Historia e dashurisë së parë dhe të fundit

957
Sigal

 Titulli: Zigzage takimesh

Titulli në origjinal: Nos séparations

Autori: David Foenkinos

Përktheu: Edmond Tupja

Zhanri: Roman

Data e botimit: Janar, 2015

Numri i faqeve: 206

Çmimi: 800 lekë

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Frici takohet për herë të parë me Alisën në moshën 20-vjeçare. Është dashuri me shikim të parë, është dashuria e madhe e jetës së tyre. Megjithatë, fati nuk parashikon një bashkim jetëgjatë dhe të fortë për ata. Historia e Fricit dhe e Alisës është një histori ndarjesh dhe ritakimesh. Ata e hasin njëri-tjetrin në rrethana herë komike, herë dramatike, herë mallëngjyese, herë rastësore dhe në atë çast ngjan sikur koha ka ndaluar në vend. Duke përshkuar historinë e Alisës dhe të Fricit, autori ndalet, me ironi, mbi aspekte të shumta që karakterizojnë marrëdhëniet në çift. Nga takimi me vjehrrit e ardhshëm, në hapat e parë në botën e punës; nga dashnorja e flaktë dhe depresive, te ndjekja e dehur në një varrezë, romani i David Foenkinos-ë është një karusel marramendës situatash që na duken të skajshme, ndonjëherë qesharake, por gjithnjë të skicuara me ironi mjeshtërore dhe delikatesë nga një autor që pikërisht delikatesën ka pikën e tij më të fortë.

Publiku i interesuar

Për të gjitha çiftet e dashuruara. Për të gjithë ata që e kanë njohur dikur dashurinë dhe e kanë humbur atë. Për ata që besojnë në përfundimet e lumtura, edhe kur nuk ka asnjë arsye për të besuar.

Autori

David Foenkinos është autor i dhjetëra romaneve, të përkthyera në dyzet gjuhë të botës. Sipas gazetës Le Figaro, “Delikatesa”, romani i tij i parë i sjellë në gjuhën shqipe, e bëri një nga pesë autorët më të shitur në Francë në 2011. Ky roman fitoi dhjetë çmime letrare dhe u ekranizua në filmin me të njëjtin titull, me aktoren Audrey Tautou. “Zigzage takimesh”, i shkruar në 2008, është libri i tij i dytë në gjuhën shqipe.

 Fragmente nga libri

1) Në botë janë tre miliardë femra. Pra, kam të drejtë të pyes veten: Pse Alisa? Sidomos, ditët kur grindemi. Pse zgjodha atë midis gjithë kinezeve dhe ruseve? Pse ka hyrë në jetën time dhe më nervozon e më dëshpëron? Them me vete se me siguri do të ketë ndonjë australiane që do të më bënte shumë të lumtur. […] Por kjo do të më nxirrte telashe: çfarë tmerri të udhëtosh një ditë të tërë me avion për të shkuar e takuar vjehrrin e vjehrrën, kunatin e kunatën. I urrej avionët. Mund t’i duroja vetëm nëse do të shtriheshin shina në qiell. Si përfundim, besoj se jam i lumtur.

– Alisa, mund të më kishte rënë për pjesë një vajzë shumë më e keqe se ti.

– Po më lodh, Fric. Vërtet që po më lodh.

– Atëherë, natën e mirë.

2) … mendoj për Irisin që, gjithsesi, për mua qe e rëndësishme, për Emilinë gjithashtu, për Selinën sigurisht, për Sharlotën, pastaj për të tjerë emra në mugëtira të tjera, por është Alisa, përherë Alisa, që nuk më shqitet, e pandryshueshme, ende me të qeshurat që na rrinë kurorë mbi kokë, sikur dashuria e parë të qenkësh një dënim me burgim të përjetshëm.

3) Por kisha faj, vallë, që më interesonte gjithçka? Pse duhej të bëja përherë zgjedhje përfundimtare? Jeta ishte një vazhdimësi kufizimesh. Njeriu duhej të ishte besnik, të ishte i majtë, të hante drekë në orën 13:00. Kurse unë doja të kisha një të dashur që të votonte djathtas dhe që ta merrja për të ngrënë drekë në orën 15:00.

4) Zakonisht ishte aq e butë dhe pëshpëriste aq ëmbël, por dinte edhe të bërtiste papritmas, të derdhte tinguj çjerrës në veshët e mi të dashuruar. Gjendeshim në vorbullën e valsit të tingëllimave. Dhe gati mendoja që dashuria të shurdhon në mënyrë të veçantë.

5) Edukimi, në shumicën e rasteve, është thjesht një stërvitje e përditshme për të na nxitur të mos u ngjajmë prindërve.

6) Ne ishim si ata qirinjtë që digjen pa fund, si ata qirinjtë që të krijojnë përshtypjen se kurrë nuk do të arrijnë të shuhen përderisa, falë dyllit të tyre, mbijeton edhe flaka më e vogël. Nuk më kujtohet më se kush e ka shkruar këtë frazë: “Vetëm qirinjtë e dinë të fshehtën e agonive”…

7) Më priste e kaluara ime, çka ishte më e ankthshmja e të ardhmeve.

Kritika

Për të kanë thënë se ishte ”mashkulli që u pëshpëriste në vesh grave”, gjë që ai e urren. Nuk është e drejtë: librat e tij kanë po aq heronj sa edhe heroina. Është e drejtë: ai flet vetëm për dashurinë. Dashurinë që lind, që arratiset, dashurinë e pastër, të çmendur, të shtrembër, hileqare, të gabuar, dashurinë e përhershme, dashurinë e asnjëhershme.

L’Hebdo

Na përkëdhel, na pickon, na bën të qeshim e na prek. Jemi në traditën më të mirë të letërsisë franceze: të dëfrehemi me atë që na shtrëngon zemrën.

Bernard Pivot

Dhurojani gjithë të dëshpëruarve të kësaj bote, për t’u rikthyer buzëqeshjen. Për vetë të dëshpëruarit, blijeni! Dhe për ata që nuk janë të dëshpëruar, një kurë e vogël gajasjesh nuk bën kurrë dëm! Lexojeni!

Petites lectures entre amis