Hajdar Kovaçi: Takimi me shkrimtarin Dritëro Agolli

1091
Sigal

E kujtoj gjithnjë me kënaqësi njeriun e urtë dhe të mençur të letërsisë shqipe, të nderuarin Dritëro Agolli.

Takimi me shkrimëtarin Dritëro Agolli

Hajdar Kovaçi, Arkitekt

Këto kujtime lidhen,me kthimin e apartamentit të shkrimtarit në muze

Për këtë fakt u informova nga mediat dhe më erdhi mirë duke e konsideruar si një vlerësim të shtuar për këtë figurë të rëndësishëm të letrave shqipe.

Shkrimtari kishte miqësi të veçantë me artistin Ramiz Kovaci, xhaxhain tim, këtë e dëshmon një letër e shkrimtarit e shkruar me ndjenjë për baritonin e shquar, në vitin 2004. Në mesin e viteve 80 në një nga takimet e tyre, kishin biseduar për apartamentin e Dritëroit, që mendonte për një riorganizim të ri, për këtë problem Ramizi i thotë që kam nipin tim arkitekt dhe ta kryen ai këtë punë. Mbas kësaj bisede shkova në shtëpinë e shkrimtarit, i cili më priti me shumë kujdes në korridorin e shtëpisë. Korridori, kishte një sipërfaqe të madhe por që nuk shfrytëzohej mirë. Mbasi u ulëm dhe më tregojë shqetësimin, i propozova një zgjidhje që bënte fjalë për një ndarje transparente të hyrjes me pjesën tjetër të hapsirës, menjëherë i pëlqeu idea dhe ra dakort me mendimin tim. Zonja e shtëpisë na serviri kafe me raki. Në bisedë e sipër u informua për punën time dhe si pakuptuar doli biseda edhe te familja e tij. Dritëroi ishte deputet i kuvendit popullor në atë kohë dhe mendonte për vajzën ta dërgonte në universitet. Dhe ashtu siç ishte ai i drejtëpërdrejtë dhe me kurajo, shprehimisht tha se qëndroj aty sa të rregulloj vajzën në universitet, se po ika ,këta të harrojnë. Unë heshta pak i habitur dhe dyshova që e dëgjova mirë apo jo dhe nuk e zgjata më bisedën.

Në ditën që u aplikuan dekoret që projektova, qëndruam gjatë dhe më mbajti për drekë, biseda ishte lidhur me ndryshimin që u bë në shtëpi dhe ishte i kënaqur. Në bisedë kujtoj një fragment që më bëri përshtypje të madhe. Kryetarja e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, të asaj kohe, i kishte telefonuar dhe i kishte kërkuar që të shoqëronte një të huaj, nga ato marksist/ leninistët që vizitonin vendin tonë. Gjatë udhëtimit për të shkuar diku, e huaja në bisedë e sipër i kish thënë se sa mirë dhe të lumtur jeni ju pa makina dhe trafik, ky e kish dëgjuar dhe i ishte përgjigjur ashtu si dinte ai, që çfarë më thua moj shoqe që qenkemi mirë pa makina, kujt ia thua këto sikur nuk e dijmë ne se çfarë është e mira dhe e keqja. Kishte mbetur i zemëruar dhe i telefonon kryetares që mos më dërgo herë tjetër të tillë njerëz që të më tregojnë se kush është e mira.

Kjo foto e viteve të fundit të Dritëroit dhe shumë intervista të realizuara në këtë pozicion, ku prapa tij është po ajo ndarja dhe veshja me dru që u realizuan 30 vite më parë, kjo më bënte të mendoja shpesh për jetën e thjeshtë dhe pa pretendime që bëri ky njeri i madh.

Një herë tjetër u takuam në kafen e improvizuar në kohët e para pas vitit ’90 që ishte hapur brenda në ekspozitën ‘Shqipëria sot’. Një ditë më parë në një aktiv të socialistëve që ndryshonin emrin e partisë, kur ky fliste në podium, e kishin fërshëllyer dhe kërcënuar, dhe ky ia ktheu me fjalën që shqipëtarët e mbajnë mend mirë * jeni të pandreqëshëm* . Kur u përshëndetëm,i thashë që më pëlqeve mbrëmë Dritëro me atë që the në aktiv. Ai m’u përgjigj …. duhet të jem mes tyre që të ndikoj diçka për të mirën e tyre. Gjithashtu vazhdoi se po nuk HIPE diku të flasësh, nuk të dëgjon njeri. Po të thërrasësh për të njëjtën gjë në një troruar, të marrin për të çmendur.” Ndër të tjera kishte dhe një memorie të shkëlqyer, u takuam vitet e fundit në një promovim libri dhe kur i drejtova dorën e pyeta, nëse më mbante mend, për çudinë time ai më tha: “Arkitekt ,si nuk të kujtoj, kemi bërë ca punë në shtëpinë time.” E kujtoj gjithnjë me kënaqësi njeriun e urtë dhe të mençur të letërsisë shqipe, të nderuarin Dritëro Agolli.