Hamit Metuku, partizani 17-vjeçar i Brigadës së 23-të Sulmuese

691
Jubileu i 71-vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë e bashkëpunëtorët e tyre kolaboracionistë, na sjellin në memorie tërë ata patriotë e atdhetarë, që mes sakrificave e privacioneve të shumta, kanë luftuar për lirinë e pavarësinë e Atdheut në të gjitha periudhat. Një ndër këta patriotë ishte edhe Hamit Metuku, lindur në fshatin Shqjefën të rrethit Mat, në vitin 1927 dhe i ndarë nga jeta më 27 nëntor të vitit 2012. Edhe pse nuk jeton më, ai mbetet figura më e spikatur atdhetare, që tërë jetën e tij luftoi për lirinë e Atdheut. Hamit Metuku ishte partizani i Brigadës së 23-të Sulmuese dhe veterani i luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Lindur e rritur në një familje fisnike me rrënjë të thella atdhetare, me zë e me emër në tërë krahinën e Matit, u formuan në personin e tij tiparet e një njeriut të zgjuar, dinamik, por edhe të urtë e largpamës në analizimin dhe gjykimin e problemeve të kohës. Ai u bë shembull frymëzimi për njerëzit. Ai rrjedh nga një familje me tradita të larta patriotike, atdhetare dhe liridashëse. Në vitin 1944, në moshën 17-vjeçare, iu përgjigj thirrjes së Atdheut për të marrë pjesë si partizan në LANÇ. Fillimisht u aktivizua në Batalionin e Matit e më pas u inkuadrua në radhët e Brigadës së 23-të Sulmuese, deri në çlirimin e plotë të vendit. Kontributi i tij gjatë luftës ishte shumë i vyer. Deri sa doli në pension ai ka punuar në disa ndërmarrje shtetërore. Kudo ku ka punuar gëzonte respekt, ndjente gjithnjë dashurinë e madhe për Atdheun. Merrte pjese rregullisht në aktivitetet shoqërore si dhe në përvjetorët e brigadës së 23-të sulmuese, ku ai ka qenë partizan. Pas viteve `90-të, Hamiti ka banuar në qytetin e Tiranës. Ka lindur dhe rritur 9 fëmijë, nga këta 8 djem dhe 1 vajzë, të gjithë të edukuar dhe të shkolluar. Për kontributin e tij, si në luftë ashtu edhe në punë, është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme. Kontributi i tij në LANC është vlerësuar dhe nga institucione të larta të shtetit. Që nga ajo kohë e deri në fund të jetës së tij, Hamiti ishte një qytetar i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që e njohën. Ceremonia e varrimit të Hamit Metukut, për koincidencë, u bë në 28 Nëntor 2012, në ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ceremoni e cila u bë më të gjitha nderet që i takonin dhe e meritonte. Hamiti vdiq dhe u varros, por la të gjallë punën, veprën dhe kontributin e tij, la bashkëshorten e tij Mexhidën dhe vajzën e tij Lefterien, la dhe 8 djemtë e tij: Bashkimin, Samiun, Feritin, Aliun, Astritin, Dritanin, Andonin dhe Edmondin, la dhe shumë nipër dhe mbesa, la të afërm, miq e shokë që do ta kujtojnë gjithmonë me nderim të veçantë. Hamiti do të jetojë përjetësisht në kujtesën e të afërmve të zemrës së tij. 
***
Flamuri, simbol i kombit
Minella Kureta
Zjarr nga stralli i gurit,
Shkrepnin luftëtarët,
Ç’shenjë mes flamurit,
Do kishin shqiptarët?
Dhe kjo pendë shqipe,
Endur për lirinë,
Mes kaq flatrash drite,
Shpall Pavarësinë.
I flet trimi-trimit,
Ç’simbol do t’i printe?
Që ballë kushtrimit,
Zjarr të vetëtinte.
Ky vend shpirt-trazuar,
Prapë u ndez nga zjarri,
Gjergji frelëshuar,
Ringrihet nga varri.
Dikush thoshte: “Dy kuaj”,
Dikush “Krahë shqipe”,
Dikush thoshte “Dy buaj”,
Dikush “Zjarr a yje”.
Gjuha e Naimit,
Me shpirt atdhetari,
Zjarr i shkrepte kushtrimit,
Dritë çdo shqiptari.
Mbas luftërash tragjike,
Do të kish më vlerë,
Një shkabë kreshnike,
Që të kish dy krerë. 
Sa shekuj kish pritur,
Të rindizte zjarret?
Shqipja që lart zbritur,
Fluturon e s’ndalet.
Dhe u vendos shqipja,
Në çast fluturimi,
Një kokë nga Lindja,
Një nga Perëndimi.
Prej palcës së gurit,
Mes pellgjesh prej gjakut,
Kjo shqipe flamurit,
Flatrat rreh bajrakut.
Këtë shpend do ngrinte,
Piro Epirioti,
Që shekujsh do printe,
Gjer te Kastrioti.
Mos e humbte lufta,
Përballë vetëtimash,
Gdhendej mbi lahuta,
Ngjyhej mbi gjak trimash.
Këtë do të ngrinte,
Dhe Gjergji në Krujë,
Që kudo do shndrinte,
Me triumf e bujë.
Gdhendej përmbi djepe,
Mbi gur të oxhakut,
Gdhendej mbi sepete,
Mbi gur të parmakut.
Ja dhe Ismaili,
Një sy i shqiponjës,
Një sy Boletini,
E ngritën mes Vlorës.
Kush ia shtoi purpurin,
Kaq shkëlqim bajrakut?
Kush puthi flamurin,
E s’u ndez prej gjakut?
Ç’peshqesh vallë sollën,
Aty mes festimit,
Një pendë përzgjodhën,
Dhuratë Ismailit.
Me gjak trimërie,
E ngjyen të parët,
Me gjak, nder lavdie,
Shndrin nga çlirimtarët.
Mere Smail Beu,
Pendë vetëtimash!
Më vulë Skënderbeu,
Ngjyer me gjak trimash! 
Sot valvinë lirinë,
Përballë çdo kohe,
Shpalos historinë,
Me krahë shqiponje.
Flamuri, simboli i kombit
Jonuz Karaulli
Flamuri ynë i Ilirisë, 
që Pirua la amanet,
Skënderbeu kundër Osmanëve, 
e mbajti njëzet e pesë vjet.
Kurse Ismail Qemali, 
që punoi për Shqipërinë, 
ngriti flamurin në Vlorë.
Aleksandër e Stavre Drenova, 
si poet dhe atdhetar, 
vargjet që shkroi për flamurin, 
ndërgjegjësuan çdo shqiptar. 
Gjatë pushimit italianët, 
flamurin na e dhunuan, 
me sopatat e fashizmit, 
që tradhtarët e pranuan. 
Shqiptarët sot habiten, 
ndaj pyesin qeverinë, 
pse në targat bardh e blu, 
po ndryshon flamuri ynë? 
Flamuri simboli i kombit, 
që shqiptarët kanë në gji, 
sado shekuj të kalojnë, 
do të mbetet kuq e zi!

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf datë 28.11.2015
Sigal