Hamit Metuku nga Mati, ish-partizani 17-vjeçar dhe njeriu model që ia kushtoi jetën Atdheut

916
Përvjetori i Çlirimit/ Nderim për veteranin e Luftës, që prej 68 vitesh nderoi të rënët për liri 
Janë disa njerëz, të cilët gjithë jetën punojnë e kontribuojnë me përkushtim e në heshtje dhe po në heshtje, ndahen nga kjo jetë, por të përcjellë me nderimin e madh të njerëzve, të komunitetit e të krejt zonës, mes të cilëve kanë qenë pjesë familjare dhe shoqërore dinjitoze e vlerësuar. Një figurë e tillë, ka qenë matjani Hamit Metuku, mbetur në kujtesën e të gjithë atyre që e kanë njohur, si model dinjitoz prindëror e shoqëror. Në këtë 73 vjetor të çlirimit të Atdheut, ish-partizani 17-vjeçar dhe veteran lufte prej 68 vitesh, nuk do të jetë prezent në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, për të nderuar shokët e Luftës. Ky është viti i pestë që mungon, për shkak të ndarjes nga jeta. Madje mungon prej 5 vitesh, mbasi është ndarë nga jeta, por nuk ka dalë nga kujtesa e bashkëluftëtarëve, të cilët e nderojnë për sakrificat dhe atdhedashurinë që ka treguar në çdo kohë e detyrë.

Ish-partizani dhe veterani Hamit Metuku, u lind në fshatin Shqefën, të rrethit Mat, në vitin 1927. U nda nga jeta më 27 Nëntor 2012. Edhe pse nuk jeton më, ai mbetet figura më e spikatur atdhetare, që qysh fëmijë luftoi për lirinë e Atdheut e më pas për rindërtimin e vendit, një rrugë e gjatë sakrificash lufte e pune, nisur qysh në moshën 17-vjeçare, kur iu bashkua lëvizjes nacional_çlirimtare, duke u bërë pjesë aktive e formacioneve të Brigadës XXIII-S e më pas, në punën për rindërtimin e vendit, njëherazi me kontribute shoqërore e patriotike si veteran aktiv i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Lindur e rritur në një familje fisnike, me tradita të njohura patriotike e atdhedashurie dhe me emër në tërë krahinën e Matit, Hamiti Metuku u formua si njeri që respektoi veten, familjen, të afërmit dhe krejt komunitetin. Familja Metuku nga Shqefni i Matit, ka një histori që ka lënë gjurmë e ka përcjellë vlera njerëzore e liridashëse breza pas brezi në krejt zonën për patriotizëm, kulturë, burrëri, trimëri, mikpritje, korrektësi dhe kontributin për paqe mes njerëzve. Këto cilësi i trashëgoi e i manifestoi, madje i përcilli tek fëmijët e tij dhe të afërmit edhe Hamiti. E nisi me daljen partizan në moshë të re, për të vazhduar pas çlirimit në punën e madhe për rindërtimin e Shqipërisë e derisa doli në pension. Simboli i ndershmërisë dhe përkushtimit, ish-veterani i luftës Hamit Metuku ka punuar në disa ndërmarrje shtetërore, duke përmbushur me dinjitet çdo detyrë. Pas viteve `90-të, për shkak të ndryshimeve e zhvillimeve që ndodhën edhe në jetën dhe punë e fëmijëve të tij, Hamiti ka jetuar familjarisht në qytetin e Tiranës. Ka lindur, rritur e edukuar 9 fëmijë, nga këta: 8 djem dhe 1 vajzë, të gjithë të shkolluar e punë-dashës. Për kontributin e tij, si në Luftë e në punë, ai është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme, të cilat i ka lënë pas si “notë” vlerësimi e nderimi për jetën kushtuar Atdheut… 
Arjan DUKASI
Sigal