Gëzuar Vitin e Ri 2013!

225

Flasin Luftar Paja, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Skënder Sallaku, Alida Hisku, Kastriot Tusha, Petrit Lulo

Viti  që po lemë pas pati një ditë të shënuar, 28 Nëntorin, që përkoi me 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Kjo ditë ishte dita që i bashkoi të gjithë shqiptarët kudo në botë në të katër anët e globit në një flamur dhe pse në disa shtete. Gjithë Shqipëria në këtë ditë ishte veshur kuq e zi. Ky vit që po ikën na lë pas shijen e ëmbël të 100-vjetorit të Pavarësisë që solli atë atmosferë të mrekullueshme, të gëzueshme që do të përsëritet sërishmi pas një shekulli por me një ndryshim se do të jetë 200-vjetori i Pavarësisë. Për të uruar për Vitin e Ri 2013 dhe për gjurmët që la në zemrat e shqiptarëve 100-vjetori i Pavarësisë ne morëm disa urime nga njerëz të shquar të artit që e lartojnë emrin e Shqipërisë kudo në botë.

 Luftar Paja

Viti që lamë pas ishte një vit i rrallë, një vit i veçantë, një vit që nuk do të përsëdytet, një vit që na mbushi me krenari dhe besim për të ardhmen. Ishte një vit ku krahas shumë arritjeve ne festuam 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Kaloi një shekull në liri, një shekull të lirë, por me shumë zigzage të tjera në historinë shqiptare. Megjithatë shqiptari diti të ecë dhe të orientohet në tymnajat e kohës për ta mbrojtur me gjak dhe sakrifica ditën e lirisë, ditën e flamurit, 28 Nëntorin e vitit 1912. Kjo ditë tregoi se sa shumë e duan shqiptarët njeri-tjetrin, sa shumë e duan flamurin, sa shumë e duan lirinë. Ndaj me këtë rast ju uroj të gjithëve gëzuar vitin e ri  2013. Suksese, begati, lumturi në familje.

Margarita Xhepa

Ky vit që po lëmë pas ishte një vit i mbushur me ngjarje. Por ngjarja më e madhe dhe më e bukur ishte ajo e festimit me madhështi të 28 Nëntorit, ditës së flamurit. E përjetova shumë atë ditë. Lotët  në sytë e mi binin vetiu. Ishin lot gëzimi të një ditë të madhe. Do doja që shqiptarët kudo në botë të ishin të gëzuar, të ishin të bashkuar si këtë 28 nëntor. Ne meritojmë shumë, pasi jemi një popull punëtor, liridashës dhe me shumë kërkesa në jetë. U desh kjo ditë që ne të zbulonim shumë cilësi të reja. Viti që vjen besoj se do ketë shumë të reja në jetën e popullit tonë. Besoj se ne do futemi shumë shpejt në Europë. Ne na takon shumë dhe Europa duhet të na marrë në gjirin e saj. Gëzuar vitin e ri 2013. Gëzuar të gjithë së bashku dhe ta ngremë një dolli për unitetin, për bashkimin. Vitit 2013 qoftë viti i shqiptarëve, viti i realizimit të ëndrrave shekullore.

Tinka Kurti

Edhe sot e ndjej atmosferën e festës së 28 Nëntorit. Edhe sot më vijnë para syve ato sheshe të mbushura me njerëz, ato këngë dhe valle që jehonin në të katër anët e Shqipërisë, Kosovës, por edhe në ato shtete ku kishte komunitet shqiptarësh. Një shekull në liri, Një shekull të pavarur. Një shekull shtet shqiptar. Nuk janë shumë , por dhe pak nuk janë. Por në këtë një shekull ne ja dolëm mbanë. Kaluam shumë gjëra mbi kurriz, por kurrë s’u përkulëm, kurrë nuk u ndalëm. Dhe ja vjen ky 100 vjetor më i bukur se kushdo. Kemi bërë shumë por dhe më shumë kemi për të bërë. Kjo për vetë faktin se jemi një popull që kemi pritur më shumë stuhi dhe padrejtësi se fqinjët tanë. Nga ky 100 vjetor na del nj detyrë. Ta duam më shumë Shqipërinë. Ta duam më shumë njeri-tjetrin. Ta duam më shumë flamurin. Ndërgjegjja kombëtare tek ne për çdo ditë forcohet. Kjo u pa nga festimet e shumta të emigrantëve tanë kudo në botë. Gëzuar vitin e ri 2013. Mbarësi në të gjitha aspektet e jetës.

 Skënder Sallaku

 Jemi në pragndarjen e viteve. Dhe në këtë pragndarje bëhen shumë bilance. Po ti shohësh me syrin e një njeriu asnjanës themi me plot gojën se Shqipëria nga viti ën vit po bën shumë përparime. Por ajo që do ndalem është festimi me madhështi i 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ishte një ditë e bukur. Ishte një ditë e magjishme. Ishte një ditë që na mbuloi me krenari. Një festë që s’është parë kurrë në trungun e shqipes. Por festa i kaloi kufijtë e Shqipërisë dhe  përshkoi gjithë Kosovën, shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarët e Malit të Zi dhe gjithë emigrantët tanë kudo në botë. Na u gëzuan zemrat, na bashkoi dita e bukurisë shpirtërore. U mbushën 100-vjet që kur plaku i urtë Ismail Qemali ngriti në Vlorën heroike flamurin kuq e zi të Skënderbeut. Ai flamur që kaloi sa e sa rrebeshe pikërisht në këtë ditë shënoi lirinë e vërtetë dhe u valvit krenar për të mos u cenuar më kurrë. Viti që po vjen, ka ende të ndezur atmosferën e kësaj feste, ka ende të freskët në kujtesë atë gjallëri shqiptare të pazakontë. Gëzuar vitin e ri 2013. Gëzuar shqiptarë kudo që jeni dhe ky vit të rrisë begatinë në vatrat tuaja familjare.

 Alida Hisku

 Ky vit që po lemë pas ishte për mua këtu në Gjermaninë e largët viti që atdheu më mungoi shumë. Ishte viti që e ndjeja në shumë pranë Shqipërinë dhe pse larg fizikisht. Ishte një vit që kulmoi me ditën e 28 nëntorit, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit. Për të ardhur tek kjo ditë plakut të urtë Ismail Qemali ju deshën shumë vite punë, popullit ju desh të derdhte shumë gjak. Ndaj dhe liria është e shenjtë. Ndaj dhe liria nuk ka çmim. Vetëm liria të jep atë ndjesi që s’ta jep asnjë pasuri, asnjë ushqim, asnjë përfytyrim. Ndaj dhe kjo ditë kujtohet si një ditë e shenjtë. Edhe këtu në Gjermani emigrantët e festuan me madhështi këtë ditë po aq sa e festuan në atdhe. Largësia nuk na ndau, por na bashkoi më shumë. Të gjithë kishim nga një flamur të vogël në zemër. Të gjithë kishim fjalën Shqipëri në gojë. Të gjithë ne kudo në botë kënduam njëzëri. Kënduam këngën e bashkimit, këngën e flamurit. Atë këngë që na bënë më të fortë, më të sigurt për të ardhmen. Ndaj viti 2012 do të kujtohet gjatë në vatrat familjare. Ai edhe në këtë ndërrim vitesh vjen po aq i freskët si në festën e Vlorës. Bota u trondit nga kjo madhështi e festës shqiptare, pasi ne treguam se dimë të festojmë, se dimë të gëzojmë, se dimë të respektojmë. Gëzuar vitin e  ri 2013 bashkëkombasit e mi kudo në botë. Gëzuar në mënyrë të veçantë ju emigrantë pasi Ju aty ku punoni dhe jetoni jeni një Shqipëri e vogël. Gëzuar!

  Reshat Arbana

Kur pashë këtë festim të madhërishëm të 28 Nëntori nuk kisha se si mos të çoja në mend rolin e Isa Boletinit në filmin  “Nëntori i dytë”. Unë jam shumë i vogël përpara figurës së Isa Boletinit dhe kur mendoj se çfarë kanë bërë ata për lirinë, them  që koha duhet t’i lartësojë dhe më shumë. Ismail Qemali dhe Isa Boletini duhet të ngrihen për çdo ditë lart e më lart, se e tillë është vepra e tyre në emër të shqiptarizmës. Unë ende jetoj me festimet e datës 28 Nëntor. Jetoj me ato momente të asaj dite ku Vlora heroike sërishmi diti të tregoj mençuri, pjekuri, organizim, atdhedashuri. Por si Vlora atë ditë ishin dhe Prishtina, por edhe Struga dhe Ulqini apo qytete të tjera shqiptare. Dita e flamurit i bëri grusht shqiptarët. S’kishte ballkon apo dritare pa një flamur kuq e zi. Ishte flamuri Skënderbeut, ai flamur që për 500 vjet nuk e humbi identitetin, përkundrazi doli fitimtar. Ky 100-vjetor do të mbahet mend gjatë për shumë arsye, por më kryesorja për unitetin që treguan shqiptarët kudo në botë. Viti i ri 2013 vjen ende mes entuziazmit të kësaj dite. Gëzuar vëllezërit e mi kudo në botë vitin e ri 2013. Lumturi paçi në familjet tuaja.

 Kastriot Tusha

Viti që po lemë pas ka qenë për mua një vit mbushur me aktivitete njëri prej të cilëve ishte recitali kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë kësaj dite kaq të shënuar. Për shumë këngëtarë kjo ditë do të mbahet gjatë në memorie se ishte një ditë e mbushur me aktivitete nga më të larmishmet. Madje do të thosha jo vetëm kjo ditë por gjithë viti, ishte mbushur me aktivitete kushtuar kësaj dite. Ndihem shumë entuziast pasi arritjet e vendit tim kanë qenë të mëdha. Viti që vjen mendoj dhe besoj se do të ketë më shumë ngjarje të tjera siç është marrja e statusit të vendit kandidat për në BE. Gëzuar vitin e ri 2013, gëzime paçi kurdoherë!

Petrit Lulo

Çdo vit ka të veçantat e tij, ka bukuritë e tij, ka ngjarjet e tij. Por viti 2012 ishte një vit që kishte shumë aktivitete. Për mua ka qenë vit i sukseseve. Por çdo gjë kulmoi më datën 28 Nëntor. Ajo ditë ishte dhe mbetet për mua një ditë sinjifikative. Për këtë ditë kam kënduar dhe këngën e re që është kthyer në hit “Një komb një flamur”. Kjo është një nga këngët më të klikuara, një këngë që kërkohet me atë dëshirë dhe sot. Dëshiroj që gjithë shqiptarët jetën ta kenë një këngë të bukur. Gëzuar vitin e ri 2013. Le të jetë ky vit i mbarësisë për shqiptarët kudo në botë.