Hekuran BRAHO: “Në qoftë se mjeku nuk i shërben jetës të pacientit, kot që vesh bluzën e bardhë”

2003
Sigal

Shëndetësia te ne ka mbetur element socialist në kapitalizëm

Ndodhesha në oborrin e Spitalit Ushtarak me doktor Hekuran Braho, kur dikush afrohet dhe e ndërpret bashkëbisedimin tonë. “Doktor, unë jam Agroni. Ju më keni operuar, por sërish ndjej dhimbje”. Doktor Hekurani, pasi e pyet, nxjerr otoskopin dhe e viziton të ardhurin, aty, në oborrin e spitalit. E pyet për ilaçet e marra deri tani. Kur mbaroi, Agroni, i zgjat dorën, duke i shprehur mirënjohjen me “Faleminderit doktor”. Edhe doktori i zgjati dorën, duke i qeshur. Ndërkohë, pacienti i tërheq dorën doktorit dhe e afron të buzët e tij, dhe e  puth. “Ju jam mirënjohës, më shpëtuat, doktor”. Pastaj, pacienti, duke vënë dorën në zemrën e vet, largohet, duke thënë: “Doktor, ju jam mirënjohës për jetën që jetoj”. Dhe, unë, edhe pse isha i pranishëm fizikisht, midis doktorit e pacientit, atje, te oborri i spitalit Ushtarak të Tiranës, më dukej sikur përjetoja një film, jashtë realitetit që jetojmë sot. Sepse, realiteti është që doktori Hekuran Braho,  që nga korriku i 2012-s, nuk është më as shefi i ORL-Okulistikës të Spitalit Ushtarak, por, për shkak të një, ashtuquajture reformë, e kanë degdisur në mjek për infeksionet spitalore. Dhe, meqë me realitetin e sotëm, politikanët pretendojnë se do na çojnë me reformat e tyre në Europë, kam jetuar 20 vjet në një vend europian.  Në çdo vend europian, do të ishte krim që të hiqje nga klinika e një spitali, një mjek me specializim dhe me përvojë 30 vjeçare dhe ta çoje- në emër të kujtdo reforme- …inspektor infektimi…

 

– Doktor Hekurani, përse u bëtë mjek?( e pyes, siç i flasin pacientët)

– Mjekësia më pëlqente që në fillim. Madje, kur mbarova gjimnazin, mua më doli e drejta për mësues, por nuk pranova, ndaj kam vajtur me vonesë në fakultetin e Mjekësisë. Dëshira të bëhesha mjek, mbase më buronte edhe nga natyra ime. Të jesh mjek, do të thotë që, së pari, të kesh një çikë karakter humanitar, për t’u shërbyer njerëzve dhe për t’u dhënë atyre, jo thjesht ndihmesën mjekësore, por vetë shpresën e të jetuarit.

– Të jesh mjek, secili rast është i vështirë. Por nëse, ju do t’ju duhet të evidentonit, ato më të vështirat që jeni ndeshur, cilat janë?

–  Për mjekun, çdo rast është i veçantë, sidomos për ato raste që kanë implikacionet e vështira. Mund të veçoj një rast, me një ushtar, nga Elbasani. Edhe emrin ia di, por nuk mund ta them. Kishte infeksion të lartë në kokë, të cilit i kemi bërë një sërë operacionesh, sepse për një muaj nuk i binte temperatura. I qëndruam te koka çdo minutë. U bëmë gati ta çonim në Hungari, por i ra temperatura dhe e trajtuam këtu. Ajo kënaqësi që ndjemë, se ia arritëm ne, këtu, është e pathënë. Nuk mund të harroj edhe përballjen që bëmë në luftën e Kosovës, duke trajtuar shumë të plagosur, në vitet 1993-‘94.

– Duke qenë se Jeta e çdo njeriu është në dorën e mjekut, si ju ngarkon emocionalisht?

– Mjeku prandaj ka profesion të vështirë, e njëkohësisht, ndaj është cilësuar edhe human. Çdo pacienti duhet t’i shërbesh sikur është njeriu yt i gjakut. Ndaj edhe profesioni i mjekut është më i privilegjuar, i krahasuar me profesionet e tjera. Mjekut ia besoj jetën edhe Papa, edhe mbreti. Të gjithë, tek dora e mjekut zhvishen nga të gjitha fuqitë dhe i binden vetëm mjekut. Ndaj bëhet edhe betimi i Hipokratit. Që nuk duhet ta shfrytëzojë këtë privilegj, pasi çdo njeri i beson jetën e tij mjekut.

Sot, a shërben mjeku me atë devotshmëri dhe humanizëm, sikurse shërbente para 1990-ës?

– Unë do të thosha që pozicioni i mjekut në atë kohë ishte më i privilegjuar, qoftë nga paga, qoftë edhe nga pozicioni shoqëror. Mjekët njiheshin me emrin e tyre të vogël. Për shembull, në Gjirokastër njiheshin Vasili i madh e Vasili i vogël. Mjekët nuk kishin nevojë për shumë gjëra të tjera, sepse i gëzonin privilegjet. Kurse sot ka ndryshuar shumë pozicioni i mjekut, qoftë në raport me pacientin, qoftë në raport edhe me shoqërinë. Pacienti më para nuk dyshonte te mjeku, nuk dyshonte në ilaçet që i jepte mjeku. Kurse sot, edhe nga propaganda e keqe që bëhet, duke ia hedhur gjithë fajin e reformave dhe fajin e dobësive mjekut.

Pra, është krijuar përshtypja që hallka e së keqes së shërbimit shëndetësor sot konsiderohet mjeku?

– Kjo është e gabuara, sepse nuk është mjeku hallka e së keqes së shëndetësisë sot. Tani propaganda e keqe shikon nëse mjeku neglizhon, apo jo. Më jep ilaçet e duhura, apo jo. Mos do të përfitojë ndonjë lekë, kur i shërben.

– Është e padrejtë ajo që mendohet, pse ka mjek që i shërbejnë keq pacientit?

– Sot nuk ka mjek që t’i shërbejë keq pacientit. Është i padrejtë vlerësimi, sepse mjeku asnjëherë nuk e lë pacientin, ngaqë nuk paguhet nga ai. Vetëm kush nuk është profesionalisht mjek, kush ka ardhur në mjekësi vetëm për të bërë para, mund të sillet ndryshe. Një mjek me profesionalizmin e vet, kurrë nuk mund të neglizhojë një jetë, meqë nuk i japin shpërblim me lekë.

– Sot mjekësia në Shqipëri është profesion, apo zanat?

– Kur isha në Itali për specializim, nuk e besoja kur më thoshin që avokati rri mbrapa derës së mjekut, sepse për çdo neglizhencë, për çdo problem që ka pacienti ndaj mjekut, mund ta çojë mjekun në proces gjyqësor. Kjo ka dy anë. Vë edhe mjekun në pozicion më të përgjegjshëm, por ka edhe anën e keqe. Mjeku heq dorë, kur shikon se nuk mund t’ia dalë, apo mund t’i ndodhë e papritur gjatë shërbimit të pacientit. Mjeku, në natyrën e tij e ka të ndërgjegjshme, që të bëjë të pamundurën, për të shpëtuar jetën. Në mjekësi dënohesh jo për mosdijen, por për mos shërbimin, për neglizhencën.

– Cila është ndjesia juaj? Janë të rralla në spitalet tona publike, që pacientit nuk i jepet ndihmesa mjekësore, vetëm e vetëm se nuk ka mundësi të paguajë bakshishin?

– Jo, nuk ndodh kjo. Mund të ndodhë tjetra. Që pacienti kërkon një shërbim që mjeku në spital nuk mund t’ia japë se mungojnë mjetet dhe materialet, nuk mund t’ia ngarkojmë përgjegjësinë mjekut.

– Rrënimi i shërbimit shëndetësor publik, është i qëllimshëm nga politika, që t’i japë përparësi shërbimit privat, apo është paaftësi menaxhuese?

– Për reformat në shëndetësi mund të flasësh shumë, shumë, shumë. Mundësitë tona janë më të mëdha. Tek ne nuk është minimumi jetik. Shërbimin falas, te ne, do ta marrë ai që nuk ka të ardhura, do ta marrë një fëmijë, ai që është në pension. Tek ne nuk ka një llogari. Sa lekë duhet për të jetuar? Shteti duhet të bëjë një llogari. Sa persona merr përsipër t’ju afrojë shërbim shëndetësor falas? Te ne nuk konceptohet kështu. Spitali duhet të menaxhojë punën e vet. Sa më shumë krevate të ketë, aq më shumë fitim duhet të nxjerrë. Po kjo jo në dëm të pacientit. Edhe spitali është një ndërmarrje. Në spitale tani është si në kohën e socializmit. Nuk çan kokën njeri. Bëmë një kosto. Një ditë qëndrimi në pavijonin tonë, në ORL, vetëm  për hoteleri është 10.000 lekë të reja. Me 3 ditë, që qëndron një pacient më shumë, ose më pak, shteti paguan një punonjës. Prandaj, spitali duhet konsideruar si ndërmarrje. Jo në kuptimin që duhet të paguajë pacienti, por menaxhimi nga shteti duhet të bëhet në formë të tillë që atij spitali që punon, t’i jepet. Marrim një spital, në një rreth, ku ka pak punë, i ka dhënë të gjitha aparaturat, por ato rrinë pa punë. Ndërsa këtu te ne, që është qendër kombëtare, mungojnë aparaturat, mungojnë ilaçet. Një spital i një rrethi ka aparatura që mbajnë njeriun në reaminacion, ndërkohë që ne këtu nuk i kishim. Shëndetësia ka mbetur element socialist në kapitalizëm.

– Cili është shpërblimi më i madh moral, që u është bërë juve dhe që nuk mund ta harroni?

– Në 1991-n, kolektivi me vota të fshehta, votoi që një bursë kualifikimi ta merrja unë, ndërkohë që 4 ishin gjithsej në gjithë Shqipërinë dhe unë përfitova atë bursë dhe vajta në Itali. Ai ishte vlerësimi që më bëri kolektivi, sepse, po të ishte për strukturat shtetërore, ata më penguan me të gjitha format, që të vinte një tjetër.

– Po shpërblimi moral që keni marrë nga pacientët, që e ruani në vetvete?

– Ishte koha e luftës së Kosovës, ishim në bunker, kur erdhi një luftëtar, i mbuluar i tëri me guriçka, i  shpërfytyruar dhe ia kam hequr një e nga një. Kur i erdhi e fejuara e luftëtarit kosovar dhe e pa të dashurin e saj, të kuruar, m’u hodh në qafë. Luftëtari kishte lënë Gjermaninë ku punonte dhe erdhi të luftonte në Kosovë. Ndodh shpesh që, kur kaloj rrugës dhe më afrohen fytyra që nuk i njoh. Më flasin dhe me respekt, më puthin edhe dorën, më falënderojnë që i kam ndihmuar duke u shpëtuar jetën atij vetë apo njerëzve të familjes. Këto emocione që ndjej, janë të paimagjinuara dhe vetëm një mjek i përjeton.

– Cilat mund të jenë sakrificat personale për hir të profesionit?

– E përditshmja e jetës familjare. Por, nuk mund ta harroj një ngjarje. Ditën që do ndërroja shtëpinë, më vjen haberi që duhej të nisesha me helikopter në Korçë, të ndihmoja dikë që kishte komplikacione. Lashë gruan vetëm, sepse nuk kishim asnjë të afërt dhe unë u nisa urgjent. Kur u ktheva, shtëpinë e gjeta të sistemuar, sepse më kishin ndihmuar të tjerë, ndërkohë që unë isha nisur me shërbim.

– Po sakrificat që keni bërë ndaj familjes?

Po u bëre mjek, familja duhet të të mirëkuptojë, sepse ne e kemi neglizhuar me qindra herë, e kemi lënë gjatë drekës, darkës, kemi qenë në festa familjare, dhe kemi ikur, sepse na kanë thërritur për të ndihmuar pacientin. Jam ngritur në mes të natës. Është ngritur edhe familja, kjo është sakrifica. Bashkë me mjekun, sakrifikon e tërë familja.

Cila është ngjarja që ju jeni ndjerë më i lumtur për shkak të profesionit të mjekut?

– Kur ika në Itali, në 1991-in, me specializim. Ishte një ëndërr edhe profesionale. Më vonë, i lumtur u ndjeva, kur mora gradën e laurimit “ Doktor në kirurgji” në 1 prill 1995, në universitetin “La Sapienza” të Romës. Atë çast e kisha pritur me kaq padurim, në jetën time. Emocioni i parë që i pohova vetvetes ishte: “ Ia arrita diçka të rrallë”.

– Keni qenë i pranishëm ndonjëherë ku jeta e një pacienti të ketë ikur për shkak të neglizhencës së mjekut?

– Nuk mund të them për neglizhencë, por jeta e një pacienti na ka ikur edhe për shkak të atyre mundësive të pakta që kemi. Ndihemi keq, që nuk mundemi t’i japim të gjithë ndihmesën tonë mjekësore, edhe pse jeta mund të shpëtohej…Unë kam përjetuar, edhe me njerëzit e mi, kur më mungon edhe shiringa tani afër, në spital dhe u detyruam ta çonim të afërmin te spitali privat. E kuptoni çfarë revolte të brendshme ndjejmë si mjekë, që mundemi të shpëtojmë një jetë, por i kemi duart bosh? Nuk kemi aparaturat, nuk kemi medikamentet e nevojshme, nuk kemi elementët më të nevojshëm, për t’i dhënë ndihmën e parë.

Sot, një i ri përse duhet të bëhet mjek?

– Unë, sot jam kundër, pikërisht për atë, që sakrifica është e madhe. Të duhet të studiosh tërë jetën, që të mbetesh në kontakt me zhvillimet. T’i shërbesh pacientit. Por më e madhe është sakrifica që duhet të bësh edhe në familje. Gratë tona, janë një çikë më kokulura dhe na duruan.

– Ka te ne mjekë sot që sakrifikojnë nga vetja dhe familja për pacientin dhe a është një përgjithësim apo veçanti?

Shtetet e zhvilluara, Anglia, Gjermania etj., ka mungesë mjekësh, sepse ai që ka të ardhura të mëdha, edhe nuk riskon të marrë një profesion që të kërkon sakrificën e vetes dhe të familjes. Edhe te ne ka mjekë që janë të përkushtuar. Pastaj, ata të tjerë, që nuk kanë arritur nivele profesionistë dhe bëhen sharlatanë.

Duke qenë se ju jeni për çdo çast në betejën e jetës dhe të vdekjes, mund të na thoni. cila është vlera e jetës dhe si duhet ta jetojmë?

– Jeta njëherë të dhurohet. Edhe po u bëre i paaftë që t’i shërbesh vetvetes, është një dramë e madhe. Prandaj, ne përpiqemi që të bëjmë gjithçka, që t’i dhurojmë jetën çdo njeriu. Atë mundësi jete, që ai ta shijojë. Që të ketë vlerë jeta, duhet t’i shërbesh njeriut. Ta vësh veten tënde në shërbim të të tjerëve. Në të gjithë gamën, t’u bësh mirë të tjerëve. Por duhet t’i shërbesh edhe vetvetes, sepse ndryshe, nuk ka kuptim. Në qoftë se mjeku nuk i shërben jetës të pacientit, kot që vesh bluzën e bardhë të mjekut. Që jeta të marrë kuptim, duhet ta vësh në shërbim të të tjerëve.

– Cili është momenti më i vështirë që ju keni kaluar si mjek?

– Momente të vështira  të jetës time, kanë qënë ato kohë, kur shkruanin letra anonime për biografinë time, kur unë isha mjek. Disa nga fshati im, ndoshta, apo nga krahina, dërgonin letra partisë lart, se unë kisha biografinë të keqe, dhe nuk e meritoja të isha mjek. Punoja askokohe në Spitalin Ushtarak. Në ato letra anonime, nuk shkruhej ndonjë rast që unë nuk u kisha shërbyer pacientëve, që të mos meritoja të isha mjek, por merreshin duke gërmuar në biografinë e familjes, nga e keqja që letërshkruesit kishin në shpirtin e tyre. Nga ato letra, unë mund të humbisja edhe profesionin tim, jo thjesht vendin e punës.  Ministri, asokohe, nuk i mori parasysh ato letra anonime, sepse unë punoja. Dhe aty kuptoja që njerëzit më donin. Kur u shërben njerëzve me dëshirë, të gjithë të duan. Dhe kjo më bëri, që njerëzve t’u shërbeja me më devotshmëri.

– Çfarë sjell në shpirtin tuaj, katandia e sotme e Spitalit Ushtarak, derisa këtij spitali i keni dhënë pjesë nga jeta juaj?

– Më vjen shumë keq, sepse, veç të tjerash, mua më kanë nxjerrë jashtë spitalit, në reformë, edhe pse kam kualifikimin e specializuar, edhe pse kam përvojën e gjatë, edhe pse në specializimin tim, askush nuk ka tjetër, megjithë nevojën emergjence që ka shërbimi për pacientët. Përjetova keq, sepse nga mentaliteti socialist i drejtuesve, që jemi brenda shtetit, pa u bazuar në rregulla  ligjore dhe logjikën e gjërave dhe ka është katandisur  sot Spitali Ushtarak, që të mos ketë një shiringë. Mua më duket se është hedhur si leckë e pavlerë jeta e pacientit.

– Përse jemi më pak humanë sot?

– Ky tranzicion ka degraduar moralin e njerëzve. Është ndërgjegjja sociale ajo që e bën një popull të përgjegjshëm, që të zbatojë ligjin dhe kjo ka humbur te çdo njeri sot. Te ne nuk ka edukim.

– Cila është dhurata më e çmuar që ju kanë bërë, si mjek?

– Mirënjohja e pacientit tim, por edhe e gjithë njerëzve, që më njohin si mjek dhe jo si Hekuran. Dhurata nuk matet nga vlera, por nga shpirti, sesi e bën këtë dhuratë.

– Që një mjek të fitojë çmimin e besimit të njerëzve, çfarë duhet të bëjë?

– Për çdo pacient që trajton, të bëjë maksimumin e asaj që di.

Fëmijët do të dëshironit të vazhdonin profesionin tuaj?

– Fëmijëve të mi u kam edukuar ndjenjën që të jenë të lirë të vendosin për vetveten. Ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe mua më bëjnë krenar me rezultatet e tyre të punës.

– Cila është këshilla që ju u jepni fëmijëve vazhdimisht?

– T’i përkushtohen profesionit dhe të punojnë me sa më shumë durim.

– Doktor, thonë që pas një burri të fortë, qëndron edhe një grua e fortë.

– Asgjë nuk do të kisha bërë, po të mos kisha ndihmesën e gruas time. Gruaja ime u tregua kokëulur në çdo sakrificë që më duhej t’i bëja familjes, për hir të profesionit tim.

– Cila është këshilla që mund t’ju japësh mjekëve të rinj?

– Të studiojnë dhe të mos neglizhojnë, sepse në mjekësi, ndryshe nga profesionet e tjera, emrin e mirë e arrin shumë ngadalë, por për ta prishur imazhin, mjafton edhe një rast i keq.

– Ju faleminderit!