Harallamb Kota/ Skënderbeu themelues i shtetit Kombëtar shqiptar

1092
TURQIT SELXHUKÉ
Në kohët e lashta turqit selxhuk kanë banuar në një rajon të gjerë të Azisë, kufizuar: në lindje me malet Kadërgan, në perëndim me detin Kaspik, në jug me Kinën e Tibetin, kurse në veri me Siberinë. Fjala turk ka kuptimin: me lindë, me kriju. Në vitet 682-745 e.r. popullsia turke bënte një jetë nomade, duke u vendosur në zonën midis detit Kaspik dhe detit të Zi. Arabët i quanin guzë, kurse bizantinët uzë. Në gjysmën e dytë të shek.VIII oguzët përqafuan fenë islame dhe në fund të këtij shekulli nga brigjet e Detit të Zi zbritën në Danub duke kërcënuar Perandorinë Bizantine. Selxhuk beu, në vitet 900-1007, hodhi themelet e Perandorisë Selxhuke. Më 26 gusht 1071, ushtria bizantine u ndesh me ushtrinë Selxhuke, në betejën e Malazgiritit dhe u thye keqas. Selxhukët pushtuan Anadollin, i cili deri në atë vit ishte vend ortodoks dhe e kthyen në një atdhe të ri, me të cilin do të lidhet e gjithë historia e popullit turk në të ardhmen. Fiset turke në fillim zunë rajonet malore e pllajat, më vonë zbritën në fusha dhe më pas në qytete. Krijuan rishtazi fshatra e kasaba, rindërtuan qytetet e shkatërruara, ngritën xhami, medrese, rrugë, urra, karvansaraje e spitale. Maleve, pllajave, fushave, lumenjve dhe liqeneve, iu vunë emra turq. Në disa raste u bë përkthimi nga greqishtja në turqisht. Procesin e forcimit të mëtejshëm të sulltanatit Selxhuk e ndërprenë dyndjet e Mongolëve. Në lindje Xhingisi kishte krijuar një perandori të madhe dhe në verën e vitit 1243, ushtria e tij mundi ushtrinë e Selxhukëve duke i kthyer ata në vasalë. Sundimi Mongol në Anadoll zgjati 60 vjet. Megjithatë edhe gjatë sundimit të tyre vazhdonte pa ndërprerje ardhja e popullsive turke në Anadoll. Me ardhjet masive, nisi procesi i formimit të kombësisë turke dhe u formua bashkësia etnolinguistike e kulturore e popullit turk. Propaganda fetare ndihmoi në forcimin e lidhjen e fiseve turke dhe nuk i lejoi sulmet shkatërrimtare mongole t’i asgjësonin ato në këtë rajon. Më 1308 u shemb sulltanati selxhuk dhe në territorin e tij u formuan dhjetëra emirate.
TURQIT OSMANË
Me shembjen e sulltanatit selxhuk, në njërin nga emiratet e krijuara, ai i Osmanit, që shtrihej kufi me Bizantin, u bë bërthama e shtetit të ri turk. Në vitet 1330-1340 kufijtë e këtij shteti në veri arritën në detin Marmara e në Detin e Zi, kurse në perëndim deri në ngushticën e Dardaneleve. Në vitin 1354, me shpërbërjen e shtetit Mongol, osmanët morën Ankaranë dhe rajone të tjera dhe i përqendruan forcat për pushtimin e Ballkanit, të cilin deri në atë moment e kishin sulmuar në formën e fushatave të organizuara, si rezultat i kërkesave të qeveritarëve bizantin, për të përballuar sulmet ushtarake nga anzhuinët, venecianët, gjenovezët, sllavët si dhe nënshtrimin e krerëve feudalë, që synonin krijimin e principatave dhe despotateve. Më 1361 veprimet luftarake në Thrakë përfunduan me pushtimin e Adrianopolit, të cilin osmanët e shpallën kryeqytet me emrin Edrene.
DEPÉRTIMI I OSMANÉVE NÉ BALLKAN E NÉ TROJET SHQIPTARE
Perandori bizantin dhe mjaft sundimtar të tjerë ballkanas, pranuan vasalitetin ndaj shtetit osman. Gjatë shekullit XIV dhe fillimit të shekullit XV, klasa sunduese osmane ishte në formim e sipër dhe e papërgatitur ushtarakisht për ti thyer feudalët e fuqishëm ballkanas. Osmanët, me një seri masash praktike, i mundësuan feudalët e mëdhenj dhe veçanërisht fisnikët e vegjël të integrohen në strukturën e klasës feudale osmane. Feudalët vasalë, ishin të detyruar të dërgonin bijtë e tyre në oborrin e sulltanit dhe të qeveritarëve të mëdhenj, ku ata i nënshtroheshin një edukimi të vërtetë osman dhe përgatiteshin të zëvendësonin prindërit e tyre në funksionet e shtetit osman ose në principatat që trashëgonin. Pasi u ndjenë të fortë ushtarakisht, osmanët prishën kushtet e vasalitetit me feudalët ballkanas dhe filluan luftën për pushtimin e vendosjen e aparatit administrativ e ushtarak në rajonet e pushtuara. Ushtritë osmane,nisur nga kushtet gjeografike ndoqën tre drejtime. Drejtimi i parë ishte rruga historike “Via Egnatia” drejt perëndimit duke kaluar nëpër Serez –Manastir-Ohër dhe arritën në brigjet e trojeve shqiptare në vitin 1385. Kur hynë në Shqipëri, ushtritë osmane u përballën me krerë të fuqishëm feudalë. Njëri prej këtyre “feudalëve” , Balsha II, i cili kontrollonte territore në veri të Shqipërisë dhe kishte fituar të drejtën e të qënit feudali më i fuqishëm i vendit, me rezistencën kundër osmanëve, i hapi rrugë konfliktit të armatosur. Në betejën e vitit 1385, që njihet në histori si beteja e Vjosës, Balsha u thye. Në periudhën që pasoi, krerët e tjerë “feudalë” shqiptarë, Balshajt, Topiajt, Dukagjinët, Zahariajt, Muzakajt, Zenebishtët, Aranitët dhe Kastriotët, duke hyrë në varësinë e shtetit osman, u njohën nga sulltani si drejtues vasalë të shtetit osman dhe ishin të detyruar ti dërgonin njësi ndihmëse luftarake, t’i paguanin haraç’ e ti dorëzonin peng bijtë e tyre në sarajin e sulltanit. Kjo situate, i detyroi krerët feudalë shqiptar, të krijojnë aleanca me shtete të tjera ballkanike kundër osmanëve. 
Pushtimi i Selanikut
Drejtimi i dytë i ushtrisë osmane, ishte drejt Thesalisë dhe më 1387 pushtuan Selanikun. Drejtimi i tretë, ishte rruga Kostandinopojë-Beograd, nëpërmjet luginave Maricë-Moravë-Danub, ku ndeshën në qëndresën e sundimtarëve të veçantë’ e pësuan disfatë. Osmanët u riorganizuan dhe krijuan ushtrinë e re këmbësore jeniçere (ushtar i ri) me rrogë dhe flotën ushtarake. Në betejën e Kosovës, zhvilluar në korrik të vitit 1389, osmanët thyen koalicionin ballkanas, ku shqiptarët zinin ¼ e numrit të përgjithshëm të ushtarëve,ndër ta: Bojarët Gjergj Balsha, Theodhor Muzaka, Dhimitër Jonima, Gjergj Kastrioti dhe trimi Milosh Kopiliqi që vrau sulltan Muratin. Serbia pranoi vasalitetin ndaj sulltan Bajazitit. Sulltan Bajaziti I, që u ul në fronin osman pas kësaj beteje, ndoqi ndaj trojeve shqiptare taktikën e “pushtimit me forcë”. Megjithatë administrimin e kësaj krahine, ja la ashtu si më parë krerëve feudalë vendas, ndërkohë për të parandaluar rebelimin e tyre në hapësirat shqiptare, u instaluan njësi të akënxhinjve. Në vitin 1394, fillon faza e dytë e pushtimit osman. Në rajonin Korçë-Përmet dhe në zonën e Krujës u vendos sistemi i timarit, ndërsa në rajonet e Gjirokastrës dhe Kaninës, osmanët përzunë feudalët vendas dhe vendosën trupat e tyre ushtarake.
Kalanë e Gjirokastrës e shndërruan në një qendër prej nga ku fillonin sulmet e tyre të mëtejshme. 
Në vitin 1396
Sidoqoftë gjatë sundimit të Bajazitit I, krerët feudal shqiptar përgjithësisht ruajtën pozitat e vasalitetit. Osmanët ishin fuqizuar shumë. Në vitin 1396, pushtuan Bullgarinë dhe dolën në kufijtë e Hungarisë. Por kjo gjendje nuk vazhdoi gjatë. 
Në kufijtë lindor të osmanëve u shfaq rreziku mongol që drejtohej nga Timurlengu. Më 28 korrik 1402, të dy ushtritë u ndeshën pranë Ankarasë dhe osmanët u shkatërruan.
Duhet të kalonte pothuajse një dekade dhe osmanët u shfaqën përsëri të fortë e të organizuar. Në vitin 1415 me marrjen e Krujës osmanët u vendosën në mënyrë të qëndrueshme në Shqipërinë Qëndrore. Princi i Krujës Gjon Kastrioti, u kthye në vasal të sulltanit dhe u detyrua të lërë peng në oborrin e Mehmetit I, Gjergjin në moshë të njomë me dy vëllezërit e tij. Në vitin 1421 në krye të shtetit turk, erdhi Murati II, i cili mundi të rivendoste kufijtë e shtetit të mëparshëm. Familja e Kastriotëve deri më 1430’ edhe pse e shtrënguar gjithnjë e më fort prej trysnisë osmane, mbeti vasale e sulltanit duke ruajtur zotërimet e veta dhe duke pritur ashtu si sundimtarët e tjerë shqiptarë, rrethana më të favorshme për të hedhur poshtë sundimin e huaj. Në të gjitha ngjarjet kryengritëse të asaj kohe, Gjergj Kastrioti ishte i lidhur me veprimet e të atit. Më 1431 Mehmeti II nuk lejonte në asnjë mënyrë që zotërimet e Kastriotëve të mbeteshin të bashkuara, brenda Sanxhakut shqiptar. Gjatë sundimit të tij, në vitin 1434 osmanët pushtuan despotatin e Serbisë dhe e kthyen atë në një provincë të shtetit turk. Pas vdekjes së Gjonit më 1437, sulltani ia mohoi të drejtën e trashëgimisë së feudit djemve të tij dhe i largoi Kastriotët nga posti i qeveritarit të vilajetit të Krujës. Kësaj situate Kastriotët u përpoqën t’i përgjigjeshin duke kërkuar mbështetjen te Venediku e Raguza dhe duke bërë kontaktet e para me mbretërinë e Napolit. Pas vitit 1439, Murati II e largon Skënderbeun nga tokat shqiptare, siç bëri në të njëjtën kohë edhe me një pinjoll të një shtëpie tjetër sunduese, Jakup bej Muzakën. Hungarezët, nën drejtimin e Janosh Huniadit pasi thyen osmanët në vitin 1440, kaluan nga lufta mbrojtëse në luftën ofensive. Në vitin 1443, ushtria e Huniadit kapërceu lumin Morava dhe në afërsi të Nishit theu ushtritë turke. Në krah të hungarezëve dolën edhe shqiptarët.
SKÉNDERBEU –THEMELUES I SHTETIT KOMBÉTAR SHQIPTAR
Qëndrimi i Skënderbeut në betejën e Nishit në ditët e para të nëntorit 1443, ku forcat osmane pësuan disfatë, ishte një veprim i parapërgatitur mirë. Në këtë ndeshje, në të cilën mori pjesë me repartet e veta si gjithë sanxhakbejlerët e tjerë, Skënderbeu u tërhoq me forcat shqiptare që kishte me vete. I pajisur me një ferman, që ia mori me forcë sekretarit të vulës, me shpejtësi të rrufeshme mori rrugën e kthimit për në atdhe, rrugën e kryengritjes së hapur kundër sulltanit. Këto ishin rrethanat në të cilat u zhvillua ajo kthesë vendimtare dhe filloi “Etapa e Re më e Lartë” në luftën kundër pushtimit osman dhe në gjithë historinë e Shqipërisë, që lidhet me emrin dhe veprën e Skënderbeut.
Më 28 nëntor 1443, u ngrit në Krujë përsëri flamuri i Kastriotëve me shqiponjën e zezë dykrenore me fushë të kuqe, që u bë tani e tutje flamuri historik i luftëtarëve për liri të popullit shqiptar. Në tubimin e madh popullor Skënderbeu deklaroi: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj, armët nuk ua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë, në ushtat”. Guri themeltar i veprimtarisë së Skënderbeut si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak në vitet e ardhshme do të ishte: 1- kapërcimi i pozitave të vjetruara politike të përçarjes së vendit në një varg zotërimesh të veçanta, 2- krijimi i një baze politiko ushtarake të organizuar e të qëndrueshme, 3-bashkëveprimi i veprimeve të brendshme me lëvizjet kundër osmane në plan të jashtëm, që lufta e shqiptarëve të kishte perspektivën e fitores. Gjergj Kastrioti-Skënderbe më 2 mars të vitit 1444 thirri në Lezhë princat shqiptar, midis tyre Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikoll Dukagjini, Teodor Muzaka (Korona), etj., me të cilët themeloi organin suprem të shtetit Shqiptar “Lidhja e Lezhës”. Kruja u caktua kryeqendra e “Shtetit Shqiptar të Skënderbeut”. Skënderbeu, zbatoi strategjinë e mbrojtjes aktive me parimin : “mbrohu duke sulmuar” dhe “kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 10-12000 vetash, nuk do të mund ta bënte këtë as edhe me një ushtri shumëfish më të madhe” dhe arriti rezultate të shkëlqyera me një ushtri relativisht të vogël. Shqipëria, si një fortesë e pathyeshme, qëndroi për 25 vite përballë ushtrisë osmane. Hyjnori Iskandër (Gjergj Kastrioti-Skënderbe),me konceptet e veta taktiko-strategjike, arriti të sprapste dhe të thyente forcat kolosale të ushtrive perandorake. Në krye të ushtrisë shqiptare të Lidhjes, në qershor 1444 u ndesh dhe theu në Torvioll një ushtri osmane prej 25.000 veta. Më 1445-1446, dy herë radhazi forcat osmane u thyen nga shqiptarët, në fushat e Pollogut, të Dibrës, të Ohrit e të Domosdovës. Në vitin 1448, ushtria osmane me 100.000 vetë e komanduar nga sulltan Murati II, hyri thellë në tokat shqiptare, u ndesh me ushtrinë shqiptare të komanduar nga Skënderbeu dhe pësoi një disfatë të plotë. Qëndresa shqiptare po i pengonte osmanët në qëllimet e tyre për të pushtuar perëndimin. Për ta mposhtur atë, më 14 maj 1450 filloi rrethimi i parë i Krujës, që përfundoi më 26 tetor 1450 me shpartallimin e ushtrisë osmane dhe vdekjen e sulltan Murati II. Në vitet 1455-1464, sulltan Fatihu dërgoi ushtri të mëdha nën komandën e Isak bej Evrenozit e Ballaban pashës, për të nënshtruar popullin shqiptar dhe në verën e vitit 1466, në krye të një ushtrie prej 150.000 vetash, rrethoi për herë të dytë Krujën. I mundur në fushën e betejës, sulltani u largua nga Shqipëria duke lënë Ballaban pashën që të vazhdonte rrethimin. Disfata që pësoi Ballabani në vitin 1467, e detyroi sulltanin të rrethojë Krujën për të tretën herë. Shqiptarët luftuan me heroizëm e trimëri. Sulltan Fatihu u largua i turpëruar nga Kruja. Vdekja e Skënderbeut më 6 janar 1468, pati rrjedhime negative në tërë jetën e vendit, dëmtoi rëndë organizimin e qëndresës së popullit shqiptar kundër sulmeve osmane. Lidhja e Lezhës filloi të shpërbëhej. Pozitat e Venedikut në Shqipëri, që shtiu në dorë edhe Krujën po forcoheshin. Rezistenca e shqiptarëve kundër osmanëve vazhdoi edhe për 11 vite të tjera.
Sigal