Gjesti i një miliarderi amerikan dhe vajza ime pesëmuajshe

501
Letra e hapur e thelemuesit të rrjetit social Facebook Mark Zuckerberg, drejtuar të bijës Max të porsaardhur në jetë, bëri xhiron e botës. Vendimi për të dhuruar 99% të aksioneve të Facebook me një vlerë rreth 45 miliard dollarë, krijoi reagime nga më të ndryshmet. Disa shprehën habi, të tjerë e admiruan xhestin dhe kategoria e pamungueshme e dyshuesve përsëritën refrenin e cinikëve, që nuk besojnë se bamirësi të tilla shërbejnë për ta ndrequr botën. Të gjithë ata që janë prindër e kuptojnë ndjeshmërinë dhe dëshirën për të ndërtuar një botë më të mirë. Unë si nënë e një vajze pesë muajshe e kuptova vendimin e Mark-ut dhe Priscilla-s. Më kujtohet prezantimi i parë me Tiranën, ditën e daljes nga materniteti dhe kujdesi për ta mbrotjur nga zhurma e borive, trafiku i rënduar dhe kërcimet e gomave në rrugët me gropa. Kujtoj edhe miqtë dhe të njohurit që u habitën me zgjedhjen time për të lindur në Shqipëri dhe për më tepër në maternitetin publik “Koco Gliozheni”.

Nuk kisha vendosur të bëja heroinën dhe as të sfidoja kushtet e spitalit publik që rezultuan të ishin të mjerueshme, me mungesë uji për disa orë, krevate të lodhur dhe dritare me perde transparente që gjatë ditëve të Korrikut e shndërronin dhomën në një serë përvëluese. Kisha vendosur t’u besoja dhe nuk u zhgënjeva nga stafi i mjekëve dhe infermierëve që i kthyen dy ditët e qëndrimit në dhomën speciale me tualet aspak special në një eksperiencë të pakëndshme, por të mbushur me mirënjohje dhe mirëkuptim për një staf të keqpaguar, të mbingarkuar dhe të përkushtuar.

Një pjesë e mirë e këtyre ndjesive lidhej edhe me hormonet, që janë të shumta si e një nënë të re. Por mbi të gjitha përjetova përballjen frikësuese me realitetin, të cilin prej dy dekadash e kam objekt pune dhe subjekt analizash. Sado e rëndë mund të të duket si gazetare ndotja e ambjentit, mungesa e gjelbërimit dhe e parqeve në qytetin tënd, kur je nënë, e sheh më lupë zmadhuese. Kur je konsumatore në një vend ku nuk ke garanci për datën e skadimit të prodhimeve, ku shkruhet në cdo gjuhë sllave përveçse shqip apo anglisht si gjuhë ndërkombëtare, e kupton se po të bëhet një padrejtësi.

Kur në Paris vriten 130 vetë në fundjavë teksa shijojnë jetën të lirë dhe bota kërcënohet nga terrorizmi, ke tendencën ta marrësh personale. Ke një dëshirë të brendshme të bësh dicka, ta ndryshosh botën dhe mikrobotën që të rrethon. Çdokush mund të japë kontribut në luftën ndaj pabarazisë dhe të keqes në planet por disa si Zuckerberg janë në në pozicion më të favorshëm. Në Shqipëri nuk ka biznesmenë që zotërojnë pasurinë e djalit të Facebook-ut, por ka njerëz në pozicion të kenaqshëm financiar që mund dhe duhet të dhurojnë diçka nga luksi i tyre për ata që janë në kushte të vështira.

Një çerdhe, një kopësht, një shkollë e ndërtuar nga të ardhurat e bamirësive është një kontribut i vyer për ndërtimin e një shoqërie më të barabartë për të cilën të gjithë kemi përgjegjësi dhe detyrime. Javën e shkuar takova në një lagje të Tiranës Valbonën, nënë e nëntë fëmijëve, e mbetur e ve disa muaj më parë. Ajo nuk ka dëgjuar për Zuckenberg dhe as për Facebook. Valbonës i duhet të rrisë të vegjëlit e saj këmbëzbathur në betonin që shërbente si dysheme krejt e pandihmuar nga shteti që i ka ndërprerë dhe ndihmën ekonomike.

Ndërkohë, vogëlushja Max është e pavetëdijshme për aktin human të prindërve të saj. Por kur të rritet edhe pak, kur ata t’i ketë lënë pas ditët e ankthit për dhimbjet e barkut, skuqjen bezdisëse nga pelenat, hundët e bllokuara dhe ujin fiziologjik, do ta kuptojë se prindërit e saj bënë gjithçka për ta mbrojtur atë dhe për t’i krijuar një botë më të mirë. Për Valbonën dhe të ngjashmet e saj në Shqipëri duhet të mendojnë ata që nuk zbresin nga makinat dhe vilat luksoze, që notojnë mbi mirëqenie në një shoqëri që i mungon shtylla kurrizore, drejtësia dhe barazia përpara ligjit.
Sigal