Hakmarrja tragjike e dashurisë…

679
Sigal

Hakmarrja tragjike e dashurisë … 

Përsiatje për dramën dhe spektaklin “Prostituta” të dramaturgut dhe regjisorit profesionist Leka Bungo

Mexhit Prençi

“Vepra eksperimentale mbi shoqërinë bashkëkohore, mund të paraqitet nëpërmjet analizave narrative të moderuara, të kontradiktave të brendshme dramatike dhe komike”

Bertold Breht

Prolog

Dom Simoni përpara spektatorëve:. “Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në teatër. Do të përpiqem të ringjall përpara jush një histori të vërtetë. Të vërtetë gjer në dhimbje… Ajo zë fill në vitet nëntëdhjetë kur ishin të rinj në moshë. Ajo nuk i kishte mbushur te gjashtëmbëdhjetat… Më detyroi të rinisja këtë ngjarje dëshira dhe këmbëngulja e saj. Erdhi për t’u rrëfyer në kishë para se t’i thoshte lamtumirë jetës. Donte që njerëzit të mësonin të vërtetën për jetën dhe vdekjen e saj.

Fillimi i dramës me një kulm, në mënyrë dramatike dhe tragjike, shkruar me nje tekst të bukur dhe paraqitur nëpërmjet imazhit të një varri në sfond të sheshit skenik mbuluar me lule, – është një gjetje artistike unike dhe e jashtëzakonshme.

Kryekreje theksoj se dramaturgu Leka Bungo shquhet për fantazinë e arsyeshme që ëshë mëma e dijes dhe mrekullia e artit, sfiduese e fantazisë së paarsyeshme që pjell përbindësha, siç do të thoshte Fraçisko Goja. Kjo dhunti natyrale është ndër elementët përbërës kryesorë të talentit të Bungos së bashku me inteligjencën e hollë dhe te mprehtë,- dy armë te fuqishme në rrafshin e krijimtarisë dramaturgjike që promovohen në dramën “Prostituta” të cilën e vlerësoj si një ndër veprat realiste-moderne të shquara të dramaturgjisë sonë kombëtare.

Bungo dramaturg dhe regjisor i kësaj vepre, ngjajnë si vëllezër siamezë me njeri-tjetrin, por kanë dhe dallimet specifike te tyre. Te dramaturgu vizioni, shestimi, strukturimi e formësimi i dramës dhe krijimi i tekstit me një gjuhe të pastër shqipe, dramatike, lirike dhe satirike, me kolor dhe dialog ekspresiv e dinamik, janë të një cilësie më të lartë se mjetet shprehëse regjisoriale, skenografike dhe te aktrimit. Kur lexova tekstin e dramës mora më shumë kënaqësi artistike, estetike dhe dhe të mesazheve se sa kur shikova spektaklin. Sipas meje dramaturgu Bungo është më cilësor se regjisori Bungo në këtë spektakël, pa anashkaluar këndvështrimin regjisorial dhe komponentët e tjerë të shfaqjes, të cilët në tërësi, janë të cilësisë së lartë.

Sipas meje, Leka Bungo është dramaturg profesionist i shqetësuar, angazhuar dhe provokativ, njohës i thellë i realitetit shqiptar sidomos i këtyre dy dekadave e gjysmë. Sy mprehtë në përzgjedhjen e temës, e cila në morinë e temave tronditëse dhe rrëqethëse të realitetit, ka peshën specifike më të madhe, siç është korrupsioni i gjithanshëm dhe trafikimi i vajzave edhe nga deputetët.

Mjeshtëria në formësimin e kësaj vepre me vizion të kthjellët, shpalos në mënyrë inkandeshente të vërtetën e realitetit të pseudodemokracisë, ku nga një pikë uji duket oqeani i qelbët i punëve të pista e të ndyra të partitokratëve në tërë sistemin piramidal të shtetit të korruptuar, mbushur me maskarenj, njerëz të hurit e të litarit, drogmenë e trafikantë, të inkriminuar lidhur me banda e banditë, e të tjera, e të tjera…..

Shndërrimi në realitet artistik të frikshëm, i historisë reale, të Prostitutës nga autori, është më i përsosur se realiteti i jetës çka promovon cilësi të lartë artistike, estetike dhe mesazheve. Didëro do të thoshte: “Njeriu i jetës është më pak i përsosur se njeriu i autorit” Parë nga ky këndvështrimi e konsideroj unike dhe të cilësisë së lartë, mënyrën si e ka formësuar autori dramën autori, që në rrëfimin e Prostitutës para Dom Simonit në natën e Krishtlindjeve, por edhe në tërë shpalosjen e historisë të dhimbshme, dramatike dhe tragjike te saj. Me vlera të epërme konsideroj konceptimin e idesë substanciale të dramës si menaxhere, që lidh çdo element përbërës të veprës: ngjarjet, situatat, rrethanat, personazhet dhe të tashmen me të shkuarën, ku retrospektivat janë elemente kryesore strukturore, ndërtuar me mjeshtëri artistike. Në këtë nivel vlerash shquaj edhe gërshetimin e rrëfimit dhe të dialogut të Prostitutës me Dom Simonin dhe me personazhet e tjerë. Arkitektura e dramës është komplekse, realiste-.moderne dhe funksionale. Të qenit regjisor i Bungos i ka mundësuar dramaturgut Bungo, të formësojë dramën me origjinalitet dhe personale artistike unike.

Përbërës të rëndësishëm, të domosdoshëm dhe të vlertë të dramës dhe prologu si edhe epilogu në marrëdhëniet që krijon lexuesi me tekstin. I pari jep substacialisht atë që do të ndodhë gjatë zhvillimit dramaturgjik të veprës dhe fundin tragjik. Ndërsa epilogu jep qëndrimin akuzues ndaj realitetit, hakmarrjen tragjike të dashurisë. dhe kumtin që e keqja të evidentohet, dënohet dhe të mos përsëritet. Nga epilogu citoj: “Të nesërmen vendosa të trokisja në apartamentin e saj…(rrëfen Dom Simoni përpara spektatorëve)…por…ishte vonë…tepër vonë. Atë mëngjes të ftohtë dimri në trotuarin ndanë pallatit të saj, gjurmët e gjakut nuk ishin tharë. Ndërsa grumbulli i kalimtarëve sa vinte e shtohej. Njerëzit ngrinin kokën e shikonin ballkonin e katit të nëntë…Prostitutën nuk e njihte njeri. Megjithatë vdekja e pazakonshme në një nga trotuaret e qyteti do të mbahej për shumë kohë në gojët e njerëzve…”. Dhe vazhdon më tej:…. “Shumë drama kanë ndodhur ndërmjet njerëzve, sepse ata nuk kanë kërkuar falje ose nuk kanë falur. Për fat të keq ata e kanë më të lehtë të hakmerren se të falin,

Krejt natyrshëm lind pyetja: A kishte të drejtë Prostituta ta falte apo të hakmerrej ndaj deputetit trafikant që e mashtroi dhe e bëri prostitutë?! Në dialog me Dom Simonin thotë: “Unë s’kam dashur asnjeri tjetër përveç atij. (pas një heshtjeje). Mandej e dua akoma. Ndoshta edhe më shumë. Ndoshta, se kanë kaluar më shumë se njëzet vjet dhe malli e ka shtuar dashurinë. E dua megjithëse vetmja dëshirë që më ka mbetur gjallë është hakmarrja ndaj tij. Është njeriu që dashuroj dhe urrej më shumë. Gëzuar Padre! Dhe troket gotën me Dom Simonin e qesh!….Nuk ju dukem pak si e çmendur? Aspak i përgjigjet ai….” Dramaturgu nuk mban qëndrimin ndaj saj, Respekton mendimin e lirë të çdo lexuesi apo spektatori, ashtu si në disa romane të Kadaresë. Kjo sipas meje është qasje e duhur ku provokohet me elegancë koshienca e njerëzve. për të përsiatur mbi tërë historinë e Prostitutës, e të arsyetojë secili me kokën e vet: Ta falte apo mos ta falte deputetin mashtrues e të neveritshëm, i cili mashtron e deklamon në parlament si aktor i klasicizmit: “Në popull përfliten emra eksponentësh të qeverisë që janë lidhur me trafikun e drogës dhe të prostitucionit. Të nderuar të përndershëm kolegë, trafiku klandestin është një minë në themelet e shtetit… Nga kjo tribunë u bëj thirrje zotërinjve të partisë në pushtet, mos të harrojnë se ato vajza që kapërcejnë detin për të shitur trupin e tyre, janë vajzat dhe motrat tona… ” Prostituta ulëret Jo…joo…jooo! O zot!..rrëmben tavllën e duhanit, qëllon televizorin, i cili thërrmohet në copëza…copëza….copëza….

Dramaturgu duke depërtuar thellë në shpirtin, zemrën dhe mendjen e Prostitutës ka arritur të realizojë me vërtetësi artistike dhe estetike, zhvillimin e linjës dramaturgjike të saj jo në vijë të drejtë, po vertikale, spirale e zik-zake, me dinamizëm, ritëm të lartë dhe intensitet, çka ka bërë që figura e saj të paraqitet më e përsosur se ajo e jetës reale. Kjo ka ndodhur pikërisht sepse autori ka njohur në gjithanshmëri botën e brendshme, individualitetin, karakterin dhe prejardhjen e saj. Bertold Brehti do të thoshte: “Autori duhet të njohë edhe biografinë e gjyshit të personazhit”.

Njohja e gjithanshme e Prostitutës reale dhe Prostituës fikshën i ka mundësuar autorit ta japë atë me realizëm dhe vërtetësi jetësore, artistike dhe estetike, në raportet me ish-të dashurin trafikantin deputet, – me luftën e brendshme, dramën rrëqethëse të saj, vuajtjet, dhimbjet, zhgënjimet, enigmat, mëdyshjet, urrejtjen dhe luhatjet e paarsyeshme. kur i thotë Dom Simonit se e ka dashur, e do dhe e urren… “E vetmja dëshirë që më ka mbetur gjallë është hakmarrja ndaj tij. Qesh) Gëzuar Padre! Trokëllijnë gotat. Nuk të duken pak si e çmendur?” Dom Simoni: përkundrazi…

Rikthehem përsëri te epilogu: “Pas ceremonisë mortore – Padre rrëfen – kur te gjithë njerëzit u larguan në heshtje vetëm një njeri mbeti i ulur në gjunjë përbri varrit të saj për një kohë të gjatë. Edhe kur erdhi ishte vetëm. Erdhi kur në varreza kishin mbetur vetëm të vdekurit dhe lulet Donte të fliste me të. Ndoshta më në fund zoti i kishte kthjelluar arsyen dhe erdhi t’i thoshte: “Më fal!…Ai ishte babai i saj…. Vëllai…Ai është njëri nga ju…Jemi ne të gjithë…Të gjithë!.. “ Edhe këtë “falje” autori nuk e shpjegon. Babai e kishte përzënë nga shtëpia vajzën e tij, e kishte kërcënuar, as mëmën saj s’e kishte lënë të çmallej me të në atë çast drithërues kur i tregoi të vërtetën e historisë së saj dramatike dhe tragjike. Po njerëzit që e lexojnë dramën apo ata që shohin spektaklin, a do ta falin këtë baba pa asnjë ndjenjë atërore?! Edhe këtë dukuri autori e lë të hapur…

Kjo qasje moderne e dramaturgut, sipas meje, nuk është e gabuar, por e duhur. Drama “Prostituta” nuk zgjidh konflikte, kontradikta, problemet e dramat e personazheve. Ajo i paraqet ato, i bën të dukshme, groteske dhe. ironizon, stigmatizon, akuzon dhe provokon.

Si konkluzë

Drama “Prostituta” e Leka Bungës dhe spektakli i saj janë tërësisht kombëtare, në tekst, gjuhë, aktrim, muzikë skenografi. Nga shtresat dhe nënshtresat e tekstit dhe gjuha e spektaklit, lexuesit dhe spektatorët: -nga kuptimësitë e së keqes nxjerrin kuptimësitë e së mirës. Të keqen e refuzojnë që të mos përsëritet më. Të mirën  e promovojnë.