Hana Hoxha: Shkrimtarët më të preferuar janë Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare

226

INTERVISTA/ Flet poetja kosovare Hana Hoxha: Enver Hoxhën e donin të gjithë

Të krijosh do të thotë shumë. Ngase të mundësohet të shijon një ndjenjë sa të bukur aq të veçantë. Ku këtë ndjenjë jo të gjithë e posedojnë! Andaj fjala e artit të madhërinë shpirtin! Vargjet poetike vërtetë janë të binjakëzuara, ku asnjëherë nuk ia lëshojnë dorën njëra-tjetrës, por vazhdojnë me dashuri dhe harmoni duke u kurorëzuar me poezinë (prozën). Ku poezia kërkon përkushtim,”ushqim për zhvillim” , dhe mbi të gjitha poezia duhet të frymojë lirshëm. Medoemos poezisë, ne jemi ata që duhet t’ia vendosim edhe krahët për të fluturuar sa në tokë sa në qiell,sa në dritë sa në errësirë,sa në det sa në shkretëtirë!!! Dhe duke e pa suksesin e promovimit te librit tim të fundit “Dashuria që nuk mund të takoi brigjet”,në Fakultetin Filozofik (në të cilin mbarova Universitetin-Shkenca Politike), u vendos që ky promovim të kalonte përtej kufijve, pikërisht në Tiranë respektivisht në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve vërtetë  ishte një privilegj shumë i madh sepse një gjë e tillë dëshmonte që unë po kaloja shumë barriera por njëkohësisht ishte dhe një përgjegjësi shumë e madhe sepse promovimi po mbahej në një nga sallat e një institucioni serioz,në të cilin ftesës iu kishin përgjigjur me dashuri njerëz të mëdhenj që dinë të vlerësojnë artin,të cilët më ofruan mbështetje dhe ngrohtësi shpirtërore. Mirëpo ajo që më nderoi shumë krejt në fund të promovimit ishte kur Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Ndue Bytyqi” z.Agron Gjedia më shpërbleu me mirënjohje, ku pas të tjerash vlerësoi librin tim dhe njëkohësisht shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në të ardhmen. Këto fjalë janë hyrja e bisedës me poeten Hana Hoxha.

Sa vlerësohet arti në Kosovë?

Kosova në përgjithësi vlerëson lartë artin. Një gjë e tillë është vërejtur edhe në kohë lufte. Në atë kohë ku derdhej gjak ku vriteshin e persekutoheshin fëmijë, gra e pleq. Krijuesit ishin ata që tërë dhimbjen, vuajtjet i kthenin në vargje(poezi-proze). Me këtë dua të them që kureshtja dhe organizimi nuk mungonte as në kohë të vështira, por nuk do të mungoi as tani kur Kosova zotërohet për demokraci. Por dua të përmend një rast më të freskët, pra me datë 25 korrik të këtij viti, Ministria e Diasporës së Kosovës organizoi takim me poetët e Diasporës dhe vërtet ishte një rast i mirë që të promovohen pikërisht librat e poetëve nga tërë Diaspora. Domethënë dita- ditës po rritet niveli artistik fal organizimit të aktiviteteve, dëshirës dhe vullnetit nga ana e krijuesve dhe fushës së artit në përgjithësi.

Si është mirëpritur krijimtaria juaj ?

Realisht duke filluar nga vëllimi i Parë (“Ëndërroj te Jetoj”), i cili i kushtohet të gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë dhe atyre që sakrifikuan për kombin Shqiptar pastaj vëllimi i Dytë (“Durimi mbi te gjitha”) dhe i Tretë (“Me fajësojnë pa të drejtë”), që trajtojnë konkretisht jetën sociale duke vazhduar deri tek vëllimi i Katërt(më i fundit) – “Dashuria që nuk mund t’i takoi brigjet”, janë mirëpritur dhe vlerësuar nga kritikë të ndryshëm.

 Ku ndiheni mirë në prozë apo në poezi?

Edhe poezia, edhe proza janë dy botëkuptime të stolisura me mrekullira dhe mistere në vete të cilat vërtetë ecin një hap më tej njerëzimit, edhe mundohen ta paraqesin një realitet me të cilin ballafaqohemi por dhe me gjëra jo të këndshme të cilat mund t’i evitojmë. Pra poezia dhe proza  janë një rrugë e paqes, qetësisë, dashurisë, vullnetit,harmonisë, përjetësisë andaj dhe unë në të dyja ndihem mirë, megjithëse unë konsideroj që poezia është më e vështirë  për t’u realizuar.

Si e keni njohur letërsinë shqiptare?

Letërsinë Shqiptare e kam njohur qysh nga bankat shkollore, edhe pse fatkeqësisht në përgjithësi nuk studiohet shumë për letërsinë Shqiptare. Kurse shkrimtarët më të preferuar janë : Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare.

A ju flisnit prindërit për Enver Hoxhën dhe udhëheqësit e tjerë të sistemit komunist në Shqipëri?

Edhe në Kosovë kemi jetuar në një sistem të rrejshëm komunist, por ne kemi qenë të robëruar nga Jugosllavia-Serbia. Ndërsa për Shqipërinë të afërmit çdoherë kanë patur dashuri sepse ju ka munguar kujdesi shtetëror që e kanë dëshiruar ata. Por në të vërtetë Shqipërinë e kemi dashur përmes TV-së, ndërsa kemi pasur gjithmonë dëshirë të madhe m’i pa të arriturat e kohës që flitej në atë kohë : për arsimin, kulturën, artin, respektimin e trashëgimisë kulturore , festivale të ndryshme, filmat kanë qenë shumë të shikuar, kanë qenë njerëzit e punësuar… Ndërsa për figurat që kanë folur prindërit janë Lideri i adhuruar nga kosovarët Enver Hoxha, Ramiz Alija dhe shumë Ushtarak të Ushtrisë Shqiptare, ku shumë oficer të saj në luftën e Kosovës na përkrahën dhe morën pjesë në të p.sh., Tahir Sinani që mori pjesë në tri luftërat çlirimtare. Ndërsa në Kosovë në kohën e  komunizmit shqiptarët e Kosovës kanë preferuar në mes të Enverit dhe Titos, kanë dashtë Enverin dhe përmes tij edhe Shqipërinë duke u ndjerë keq të ndarë nga Lufta e Dytë Botërore padrejtësisht.

 A ka zënë vendin e duhur femra në Republikën e Kosovës?

Gati  më tepër se 50% e familjeve shqiptare në Kosovë femra e udhëheq familjen dhe i planifikon të gjitha mundësitë e një  jete më të mirë të organizimit shoqëror. Femra shqiptare respektohet për veprimtari patriotike ( ka qenë  e burgosur politike , Ushtare te UCK-së udhëheqëse e demonstratave etj.) Femra shqiptare respektohet nga institucionet  shtetërore, lokale, institucionet e arsimit, artit, kulturës dhe njëherit merret me biznes (ushtron veprimtari profesionale ndërmarrëse ) udhëheqin fabrika, firma të mëdha etj,.

Cilët do të veçoje nga krijuesit Kosovarë?

Në Kosovë ka shumë krijues të talentuar, por ata më në zë janë: Rexhep Qosja dhe Daut Demaku.

Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe si jeni ndjerë?

Për herë të parë në Tiranë kam ardhur para 16 viteve, por ju kërkoj ndjesë sepse atëherë kam qenë fare e vogël dhe nuk kam arritur të mbaj mend përjetimet e mija. Por tani sa herë që vizitoj Tiranën ndjehem mirë dhe çdoherë pa hezitim tek gjithsecili e shpalos me dashuri : “Ndjehem mirë në Tiranën e luleve, në Tiranën e gëzimit, në Tiranën e lumturisë, në Tiranën e njerëzve zemërgjerë, në Tiranën e perspektivës, në Tiranën motrën e Prishtinës të cilat i shoh duke ecur dorë për dore drejt avancimeve më të larta të globit”!

E ke menduar ndonjëherë të martoheni në Shqipëri?

Të them të drejtën asnjëherë nuk e kam menduar të jetoj apo të martohem në Tiranë, përveçse të punoja apo të zhvilloja aktivitete kulturore për një periudhë të caktuar kohore, (pra në profesionin në të cilin do kualifikohesha) do të sakrifikoja të bëhesha e dobishme edhe për shqiptarët e Shqipërisë.