“Heronjtë e Viagrës”, një dramë epike ku deformohet historia

831
Sigal

INTERVISTA/Flet shkrimtari dhe dramaturgu Bashkim Hoxha: “Nuk kemi ngritur kurrë piedestalin e njeriut të paqes”

Në Festivalin e parë të dramës dhe komedisë shqipe që hapi siparin më datë 10 nëntor 2012, midis të tjerash tërhoqi vëmendjen dhe komedia epike “Heronjtë e Viagrës” e dramaturgut Bashkim Hoxha. Një dramë  me subjekt tejet aktual ku bie në sy deformimi i historisë në tre drejtime: Gjatë gjithë kohës së shfaqjes komedia u prit me duartrokitje ku loja e aktorëve ishte në harmoni të plotë. Ja ç’thotë vetë autori pas shfaqjes.

Kush shërbeu si shtysë për realizimin e komedisë “Heronjtë e Viagrës”, një komedi epike disi e veçantë?

Është ajo temë që diskutohet gjerësisht  në mënyrën se si ne e bëjmë historinë.  Në historinë tonë më shumë ka manipulime, ka  foklor,  ka fantazi dhe  kështu në bazë të këtyre ne krijojmë dhe heroin. Ndaj dhe komedinë epike e kam titulluar “Heronjtë e Viagrës”.  Sigurisht jo gjithmonë ndodh kështu, por ne kemi një frymë që historinë e ngarkojmë me shumë folklore, me shumë fantazi me shumë manipulime shtetërore ne hartimin e saj. Pikërisht ky shqetësim ka qenë në qendër të kësaj komedie epike.

Pra kjo temë për ju është dukur më aktuale sot kur diskutohet shumë për historinë shqiptare?

Besoj se është  aktuale jo vetëm sot por edhe për çdo kohë, sepse  historia ka nevojë të rishikohet jo vetëm tani por edhe nga këndvështrimet e brezave që vijnë më pas dhe ajo duhet të zhvishet nga ato elementë që e deformojnë atë siç i përmenda më lart.

Pra një komedi epike, ndoshta më e veçanta në këtë Festival, pse e keni quajtur komedi epike?

Pikërisht sepse  prek  historinë dhe sa përmendim termin histori nënkuptojmë epizmin. Unë kam dashur ta demitizoj këtë term këtë lloj koncepti të historisë  dhe prandaj e kam parë me sytë e një komedie

Po roli personazheve (aktorëve) është vënë në funksion të mesazhit të veprës?

Po besoj se  personazhet e kanë materializuar më së miri këtë që thashë. Janë tre shtylla që veprojnë për të mbështetur idenë që ka vepra apo trajton kjo vepër. Kemi këshilltarin e ministrit si personazh  që përfaqëson manipulimin shtetëror,  kemi poetët që përfaqësojnë fantazinë,  dhe ata që përfaqësojnë folklorin. Në të gjithë  këtë galeri karakteresh vihet re një distancim nga të vërtetat, pasi e vërteta përçohet sipas asaj ku gjithsecili vepron dhe e trajton historinë sipas mendjes së tij. Pikërisht këto të vërteta të deformuara  sipas këndvështrimeve tepër-tepër subjektive  janë  në fokus të kësaj komedie epike.

Cili është mesazhi në këtë komedi epike?

Mesazhi  që unë do desha të nënvizoja është  që ne ndoshta duhet ta shikojmë ndryshe historinë tonë,  ku të gjithë heronjtë i kemi të lidhur me luftën me armën me dhunën,  ku shpesh herë jemi nënshtruar nga njerëzit e dhunshëm nga njerëzit e armatosur, dhe nuk kemi ngritur kurrë piedestalin e njeriut të paqes.

Mos vallë ky deklarim ka të bëjë dhe me atë që shqiptari kur lind djalë, në djep i vë pushkën dhe jo librin?

Këtë thënie unë në komedi e kam në një këndvështrim krejt tjetër.   Në vepër nuk ekzaltohet fakti që duhet të lindim me pushkë në djep. Ne duhet të ekzaltojmë faktin  që të jetojmë jetën tonë me dashuri, jo me urrejtje por me paqe.

Si të duket ky Festival paksa i veçantë në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë?

Unë në fakt deri më sot nuk kam ndjekur disa shfaqje të dhëna pasi përgatitesha për komedinë time,  por si Festival ai është mëse i domosdoshëm, dhe është  mirë që zyrtarët që premtuan që do ta bëjnë këtë festival njëherë në dy vjet, pra një Festival me drama shqipe është mirë ta mbajnë këtë premtim.

Çfarë do të sjellë mbajtja e këtij premtimi?

Do të sjellë në skenë më shumë vepra shqiptare, do të rrisë konkurrencën dhe kjo do të çojë në rritjen e cilësisë së veprave shqiptare.

Një Festival me drama shqipe, një fakt interesant, ku në përditshmëri shihen se në skenë vihen më shumë vepra të huaja. Pse kjo tendencë drejt veprave të huaja, se nuk ka krijues shqiptarë të mirë apo ka diçka tjetër?

Kam më shumë përshtypjen se kjo vjen për arsye të nivelit që ndodhet regjisura shqiptare.  Ata e kanë më të lehtë të marrin një vepër që e kanë parë më parë në skenë, që e kanë njohur më parë suksesin,  kurse dramaturgjia shqiptare  kërkon shumë më tepër punë se së bashku me produksionin do të bësh dhe laboratorin për të çuar dramën deri në vënien në nivel skenik.  Kjo punë dhe krijimtari që kërkon shumë angazhim, shumë punë, i step shume regjisurë  sidomos ata të rinj, por nga ana tjetër dramaturgët, ata që shkruajnë drama tek ne nuk janë shumë të lidhur me teatrin  dhe ky është një problem krejt tjetër sepse drama e vërtetë shkruhet në teatër, dhe ne duhet të kemi nevojë për laboratorin e dramës shqipe. Pra në këtë pikë duhet të bëjmë diçka më tepër.

Çfarë nënkupton me laborator të dramës shqipe?

Me këtë laborator unë nënkuptoj që autorët e veprës pra të dramave të jenë më pranë teatrit dhe vetë teatri tu krijojë klimën e duhur  për të punuar që nga ideja dhe deri në variantin e zbatimit  praktik skenik të dramës pasi kjo gjini  ka nevojë për këto çështje specifike.

A janë  lënë në hije investimet në drejtim të dramës dhe të komedisë shqiptare?

Jo vetëm është lënë në hije por  thuajse është abandonuar vëmendja ndaj dramës aq më tepër asaj shqipe kur nuk duhet të harrojmë që tetari shqiptar në identitetin e vet  ka dramaturgjinë e vet shqiptare, krijimet e veta. Unë mendoj se pas kaq vitesh gjumë shteti u kujtua për dramaturgjinë dhe komedinë e mirëfilltë shqipe  që të  organizonte një konkurs të dramës shqipe dhe një Festival të dramës por dhe komedisë shqipe falë  faktit që ishte 100- vjetori. Le të shpresojmë që nuk ishte një paradë festive, por që do të jetë një vëmendje e vazhdueshme në të gjithë ditët e vitit.

BASHKIM HOXHA

Jemi mësuar ta shohim, madje edhe “të bisedojmë” me të  çdo ditë në emisionin mëngjesit “Koha për t’u zgjuar”. Por veç profilit të gazetarit në mediat vizive ai ka edhe një profil tjetër, atë të shkrimtarit. Bashkim Hoxha ka krijuar një  sërë veprash si:”Heronjtë e Viagrës”, “Romancë në ditën e krimit”, “Lakuriq”, “Ground Zero” ( “Dëshmitari i Shkretëtirës”), “Hotel Ballkan”, “Mbreti i Vesës”, “Mot i keq për dashuri”, “Fjalë të ndyra dashurie”, “Njeriu tjetër”, “Një lolo dhe një mbret”, “Unë dhe Mefistofeli” (dramë), “Ftesë për gjyq”, “Këngë dashurie dhe korba”, “Qyteti pa dashuri”. Bashkim Hoxha mban titullin Mjeshtër i Madh si dhe Qytetar Nderi i Durrësit.