Heris Nikaj: Psikologjia e femrës varet shumë nga dashuria, por dhe nga ushqimi

2105
Sigal

INTERVISTA/Flet Psikologia dhe punonjësja sociale, Heris Nikaj: Sot është kthyer në domosdoshmëri psikologu i familjes

-Një femër me karakter të fortë, elegante, me një fjalor të pasur që ajo që i mungon më shumë është koha e lirë, për shkak të shumë objektivave jetësorë. Ajo është psikologe dhe punonjëse sociale. Gjithashtu, atë  e sheh shpesh si opinioniste (e ftuar) në programe të ndryshme televizive. Ka përfunduar studimet e larta për Punë Sociale, në Universitetin Shtetëror të Tiranës e më pas ka vazhduar edhe Masterin profesional për Politika Sociale. Tashme u bënë vite që, punon si psikologe e punonjëse sociale. Zgjohet me dëshirën për të marrë maksimumin e mundshëm nga dita dhe për të dhënë gjithashtu, maksimumin më të mirë në punë e në shoqëri. Dita (sipas saj) nis me ballafaqimin me trafikun problematik të Tiranës, kafenë e mëngjesit me miq e kolegë, dhe më pas në krye të detyrës. Meqenëse është duke u përgatitur për të mbrojtur titullin doktor, një pjesë të mirë e ditës kalon edhe në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe përpara kompjuterit, ku mundohet të sistemoj oraret e shfletimit on-line për materiale doktorature, por edhe punimet e përkthimeve të lartpërmendura. Sigurisht që, gjen kohë për familjen dhe për miqtë, takimi me të cilët ja zbukuron ditën.

 Ju jeni psikologe dhe punonjëse sociale. A është bërë sot edukatë familjare psikologjia, në shtëpitë e shqiptarëve?

Sigurisht që po, njerëzit janë ndërgjegjësuar shumë nga ana psikologjike dhe më vjen mirë për këtë fakt. Tani, nuk mund ta quajmë psikologjinë shkencë të re kur ndër vite psikologjia është lëndë në gjimnaz dhe shumë të rinj e zgjedhin si degë për studimet e larta. Por ende nuk është kthyer në edukatë pasja e një psikologu në familja kryesisht në zonat rurale. Duhet shumë punë për këtë pasi nuk njihet përkufizimi dhe domosdoshmëria që bota e qytetëruar e ka kthyer në një detyrueshmëri.

  -Heris …Cilat janë problemet më të theksuara psikologjike të popullit shqiptar?

Janë të ndryshme e të shumëllojshme, duke filluar që nga mentaliteti i egër e patriarkal e shumë gjëra që lidhen me karakteristikat tonë si komb në lashtësi, prioriteti i të qenit mashkull dhe përdorimi i shpeshtë i fjalës forcë.

 -Nga ana psikologjike si duhet punuar me fëmijët dhe cilat janë problemet kryesore të fëmijëve?

Duhet punuar me shumë kujdes sepse varet nga problemi që po trajtojmë si p.sh divorci i prindërve shkakton trauma të ndryshme. Problemet e shumta që vijnë nga varfëria, nuk duhet të jenë evidente tek fëmijët pasi shkaktojnë deformime psikologjike.

  -Sipas jush, cilat ndikojnë më shumë në humorin e përditshëm të qenies njerëzore, televizioni, radio apo interneti …

Rrjetet sociale mendoj unë. Janë përhapur shumë, diskutohet shumë dhe tashmë janë në përditshmëri në çdo celular të një mase të madhe qytetarësh.

  Çfarë ndikon tek një femër që, të jetë mirë psikologjikisht gjatë një dite: veshja, dashuria apo ushqimi?

Mendoj se dashuria, por edhe ushqimi. Gjithçka ndërthuret tek ne femrat

-Jeta juaj private , si po shkon?

Momentalisht jeta ime private është hijëzuar nga dëshira për të përfunduar sa më shpejt mbrojtjen e titullit doktor dhe përkthimet. Mbingarkesa profesionale aktualisht zë pjesën më të madhe të kohës time. Por kjo nuk do të thotë që, nuk mund të kem një jetë private, përparësia së cilës nuk është e largët në horizontin tim.

 -Jeni për martese, apo bashkëjetesë ?

Mendoj se triumfi i këtij rrugëtimi pikë së pari është gjetja e njeriut të duhur që të bën të ndjehesh mirë, ofron mirëkuptim, tolerancë dhe dashuri.

Përsa i përket bashkëjetesës, këtij modeli të brishtë, mendoj se ky term që në zanafillën e tij është keqkuptuar dhe keqinterpretuar në vendin tonë. Të qenurit i përgjegjshëm nuk është më aftësi dhe virtyt, por modernizim i huazuar. Sillemi dhe mendojmë ndryshe nga çfarë jemi edhe pse të gjithë ne, kur topi vjen në fushën tonë, përgjegjësinë e “frikshme” e kërkojmë me ngulm. Përpara se të praktikojmë atë çka vendet e tjera e kanë praktikë të më shumë se 24 viteve, duhet me doemos të jemi njohës të mirë të teorisë.

 -Pro, apo kundër kirurgjisë estetike ?

Nuk jam kundër kirurgjisë estetike në ato raste kur njeriu ka deformime të cilat i vështirësojnë jetesën, por të fryhesh për të qenë më e bukur në sytë e të tjerëve më duket absurditet. Kësaj i thonë “më pëlqe për atë që dukem e jo për atë që jam”. Pa llogaritur faktin që shumica e atyre që kanë guxuar, më shumë janë shëmtuar sesa zbukuruar. Sondazhet e shumta brenda edhe jashtë vendit kanë treguar se origjinalja është mbi transformimin. Unë mendoj se Perëndia i ka krijuar që të gjithë njerëzit e bukur, ajo që duhet të bëjmë është të dimë të ruajmë dhe të kujdesemi për këtë vepër arti, pa harruar që mendja e bukur i ka gjithmonë sytë plot nur.

 -Veshja juaj e preferuar ?

Edhe pse themi që njerëzit nuk duhen gjykuar nga veshja gjithsesi përshtypjes së parë nuk i anashkalon askush. Pa harruar që Nastradini thotë të kundërtën që “Qyrku e bën njerinë”. Mua më pëlqen stili klasik si në punë ashtu edhe jashtë saj, ndaj mund të them se bëj pjesë në grupin e femrave që vishen klas. Mendoj se është stili më i përshtatshëm për të treguar feminilitet. Parapëlqej ngjyrat e ndezura por nuk heq kurrë dorë nga e zeza, moda së cilës nuk kalon kurrë. Bëj kujdes që të balancoj veshjen klasike dhe t’i përshtatem ambienteve që frekuentoj dhe eventeve, ku marr pjesë. Nuk ndjehem rehat veshur me xhinse dhe atlete apo e thënë ndryshe “casual”. Këto për mua ishin veshje që i përkisnin adoleshencës dhe viteve studentore, dhe sot mendoj që edhe po të duash nuk mund të pranosh faktin që një studente të vishet me taka të larta ndërkohë që jo vetëm nuk i përshtaten ambientit shkollor por çka është më kryesorja, pas mbarimit të ciklit shkollor do të kenë aq kohë në dispozicion sa të vishen si të dëshirojnë. Shkolla, universiteti janë vitet e rehatisë dhe nxënësi apo studenti duhet të harxhojë më shumë kohë duke shfletuar libra sesa duke ndërruar taka.

 -Cili është sekreti i formave të bukura fizike ?

Mundohem të ushqehem shëndetshëm dhe të konsumoj sa më shumë ujë e sa më pak ëmbëlsira. Për shkak të mbingarkesës, këto kohë kam lënë pas dore aktivitetet fizike, por gjithsesi nuk e ekzagjeroj në të ngrënë. Nuk jam përpjekur kurrë të bëj dieta dhe nuk besoj tek jetëgjatësia e tyre. Dieta më e mirë janë aktivitet fizike dhe ushqimet e shëndetshme.

 -Cilat janë disa probleme të femrës shqiptare, sot ?

Gjithmonë pas emrit tonë ka një “posedues” mashkullor. Njihemi dhe jemi në cilësinë e “vajza”, “gruaja” e dashura” e filanit sepse gjithmonë sipas tyre jemi në plan sekondar. Detyrat tona janë të limituara në të qenurin “nëna”, gra” dhe “shërbëtore”. Madje edhe në penën mashkullore, femra ka pasur funksionin për të kënaqur nevojat fizike dhe shpirtërore të meshkujve. I ka munguar gjithmonë vlera dhe rëndësia. Siç thotë edhe shkrimtarja spanjolle Ana Maria Matute: “ Esenca e vërtetë e femrës, nuk është të qenurit nënë apo bashkëshorte, por përkundrazi të qenurit e lirë, të qenurit vetvetja”. Duhet pranuar që femra shqiptare ka bërë ndryshime nga “burrneshë” në një femër moderne të emancipuar por na duhet edhe më shume punë për të çrrënjosur mentalitetin mashkullor. Shpëtimtari vetvetes jemi vetë ne dhe jo fuqia muskujve të fryrë.

 -Pjata juaj e preferuar?

Të gjitha gatimet e nënës time. Më pëlqejnë prodhimet e detit por, nuk heq dot dorë nga brumërat. Kuzhina ime preferuar është ajo mesdhetare por, më pëlqen të provoj e shijoj nga të gjitha kuzhinat.

-Si e shikon veten pas disa vitesh ?

Në fakt nuk rri dhe e shikoj por punoj që të arrij aty ku unë dua. Asgjë nuk arrihet pa mund. Pas disa vitesh besoj se do jem një nënë e përkushtuar pas familjes time, një psikologe me më shumë eksperiencë dhe me më shumë grada e tituj . Të gëzoj shëndet të plotë, qetësi, harmoni dhe shumë dashuri për të dhënë e për të marrë në familje, punë e shoqëri. A dëshiroj të arrij majat në çdo fushë? Po, pse jo. Por duke punuar dhe me meritë e jo duke bërë sehir e duke shpresuar.

  Te preferuarat e Heris:

-Parfumi: Dior

-Stina: Pranverë

-Ngjyra: Lejla, E bardhe

-Veshja: E ndërthurur

-Syzet: Burbery

-Produktet kozmetike: E. Lauder

-Ushqimet: Specialitetet e detit

-Frutat: Molla, Shega

-Shkrimtari: Kafka

-Këngëtarija: Eli Fara

Albert Zholi