçantë, me shenja origjinale. Deri sot nuk ka pasur të dhëna të jetë përdorur, për shkak të vështirësisë së prodhimit të shkronjave për shumëfishimin e teksteve. Studiuesi Niko Stillo, njohës i padiskutuar i alfabeteve të shqipes, sidomos të Jugut, jep mendimin, se alfabeti i tij është përdorur në përkthimin e “Dhiatës së Re” në dialektin çam, nga prifti i Paramithisë, Angjelos Çaços, po nga Çamëria,  kushuri i Vasiliqisë, gruas së Ali Pasha Tepelenës, cili arriti të bëhej edhe Patriark Ekumenik në Stamboll,  adhurues e mik i Hasan Tahsinit, mësues, në “Zosimea” të Janinës, i Naim dhe Sami Frashërit.  7

-A ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri. A ka dokumente se çfarë aktiviteti kryente kur vinte në Shqipëri?

Në atdhe, ku kthehej herë pas here me mision të vetëcaktuar, ndofta, ishte i pari që nisi të gjallërojë vetëdijen kombëtare, t’i afrojë e organizojë bashkatdhetarët  për të kërkuar lirinë. Për përkushtimin dhe sakrificat e tij të larta është shumë domethënës një dokument, thuajse, i panjohur në historiografinë shqiptare. Nënkonsulli anglez  në Janinë, B. Qiprioti, më 1874, njoftonte ambasadën angleze në Stamboll: “Kam nderin të njoftoj shkëlqesinë tuaj, se guvernatori i përgjithshëm i Janinës, i cili po udhëton prej katër javësh në krahinën e juridiksionit të vet, ka kapur në Delvinë një mysliman shqiptar, të quajtur Hasan Tahsin Efendi dhe e ka dërguar atë me një roje prej dymbëdhjetë çaushësh në Janinë; ai ka mbërritur këtu më 17 të këtij muaji. Autoritetet nuk e futën atë në burgun e përbashkët, por në një kazermë, ku e mbajnë të mbyllur me rreptësi, duke ndaluar çdo njeri që të mos e shohë ose të mos flasë me të.

Ky person është vendas nga një fshat në krahinën e Filatit; më parë u ka mësuar në Paris turqishten të rinjve, që qeveria osmane i kishte dërguar për të studiuar atje. Më vonë, pasi udhëtoi nëpër Itali, ka ardhur prej andej në Shqipëri, ku nën pretekstin  se po mblidhte lëndë për një gramatikë dhe një fjalor të shqipes, u ka predikuar lirinë kombëtare bashkatdhetarëve dhe ka regjistruar cilindo që përqafonte projektin e tij: të punojnë për lirinë e vendit të tyre dhe të ngrenë një principatë ose një demokraci shqiptare. Pasuesit e tij mund të jenë në numër shumë të madh në Shqipërinë e epërme dhe të poshtme, madje edhe në Stamboll.” 8

Në këtë dokument del në disa role njëherësh, që është edhe portreti i tij i njëmendët: në rolin e gjuhëtarit të shqipes, duke mbledhur lëndë  për fjalor dhe gramatikë; në rolin e përhapësit të idesë për lirinë kombëtare dhe të organizatorit të shqiptarëve, në Veri dhe në Jug, për një principatë, d.m.th., një lloj shteti demokratik, disa vjet para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atë që bëri gjerësisht më vonë Abdyl Frashëri, dhe udhëheqës të tjerë të Lidhjes së Prizrenit, e pati filluar Hasan Tahsini.

DITA E MËSUESIT

Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë hapet mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore për popullin shqiptar ngase deri më atëherë mësimet mbaheshin nëpër shtëpi private në mënyrë të fshehtë. Kështu që prej kësaj dite festohet në Shqipëri 7 marsi si dita e mësuesit në përkujtim të kësaj ngjarje. Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej mësimi i gjuhës shqipe, ajo qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj.

ABETARJA E GJUHËS SHQIPE

Abetarja e parë e gjuhës shqipe, është ajo e vitit 1844, me titull “Fort i shkurtër e i përdorshëm Evetar Shqip”. Ajo u përgatit nga personaliteti i shquar i Rilindjes Kombëtare Naum Veqilharxhi. Kjo abetare u ribotua më 1845 dhe përmbante 50 faqe. Punën e Veqilharxhit  e vijojë Kostandin Kristoforidhi, një tjetër figurë e Rilindjes Kombëtare, i cili në vitin 1867 botoi  një abetare gegërisht dhe një toskërisht. Epokën e re për librat shkollorë dhe përgatitjen e truallit për shkollën kombëtare  e përgatitën figurat e njohura si Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Koto Hoxhi, të cilët gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1879, botuan “Alfabetajra e gjuhës shqipe”.

AKADEMIA E SHKENCAVE

Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë u krijua në vitin 1972, duke bashkuar disa nga 25 institucionet kërkimore shkencore që ekzistonin atëherë. Në 25 janar 1973 u bë mbledhja e parë e Asamblesë, që shënon njëkohësisht edhe ditën zyrtare të themelimit të akademisë. Kryetar i parë i Akademisë së shkencave ka qenë Prof. Aleks Buda ( historian) dhe në radhët e akademikëve të parë renditen Prof. Eqerem Çabej, Kolë Popa, Petrit Radovicka, Androkli Kostallari, Petrit Gaçe etj.