Guri Shyti/ Rusia dhe SHBA, 20 mijë mbushje bërthamore

671
Lumenjtë e fryrë shumë mbi normën, fshinë edhe ato pak gjëra që kishin shpëtuar nga shpërthimi në qytet. Gazetarët që e vizituan të parët atë çka kishte mbetur nga qyteti Hiroshima e përshkruan atë si një zonë sikur të kishte kaluar mbi të një rul gjigant dhe e kishte rrafshuar me tokën gjithçka që kishte gjetur përpara. Avioni B-52, i cili, falë shkathtësisë së pilotit mundi t’i shpëtonte valës goditëse të bombës që hodhi vetë, u ul në ishullin Tian në orën 14.58’. Tri dit më vonë, më 9 gusht 1945, një avion tjetër bombardues B-29 u ngrit në ajër me një bombë tjetër në port, të cilës i kishin vënë një emër më të përshtatshëm se të parës, “Fat Man” (“Njeriu i Fuqishëm”). Edhe avioni i dytë u drejtua për në qytetin Kokura, që ishte objektivi edhe i bombës së 6 gushtit. Sërish retë e dendura nuk e lejuan ekuipazhin ta shikonte qartë vendin e caktuar për lëshimin e bombës, kështu që u detyruan të drejtoheshin për në objektivin rezervë, qytetin Nagasaki. Rreth orës 10.53’, radarët japonezë lajmëruan se bëhej fjalë vetëm për dy avionë zbulimi amerikanë, prandaj, alarmi, që në raste të tilla jepej për t’u fshehur popullsia, u konsiderua i panevojshëm. Në orën 11,02’, sipas urdhrit që kishte marrë, piloti fluturoi rreth qytetit Nagasaki dhe pa se sërish kishte një sasi resh. Mirëpo, nisur nga fakti se karburanti nuk mjaftonte për të mbërritur në bazën nga ishin ngritur, piloti vendosi ta hidhte bombën, e cila përmbante 6.4 kg plutonium, mbi disa uzina armësh në periferi të qytetit, rreth 4 km në VL të vendit ku ishte planifikuar. Bomba shpërtheu në lartësinë 470 m nga toka. Ky devijim bëri që të shpëtohej një sasi e madhe njerëzish nga banorët e qytetit, i cili ishte i mbrojtur prej kodrash që e rrethonin. Megjithatë numri i viktimave qe gjithaq i madh. Sipas shumicës së atyre që u morën me vlerësimin e dëmeve nga shpërthimi, nga 240 000 banorët që kishte Nagasaki, 40 000 vdiqën menjëherë, ndërsa u plagosën rreth 55 000, shumë prej të cilëve vdiqën më vonë. Si përfundim numri i plotë i të vdekurve në Nagasaki arriti në rreth 80 000. Është kureshtar fakti se, një pjesë e banorëve të Hiroshimës, që i shpëtuan shpërthimit në qytetin e tyre, kishin ardhur për t’u strehuar në Nagasaki, ku nuk i shpëtuan dot fundit tragjik.
Çfarë janë armët bërthamore?
Mendoj se ia vlen të hedhim një vështrim tejet të thjeshtuar mbi ndërtimin e një municioni bërthamor dhe mbi efektet shkatërruese të tij. Në radhë të parë duhet thënë se fuqia shkatërruese e armëve bërthamore është pranuar të matet me “ton tritol”. Kjo do të thotë se, kur themi që bomba mbi Hiroshimë ishte e barabartë me 12.5 kiloton tritol, kemi parasysh se fuqia e saj shkatërruese ishte e barabartë me shkatërrimin që do të ndodhte sikur të grumbullonim në një vend të vetëm 12 500 ton (1 kiloton baraz me 1000 ton) tritol dhe t’i shpërthenim menjëherë. Ndërtimi i municioneve bërthamore, sidomos i atyre të fillimit, ishte shumë i ndërlikuar, aq sa ngjante si një fabrikë e lëvizshme. Kjo sepse, përveç lëndës radioaktive shpërthyese (uranium, ose plutonium), nevojiten edhe shumë aparate të saktësisë së lartë, të cilët duhet të funksionojnë në mënyrë të përkryer për ta bërë municionin të shpërthejë në kohën e duhur. Municionet e sotme kanë arritur një shkallë të lartë përkryerje dhe u janë përshtatur, jo vetëm bombave e raketave, por edhe predhave të artilerisë, madje edhe armëve më të lehta. 
Fuqia e armëve bërthamore
Me të drejtë, shumë njerëz pyesin se ku e marrin municionet bërthamore gjithë atë fuqi shkatërruese, cili është burimi i atij “ruli gjigant” që rrafshon gjithçka që i del përpara? Siç e përshkruam më lart, menjëherë pas plasjes shfaqet një lëmsh i zjarrtë, temperatura e të cilit arrin disa miliona gradë celsius, baras me atë të qendrës së diellit tonë. Ajo masë e zjarrtë, që vazhdon të digjet vetëm disa sekonda, ndez çdo material të djegshëm në një rreze disa kilometra larg qendrës. Nga ndryshimi i madh i temperaturës së vendit ku ndodh shpërthimi dhe zonës së ftohtë përreth, krijohet një front i fuqishëm në formë vale goditëse me shpejtësi disa qindra kilometra në orë, e cila, siç ndodh me tornadot, tajfunet, apo cunamet, shkatërron çdo objekt që has në rrugën e vet, në një rreze prej disa kilometrash (në vartësi nga fuqia e shpërthimit). Lëmshi i zjarrtë, i cili, siç e kemi përmendur më sipër, krijohet si rezultat i reaksionit zinxhir që ndodh në lëndën radioaktive bërthamore (uranium ose plutonium), është një burim tejet i fuqishëm radioaktiviteti përshkues. Ky radioaktivitet përbëhet nga neutrone, rreze gama, beta dhe alfa. Rrezet gama dhe neutronet kanë jetë të shkurtër, por aftësi të madhe përshkuese në largësi shumë të mëdha. Janë pikërisht ato që shkaktojnë dëmtimet e forta dhe të para radioaktive të njerëzve, me të cilët takohen në rrugën e tyre sferike të përhapjes. Rrezet beta janë më jetëgjata dhe nuk largohen shumë nga qendra e shpërthimit. Kurse rrezet alfa kanë jetëgjatësi që mund të shkojë deri në disa dekada dhe, pa një shtytje të jashtme, nuk shpërndahen nga qendra e shpërthimit. Rrezet alfa dhe beta ndodhen në shtëllungën e lartë të pluhurit në formë kërpudhe, që merr me vete nga toka lëmshi i zjarrtë teksa ngrihet lart dhe shuhet. E gjithë ajo masë shumëtonëshe pluhuri, i cili tashmë është bërë radioaktiv me rreze beta, por sidomos alfa, shpërndahet në atmosferë dhe bie së bashku me pluhurin mbi sipërfaqen e tokës duke e infektuar atë dhe duke e bërë burim rreziku edhe përgjatë shumë viteve, dekadave e më tepër. Është kjo arsyeja që, edhe disa dhjetëra vjet pas shpërthimit të Hiroshimës dhe Nagasakit, vazhdonin të vdisnin njerëz të infektuar, kryesisht nga sëmundja e rrezeve dhe nga kanceri. Për të kuptuar se sa larg shkon dhe bie në tokë kjo re radioaktive, mjafton të përmendim se, reja e krijuar nga shpërthimi i centralit atomik të Çernobilit, në 1986, që nga qendra e Ukrainës arriti deri në vendet Balltike, në Poloni dhe deri në Vendet Skandinave. Një veprim tjetër dëmtues i armëve bërthamore është ai i lëshimit të impulseve elektromagnetike, të cilët krijohen prej fushës elektromagnetike që krijohet në të njëjtën kohë me lëmshin e zjarrtë. Ky faktor bën që të gjitha aparaturat, që punojnë me valë elektromagnetike, të prishen dhe kështu armiku të mbetet pa mjete komunikimi. Nga provat e shumta dhe intensive që janë bërë prej të gjitha shteteve që i kanë, ka dalë se municionet bërthamore mund të shpërthehen në ajër, në tokë, nën tokë dhe nën ujë.
Çfarë bën politika?
Pa dashur të zgjerohemi shumë,përveç atyre që përmendëm më sipër, në shkaqet politike që çuan në katastrofën e dy qyteteve të populluara të Japonisë, ku humbën jetën mbi 300 000 mijë vetë, nuk mund të lemë pa theksuar se, historia e hidhur e efektit shkatërrues të shpërthimeve të para bërthamore mbi Hiroshimë dhe Nagasaki, 70 vjet më parë, duhet t’u vlejë atyre që thurin merimangën e politikës botërore, por edhe popujve, për të mos harruar se një luftë tjetër bërthamore globale do të vinte në dyshim jetën e gjallë mbi tokë edhe për shumë breza që do të vijnë, pasi lëndët radioaktive, përveç dëmtimit të drejtpërdrejtë të njerëzve, bëhen pjesë e ushqimit të kafshëve dhe të bimëve që do të shërbejnë për mbarëvajtjen e jetës. Por, kjo dëshirë e ligjshme e njerëzve të thjeshtë, për fat të keq, bazuar në veprimet e dekadave që pasuan katastrofën e Hiroshimës dhe Nagasakit, tregojnë se shtetet e fuqishme po veprojnë në drejtim të shtimit dhe të përkryerjes së këtyre armëve shkatërrimtare. Mjafton të themi se në traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore kanë aderuar vetëm anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB (pavarësisht sa i janë përmbajtur edhe ata marrëveshjes), ndërsa shumë shtete të tjera vazhdojnë t’i shtojnë pa u ndëshkuar. Jo vetëm kaq, por me kalimin e viteve janë krijuar armë të reja bërthamore. Kështu, është krijuar bomba me hidrogjen, e cila, ndryshe nga ajo që përshkruam më lart, e cila bazohet në ndarjen e bërthamave (kjo e fundit me fuqi katastrofike shumë herë më të madhe), bazohet në bashkimin e bërthamave të ashtuquajturve hidrogjen të rëndë (deuter dhe tritium); është krijuar bomba me neutrone, e cila bazohet në bashkimin e dy reaksioneve të bombave të para (ndarje-bashkim-ndarje të bërthamave) dhe lëshon në atmosferë rrezatime të fuqishme neutronesh, që janë shkatërrimtare për organizmat e gjalla; dy lloje të tjera, të reja, bombash, janë ato me kobalt dhe radiologjike. Këtyre tri të fundit krijuesit u kanë vënë edhe një emër joshës (lexo mashtrues), “bomba të pastra”(!), pasi nuk kanë fuqi shkatërruese dhe djegëse, por vetëm vrasin qeniet e gjalla, pa i prekur objektet. Për ta ilustruar rrezikun që i qëndron mbi kokë njerëzimit, mjafton të përmendim se, disa vjet më parë, Rusia kishte të deklaruara mbi njëmbëdhjetë mijë, kurse SHBA nëntë mijë mbushje bërthamore.
Sigal