Harilla Koçi/ Grupi “Bilbili”, manifestim i vlerave të trashëgimisë shpirtërore në Maqedoni e Bullgari

730
Sigal

Trashëgimia e brezave, është krenaria jonë, është dritarja nga ne duhet të shohim drejt Europës

Promovimi i Shqipërisë në botë, përmes prezantimit të vlerave të krijuara në shekuj, është një nga format më efektive të përmirësimit të imazhit të saj.

 Këtë gjë, po e realizon përsosmërisht grupi folklorik “Bilbili”, me qendër në Vlorë, por me frymëmarrje në të gjithë Shqipërinë. Pak rëndësi ka se ku ndodhet “rezidenca” e këtij ansambli, sepse kjo lidhet vetëm me aspektin formal. Vlerat që ka kultivuar dhe shpërndarë në më shumë se 20 vjet të aktivitetit, e kanë shndërruar atë në një referencë të tipareve më të mira të folklorit shqiptar, të atij folklori burimor që sot rrallë ndeshet në dimensionet e veta të vërteta.

 Grupi folklorik “Bilbili” radhitet sot, ndër më të mirët në Shqipëri, por me një emër të spikatur edhe në skenat e vendeve të tjera. Dhe kjo, jo vetëm për vlerësimet, apo çmimet që ka merituar ky grup, në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare të folklorit. Profili që ka krijuar, repertori i pasur, niveli dhe standardi profesional, mjaftojnë për ta vendosur atë në panteonin e vlerave më të mira të trashëgimisë, të sendërtuara në këto 20 vitet e fundit në Shqipëri.

 Në të gjitha skenat ku ka jehuar polifonia e “Bilbilit”, ku kanë interpretuar vallet vajzat dhe djemtë nga Vlora, emri i Shqipërisë është rritur edhe më tepër. Sepse folklori e ka këtë veti. Ai të rrëmben në atmosferën e tij. Të bën të ndihesh ndryshe, të shijosh muzikën që vjen nga era e shekujve, të perceptosh ritmikën e valleve nën kolorin e kostumeve që bëhen “njësh” me fizikun elegant të valltareve e valltarëve. Për ta, arti popullor është pasion, një pasion për të zbuluar pafundësinë.  Por, një pasion, që ka edhe një kurator që punon me këmbëngulje e dashuri për folklorin, për ta ruajtur e çuar atë më tej, për të mos e lejuar të humbasë nga elementët e vet burimorë. Sejmen Gjokoli, themeluesi dhe drejtori i Ansamblit, identifikohet jo vetëm me të, por edhe me vetë folklorin shqiptar.

 Turi pesë ditor i grupit në Maqedoni dhe Bullgari, e dëshmoi më së miri këtë gjë. Ai rikonfirmoi edhe një herë atë të vërtetë të padiskutueshme se, trashëgimia e brezave, është krenaria jonë, është dritarja nga ne duhet të shohim drejt Evropës, ku duhet të shkojmë me identitetin tonë.  Grupi i polifonisë me Tahire Bozhanin, Sinan Gjolekën, Pirro Latifin, Dëfrim Mustafarajn, Trifon Malajn, Adriatik  Çenko, Sadik Hodo, Viktor Gjoka, Valbona Nora, si dhe grupi i valleve me Ilxhano Mezanin, Amel Tahiri, Genta Belaj, Ida Vaja, Anxhela Mbole, Suena Selamaj, Floralba Rashiti, Xhilda Bajrami, Romeo Lalaj, Enea Driza, Andrit Nuredini, por edhe Lila Nora, ishin “rekuizita” interpretative e grupit në këtë tur pesë ditor, që do të përcillnin jehonën e folklorit shqiptar në dy vende të njohura për kujdesin që tregojnë ndaj artit burimor.

 “Vera Kulturore Kërçovare”, një risi për qytetin që drejtohet nga shqiptarët

 Qyteti i Kërçovës në Maqedoni, është stacioni i parë i itinerarit artistik të grupit “Bilbili”. Pas një ftese të organizatorëve, artistët nga Vlora mbërritën aty pasditen e datës 31 korrik, për të qenë të pranishëm Kërçovë, në një nga ditët që shënojnë pikënisjen e “Vera Kulturore Kërçovare”.  “Vera Kulturore Kërçovare”, është një aktivitet 7 ditor që zhvillohet për herë të parë në qytetin Kërçovë, por që organizatorët synojnë ta shndërrojnë atë në një traditë. Ai organizohet nga Komuna në bashkëpunim me këngëtaren Besjana Mehmeti. Por, përveçse një aktivitet me dimension kulturor, ai është konceptuar edhe si një mjedis për të mbledhur e bashkuar shqiptarët nga të gjitha trojet ku ata banojnë, që ata të rrinë e të diskutojnë së bashku, të flasin për vlerat, për ato gjëra që dimë t’i njohim vetëm ne, për tiparet që i kanë vetëm shqiptarët