Hermes Nikaj:Lidhja ime me modën & me Miss Helenën !

865
Sigal

Flet Top -Modeli shqiptar & prezantuesi i mirënjohur, Hermes Nikaj: Nje Showman 21 -vjeçar!

… Është vetëm 21 vjeç dhe deri më tani ka arritur t`i realizojë të gjitha qëllimet që i ka vënë vetes. Balerin, model dhe moderator televiziv, një trinom profesionesh qe ai i dashuron pa i ndarë nga njëra- tjetra. Thjeshtësia dhe ëmbëlsia janë dy nga cilësitë që e kanë identifikuar Hermesin ndër personazhet e ekraneve shqiptare. Nipi i artistes së mirënjohur Pavlina Nikaj, Hermes, prej moshës 17- vjeçare është angazhuar në media dhe spektakle të ndryshme bukurie, ku ka arritur të bëhet imazh i disa firmave më të njohura në industrinë e modës dhe setet e tij fotografike shkëlqejnë, jo vetëm në gazetat dhe revistat më prestigjioze në Shqipëri, por edhe në Itali dhe Greqi. Një rrugëtim i gjatë mes baletit, modës dhe programeve të ndryshme televizive e bëjnë Hermesin një 21- vjeçar të kompletuar dhe me shumë arritje, në një moshë shumë të re. Në një intervistë ndryshe si më parë, Hermesi, i njohur me epitetin simpatik edhe si “Zogu i Tiranës” na jep disa këshilla mode mbi tendencat më të fundit të stinës, si dhe mjaft gjera interesante …

-Përshëndetje Hermes! Natyra të ka falur forma perfekte, si kujdesesh për imazhin tënd dhe për të mbajtur trupin në formë?
Kujdesem shumë për veten, që nga dieta ime e përhershme, mosabuzimi kurrë me ushqimin apo pijet alkoolike, përditshmëria me palestrën dhe ecjen, trajtimet e ndryshme estetike etj.. Këto janë kryesoret për të pasur një fizik në formë.

-A mund të na jepni disa këshilla mode mbi tendencat më të fundit të këtij sezoni veror?
Tendencat e verës nuk njohin limite këtë sezon. Ato që i karakterizojnë koleksionet janë ngjyrat pa fund, dizenjot mesdhetare e ato latine. Mesa duket koleksioni i Guçi-t dhe D&G ishin mjaftueshëm frymëzues për pasuesit, të cilët sollën një mori ngjyrash e modelesh ekstravagante këtë sezon veror. Celio besnik si gjithmonë, pa ndryshime të mëdha kishte sjellë një koleksion mjaft maskilist duke përdorur ngjyrat e tokës dhe grinë. Roço Baroço të kujtonte koleksionet e Gabanna-s para dy viteve, duke mbizotëruar e bardha dhe tyli. Cortefiel solli një shpërthim me ngjyra elektrike dhe dizenjo pafund.

-Çfarë mendoni në total për veshjen e shqiptarëve?
Veshja e shqiptarëve më duket si e viteve ‘97, zhurmë dhe rrëmujë. Njerëzit mundohen dhe shumë gjëra kanë ndryshuar në fakt, por dikush mbërrin dhe dikush jo, shpesh herë kjo vjen edhe si bllokim i një mentalitet paragjykues përsa i përket veshjes.

-Si i shikoni të rinjtë sot, përqasjen që kanë ata me modën?
Dëshira e të rinjve shqiptarë është që ta përqasin shumë shpejt modën, por kushtet dhe mundësitë jo të gjithë i kanë, sepse të ndjekësh modën do të thotë jo vetëm ta ndjekësh në mënyrë virtuale, por edhe ta mbartësh atë, që do të thotë të shpenzosh para për të. Por shohim që shumica e të rinjve dinë mjaft mbi të, të zgjedhin atë që duhet, ta kombinojnë dhe ta përshtatin mirë me veten, si dhe të luajnë me aksesorët, që e bëjnë një veshje më tërheqëse.

-Tashmë prej disa vitesh ju njohim si model profesionist, por konkretisht, cilat janë tendencat e kësaj stine?
Meqenëse jemi në stinën e verës, po flasim pikërisht për veshjet, të cilat po çudisin vitrinat e botës, ku e veçanta qëndron në koloret e tyre, të cilat janë të forta, ngjyrat e neonit janë një tendencë e fundit. Loja e kontrasteve të ngjyrave në një veshje, të cilën stilistët e kanë quajtur me termin colour-block. Këto vijnë në prerje asimetrike. Shohim gjithashtu tendencë, fundet e gjata që kishin vite pa u kthyer dhe sot janë me copa të printuara me lule dhe me ngjyra të ndezura, si dhe te moshat e reja, kryesisht tek adoleshentet, shohim në masë bluzat e pambukta në ngjyrë neoni të printuara. Këto bluza stilistët i kanë sjellë të shoqëruara me pantallona të shkurtra të të gjitha ngjyrave.

-Fillimisht jeni njohur si balerin, me pas si model që pozoi për shumë revista në Shqipëri, Greqi dhe Itali, tashmë një figurë e konsoliduar televizive, cila nga këto tri pasione është i duhuri për ju?
Në fakt, baletin, ëndrra e fëmijërisë, nuk mund ta hedh poshtë. Është një pasion, i cili më ka shoqëruar në çdo hap, por duke qenë se unë tashmë po fokusohem më shumë te televizioni dhe modelingu, këto të dyja i shoh për më tej, por më shumë televizionin! Të gjithë këta komponentë më bëjnë ky që jam dhe i përkasin një të kaluare shumë të bukur të jetës sime.

-Tashmë jeni një personazh shumë i njohur televiziv, por në fakt, cilat janë studimet e tua?
Sa i përket arsimimit vazhdoj studimet e larta, për Gjuhë të Huaja ne Universitetin Shtetëror të Tiranës.

-Po për periudhën e plazhit, çfarë i sugjeroni lexuesve tanë?
Do të thoja që të përqendrohen te kostumet e banjës me ngjyra të ndezura dhe të printuara me lule shumëngjyrëshe. Kjo vlen për të dyja gjinitë. Këshilla ime është që kostumin e banjës, mos ta konsiderojnë si një copëz të veshjes nga gardëroba e tyre, por si një kostum, i cili i përfaqëson ato. Këtë këshillë do ja drejtoja kryesisht grave të moshës së mesme, të cilat duhet të kenë kujdes kur të drejtohen për të blerë kostumin e tyre, duhet ta blejnë një masë më të madhe se masa e tyre, sepse kjo bën të mundur sfumimin e linjave të tyre.

-Cili është gabimi që bëjnë shpesh femrat në veshje?
Shpeshherë ky gabim konsiston në mospërshtatjen e linjave të trupit, duke mos ditur të zgjedhin stilin e tyre. Pra këshilla ime është që ato të studiojnë linjat e trupit të tyre, të gjejnë stilin e tyre dhe mundësisht mos të lëvizin jashtë tij, por të mundohen që brenda stilit të tyre të lëvizin me detajin, i cili është shumë evidentues dhe gjithmonë bën ndryshimin në një veshje. Sigurisht dhe ngjyra është shumë e rëndësishme pasi ajo duhet të përshtatet me pigmentin e lëkurës që ne kemi. Pra duke pasur këto parasysh mund të eliminojnë shumë gabime në veshje.

-Dhe në fund, diçka për ta mbyllur …
Një falënderim special dhe shumë të përzemërt për familjen time madhështore, që më kanë përkrahur e mbështetur për gjithçka, gjithashtu dy mikeshat e mia te dashura qe kurojnë pamjen time, stilisten Senida Divintari dhe estetisten e mirënjohur Merita.