Gojard Kodra: “Albanët” një grup muzikor që është ftuar në pesë kontinente

886
Sigal

INTERVISTA/ Flet muzikanti dhe kryetari i grupit muzikor “Albanët”, z. Gojard Kodra: Zgjedhjet e fundit ishin të lira

Ai s’merret me politikë, por voton rregullisht. Sipas tij, zgjedhjet janë në duart e sovranit. Ai ka më shumë se një dekadë që drejton  grupin muzikor “Albanët”,  që është bërë i famshëm në diasporë.  Thënë qartë ky grup muzikor është i vetmi grup, i cili s’ka lënë shtet, ku ka emigrantë pa shkuar për të bërë  koncerte. Lidhjet e tyre me spektatorin shqiptar emigrator është bërë i pandashëm për vetë faktin e reputacionit që ky grup dhe këngëtarët që i shoqërojnë kanë përcjellë emocion në vite tek artdashësit brenda dhe jashtë atdheut. Këngëtarët më të shquar shqiptarë në këto koncerte kanë qenë së bashku me grupin muzikor “Albanët”, sidomos në vende si Italia, Greqia, Gjermania, Zvicra. Anglia, Amerika.

 Si do t’i komentonit zgjedhjet e qershorit?

Ishin korrekte, zgjedhje të lira. Nuk paragjykoj askënd. Populli di mirë se çfarë bën. Vetë as e kam menduar kurrë të merrem me politikë.

 Po e them se si mbaj mend shumë politikanët, pasi jam në lëvizje. Unë merrem me politikë, merrem me politikën e atdheut tim. Merrem duke çuar muzikën e bukur shqiptare kudo në botë. Unë bëj prezent këngët shqiptare, kulturën tonë. E ku ka politikë më të bukur se kjo kur mbledh shqiptarët e të gjitha bindjeve politike apo fetare në një sallë të madhe. A mund ta bej dot politika këtë? Kurrë. Ja kjo është politika që bën muzika, që bën kënga. Ne bëjmë një politikë të pazëvendësueshme. Bashkojmë shqiptarët, përhapim kulturën tonë heqim streset e njerëzve, bashkojmë kulturat me vendet, ku shkojmë.

 Ku do i bëni pushimet?

Unë do jem në lëvizje, aq pak kohë sa do kem në dispozicion do shkoj në Vlorë dhe në Gjirin e Lalzit.

 Gojardi më shumë jashtë se në Shqipëri, nuk ndiheni i lodhur?

Aspak. Ky është profesioni im. Unë lodhem kur rri jo kur lëviz. Lëvizja më gjallëron. S’mund ta perceptoj veten vetëm në Shqipëri.

Keni krijuar stabilitet, kur është krijuar grupi muzikor “Albanët”?

Grupi muzikore “Albanët” është themeluar 9 vite më parë. Pjesëtarët e grupit janë: Ardian Malaj – violinë dhe saksofon, Arben Shyti  – kitarë, Gentjan Cara – drums, Gojard Kodra – organ si dhe drejtues muzike.

Një emërtim interesant, cili ka qenë dhe është qëllimi i këtij grupi?

Qëllimi i këtij grupi është të luajë sa më bukur muzikën shqiptare dhe pa e deformuar atë. Grupi muzikor “Albanët” ka një lidhje të gjerë përsa i përket trevave shqiptare. Koncertet që kemi marrë pjesë kanë qenë të shumtë, pothuajse në gjithë Europën, Australi. Koncertet  e  fundit kanë qenë më rastin e 100- vjetorit të festës së Pavarësisë.
Ato janë mbajtur në shtetin e Italisë, Padova, Arco, Torino, por edhe në Gjermani, Australi, Angli…
Cilët janë organizatorët në këto qytete?
Në Padova organizatori i koncertit ishte z. Vilson Dona, me origjinë Mirditor, por që jeton prej shumë vitesh në Padova. Nga Padova vazhduam turin në Arco, provincë të Trentos. Atje organizatori ishte Shkëlqim Danaj me origjinë nga Vlora. Ëmbëlsira e këtij koncerti ishte dhe grupi polifonik nga Dukati i Vlorës.

 Jeni shumë herë larg familjes?

Sigurisht. Bashkëshortja dhe vajza ime e ndjejnë mungesën, por kemi mirëkuptim. E ndihmojmë dhe përkrahim njeri- tjetrin në nisma me interes të përbashkët.

 Cila ka qenë rruga më e largët e grupit muzikor “Albanët”?

Kontinenti më i largët, Australia. 24 orë udhëtim së bashku me ndërrimin e aeroplanëve në aerodrome të ndryshme. Është larg, por kemi ngelur të befasuar. Aty na kanë pritur si në asnjë vend tjetër. Një ngrohtësi dhe një patriotizëm i pa menduar. Mund të them se në atë vend shqiptarët e ndjejnë më shumë se kudo tjetër mungesën e atdheut.

 Edhe tani jeni si emigrant?

Ahaaaaa..Po! Vetë krijimi i grupit kërkonte lidhje me këngëtarët. Nga jashtë kjo lidhje nuk do të kishte atë koordinim që kemi këtu. Kjo ishte arsyeja kryesore. E dyta është se unë përsëri emigrant jam pasi koncertet më të shumta jashtë i kam.

 Si ndihesh larg Shqipërisë?

Në ditët e para. Pastaj stabilizim. Më vonë mall dhe lëvizje. Por tani të gjithë emigrantët janë legalizuar, është bërë liberalizimi i vizave prandaj largësitë janë zvogëluar. Malli është zvogëluar. Emigrantët sot janë lëvizës nuk janë stabël.

 Si ju duket profesioni? Mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur në jetë?

Besoj se po. Është profesioni që më ka pëlqyer dhe që më pëlqen. Muzika është pjesë e jetës sime, është zemra ime e dytë. Ajo më siguron jo vetëm të ardhurat për familjen, por dhe më qetëson shpirtërisht. S’mund të rrija asnjë minutë larg muzikës. Më është bërë ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm.

  Sigurisht, emigrantët kanë pëlqesa të ndryshme. Cilat janë këngët më të preferuara nga emigrantët?

Këngët popullore me tekst atdhetar dhe këngët epike. Këngëtarët me të cilët bashkëpunoj janë më shumë këngëtarë popullorë. Por me raste bashkëpunoj edhe me këngëtarë të muzikës së lehtë.

 Motua e jetës?

Bë një të mirë dhe shkruaje në rërë, ndërsa të mirën që të bëjnë gdhende në gur.

 Çfarë vlerësoni tek një njeri?

Mirënjohjen dhe veprën. Përçmoj llafet e tepërta. Aq më tepër burrave s’u kanë hije fjalët e shumta.

 Kur keni kohë çfarë lexoni?

Çfarë lexoj, pak revista dhe gazeta. Ndjej se më mungon shumë libri. Në rini s’kam lënë libër pa lexuar, ndërsa tani puna dhe lëvizjet ma kanë hequr nga dora librin. Ndihem fajtor përpara tij.

 Veshja e preferuar?

Veshja sportive pasi jam me instrumente në krah. Jam gjithmonë në lëvizje dhe në kësi rastesh kollarja të pengon.

 Keni kohë të lirë dhe si e kaloni?

Kam shumë pak kohë të lirë dhe atë pak kohë e kaloj me familjen. Ndihem aq mirë mes tyre sa më duket vetja i përkëdhelur mes dashurisë dhe ambientit që më krijojnë.

 Me cilët  preferoni të bashkëpunoni,  me këngëtarë apo me këngëtare?

S’kam bërë dallime. Me të dyja gjinitë kam bashkëpunuar pa asnjë problem. Edhe aktivitete i kam pasur në masë të njëjtë. Kënga sikur po i shuan xhelozitë.

 Hobet?

Futbolli, shëtitjet në ajër të pastër.

 Ç’është familja për ju?  

Strehëza më e bukur që ka krijuar zoti.