“Globalizmi” i gjykatave shqiptare, “ferr” për ushtarakët patriotë

695
Nga Vladimir LULAJ, 
Kryetar i PMP
Duket krejt e pabesueshme nga pikëpamja e logjikës juridike racionale, por njëkohësisht përbën lajm të vërtetë; ndaj duhet ta mëtojmë dhe analizojmë publikisht faktin e tmerrshëm, që mëton se: Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës, me vendimin nr.3, datë 24.11.2016 kanë arritur në përfundimin se: “..rillogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas nenit 29 i Ligjit nr.10142/2009, do të bëhet sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj, edhe në situatën kur kjo rillogaritje ul masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të njohur dhe caktuar më parë.”. 

“Veting urgjent” për Gjykatën e Lartë
Duke mbajtur parasysh Vendimin e publikuar nr. 2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese; pas gjykimit përfundimtar të kërkesëpadisë së paraqitur nga Shoqata e Xhenierëve të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi si antikushtetues : 1. I ligjit nr.10367, datë 23.12.2010 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 10.11.2010 të Këshillit të Ministrave “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë së Shtetit,..[..].. në Republikën e Shqipërisë”..”; lind pyetja juridike ftilluese: çfarë vendimi mori Gjykata Kushtetuese e Republikës? Përgjigjet eventuale lidhur me pyetjen e lartpërmendur mund të ishin, siç radhiten më poshtë: a) e shfuqizoi si antikushtetues ligjin nr.10367, datë 23.12.2010 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 10.11.2010 të Këshillit të Ministrave”..; b) u shpreh, apo deklaroi se ky ligj i zakonshëm, miratuar pa vota të cilësuara nga Kuvendi Popullor, procedurialisht është absolutisht i pavlefshëm për shkak se, referuar nenit 81, pika 2, shkronjat ‘a, d’ të Kushtetutës, asnjë nismë ligji e miratuar me vota të pacilësuara, pra më pak se 84 deputetë, ose 3/5 e Kuvendit Popullor, nuk ka statusin dhe tagrin procedurial për të ndryshuar ligjin organik nr.10142, datë 15.05.2009..; c) e deklaroi në pajtim me Kushtetutën Aktin Normativ nr.5, datë 10.11.2010 të Këshillit të Ministrave? Çuditërisht përgjigja ka ardhur ndryshe, madje krejtësisht ndryshe nga çfarë pretendon Gjykata e Lartë, sipas të cilës: “37. Akti Normativ nr.5/2010 u bë objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese, e cila me Vendimin nr.2, datë 18.02.2013 u shpreh se ishte në përputhje me Kushtetutën.” Në kontekstin dhe arsyetimin e vendimit nr.2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese nuk shkruhet as edhe një fjalë e vetme lidhur me Aktin Normativ Nr.5/2010; pra nuk vërtetohet deklarata e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, sipas të cilëve: “Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr.2/2013 mori në shqyrtim kushtetutshmërinë e Aktit Normativ nr.5/2010.”; madje, më tej akoma, nuk konstatohet mëtimi i theksuar në Vendimin Administrativ Unifikues nr.3/2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, sikur gjoja: “Gjykata Kushtetuese pranoi se masa e pensionit mund të ulej kur e diktonin interesat publike të ruajtjes së sistemit financiar ekonomik të shtetit në skemën e sigurimeve shoqërore.”. Në vendimin nr.2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese, shkruhet ‘thatë’ se kjo Gjykatë, për arsyet e parashtruara në arsyetimin e Saj, “Vendosi: – Rrëzimin e kërkesës.”. Por cilat janë arsyet që e detyruan Gjykatën Kushtetuese të merrte vendimin e lartpërmendur, pasi kish çmuar se “parimi i sigurisë juridike është prekur nga rregullimi i ri”..?. Le t’i rreshtojmë këto arsye aspak globale, krejt konkrete dhe të ballafaqohemi me provat dhe shkaqet e arsyetuara, që ‘diktuan’ vendimin unanim për rrëzimin e kërkesës së shoqatës së xhenierëve të Shqipërisë. 

Së pari, Gjykatës Kushtetuese i tërhoqi vëmendjen fakti se: “Përfitimi mujor për personat që kanë dalë në reformë nga viti 2004 e në vazhdim, përllogaritet nga 41,000 lekë e lart, ndërkohë mbi këto të ardhura nuk aplikohet tatimi mbi të ardhurat personale dhe ndërkohë që pensioni maksimal i pleqërisë për 35 vite shërbim është i kufizuar me dyfishin e pensionit bazë ose 21,380 lekë në muaj. Veç kësaj, për këta persona nga buxheti i shtetit paguhet edhe kontributi i sigurimit sho

qëror të detyrueshëm, ndërkohë që të gjithë të punësuarit kontributin prej 11.2% të pagës e përballojnë nga të ardhurat e tyre mujore.”.

Së dyti, Gjykata vlerësoi se: “.. gjendet para interesit publik që e justifikon ndërhyrjen e ligjvënësit në skemën e sigurimeve suplementare.”.

Së treti, Gjykata Kushtetuese vuri re se interesi publik nuk ishte prekur nga trajtimi financiar që iu bëhej ushtarakëve të dalë në reformë, liruar ose kaluar në rezervë gjatë vitit 1992; të cilëve e drejta për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi u lindi më 1 janar 1999 me masë përfitimi 8,000 lekë në muaj, në vitin 2005 merrnin 14 mijë lekë në muaj; kurse në 1 korrik 2009, kur hyri në fuqi ligji nr.10142, datë 15.05.2009 trajtoheshin me maksimumi 16,000 lekë në muaj, ose 25,000 lekë më pak nga ‘personat që kanë dalë në reformë nga viti 2004 e në vazhdim..’; të cilët përfitonin minimumi 41,000 lekë në muaj. Ndaj, duke mbajtur parasysh këto fakte, në vendimin e Saj nr.2/2013 Gjykata Kushtetuese ka theksuar kërkesën hulumtuese për të mundësuar: “..një analizë të kujdesshme në çdo rast, duke ballafaquar interesin publik, që dikton kufizimin, me të drejtat që kufizohen. Në këtë drejtim, Gjykata.[..].. kërkon një trajtim të diferencuar, në varësi të të drejtave dhe lirive individuale që i nënshtrohen kufizimit.” 

Së katërti, duke mbajtur qartazi parasysh faktin se: ‘personat që kanë dalë në reformë nga viti 2004 e në vazhdim’, kur “dilnin në pension të parakohshëm merrnin një pension të përafërt me pagën reale që përfitonin duke qenë në marrëdhënie pune.”, këtë qëndrim Gjykata e ka konsideruar jo vetëm të “.. papërballueshme për buxhetin e shtetit,” dhe joracional; por edhe si prekje të interesit publik. Pra, rrudhtazi, si konkluzion shterues, mund të themi se arsyetimi dhe vendimi me karakter teknik nr.2, datë 18.02.2013 i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë kundërthënie ose përngjasim global me vendimin e Saj parimor dhe strategjik nr.33/2010; gjithashtu vihet re shkoqur fakti se vendimi nr.2/2013 i Gjykatës Kushtetuese nuk e mbron, madje nuk e përmend aspak Aktin Normativ nr.5/2009 të Këshillit të Ministrave, siç bën vendimi nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. 

Tautologji, keqinformim, arbitraritet antiligjor
Në mënyrë krejtësisht arbitrare, Kolegjet e Bashkuara “berishiane” të Gjykatës së Lartë mëtojnë informacione të rreme dhe argumente antikushtetuese; sipas të cilave neni 14 i ligjit nr.10142, dt.15.05.2009 gjoja është “.. ndryshuar me Aktin Normativ nr.5, datë 10.11.2010.”. Kësisoj na habit fakti se si ka mundësi që Kolegjet e Bashkuara “berishiane” të Gjykatës së Lartë hiqen sikur nuk kanë dijeni lidhur me ekzistencën e Vendimit nr.10, datë 06.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Ky qëndrim, bazuar në testin objektiv, na krijon dyshimin e arsyeshëm se jo vetëm drejtoria e kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë, por edhe ndihmësit ligjorë të 13 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nuk studiojnë dhe as kanë vullnet dhe ndërgjegje profesionale për të mbajtur qartazi parasysh jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës sonë Kushtetuese; ose të paktën, për rastin konkret, Vendimin nr.10, datë 06.03. 2014 të Gjykatës Kushtetuese; që mëton se, referuar nenit 81, pika 2, germat “a, d” të Kushtetutës: “Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit: d).. kodet,..”. Pra, si konkluzion shterues, asnjë nen i vetëm prej ligjeve organikë, të miratuar me vota të cilësuara, me 3/5 ose 84 anëtarë të Kuvendit Popullor, nuk mund të ndryshohet me kuorumin e zakonshëm, 71 vota, ose me shumicën e thjeshtë të votave të Kuvendit Popullor. Çuditërisht, kolegjet e bashkuara politike “Berisha – Rama”, brenda Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, 32 muaj pasi ka dalë vendimi nr.10, datë 06.03. 2014 i Gjykatës Kushtetuese, dalin haptazi kundër Tij (shih pikën nr.20,) si dhe kundër vendimit nr.19, datë 03.05.2007 të Gjykatës Kushtetuese, ku mëtohet se ligjet e zakonshme “.. duhet të..{..}.. mos prekin rregullimet që përfshihen natyrshëm në sferën ekskluzive të ligjeve organike, përndryshe ato do të binin në kundërshtim me nenet 6 dhe 81, pika 2,.. të Kushtetutës.”. Megjithëse semantika e ligjit organik nr.10142, datë 15.05.2009, nuk mund të ndryshohet dhe zëvendësohet nga përmbajtja e ligjit të thjeshtë nr.10367, datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.5, datë 10.11.2010”, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, “destruktive” për rastin konkret, në Vendimin nr.3/2016, me kurajë të madhe antiligjore dhe frymë juridike antipatriotike, antishtetërore dhe haptazi antikushtetuese, kanë cituar nenin 14, të formatuar sipas ligjit absolutisht të pavlefshëm dhe inekzistues nr.10367/2010; i cili mbron skemën e llogaritjes diskriminuese të pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve të dalë në rezervë, ose në lirim në 1 janar 1999, ose pas datës 1 korrik 2009; të cilët, deri në ditën që do t’u lindë e drejta për të përfituar pension të plotë pleqërie, do të përfitojnë vetëm ulje në masën 8,000 lekë në muaj, ose 96,000 lekë në vit. Thënë pa dorashka, Vendimi nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë prek drejtpërdrejt gatishmërinë dhe moralin profesional dhe patriotik të ushtarakëve të liruar dhe në rezervë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë; sepse, duke mbrojtur pagesat e ulëta, diskriminuese, denigruese, poshtëruese, antiligjore, ose në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike; u lëndon shpirtërisht dinjitetin ushtarakëve patriotë dhe i demotivon ata lidhur me kryerjen e detyrës në shërbim të mbrojtjes ushtarake të atdheut. Si munden, dy relatorët e çështjes, të shprehen haptazi në kundërshtim me nenet 6 dhe 8, pika 2,.. të Kushtetutës; haptazi në kundërshtim me interesat strategjike të sigurisë sonë kombëtare; haptazi në kundërshtim me vendimet nr. 33, datë 24.06.2010; nr.2, datë 18.02.2013 dhe nr.10, datë 6.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese; duke i dhënë me dashje dhe paramendim antiligjor legalitet dhe legjitimitet aktit normativ absolutisht të pavlefshëm nr.5/2010. Lind pyetja ftilluese: ndonëse arsyetimi i vendimit nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë barabitet me mungesën e mentalitetit ligjor; sepse bie ndesh haptazi me Kushtetutën dhe tre vendimet e lartpërmendura të Gjykatës Kushtetuese, si ka mundësi që asnjë nga 13 anëtarët e Gjykatës së Lartë të nivelit ligjor strategjik të sistemit të zakonshëm të gjykimit, nuk ka qenë në gjendje ta kundërshtojë këtë arsyetim antiligjor në pikëpamje të standardit kushtetues..? Si ka mundësi që, 32 muaj pasi ka dalë vendimi nr.10, datë 06.03.2014 i Gjykatës Kushtetuese, që mëton se: ligji i zakonshëm nr.10367, datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.5, datë 10.11.2010” bie ndesh me Kushtetutën, në kuptim dhe zbatim të drejtpërdrejtë të nenit 81, pika 2, shkronjat ‘a, d’ të Saj; në “arsyetimin” e vendimit nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ka “penetruar strategema” e poshtëshënuar: “Me miratimin e Ligjit nr.10142/2009..[..].. të ndryshuar me Aktin Normativ nr.5, datë 10.11.2010, skema e llogaritjes dhe masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndryshoi sërish. Në nenin 14 të këtij ligji parashikohet se: “1. Pensioni i parakohshëm, për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto, për çdo vit shërbimi. 2. Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”(?!..) Ka ardhur momenti oportun që Kryetari i Shtetit tonë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Bujar Nishani, ky ish kuadër aktiv ushtarak dhe me formim të plotë juridik, të interesohet dhe ngrejë zërin ‘fort’ për të ndryshuar pozitivisht dhe jo negativisht, siç bën vendimi nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, fatin e ish-kolegëve, vartësve, ose eprorëve të tij të dikurshëm; sepse gjeneralët dhe ish shefat e shtatmadhorisë së mbrojtjes po marrin pension pleqërie vetëm 24,000 lekë në muaj; kurse ushtarakët e nxjerrë në rezervë dhe lirim, pas pagesës kalimtare dyvjeçare, kur nis trajtimi me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, paguhen me vetëm 14,500 lekë në muaj..

Strategemat juridike
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke injoruar krejtësisht përmbajtjen e vendimeve nr.33, dt.24.06.2010; nr.2, dt.18.02.2013 dhe nr.10, dt.06.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese; duke mos mbajtur parasysh semantikën e neneve 6 dhe 81, pika 2, shkronja ‘d’ të Kushtetutës; duke mos pasur kurajën të deklarojë kryesisht si absolutisht të pavlefshme ligjin nr.10367/2010; si dhe për të sabotuar dhe moszbatuar llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas skemës, apo procedurës ligjore të parashikuar në nenin 14 të ligjit të pandryshuar organik nr.10142/2009; sipas nesh me dashje dhe paramendim, ka keq orientuar Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, duke i dhënë për shqyrtim tre çështje pa interes strategjik; midis të cilave ‘spikat strategema juridike’ e poshtëshënuar:

“1. Cilat janë efektet prapavepruese të zbatimit të Ligjit nr.10142/2009 të ndryshuar dhe shtuar me aktin normativ nr.5, datë10.11.2010 në lidhje me llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi?.”.
***
Vendimi nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, nuk stonon kur flet për ligjin nr.7496, datë 03.07.1991 “Për Statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe citon nenin 16 të tij; nuk ka paqartësi kur përmend hyrjen në fuqi të Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me Ligjin nr.8521, datë 30.07.1999; gjithashtu, ndonëse përbëjnë thjesht tautologji, janë të pranueshme mëtimet mbi ‘historikun’ e statusit të dytë të ushtarakut, të miratuar me ligjin organik nr.9210, datë 23.03.2004; ku theksohet se ky status, nëpërmjet ligjit nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me Ligjin nr.9481, datë 16.02.2006, “hoqi kufizimin në masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi”. Por Vendimi nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë konstatohet krejtësisht antikushtetues kur, me dashje dhe paramendim antiligjor, ka injoruar nenet 6, 81/2 shkronjat ‘a, d’ të Kushtetutës, si dhe vendimin nr. 10, datë 06.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese; që e ka shpallur absolutisht të pavlefshëm “ndryshimin” e nenit 14 të ligjit 10142/2009. Pra ky vendim merr karakter totalisht antikushtetues kur e konsideron legal dhe legjitim ligjin, de jure inekzistues, nr.10367, datë 23.12.2010 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.5, datë 10.11.2010 të Këshillit të Ministrave”. Pikat 21 deri 34 të vendimit nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë përshkrime të njohura tautologjike; ‘shpesh’ brenda tyre përmendet termi ‘parimi i sigurisë juridike’, por gjithashtu vihet re qartazi tendenca e kundërthënies, që ‘kulmon’ tek strategema, ose dredhia e togfjalëshit: “..sipas Gjykatës Kushtetuese, parimi i sigurisë juridike nuk mund të prevalojë në çdo rast.” Krejt ‘befas’ pikat nr.35 dhe nr.36 të vendimit nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë injorojnë plotësisht jo vetëm ‘panoramën juridike’ të jurisprudencës së konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me interpretimin e parimit të sigurisë juridike; por madje, në kundërshtim flagrant me nenet 6 dhe 81, pika 2.. të Kushtetutës; si dhe haptazi ndesh me përmbajtjen e vendimit nr.10, datë 06.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese, bëjnë retorikë juridike antiligjore në favor të ligjit absolutisht të pavlefshëm nr.10367, datë 23.12.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10142, datë 15.05.2009”; që de jure konstatohet inekzistent, nulitet dhe absolutisht i pavlefshëm. Paragrafi nr.37 i vendimit nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, përpiqet të krijojë përshtypjen sikur gjoja në vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka kundërthënie që përjashtojnë njëra tjetrën. Sipas këtij paragrafi ‘keqinformues për publikun e gjerë dhe profanët në pikëpamje juridike’: “Akti normativ nr.5/2010 u bë objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese, e cila me Vendimin nr.2, datë 18.02.2013 u shpreh se ishte në përputhje me Kushtetutën.” Por e vërteta qëndron krejt ndryshe; sepse, 32 muaj para daljes së vendimit antikushtetues nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendimin nr.10, datë 06.03.2014; ku vihet re qartazi përmbajtja antikushtetuese, pavlefshmëria absolute dhe pamundësia e ligjit të zakonshëm nr.10367/2010, të miratuar me vota të pa cilësuara nga Kuvendi Popullor, për të ndryshuar ligjin organik nr.10142/2009, që ka kaluar me vota të cilësuara, d.m.th me 3/5, ose minimumi 84 vota; kurse de facto mori mbështetje unanime, sepse u votua nga 140 deputetëve të Kuvendit Popullor. Vlerësimet njësuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të shprehura në paragrafët 42 dhe 43 të vendimit unifikues nr.3, datë 24.11.2016, që pranojnë ‘ulje të masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të njohur dhe caktuar më parë’, konstatohen antikushtetuese në kuptim të neneve 4, 6, 17, 42, 81/2, shkronja ‘d’; 116/1, 138 dhe 155 të Kushtetutës së Shqipërisë; si dhe nuk mbajnë aspak parasysh frymën racionale të vendimeve nr.10 dhe nr.11, datë 6.03.2014; nr.2, datë 18.02.2013 (shih: faqe nr.5, pika 11.2); nr.33, dt.24.06.2010; nr.19, dt.09.07.2009; nr.18, dt. 29.07.2008; nr.24, dt.12.11.2008; nr.9, datë 26.02.2007; nr.36, datë 15.10.2007; nr.26, datë 02.11.2005 dhe nr.1, datë 31.01.2003 të Gjykatës Kushtetuese.

Retrospektivë analitike
Më datën 2 dhjetor 2013 Gjykata e Lartë, pasi mëtoi konkluzionin: “Analiza e vendimeve gjyqësore ende mungon në vendin tonë”; gjithashtu deklaroi: “Shpeshherë jepet padrejtësi në emër të Drejtësisë.” Lind pyetja: kush ia ka bërë analizën vendimit nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatë së Lartë?; që, sipas Nesh, ka brendi antikushtetuese, për shkakun ligjor se Akti Normativ nr.5, datë 10.11.2010, i miratuar me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të Kuvendit Popullor në trajtën e ligjit nr. 10367, datë dt.23.12.2010, nuk e ka standardin e ligjit organik dhe as mundësinë procedurale për të ndryshuar nenin 14 të ligjit organik nr.10142, datë 15.5.2009; ndaj duhej deklaruar kryesisht si absolutisht i pavlefshëm nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë. Meqë akti normativ nr.5/2010, në mënyrë arbitrare, nga data 1 nëntor 2011 deri në 3 mars të vitit 2014 zyrtarisht konsiderohej si ‘i drejtë dhe i ligjshëm’; mijëra ushtarakët, ndonëse nuk ishin dakord me këtë qëndrim të padrejtë, fyes, mospërfillës dhe antiligjor, me prudencë dhe durim shembullor kanë pranuar t’i nënshtrohen gjenocidit financiar, duke marrë 42% më pak pension të parakohshëm mujor për vjetërsi shërbimi; por padrejtësia ekstreme kundër Tyre ka vazhduar edhe pasi Gjykata Kushtetuese, me vendimin e Saj nr.10, datë 06.03.2014, e ka shpallur antikushtetues dhe absolutisht të pavlefshëm Aktin Normativ nr.5/2010. Kulmi i padrejtësisë kundrejt ushtarakëve patriotë tani vihet re te vendimi antiligjor nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Shqipëria trajtohet nga BE si vend i sigurt origjine. Duke mbajtur parasysh frymën e nenit 61 të Protokollit nr.3 “Për statusin e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian”, vendimet e kësaj Gjykate ‘për çështje interpretimi ligjor’ janë të detyrueshme edhe për Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë; ndaj lind pyetja tronditëse: pse vallë asnjë nga 13 anëtarët e Gjykatës së ligjit, për rastin konkret, nuk ka mbajtur parasysh direktivën strategjike, ose kërkesën juridike të Bashkimit Evropian: “.. pritshmëritë e ligjshme duhet të mbrohen; dispozitat prapa vepruese, që vendosin detyrime, apo që prapësojnë të drejta të fituara në mënyrë të ligjshme ndalohen,..”. (Shih: “ABC-ja e të drejtës së Bashkimit Evropian”, ‘Të drejtat themelore’, faqe 27; Tiranë, 2011.) Për të ‘mbështetur’ vendimin antikushtetues nr.3, datë 24.11.2016, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë qëllimisht nuk kanë referuar te vendimi nr.10, datë 06.03.2014 i Gjykatës Kushtetuese; por kanë ofruar si ‘argument’ interpretime të gabuara, ose të barazvlefshme me mungesën e arsyetimit racional ligjor, lidhur me Vendimin nr.2, dt.18.2.2013 të Gjykatës Kushtetuese. Kësisoj kanë mundësuar cenimin e parimit të sigurisë juridike dhe mohimin e të drejtave të fituara me ligjet e mëparshme në dëm të ushtarakëve patriotë; uljen drastike të pensioneve të tyre të parakohshme për vjetërsi shërbimi në masën mbi 40 për qind, si dhe vendosjen e gjobave antiligjore dhe ushtrimin e gjenocidit financiar kundër mijëra ushtarakëve patriotë, duke i kamufluar dhe ‘justifikuar’ këto qëndrime antiligjore me pretekstin, sebepin, ose shkakun inekzistues të gjoja ‘mbrojtjes’ së interesit publik. Në thelb akti “Vendim nr.3, datë 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë” në mënyrë haptazi antiligjore përpiqet të mbrojë, “legalizojë dhe legjitimojë” aktin normativ inekzistues, nul dhe absolutisht të pavlefshëm nr.5/2005; i cili, referuar nenit 81/2, shkronjat ‘a, d’ të Kushtetutës, de jure nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi; kurse de facto është deklaruar absolutisht i pavlefshëm me vendimin nr.10, datë 06.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë bien në unison dhe dakordësi destruktive, kur vjen puna për të vazhduar gjenocidin financiar kundër mijëra ushtarakëve patriotë. Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë u ndjenë mirë kur ministri i ministrisë së punëve të brendshme mëtoi se qeveria ‘rozë’ do ua rrisë pagën efektivave të Policisë së Shtetit në masën 25 deri 30 për qind; por, lind pyetja logjike, a do të mbahet i njëjti qëndrim dhe standard lidhur me trajtimin financiar të strukturave aktive dhe rezerviste të Forcave të Armatosura të Vendit tonë? Në një kohë kur NATO, anëtare e të cilit është edhe Shqipëria, ka lëshuar direktivën strategjike për forcimin e rolit të forcave ushtarake rezerviste, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, kanë bërë komente negative, ose kundërthënëse për jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, nuk njohin vendimin nr.10, datë 06.03.2014 të Saj dhe arbitrarisht marrin në mbrojtje aktin normativ nr.5/2010, që ka sabotuar për 6 vite rresht interesat strategjike të sigurisë sonë kombëtare, të cilat janë cenuar drejtpërdrejt, duke ushtruar jo diskriminim, por haptazi gjenocid financiar kundër mijërave ushtarakë patriotë. Si konkluzion shterues mund të themi se, pas marrjes së vendimit nr.3, datë 24.11.2016, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, mëtojnë ‘gene të qarta politike’; vetprezantohen me pamjaftueshmëri profesionale; sillen sikur janë të pavarura nga Kushtetuta dhe ligjet organike të Shtetit; veprojnë si ‘shërbëtorë besnike’, ose ‘të varura‘ nga dyada destruktive ‘PD – PS’; gjithashtu mëtohen si faktor gjykues diskriminues dhe vendimmarrës negativ në raport me mbrojtjen e të drejtave ligjore të fituara me ligjet e mëparshme nga ushtarakët patriotë. Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, mendojmë se Shteti Juridik i Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ‘vetingut’, duhet të hulumtojë patjetër dhe urgjentisht përmbajtjen e vendimit antikushtetues dhe destruktiv nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë; për të mbërritur në konkluzionin shterues se: kemi të bëjmë me një miopi të madhe juridike dhe pamjaftueshmëri profesionale të 13 anëtarëve të Gjykatës së Lartë; të cilët nuk janë në gjendje të konceptojnë pasojat negative të vendimmarrjes së tyre në raport me grupet shoqërore ushtarake të interesit dhe nuk zotërojnë këndvështrimin strategjik shtetëror që mban parasysh aforizmin “patriotizmi gjithmonë parapaguhet”..?; apo veprimet e gjenocidit financiar të ushtruar kundër mijëra ushtarakëve në rezervë dhe pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pas ‘injektimit’ të aktit normativ berishian nr.5/2009; si dhe mosveprimet konkrete për të rritur moralin, dinjitetin dhe aftësinë mbrojtëse të Atdheut, nëpërmjet keqtrajtimit financiar dhe moszbatimit të statusit të ushtarakut kundrejt ushtarakëve në rezervë dhe lirim, janë kryer me paramendimin dhe synimin imediat, pragmatist dhe permanent për të dobësuar sigurinë kombëtare, duke e ulur në gjendje minimale patriotizmin, besnikërinë, motivimin, gatishmërinë, mobilizimin, pritshmërinë dhe efektivitetin e aftësive profesionale të ushtarakëve tanë..?. 
Sigal