Haki Isufi nga Lekdushi i Tepelenës, ish-drejtori i pasionuar i fermës “Vlora” që “qëndisi” kodrat me ullishte

979
Mustafa KOÇERRI 

Fidanët e ullirit të kultivuar prej tij, në vitin 1969 u çuan në Kinë me vaporin “Vlora”, ai u nderua edhe nga shteti kinez 
Kuvendi Popullor i Shqipërisë e ka laureuar me “Çmimin e Republikës” ndërsa bashkia e Vlorës, në nderim të punës dhe personalitetit të tij si drejtues e qytetar model, një nga rrugët e qytetit e ka emërtuar me emrin e tij, “Haki Isufi”

Lekdushi i Kurveleshit të Sipërm është fshati Heroit të Popullit, Mustafa Matohiti ose “Bilbil Matohiti”, siç e kishte pagëzuar dhe i këndoi e i këndon populli i asaj krahine me tradita të shkëlqyera dhe me një kontribut të veçantë në historinë e Shqipërisë. Është fshati i shumë dëshmorëve të Luftës, që kanë derdhur gjakun e tyre për lirinë që ne gëzojmë sot. Ai është fshati edhe i shumë njerëzve të tjerë, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar e të veçantë në ndërtimin e vendit duke kontribuar në shumë fusha të jetës. 

Haki Isufi, agronomi që studioi në Piza-Firence të Italisë 
Një nga këta njerëz profili dhe formimi i të cilit si kuadër dhe specialist erdhi duke u rritur e perfeksionuar, është edhe Haki Isufi me origjinë nga Lekdushi i lindur në vitin 1915. Hakiu shkollën shtatëvjeçare e përfundoi në qytetin e Tepelenës, por dëshira për të vazhduar shkollën bëri, që ai të jetë ndër nxënësit e pakët ku midis 72 prej tyre të fitonte konkursin e zhvilluar në atë kohë në Tiranë. Edhe pse fitoi konkursin komisioni kishte gjykuar se nuk kishte se ç’duhej një agronom në krahinën e Kurveleshit dhe ia heq të drejtën e studimit. Por ai këmbëngul dhe arrin të takohet me ministrin e Arsimit të asaj kohe dhe, pasi e dëgjon pse kishte vajtur, i thotë Hakiut: “Por ti jeton në Kurvelesh, atje gur e shkëmbinj ka, çfarë do bësh ti si agronom? Hakiu si nxënës i shkathët dhe i përgatitur që ishte i përgjigjet: “Nuk është e thënë që si agronom të punoj në Kurvelesh, mund të punoj edhe në Myzeqe, ku ka fusha plot”. Ky takim me ministrin e Arsimit bëri që ai të vazhdonte të drejtën e studimit që fitoi me konkurs. Zotësia e tij bëri që ai të përfundonte shkollën në Rumani në degën e agronomisë. Pas mbarimit të shkollës së mesme kthehet në atdhe dhe fillon punë agronom në qytetet e Fierit dhe Ballshit. Por synimi dhe dëshira e tij ishin që të vazhdonte studimet e larta. Rezultatet e shkollës së mesme dhe këmbëngulja e tij bënë që ai të fitonte bursë nga shteti shqiptar për të vazhduar studimet e larta në Universitetin e Pizës, Firence të Italisë, në degën olivikulturë, një Universitet ky me një eksperiencë shumë vjeçare i krijuar qysh në vitin 1840. Në përfundim të studimeve Hakiu së bashku me dy shqiptarët e tjerë që ishin me studime në atë universitet i thërrasin në dekanat dhe u komunikojnë që pas përfundimeve të studimeve të ktheheshin në Shqipëri dhe të visheshin ushtarakë e të shërbenin në ushtrinë Italiane. Ndërkohë që ata ishin përgjigjur, se këtë detyrë që po na jepni nuk e njohim dhe nuk e bëjmë dot.

Pas studimeve, një jetë në shërbim të Atdheut si specialist dhe drejtues
Me kthimin në Shqipëri ai caktohet me detyrë agronom në disa qytete; në Fier, Ballsh, Berat, Elbasan etj. Në kohën që ai shërbente në qytetin e Fierit u bë një përkrahës dhe aktivist i mirë i Lëvizjes Nacionale Çlirimtare. Dy vjet pas çlirimit të Shqipërisë Hakiu emërohet në kryetar i qarkut të Vlorës dhe krahas kësaj detyre ai organizon punën për krijimin e NB Vlora. Në ato kushte kishte shumë mungesa si në fonde, ashtu edhe në specialistë; agronomë, inxhinierë, ekonomistë, bazë mekanike e shumë të tjera. Por një gjë nuk mungonte, dhe ai ishte vullneti dhe dëshira e Hakiut dhe shumë njerëzve të tjerë, të cilët në atë kohë ishin të pakët. Ata punonin me përkushtim nuk dinin 8-orarësh, por punonin ditën e natën për çuarjen e punës përpara. Megjithëse aktiviteti i NB Vlora në fillimet e saj ishte i kufizuar, por shtrirja e saj ishte ne një territor të madh që fillonte nga Mifoli deri në Dukat. Në vitin 1950, Hakiu caktohet me detyrë, Nëndrejtor i fermave dhe njëkohësisht Drejtor i NB Kamzës në Tiranë. Edhe në këto detyra ai punon me përkushtim të lartë, duke vënë në zbatim njohuritë e tij të marra si në shkollë ashtu dhe përvojën e fituar deri në atë kohë në detyrat që kishte kryer me parë. 

Rikthim në Vlorë, 20 vite drejtues që krijoi fidanishtet dhe plantacionet model të ullinjve
Në vitin 1954 ai kthehet përsëri në Vlorë në detyrën e Drejtorit të NB Vlora, ku punoi për 20 vjet. Tashmë përvoja e fituar e Hakiut si drejtues e organizator po jepte rezultate të mira në këto ekonomi bujqësore. Ullishtat që janë si kurorë rreth Vlorës po transformoheshin, po u shërbehej në mënyrë shkencore, si në krasitje, punim, spërkatje, vaditje e shumë shërbime të tjera e për rrjedhojë edhe prodhimi i tyre ishte në rritje. Përveç blloqeve me ullinj të vjetër shekullorë, NB e Vlorës në sajë të punës së madhe iu shtuan edhe shumë blloqe me ullinj të rinj. Në krijimin e saj NB Vlora kishte dy sektorë me 700 punëtorë që administronin 1200 hektarë tokë, nga këto 20 hektarë ishin vreshta. Në këto sipërfaqe NB kishte 70 mijë rrënjë ullinj dhe 1500 pemë frutore. Pas 20 vjetëve punë dhe sakrificë të drejtorit të kësaj ferme, Haki Isufit, por edhe të drejtuesve të tjerë si dhe të punëtorëve, kjo ekonomi u rrit dhe zgjerua, ku punonin 2200 punëtorë dhe specialistë. Kishte në administrim 3300 hektarë tokë dhe 198 mijë ullinj, pa përmendur shtimin e pemëve frutore, agrumeve, vreshtave, perimeve etj. Shtimi i parcelave me ullinj u mundësua në sajë të punës këmbëngulëse të Hakiut për prodhimin në vend të fidanëve të ullirit, të cilët deri në fund të vitit 1960 merreshin nga Pulia dhe Toskana e Italisë. Kështu u arrit të ngrihej fidanishtja e ullirit në Mifol, duke i kursyer ekonomisë së vendit fonde të konsiderueshme në valutë. Kjo mundësoi që territori i NB së Vlorës, i cili shtrihej në kurorat përreth qytetit, por edhe në fshatrat Bestrovë, Babicë e Vogël, Babicë e Madhe, Xhyherin, Mifol, Pusi i Mezinit të zbukurohej e shtohej me parcela të reja e dalëngadalë të viheshin edhe në prodhim. Fidanishtja e ullirit në Mifol u bë furnizuesja edhe e shumë ekonomive të tjera që shtriheshin nga Velipoja deri në Konispol. Haki Isufi me aftësitë e tij organizuese e drejtuese u dha rrugë shumë ideve zhvilluese që çuan në transformimin e ullishtave të Vlorës, duke e shndërruar këtë NB, në një ekonomi model në gjithë vendin. Si një specialist shumë i mirë i ullirit dhe shërbimet e kujdesin që ai kërkonte t’i bëheshin kësaj bime, ai është cilësuar, kirurgu i ullinjve, ku mendja dhe dora e tij për çdo ditë kur ishte drejtor i kësaj ndërmarrjeje të madhe mendonte dhe vepronte për ullirin. Për realizimin e këtyre detyrave, të cilat ishin të mëdha si në volum, por edhe në cilësi nevojitej dhe duhej kualifikim e arsimim i mirë i punëtorëve dhe specialistëve të kësaj NB-je. 

Haki Isufi e ktheu ndërmarrjen në qendër praktikash mësimore të shkencës së ullirit
Vetë ndërmarrja organizonte dhe zhvillonte praktika mësimore ku kryheshin veprime konkrete për krasitjen e ullirit, por krahas këtyre formave Hakiu ishte ndër ata kuadro që nxiste punëtorët, si burrat edhe gratë, të rinjtë dhe të rejat për të vazhduar shkollën pa shkëputje nga puna në Degën e Agronomisë. Vazhdimi i shkollës krijonte mundësinë që drejtuesit e saj si brigadierët, specialistët, përgjegjësit e sektorit etj, të zgjeronin njohuritë e tyre teorike e, për rrjedhojë kjo ndikonte si në drejtimin më të mirë të NB Vlorës, por edhe në shërbimin më të kualifikuar të kulturave të ndryshme. Përvoja profesorit, u promovua deri në Kinë, fidanët e ullirit të kultivuar prej tij, në vitin 1969 u çuan atje me vaporin “Vlora”, specialitet për të cilin u nderua edhe nga shteti kinez. Ai qëndroi atje për një muaj dhe dha përvojën e tij shumëvjeçare për kultivimin e ullirit. Në vitin 1974 ai e lë detyrën e drejtorin të NB Vlorës për arsye shëndetësore dhe caktohet me detyrë Këshilltar i Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1976 kur doli në pension. Ai u largua nga detyra e drejtorit NB-së, por la pas te kuadrot e punëtorët një përvojë të pasur teorike e praktike për ullirin. Ai la pas kurorat e stolisura të ullinjve që të kënaqnin syrin kur i shikoje. Ai la pas frymën e kërkesës dhe përkushtimin për detyrën. Ai është model i figurës së një kuadri, i përkushtuar tërësisht për punën dhe në shërbim të popullit. Familja e tij gjatë gjithë kohës që ai ishte drejtor nuk pati as më të voglin privilegj, por ishin të barabartë si të tjerët. Për punën krijuese dhe kontributin e dhënë për krijimin e blloqeve të reja me ullinj dhe dru frutorë, për ngritjen e funksionimin e fidanishtes së ullirit në Mifol ai është dekoruar me disa urdhra e medalje pune. Kuvendi Popullor i Shqipërisë e ka shpallur Laurant i “Çmimit të Republikës”. Në nderim të emrit dhe punës të tij, Bashkia e Vlorës njërës nga rrugicat e qytetit i ka vënë emrin e Haki Isufit. Atë e kujtojnë si një prind i mirë që edukoi dhe punoi me përkushtim për familjen e tij. Atë e kujtojnë shokët dhe punëtorët e asaj ndërmarrjeje si një drejtues tepër punëtor, korrekt, komunikues, kërkues e i përkushtuar tërësisht në shërbim të punës. 
Sigal