Gjergj Ruli, nga rekordet në atletikë, në refleksionet e piktorit postmodern

 “Mjeshtër i Merituar i Sportit” befason shikuesit me 61 punime te ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, njihet më shumë në ambientin sportiv për arritjet e tij të jashtëzakonshme sportive. Më 9 tetor të vitit të kaluar, Gjergj Ruli u rikonfirmua edhe për 4 vjet të tjera si president i “Mbretëreshës së sporteve”, pas një vendimi unanim i të gjithë anëtarëve të atletikës shqiptare, ndërsa tre muaj më pas, më 4 janar të këtij viti, Gjergji u shfaq në një dimension të ri, atë të piktorit, me një ekspozitë me 61 punime në akrilik dhe vaj, (“Aq sa është dhe viti i im i lindjes, pra 1961”, - tha ai për “Telegraf”), duke marrë përgëzimet e shumë piktorëve dhe kritikëve të specializuar të artit. “Refleksion” është titulli i ekspozitës së hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, që të çon në labirintet e një pasioni të madh e të vjetër të Rulit, në një botë me emocione dhe dimensione të mëdha. “Nuk i kam qejf telajot e vogla, sikur të mbysin fantazinë, idetë”. Ngjyrat janë të larmishme, imagjinata intime, në një përzjerrje midis impresonizimit dhe surrealizmit, teksa reflektojnë orët e vona dhe të pagjumë të Gjergjit. Ruli është “Mjeshtër i Merituar i Sportit”; “Nderi i Sportit Shqiptar”; “Nderi i Atletikës Shqiptare” dhe është nderuar me “Medalje Ari” nga Federata Botërore e Atletikës. Ruli ka qenw Kampion dhe Rekordmen i Shqipërisë në Kërcim së Gjati (1975-1991), wshtw pwrfshirw nw “ Dhjetë sportistët më të mirë” tw vendit (1979); ka fituar  Medalje ari në Mitrovic (1980); Medalje Ari në Stamboll (1982); Medalje Bronzi në Bukuresht (1982) dhe Kampion dhe Rekordmen në San Marino (1991)

 - Zoti Ruli, pas rekordeve në atletikë dhe impenjimit shumëvjeçar në detyrën e Presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, tashmë shohim një Gjergj në rolin e piktorit.

-  Besoj se kam qenë avantgard në sport, në sportin individual, që personalizion totalisht vullnet, karakter dhe fuqi shumë të madhe për të bërë atletikën sot. Është një sport që kërkon sakrificë shumë të madhe dhe ta jep suksesin për pak sekonda. Jam munduar që, gjatë gjithë karrierës sime sportive të jem i thjeshtë, të jem promovues i asaj që kam bërë, për të përmbushur edhe të gjitha ëndrrat fëminore. Unë kam mbaruar për muzikë, bëra tetë vjet piano, por natyra ime nuk më bënte të përqendruar përpara partiturave. Pasi konstatova se, në muzikë nuk do të shkëlqeja ndoshta sa ç’kisha talentin për sportin, pasi çdo gjë kërkon talent, përpos vullnetit. Çuditërisht, kur isha fëmijë evidentohesha lehtë në garat e asaj kohe. Bëhet fjalë për mesin e viteve 1970. Në karrierën time sportive i kam marrë të gjitha meritat, medaljet, qoftë nga komuniteti shqiptar dhe ai ndërkombëtar.

 - Çfarë është piktura për Gjergjin, teksa dhe vajza juaj studion në Milano për menaxhimi arti?

 - Piktura është një talent i fshehur, i arkivuar brenda shpirtit tim për shumë kohë, dhe herë pas here i ngacmuar me ca bojëra të ruajtur para viteve 1990. Kam qenë pjese e rretheve shkollore dhe kam shkëlqyer në pirografi, punët me kashtë. Një ditë të bukur nisa të shtrydh tubetat për të parë se çfarë ishte në gjendje të bëja. Mora guximin dhe ja ku jemi. Vajza ime, Mei Ruli, e cila studion në Milano, për menaxhim arti, ishte një nga mbështetëset e mia më të mëdha. Besoj se do të jetë një nga kuratoret më të mira të artit modern në të ardhmen në Shqipëri. Impulsi që më dha më nxiti të hedh ngjyrat, fillimisht në telajo të vogla, ndërsa më pas në dimensione të mëdha. Më duket sikur më mbyt telajoja e vogël. Është e vështirë të administrosh telajo deri nm 9 m2. Por, ndihem shumë mirë. Kam shprehur të gjithë botën time shpirtërore, me gëzimet, sukseset, frakturat apo rrëzimet që kam pasur në jetë.

 - Si mund të përcaktojmë Rulin, një impresionist...

 - Po, më pëlqen impresionizmi, por jam edhe realist, abstraksionist, por dhe futurist. Brenda 61 pikturave të mia, që janë në ekspozitë, pasi ky është dhe viti i datëlindjes sime, pra 1961, unë kam prekur shumë rryme. Miqtë që më kanë vizituar, më kanë përmendur shumë emra të njohur piktorësh me të cilët më krahasonin, por unë dua të mbetem Gjergji. Janë piktura me kosto të madhe për të realizuar. “Piktori i Popullit”, Skënder Kamberi, kur pa punët e mia në studion time, më tha ‘ti nuk je piktor, ti je artist’. Qysh atëherë nuk i vendosa më kufij vetes brenda këtij lloj arti. Kam punuar dhe deri 10 apo 12 orë në ditë. Në ekspozitë kanë ardhur shumë personalitete, midis tyre dhe piktorë të njohur si kritiku Abaz Hado, zëvendësministër i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Alush Shima, Skënder Kamberi, Arben Golemi, por dhe kritikë të njohur nga Italia, si Fabricio Ruco. Ruco është tepër i njohur në Itali, pasi familja e tij prej katër brezash kanë galerinë e tyre të njohur në Romën. Janë blerës arti roman, italian dhe modern. Dua të veçoj dhe ardhjen e ministrit Aldo Bumçi. Ky është dhe një mesazh i sportistëve ndaj artit. Sportistët janë me botë të madhe.

 - Pas Tiranës ku do të ekspozohen punë tuaja?

 - Shumë shpejt ajo do të ekspozohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Ejpëll të Floridës. Jam duke u interesuar për formalitet dhe siguracionet e rastit.

- Muzikë, pikturë dhe sport, një trinom i mrekullueshëm. Si mund ta shohim Gjergjin, në një dimension të katërt?

- Edhe në kuzhinë. Kam një lidhje shumë shpirtërore. Kam shumë dëshirë të promovoj dhe të ndërtoj gjëra të reja mbi pjatë. Ka shumë miq që e kanë provuar shijen time të kuzhinierit, dhe kanë mbetur të kënaqur. Blej vazhdimisht libra kuzhine dhe shoh çdo ditë në televizion emisione mbi artin e të gatuarit, nga e gjithë bota. E ndjej veten “mbret’ i pjatave të para.

  Skeda

Emri: Gjergji Ruli

Datëlindja: 21 shtator 1961

Vendlindja: Durrës

Vendbanimi: Tiranë

Kombësia: Shqiptare

Arsimimi: 1968-1976, Shkolla 8-vjeçare “Mujo Ulqinaku” Durrës, dega “Piano”; 1976-1980, Shkolla e Mesme Sportive, dega “Atletikë”; 1980-1984, Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”; 1994-1997, Universiteti i Urbinos, Dega Edukim Fizik.

Arritjet: 1975-1991 Kampion dhe Rekordmen i Shqipërisë në Kërcim së Gjati, 100 metra dhe 4x100 metra; 1979 në Dhjetë sportistët më të mirë; 1980 Medalje ari në Mitrovic; 1982 Medalje Ari në Stamboll; 1982 Medalje Bronxi në Bukuresht; 1991 Kampion dhe Rekordmen në San Marino.

Tituj: 1995, Mjeshtër i Merituar i Sportit; 1999, Nderi i Sportit Shqiptar; 2004, Nderi i Atletikës Shqiptare; 2010, Medalje Ari si President i FSHA-së; 2011, Medalje Ari nga Federata Botërore

 Golemi: “Një ekspozitë cilësore”

 Piktori i njohur Arben Golemi e vlerësoi shumë ekspozitën e Gjergj Rulit, duke veçuar si më të arrirat rreth 10 nga 61 veprat që janë paraqitur. “Së pari, dua të veçoj faktin se, ka ardhur një kohë, kur piktorët janë të lirë të shprehin ndjenjat dhe emocionet e tyre me të gjitha mënyrat. Unë pëlqej pikërisht ato punë, në të cilat Gjergji ka kombinuar teknikën, me idetë mendimet dhe shpirtin e tij. Ato janë dhe punët e tij më të arrira. Një pjesë e mirë e punëve, të paktën tetë apo dhjetë punë janë shumë të mira. Pjesa tjetër, ku ai ka lënë më të lirë veten janë të bukura, disa janë interesante. Kjo sipas mënyrës si ai e bën pikturën”, - tha Golemi për “Telegraf”.