“Greqia me bashkëpunimin e Qytetërimit Europian mohon paturpësisht ekzistencën historike të popullit Arbëresh”

573
Sigal

 Reagojnë ashpër arbëreshët e Italisë kundër deklaratave të parlamentarit të së djathtës ekstremiste greke

Shkruar nga arbëreshi Vincenzino Ducas Angeli Vaçaro, pasardhës i familjes aristokrate shqiptare mesjetare Duka- Ëngjëlli

 (me kërkesë të autorit përktheu nga italishtja dhe përshtati në gjuhën shqipe: Brunilda Ternova)

  Këto ditë, përmes mediave, informohem se qeveria greke, përveçse e përqendruar në synimin për të zgjidhur çështjen e saj ekonomike – e fundosur tashmë në karakatina të errëta dhe shpellare -, me anë të një parlamentari  të ekstremit të djathtë – me tone dhe pikëpamje të thartuara -, vazhdon e patundur të mohojë ekzistencën e bashkësisë Arbërore ndryshe e njohur si Arbëreshe, bashkërisht me identitetin e tyre gjuhësor dhe të kaluarën e tyre të lavdishme. E gjithë kjo tendencë të bind që të mendosh negativisht për rolin që luan entiteti shtetëror i Greqisë, shpesh me një arrogancë të qetë mbizotëruese (dhe abuzuese e fondeve publike europiane, përfshi edhe e parave tona), në kontekstin “qytetar” të të ashtuquajturit Komunitet Europian.

Greqia, si një vend anëtar i Bashkimit Europian, është i vetmi Shtet që nuk njeh minoritetet gjuhësore që ekzistojnë në atë territor për më shumë se gjashtë shekuj: Arbërorët, ose siç e quajnë ata ndryshe veten Arbëreshët, të cilët jetojnë dhe punojnë me dinjitet ekstrem.

Shfaqja e parë historike e shqiptarëve në territorin ku sot shtrihet Greqia daton në fund të 1200 dhe në fillim të 1300, e megjithatë kronisti bizantin Kantakuzeno, përmend se në malet e Thesalisë rreth vitit 1100 u vendosën aty fise epiriote të tilla si: ai i Buas dhe Maseretëve. Në lidhje me të njëjtin argument dhe të njëjtën periudhë kohore na flet edhe dijetarja Ana Komnena (1083 – 1150), e cila në veprën e saj “Alessiade” e identifikon këtë popullsi me emrin ALBANOI dhe specifikon se ata janë ‘Abasileuti’, pra që do të thotë se nuk i sundonte asnjë mbret.

Në vitet në vijim shumë shqiptarë u thirrën nga despotë të ndryshëm të Greqisë bizantine (kujtojmë këtu se Greqia nuk ka ekzistuar kurrë si një entitet shtetëror), për të populluar tokat e Atikës, Beotisë, Kosturit, Korinthit, Lakonis, Arkadias, Mores dhe të Thrakës.

Popullata shqiptare, krenare për origjinën e vet, jo shumë kohë më pas filloi të dallohej pozitivisht në krahasim me atë greke –  kësaj të fundit i mungonte një identitet i vërtetë etnik dhe këtë aspekt e nxjerrim në dukje konkretisht nga shkrimet që rezultojnë në një raport nga veneciani Marino Sanudo i Vjetri (Marino Sanudo il Veçhio, 1270 – 1343), përmes së cilës na informon se: “Rajonet më pjellore, ato në Arkadia, në More, në Lakoni, në Negroponte ose ndryshe Eubea dhe në Thesali ishin të mirë populluara me shqiptarë të cilët jetonin në mirëqenie në shtëpitë e tyre, në sajë të parave që përfitonin nga bujqësia dhe nga blegtoria”.

Nga kjo dëshmi është e qartë se popullata shqiptare e vendosur në Greqi rreth shekullit të XIII -të, nga një entitet nomad ishte transformuar në një entitet sedentar duke u kujdesur për tokën dhe bagëtinë në një mënyrë më racionale.

Për shkak të ngjarjeve historike të shekujve të XV-të dhe XVI-të, shkaktuar nga ekspansionizmi i njëpasnjëshëm i imperializmit osman, shumë familje Arbërore/ Arbëreshe u zhvendosën në jug të Italisë ku dhe ekzistojnë akoma. Ndërsa popullata shqiptare që pati më pak fat e që mbeti në Greqi,  luajti më pas një rol shumë të rëndësishëm gjatë luftërave për pavarësinë e vendit në çerekun e parë të shekullit të XIX-të. Në këtë kontekst duhet të përmendim personazhet heroike të tillë si Marko Boçari, bëmat e suljotëve, kapitenia e anijeve Bubulina e shume të tjerë.

Si mund të fshijë padrejtësisht e sipas dëshirës disa nga faqet e historisë i pamaturi, arroganti e sipas të gjitha gjasave ndoshta injoranti, deputet grek i së djathtës ekstreme? Kush mendon se është ky individ, Hermes ose një fëmijë i privilegjuar i Zeusit? Jo! Ai është vetëm një abort i qytetërimit dhe një polinom i arrogancës e i budallallëkut të pakujdesshëm.

Komuniteti Europian, si garantues i qytetërimit të Kontinentit të Lashtë, vazhdon të mbetet i shurdhër e i verbër përkundrejt diskriminimit, i cili vazhdon ende edhe sot të praktikohet kundër popullsisë Arvanitase. Më 16 shtator të 1969, arbëreshi i Kalabrisë, Papas Antonio Bellushi bashkërisht me studiues të rinj europianë, do të raportojnë rezultatet e hetimeve të tyre në lidhje me gjendjen diskriminuese të shtetit grek përkundrejt pakicës gjuhësore shqiptare në Komisionin e Komuniteteve Europiane. Të shkëputur nga ky raport i Papas Antonio Bellushi po sjellim në vijim kundërpërgjigjen që mbajti politika greke:

 1) Qëndrimi i Partisë Nea Dhimokratia: “Nuk ekziston problemi i gjuhës shqipe në Greqi ashtu si nuk ekzistojnë fshatrat me origjinë shqiptare. Në qoftë se kjo gjuhë flitet brenda kontekstit familjar (sh. i autorit: ky është paradoks, ekziston apo jo kjo gjuhë?), nuk mund të shprehë një mendim të një rëndësie shumë të madhe”;

2) Qëndrimi i Partisë Pasok: “Kush nuk flet gjuhën tonë (greke), nuk është pjesë e racës sonë dhe e kombit tonë”;
3) Qëndrimi i Ministrisë së Kulturës: “Nuk ekziston dhe nuk duhet të ekzistojë asnjë mësimdhënie e gjuhës shqipe sepse ajo nuk ekziston në territorin grek”;

4) Qëndrimi i gazetës periodike “Anti” në Athinë: “Pakicat gjuhësore në Greqi si Arvanitasit, Vllehët, Pomakët (bullgarët) nuk mund të pretendojnë asnjë të drejtë. Në Greqi ka vetëm grekë”.

 Kontradiktat dhe arroganca e Qeverisë greke dhe e parlamentarëve të saj, në lidhje me çështjen e mbrojtjes së pakicave etnike, duhet të jetë një tematikë që Bashkimi Europian duhet të shqyrtojë me prioritet të jashtëzakonshëm pasi, e ashtuquajtura Europë e civilizuar deri tani i ka vendosur qëllimisht ne Erebo (sh.p.: bota e përtejme).

Gjithçka mund të injorohet, por jo Historia!