Gëzuar Ditëlindjen Margarita Xhepa

92

Teatri Kombetar i uron sot me rastin e 80 vjetorit te lindjes se saj aktores se madhe te skenes dhe filmit Shqiptar, Nderit te Kombit, Margarita Xhepes jete te gjate dhe te lumtur te mbushur plot me dashuri dhe suksese! Faleminderit per te gjitha kujtimet e pazevendesueshme!

Margarita Xhepa lindi më 2 prill 1934 në Lushjne, Shqipëri. Një nga Zonjat e Mëdha të teatrit shqiptar.
Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës.
Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj.
Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.
Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.
Veç roleve në teatër, ka realizuor edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.
Ajo interpretoi gjithashtu ne filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.
Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjecare.