Harta e veprave artistike në skulpturë, e derdhur në bronz

705
Historia e kombit tonë vjen e gjallë në filmin dokumentar “jetë në bronz” kushtuar skulptorit të Popullit Mumtaz Dhrami
Premiera e tij në datën 27 Nëntor në kinema “Millennium”
Një financim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe një produksion i shtëpisë Kinematografike “Cinemania film” me Skenar dhe Regji nga Petrit Ruka (Mjeshtër i Madh) vjen para spektatorit në Tiranë në premierën e tij në datën 27 Nëntor në kinema “Millennium”. U desh një punë serioze prej 9 muajsh duke bërë mijëra kilometra nga Jugu në Veri, nga Gjirokastra e deri në Vushtri. Përmes filmimeve, imazheve të gjalla zbulohen pak nga pak monumentet ku artisti Mumtaz Dhrami bashkë me kolegët e tij është autori i tyre. Krahas artistëve të mëdhenj të këtij vendi ai krijoi hipotekën e tij të pavdekshme të historisë sonë Kombëtare. Filmi me një gjuhë njerëzore plot elegancë nga pena e artë e mjeshtrit Petrit Ruka të rrëqeth, ai nxjerr në pah nëpërmjet personazhit mençurin e popullit tonë duke i bërë monumentet të dialogojnë duke rrëfyer historinë e Kombit. Sa hyjnor dhe tokësor ai bashkon historinë dhe personazhet e saj si në vdekje. Po citoj një moment nga teksti: Të gjithë rrinë bashkë në studion e tij, nuk grinden edhe pse jashtë bëhet batërdia e politikës,bindjeve të ndryshme, klasave të ndryshme. Të gjithë, Ismail Qemali apo Poradeci i lodhur, Shkurte Vata e brishtë dhe e pafaj apo Adem Jashari I hekurt dhe pa vdekje, Enver Hoxha i anetemuar apo Noli i lodhur nga mendja e gjerë e përkthimet, Preng Cali shtatlartë sa një bjeshkë, apo Mitrushi i butë që bën magjira me fjalën shqipe, koka rebele e pagjume e Dritëro Agollit apo kolegu Rama, që në këtë studio, dikur bënte shaka me skica djegëse intime e tani se lë allçia të zbresë që të punojë me me shokun e tij. Më tej një baba teqeje, rri pranë një dëshmori komunist ateist, Kujtim Spahivogli i dënuar për drama liberale, malësor e lebër pleq me mustaqe të gjata dhe vajza që u rrinë përballë lakuriq si i ka bërë nëna, pa u bërë syri tërr nga këta kokëshkretë… Asnjë nuk ankohet pse Mjeshtri Dhrami i ka ngjeshur bashkë sup më sup, në një vëllazëri të çuditshme, që vetëm në art dhe në vdekje është plot me paqe… Filmi ka një fotografi të bukur të natyrës shqiptare një mrekulli që të çlodh, kolona zanore e spikatur ku ka brenda dhe një pasazh të Mjeshtrit të Madh të pentagramit Aleksandër Lalo dhe nën mikrofonin e zërit të ngrohtë dhe plot elokuencë të Roland Roshit i sjell filmit një atmosferë artistike plot emocion. Falënderojmë të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij filmi dokumentar për Artistin e popullit Mumtaz Dhrami që nga Kosova e deri në Gjirokastër, njerëzit e mirë që me dashuri ndaj filmit na ndihmuan në sheshet e xhirimit. 

Skënder JAÇE 
Drejtor Ekzekutiv i filmit
Sigal