Historia e qytetit të Flamurit e meriton një muze për Luftën e Vlorës

1037
Sigal

Albert HABAZAJ 

Folklori i Luftës së Vlorës – hipotekë e fitores së merituar, për ngjarjet e mëdha gjithmonë këndohen këngë

Për ngjarjet e mëdha gjithmonë këndohen këngë, në çdo hapësirë, në çdo kohë, nga komunitetet përkatëse, që i ndjejnë bëmat, zakonisht si trashëgimi e lidhjeve gjenetike, historiko- gjeografike apo dhe shpirtërore – kombëtare që kanë me to. Edhe Lufta e Njëzetës (29.05-03.09.1920), zhvilluar në Vlorë dhe krahinat e saj, është ngjarje historike e rëndësisë kombëtare, vendimtare për kohën mbi fatin ekzistencial të trojeve shqiptare. Po aq e rëndësishme qe dhe për qëndrueshmërinë e identitetit tonë kombëtar. Akti themelor kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë u firmos nga burrat e kombit në Kongresin e Lushnjes (21-31 janar 1920). Kjo vepër historike nuk do të jetërsohej pa u ndezur në Vlorë teatri luftarak i shpirtit vigan të popullit tonë liridashës. Shumë është shkruar për këtë ngjarje madhore të shqiptarëve nga studiues shqiptarë dhe të huaj. Mendja e shpirti i prijësve dhe luftëtarëve popullorë u bë uragan lirie. Lufta e Vlorës na vjen me imazhin epik të Osman Haxhiut me “12 Komisione”, me ato firma të zjarrta lirie të kapedan Sali Vranishtit, Selam Musait, Kanan Maze, Zigur Lelos etj. Shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj dhe e çliruan vendin vetëm me forcat e tyre, pa ndihmë ushtarake me forca, armatim apo ushqim nga jashtë. Ndërkohë që mbështetja morale e popujve të tjerë ishte shumë frymëzuese. Ka edhe këngë të krijuara në ditët e revoltës në Ankona për këtë ngjarje: “Canzone d’Albania: Partono i bastiment/ Che vanno in Albania/ E a bordo regna la malinconia/. Pensa ogni soldatino/ A mamma sua lontana/ E una domanda vana/ Rivolge all’onda: “La Rivedro?”/ Fuggiamo via” … Kënga e Shqipërisë: U nisën gjemitë,/ që shkojnë në Shqipëri/ Mbushur plot me melankoni./ Mendojnë ushtarët/ për nënat atje larg/ më kot pyesin dallgët:/ A do t’i shohim përsëri/ T’ia mbathim] … Ka një cikël të pasur me këngë për luftën e Njëzetës, por koha bën të vetën dhe këngët një ditë natyrshëm do t’i përkasiën arkivistikës folkorike. Kështu që natyrshëm na lind ideja, së toku me intelektualë dhe veprimtarë atdhetarë, se të paktën një muze për Luftën e Vlorës e meriton historia në qytetin e Flamurit. Ndoshta dhe mund të mos ekzistonte ky flamur ynë kombëtar pa këtë luftë kombëtare. Në ciklin e këngëve të epikës historike të Njëzetës, shfaqet dukshëm dhe kontributi i grave në këtë luftë çlirimtare, në krah të burrave. Një vend të rëndësishëm në ciklin e këngëve të Njëzetës u kushtohet heroinave të fshatarësisë vlonjate, të cilat kryen akte të larta heroizmi jo vetëm si një prapavijë e fuqishme në mbështetje të luftëtarëve të lirisë, duke i furnizuar ata me ushqime dhe duke u mjekuar plagët, por edhe si pjesëmarrëse të drejtpërdrejta me armë në dorë përkrah tyre. Mes tyre, përmenden zonjat e nderuara Sado Koshena, Rubi Hosi, Safe Musai, Zakine Krasta, Hanko Metja, Tushe Hosja. Në nderim të zonjës trime Sado Koshena, kësaj heroine sypatrembur që të kujton bashkatdhetaren e saj të shquar Shote Galica, poeti popullor anonim ka thurur vargjet e këngës epike të mëposhtme:

“Sado moj, Sado Koshena, 

Jeshe rritur në Ravena, 

 Keshje pirë ujë bore 

 N’ato kullotat verore. 

 Mbi polkë veshe gjerdanë, 

More përpjet’ Llogoranë, 

 Me një maliher të gjatë, 

 Luftove me ditë e natë. 

 Ti vëlla keshje dyfekun, 

 Me plumba e prite grekun, 

 Hape zjarr mbi italianë, 

Se të zaptuan vatanë”.

Një vend të veçantë zënë figurat e shquara të kësaj lufte, që ngelën me dritëhije për një kohë të gjatë dhe ende nuk e kanë zënë vendin e merituar në histori. Cikli i Luftës së Vlorës ka hyrë në hipotekën e vërtetë folkorike të historisë. Ka prurje të këngëtarëve krijues e njëkohësisht luftërat të Njëzetës si Mato Hasani, Xhebro Gjika, Nase Beni etj. Ka edhe nga ata pasardhës të tyre si Maman Saliu, Sinan Mullahu etj., që e marrin frymëzimin burimor nga eposi i këngës Labe për luftën e Vlorës. Fitorja e Luftës, 1920 e bëri te pavlefshëm Traktatin e Fshehtë të Londrës, 1913. Në teatrin e luftimeve u vranë 400 luftëtarë, vullnetarë, në çetat e mirëorganizuara për çlirimin e Vlorës. Nga pala italiane u vranë pak ose asnjë ushtar. Robër u kapën mbi 1100 vetë dhe që të gjithë u liruan pa u dëmtuar sikur të kishin ardhur jo si pushtues por turistë! Ofendimi poshtërues i bërë nga gjenerali Piacentini se “Shqipërinë e pushtoj me shurrën e putanave” u anashkalua me autokontroll dhe mospërfillje përçmuese nga Luftëtarët e Vlorës! Një shpagim për dinjitet do të ishte më se i merituar dhe tërësisht i justifikuar. Kjo nuk duhet harruar nga pala tjetër! Nga fronti i luftimeve Nase Beni u përgjegj:

“Breshkë e ndyrë e moçalit,

 S’qëndron dot në gur të thatë,

 Se këtu këndon bilbili,

 Që e ka zërin e lartë”.

Në Normandi, kur zbarkuar, aleatët, në Luftën e Dytë Botërore, pësuan humbje të mëdha nga gjermanët. Në datën përkujtimore shkojnë edhe kancelarët gjermanë për të kërkuar falje historike. Shembulli është. Italianëve nuk do t’u bjerë nderi sikur të vinin në muajin Qershor, që shënon 98 vjetorin e kësaj Lufte, për të njohur të vërtetën që na bashkon. Autorët e heshtur të këngëve të epikës heroike, kanë pasur parasysh rolin që ato duhet të luajnë në pasqyrimin e së vërtetës historike. Por për t’i dhënë më shumë nxitje afshit poetik në pasqyrimin e heriozmit mbarëpopullor, ata kanë përdorur edhe hiperbolën, si mjet artistik. Le ta shikojmë më konkretisht një mjet të tillë artistik në këngën e mëposhtme:

“Telatë po venë e vinë,

Punon Kota me Kaninë, 

Ç’e ka gjetur Piaçentinë?

Jep e merr me Italinë: 

Qysh do bëjmë unë e tinë? 

 Se shqipëtarët errinë,

Osmëni me dyzetmijë.

Osmëni ia hypi kalit, 

Bëri poshtë buzës e malit, 

 Se ç’i foli xheneralit: 

Breshkaman i breshkamanit!

Dil steresë e jo limanit, 

Të shosh të zot e vatanit, 

Djemtë e Ismail Qemalit,

Të Skënderbej faqebardhit”.

Në vargjet e kësaj kënge hiperbolizohet numri i luftëtarëve të Luftës së Vlorës, i cili, në të vërtetë, vërtitej aty te rreth katër mijë syresh. Por autorit të këtyre vargjeve i interesonte emocioni atdhetar që ato duhet të ngjallin në radhët e brezave të ardhshëm. Veç kësaj, ai nuk respekton disiplinën gjuhësore të vargëzimit dhe sipërinë e marrin trajtat dialektore të së folmes së Lumit të Vlorës dhe të krejt Labërisë. Qëllimi i kërkimit, paraqitjes dhe studimit të këtyre këngëve bëhet në funksion të studimit të gjenezës, origjinalitetit të gjinisë së saj, si edhe poetikës së këngëve të epikës historike. Së pari, argumentohet statusi teorik i këngëve të epikës historike brenda truallit të krijimtarisë folklorike. Së dyti, përcaktohet roli dhe rëndësia e eposit në krijimin e këngëve me theks historiko-heroik. Së treti bëhet një klasifikim i gjinisë dhe stilit të eposit në fjalë. Së katërti, përcaktohen veçoritë kryesore tipologjike të sistemit figurativ të këngëve historiko-heroike. Së pesti, bëhet karakterizimi i faktorëve historiko-kulturorë të lindjes dhe të zhvillimit të cikleve kryesore në eposin e këngëve në fjalë. Së gjashti, përcaktohen motivet themelore të këngëve të epikës historike dhe tipologjinë e tyre. Së shtati, bëhet një analizë artistike e teksteve të këngëve epike, duke pasur parasysh rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin dhe në rrënjosjen e ndërgjegjes kombëtare.

 ….Këngë e krijuar dhe kënduar nga luftëtari i Njëzetës, Mato Hasani

“Nuk e bëjmë kabull nà / Të jemi për nën – ë botë, / Nuk e bëjmë si atà, / Agallarët – ë me kokë /Shitën vatan’ edhe gra / Të ndierit në Evropë. / S’ini ju, po jemi nà / Dërc, u qoft’, o kaninjotë! / Seç u ngre Beu e tha: / “Për ne Italia rroftë, / Me makarona na mba / Si nevej dhe risiljotë”.