“Hoselito” i Sarandës

595
Sigal

Teksa bisedoj pas një koncerti me Reinaldo Gaçin, kujtimet më çojnë në fëmijërinë time të hershme dhe pikërisht kur në kinema shfaqej filmi ”Dëgjoni këngën time” me të madhin Hoselito. Të duket sikur ajo dramë po rishfaqet nga sekuencat filmike në realitet, kjo tek dëgjon rrëfimin e e Reinaldos. Jeta nuk i ka falur buzëqeshjen e sajë, por Reinaldo gjen forca t’ia marrë buzëqeshjen jetës, ta shijojë atë e t’u falë njerëzve gëzim e kënaqësi sikur do të kompensojë atë që vet atij i ka munguar. Drama familjare e ka burrëruar para kohe. Është vetëm 18 vjeç dhe mundohet me zërin e tij të siguroj të ardhura, e pse jo edhe jetën, pa lënë pas mësimet si nxënës në shkollën e mesme Hoteleri –Turizëm të Sarandës. Jo pak fëmijë dhe familje shqiptare kanë fatin e tij, por të pakët janë ata që i dalin jetës përballë duke mposhtur atë që jeta u solli në prag. Ndaj thashë se na kujton të madhin Hoselito. Dhe Reinaldo një këngëtar shëtitës, ndonëse pa arsimim profesional, por zëri magjik i falur nga natyra, që me mburrje thotë se e ka dhuratë nga geni i nënës, magjeps qindra e qindra pushues gjatë sezoneve verore. Këndon, kompozon, improvizon. Ja biseda që zhvilluam me Rein.

Kur ke filluar të këndosh?

-Në radhë të parë falënderime se është hera e parë që shtypi tregon interes. Faleminderit “Telegraf”. Dhe kjo nuk është pak për mua  duke marrë parasysh fatin tim. Kam filluar të këndoj që 8 vjeç. Kam shumë nga diksioni dhe kordat zanore të nënës sime. Kam marrë pjesë ne festivalet e këngës së fëmijëve në Delvinë e Sarandë. Sot këndoj në lokale të prenotuara çdo të premte dhe të shtunë.

Përveç kësaj, keni marrë pjesë në aktivitete kombëtare?

-Patjetër. Këtu në Sarandë nuk kam lënë event e aktivitet, konkurse e koncerte, por mora pjesë edhe në X-Faktor. Por përveç pjesëmarrjes që më gëzoi, të gjitha më lanë shije të hidhur. Të kualifikoheshe doje miq. E unë këtë tagër nuk e kam. Kam vetëm zërin, talentin dhe vullnetin. U riktheva i dëshpëruar në qytetin tim. Mbase kështu funksionon, por mendoj se në art nuk duhet kështu. Jeta më ka lënë pengjet e sajë shpirtërore, pse të më shtohej dhe kjo. Ndoshta një ditë haka vete tek i zoti se si i thonë fjalës ‘Vonon, por nuk harron’…dhe unë punoj….Kënga për mua është gjithçka. Kur dal në skenë mendoj sikur është hera e fundit ndaj jap edhe maksimumin me idenë që të mbetem në mendje të spektatorit artdashës..

Ç’ mendoni për të ardhmen tuaj?

-Do vazhdoj të këndoj sepse rroj mes emocioneve të duartrokitjeve. Kjo më jep shpresë, më plotëson atë boshllëk dashurie që e pata risk nga fati pa dëshirën time. Është ndjesi e veçantë të jesh mes respektit dhe dashurisë së pastër njerëzore, aq më shumë kur këtë e meriton me talentin dhe përkushtimin tënd. Publiku është i mrekullueshëm, nuk të mbanë asnjë qindarkë nga haka që të takon, këtu të kuptohemi, jo monetare, shpirtërore, ndjesore. Për mua kënga është e para, pastaj edhe profesioni që ndjek mësimet. Do mbaroj shkollën. Besoj se kështu do ndjehem vetë më mirë dhe akoma më mirë do kënaq të tjerët. Deri tani kam arritur diçka dhe mendoj të arrij akoma. Në çdo event kam marrë pjesë dhe jam vlerësuar në Sarandë. I falënderoj të gjithë!