Gjinushi, Milo, Koçi e Frroku kërkojnë drejtoritë e doganave, tatimeve e atë të burgjeve

523
Sigal

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama zbardh kërkesat e aleatëve të tij për poste qeveritare

 nga Nuri DAUTI

 Përse kryeministri i zgjedhur me votën e aleatëve  të tij politik, nuk u dha kryetarëve të vegjël nga një karrige ministri, si shpërblim, u  fol me orë të tëra, që po t’i mbledhësh e t’i bësh bashkë, ato bëhen ditë-muaj, u shkruan edhe tone të tëra letre gazete, sa fabrika e riciklimit do të punojë 4. Por, ja që asnjë nuk e tha dhe nuk e zbardhi dot  të vërtetën përse zotërinjtë Gjinushi, Milo, Koçi, Frroku, Dule e Ngjela nuk u bënë dot ministra. Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, e kishte bërë veshin të shurdhër e syrin qorr se çfarë thanë telebelatë e shkruajtën gazetat për të. Por atë që nuk mund të durojë dot kryeministri i zgjedhur, ishte akuza që u tha e u shkrua,  sidomos nga M. B-ja, se Edi Rama është i pabesë ndaj aleatëve të tij, ndërsa Saliu, ishte  dhe mbeti burrë i besës, që kurrë nuk e shkeli fjalën e dhënë miqve të vet. Ndaj, Edi Rama, më thirri mua urgjent, në një nga hotelet e Honolulusë, ku pushon këto ditë, deri sa t’i mbushet mendja Presidentit Nishani e ta thërrasë, për  t’i japë mandatin e Kryeministrit. Se, zoti Rama, mbeti hoteleve, kryeministër, pa zyrën e Kryeministrisë!

– Dëgjo, këtu,- më tha mua, Kryeministri i zgjedhur,  me zërin e çjerrë nga pagjumësia  dhe lodhja e madhe. – Ngaqë ai dreq Tvvitter nuk nxë shumë fjalë,  sa të dokumentoj pse unë nuk kam faj që Gjinushi, Milo e Ngjela nuk donin të bëheshin ministër në ato  poste që unë u dhashë, të thirra këtu, që të shikosh e botosh, gjithë provat e fajit ndaj këtyre mosmirënjohësve.

– Kë të besoj zoti Kryeministër i zgjedhur? Ngjelën që tha se “Jam ministër, se kam bërë ujdi me Ramën”? Milon që tha se ai e pakta që mund të pranojë është një ministër i rangut të parë? Por, që  në fund, mbetën me gisht në gojë?

– E para, hiqma nga goja atë “ Kryeministër i zgjedhur”! Po nuk e ke fajin dhe aq ti. Fajin ma ka Jari, që akoma nuk më ka dhënë çelësat e Kryeministrisë. Po do të më shohë ai mua. Sa të iki vapa e gushtit, gunën kam për t’i ngarkuar dhe çoban kam për ta çuar. E lexon këtë? – dhe kryeministri i zgjedhur më ma një shkresë ku lexohej “Projektqeveria ime”. – Lexoje dhe beso që Gjinushin e kisha për ministër të Ujërave, Milon për ministër të pyjeve dhe Ngjelën e kisha ministër pa subjekt.

– Po përse nuk pranuan ata këto ministri?

– Këto ministri që na jep, nuk kanë asgjë, që ne t’u japim njerëzve tanë.- më thanë edhe Skëndua, edhe Paskali,  edhe Taku.

– Po nuk i pyete,  paraprakisht, se çfarë ministrie donin zotërinjtë?

– I pyeta. Ata kishin zilinë e LSI-së, që nga koha e Doktorit. Me ato ministri që u dha Saliu, LSI-ja u bë kjo që është tani. “Kam një jetë në opozitë. – më tha Skëndua.- Dhe tani e kuptova, që partinë nuk ta rrit opozita e ashpër, por  sa i thellë është xhepi i  ministrisë që komandon. Ndaj, bëj sevap, e më jep ministrinë që kisha dikur, atë të Arsimit. Të paktën, të bëj anëtarë partie mësuesit e fillores.”

–  Po Milua çfarë të kërkoi?

– Ministrinë e Rrugëve. “ Zoti Edi,- më tha Paskali,- do të ishte në nderin tuaj, që të më shpërbleni për gjithë shërbimet që ju kam bërë 8 vjet, me ndonjë ministri që pret shirita. Se kështu, do të kem mundësinë që edhe partia ime, të bëhet e njohur kudo.

– Po zoti Ngjela, ju kërkoi ministrinë e burgjeve?

– Jo ministrinë e burgjeve, po ministrinë e ligjeve. “Dëgjo, Ed- më tha.- E mban mend kohën e KIS-it? Që atëherë ëndërronim që të fusnim në burg banditin Sali. Tani, që na erdhi zogu në dorë, më jep mua ministrinë e ligjeve, dhe ke për të parë ti, se që në tetor, me ligjet që kam gati, kam për ta çuar në Bënçë 20 vjet banditin  Sali”. Po unë, tani që u mora zyrat e privilegjet, nuk dua të bëhem hakmarrës, ndaj Takut i thashë, që ta bëj ministër të zyrave të Kryeministrisë. Që të mbikëqyrë gjithë nëpunësit e mi, nëse punojnë apo flenë,  në muajt, që unë do jem me shërbim jashtë shtetit. Po atij iu duk se i binte hunda të ishte në hijen time

– Po zoti Dule me Frrokun, që fituan edhe mandatin e deputetit, përse nuk i bëre ministra, siç u kishe premtuar publikisht?

– Zoti Dule më kërkoi që të bëhej ministër i Detit. “Kirio Edi,- më tha- Duke më bërë mua ministër i Detit, do ta kem më të lehtë  të marr me të mirë kirio Samaras, që të na ndihmojë të na japë statusin. Se ti e di, që rruga e Shqipërisë për në Bruksel, kalon nga Athina”.

 Ndërsa Frroku më kërkoi të bëhej drejtori i përgjithshëm i burgjeve, nuk më kërkoi hiç që të bëhej ministër. “ Zoti Rama, më tha.- Mua më jep drejtorinë e përgjithshme të burgjeve, sepse kam një hall familjar. Dua të jem më pranë vëllait.”. Ju e gjykoni, që këto kërkesa të djallëzuara, unë nuk mund t’i ha si kumbulla të papjekura, aq më tepër, tani në gusht, që kumbullat i kanë tharë për t’i ngrënë komposto në dimër.

–  Zoti Kryeministër, këto argumente që më dhatë, a do t’i besojë mileti  se ju  nuk i pretë në besë aleatët tuaj?

– Po prandaj, unë të thirra këtu. Që të të japë provat, se unë nuk i ha njerëzit në besë, siç thotë Saliu për mua.

– E cilat janë këto prova të besës tuaj, zoti Kryeministër i zgjedhur? Dengu me CV-të që keni aty në budrumet e PS-së?

– Lëre me ato. E hëngrën të shumtit. Tani, të gjithëve atyre që u premtova se do t’i punësoj , e kam  më të lehtë t’u them: “ Vëllezër, ju dua të gjithëve, ju premtova që do t’ju punësoj, por ja që keni një kleçkë  te cv-ja që më solle. Pasuroje, që mandatin  tjetër qeveritar, t’ju punësoj. Unë këtu jam, nuk iki më nga pushteti”.

– S’më besohet kjo që lexoj në këto dosje që ke mbi tavolinë , zoti kryeministër i zgjedhur?! CV-të e kryetarëve aleatë! Të kanë dërguar edhe kryetarët  e tu aleatë  cv-të , që t’i punësosh?

– Ja, të lexosh këto, të kërkova. Na, dëgjo se çfarë më kërkojnë tani. I pari Skëndua. “ Zoti Rama. Tani që mbeta pa u bërë ministër, të paktën, më bëni drejtorin e doganave. Besomëni, nuk kam lekë të paguaj as dritat e selisë së partisë. Gjithë këto vjet me radhë pashë se çfarë bëri Shpëtim Idrizi, kur ishte drejtor i Doganave. Mbase pas katër vjetësh, edhe partia ime anëtarëson gjithë doganierët e Idrizit e Bodes, meqë ata u rrëzuan nga kali, dhe ata bashkë,  zgjerojmë edhe më shumë thesin e votave të Aleancës së Majtë”. Unë e kam shënuar “ Miratohet, Skënder Gjinushi, bëhet drejtori i përgjithshëm i Doganave”.

 Ja edhe kërkesa e Paskalit. “ Zoti Edi, kisha të drejtë që thashë, që unë nuk mund të pranoj zv/ministër, sepse boll i tunda çelësat e kashtës 8 vjet në opozitë. Por që të bëjmë tanët, të gjithë ata që deri dje ushqenin  Saliun, më bëj drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve” . Dhe unë ia bëra hatërin Paskalit: “Miratohet, Paskal Milo emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve”.

Ja edhe kërkesa e Petro Koçit:” Shoku Edi, jam penduar thellësisht, që të kundërshtova në 2009-n, aq sa tani e shkriva partinë fare. Po njerëzit më besojnë akoma që jam kryetar partie, ndaj më dhanë 8.000 vota. Do të të lutesha që të më bësh drejtorin e Përgjithshëm të patentave. Ta jap fjalën, se  do bind të gjithë ata që duan të bëhen shoferë, që, për të marrë patenta, nuk mjafton bakshishi, por  më parë duhet të votojnë PS”. U mallëngjeva, ndaj kam shkruar: “Miratohet, Petro Koçi emërohet Drejtori i Përgjithshëm i dhënies së Patentave”.

Po keq e kam vetëm me të pabindurin Taku Ngjela. Ky më ka dërguar ultimatum. “ Tani dua të më bësh shefin e spiunëve, që të përgjoj komplotet që do thurë këtej e tutje banditi Sali”. Ma ka bërë 8 me 2 ky djall Taku, ndaj akoma nuk e shpall listën e drejtorëve të përgjithshëm të qeverisë time.