Gëzim Zilja: Një libër historie me teza të islamit radikal

166
Vitet e fundit (2013) është hedhur në qarkullim libri i Prof. Dr. Mehmet Maksudoglu me titull “Historia Osmane dhe Institucionet”. Është një libër me 714 faqe, që ngjall interes sa i takon fakteve historike, i ndarë në tre pjesë dhe 17 kapituj. Pjesa e parë (1289-1453) pasqyron periudhën që nga themelimi i Devletit Osman dhe vazhdon deri në rënien (hapjen) e Kostandinopojës (Stambollit) në vitin 1453. Pjesa e dytë (1453-1699) ka të bëjë me shtrirjen e Perandorisë (Devletit) Osman. Pjesa e tretë (1699-1922)2është një studim i rënies graduale të perandorisë Osmane. Pjesa e fundit merret me shtjellimin dhe përcaktimin e Institucioneve sociale si Vakëfi, Tarikati, Imaret, Kervansaraj, Hamami, Spitali, Arsimimi, Xhamia, Sibjan Mektebi, Medreseja, Enderun. Pa pretendime të shumta si lexues do të ngre disa probleme lidhur me tezat argumentat dhe përfundimet e nxjerra në këtë libër. Si një lexues i rregullt i librave historikë, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë dhe me historinë e Shqipërisë, dëshiroj të shpreh mendimet e mia lidhur me librin e profesorit turk, duke e ilustruar me kundërshëmbuj që lidhen kryesisht me pushtimin osman. Tezat kryesore që hedh autori shpesh janë kontradiktore, nuk përputhen me historinë e vërtetë të pushtimeve turke në Ballkan dhe Evropë dhe në disa raste ka interpretime të gabuara të fakteve historike. Do të ndalem vetëm në tri çështje që kanë të bëjnë me fakte dhe interpretimet e zotit Maksudoglu, të ngritura në libër që për mendimin tim nuk qëndrojnë madje janë tepër të diskutueshme sepse justifikojnë luftërat që zhvillohen për xhihad, si luftëra që janë porosi e Allahut.

Perandori Osmane apo Devleti i mrekullueshëm.
Autori që në fillim bën një arsyetim lidhur me përdorimin e termit “Perandori Osmane.” Nuk është dakord me këtë emërtim pasi sipas tij nuk ka qenë perandori dhe në dokumentat osmane, korrespondencat zyrtare, traktatet e librat e asaj kohe nuk është përdorur titull “Imparatoryye-i Osmaniyye,” por Devlet-i Sublim Osman dhe Devleti i Mrekullueshëm. Mehmet Maksudoglu shkruan: Largimi nga ky emërtim (perandoria osmane. Shen im.) i përveçëm gjithsesi do të nënkuptonte një vlerësim subjektiv dhe më e pakta shfaqjen e një qëndrimi jomiqësor…Veçanërisht termi perandori nuk është i përshtatshëm për të gjithë strukturën social-politike osmane…Si racizmi ashtu dhe nacionalizmi ishin të panjohur për strukturën osmane. (M. Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet, faqe 31.) Nëse shikojmë shpjegimin e fjalës perandori si ‘‘një shtet i përbërë nga shumë kombe ku pushteti është i trashëgueshëm dhe në krye ka një tiran (Sulltan apo Perandor) që vendos mbi këdo dhe kudo me dorë të hekurt”, në rastin e Sulltanit dhe qeverisjes së tij pavarësisht nga emërtimet, pushteti absulut i tij dhe trashëgimia e fronit e justifikojnë plotësisht emërtimin ‘Perandori Osmane’. Gjithsesi ndryshimi i emërtimit nuk e ndryshon thelbin e shtetit osman si pushtet absolut i një njeriu të vetëm. Sa i përket racizmit që nuk paska ekzistuar në Devletin osman, vetë autori më shumë se një herë thekson në libër se të krishterët kishin taksa më të rënda se muslimanët dhe një karrierë në perandorinë osmane, në administratë apo ushtri ishte e pamundur nëse nuk ishe mysliman ose nuk konvertoheshe në të tillë. 

Le t‘i referohemi Tursun Beut, shkrimtarit më të rëndësishëm turk të kohës së vet dhe kronikanit zyrtar të Sulltan Mehmetit të II, pushtuesit të Kostandinopojës, Ballkanit dhe të Shqipërisë. Si kronikan pothuaj në të gjitha ekspeditat pushtuese, ai përshkruan me hollësi ngjarjet. Pavarësisht nga disa teprime të justifikuara për kohën, për fushatën e dytë të Sulltan Muratit në Shqipëri ai shkruan: “Kurse arsyeja e kësaj fushate të dytë në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rrebelimi dhe arroganca. Dhe ajo çka për natyrë nuk zhduket dot nga peripecitë e jetës! Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit.” Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe i lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim në prani të sundimtarit u ekzekutuan me një të rënë të shpatës aq shumë të pafe sa ishte e pamundur të llogariteshin. Të shtyrë nga kjo frik, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjenë. (Kronikat e Tursun Beut, Bot shqip. fq.152) Pesëqind vjet më vonë profesori turk shkruan se racizmi dhe nacionalizmi ishin të panjohur për strukturën osmane madje siç do ta shohim më poshtë shton “se njerëzit nën devletin osman ishin të lumtur”. Natyrisht Sulltani, krijoi një sistem të mençur, për të zgjatur sundimin, dhe shfrytëzoi popullsitë vendase, duke u dhënë privilegje një pkese të saj, por gjithmonë nën kontrollin ose vasalitetin e Portës së Lartë. Shëmbulli më tipik i shfrytëzimit dhe racizmit në këtë drejtim është ushtria jeniçere. Ata përbëheshin nga ajka e rinisë së Krishterë të të gjithë Ballkanit, që grabiteshin qysh fëmijë dhe edukoheshin në kushte të ashpra si ushtarë besnikë të sulltanit, të kthyer tashmë në myslimanë. Në të gjithë vendet e pushtuara qindra e mijëra gra rrëmbeheshin, kryesisht të krishtera, shiteshin e bliheshin duke mbushur haremet e Sulltanit dhe të komandantëve të Perandorisë. 

A nuk ishte kjo një skllavëri? Në gjithë faqet e librit rreket të shpjegohet se Devleti Osman, (Perandoria Osmane) iu është nënshtruar mësimeve të Islamit dhe si i tillë është i pagabueshëm. Lidhur me këtë problem ai shkruan. “Nëse ata (të krishterët shën.im) nuk do të kishin qenë të lumtur, nën sundimin osman ata do të kishin ngritur në kryengritje kundër tij, duke tërhequr kështu vëmendjen nga zhvillimi i xhihadit kundër të krishterëve të tjerë. Kjo tregon që administrata osmane ishte e drejtë dhe tolerante ndaj dhimmive të saj dhe ne tani kemi dëshmi të mjaftueshme për ta pranuar si të vërtetë se ata parapëlqenin sundimin osman në vend të atij të krishterë. M. Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet fq.169” Në të vërtetë historia e pjesës së pushtuar të Europës dhe Ballkanit është mbushur plot luftra e kryengritje, ku mizoria turke është mëshiruar në thënien e urtë që e kanë të gjithë popujt e gadishullit: ku shkel turku nuk mbin bar. Çdo kryengritje e çfardo natyre që ishte kundër Sulltanit, mbytej me zjarr e me hekur. Nuk kishte mëshirë për kundërshtarin, kështjellat rrafshoheshin, kundërshtarëve u priteshin ose u nguleshin kokat në hunj dhe e u rrëmbehej gjithë pasuria. Në librin e tij “Memorie“, botuar në vitin 1510, Gjon Muzaka shkruan: “Sulltani hyri në këtë pjesë të Epirit dhe Gjin Muzaka, mbeti përkundruall Vlorës të siguronte vendin që quhej Muzeqe dhe vise të tjera. Jo shumë kohë më pas Murati s’la mjet pa kërkuar që të gjente një mënyrë që të merrte drejtimin e Shqipërisë e vijonte të gjente shkak të ndërhynte e të bënte inkursione të ndryshme: të plaçkiste ata, dmth Shqipërinë dhe çdo ditë rrëmbente nga një numër të madh robërish dhe i kthente në skllevër.

 Muzaka, Memorie. U shkrua në vitin 1510 dhe u zbulua për herë të parë nga historiani i shquar gjerman Karl Hopfi (1832-1873 në bibliotekën Brankaçiane të Napolit më 1863. Bot shqip fq. 83.) Nga botimi i Institutit të Historisë, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Lufta shqiptaro-turke e shek XV, viti 1967, fq. 109, citojmë pa koment: “Lufta e gjatë që u zhvillua midis shqiptarëve dhe turqve i shkaktuan Shqipërisë mjerime të mëdha. Masakrat në masë e pakësuan në një shkallë të konsiderueshme popullsinë. Një rrënim të plotë pësoi ekonomia e vendit. Veçanërisht ato krahina ku u zhvilluan luftime. Një përmbysje të madhe pësuan qytetet. Një pjesë etyre ishte braktisur qysh në fund të shek të XIV e në fillim të shek të XV, kur filluan sulmet turke. Të tjerë u rënuan kur ranë në duart e turqve popullsia e tyre u dëbua ose iku vetë për t‘i shpëtuar skllavërisë. 

Osmanët nuk ishin Pushtues.
Lidhur me pushtimet turke dhe luftërat e përgjakëshme që e shoqëruan atë autori shprehet: “Por Pushtimi nuk është i njejtë me Fet‘hin. Ndërkohë që pushtimi nënkupton nënështrim me dhunë, fet’hi i një vendi do të thotë fjalë për fjalë hapja e një vendi ndaj Islamit, jurisprudencës së tij (sheriatit) dhe vlerave, por pa i detyruar njerëzit në asnjë mënyrë të pranojnë Islamin”. (M. Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet Fq. 36.) Ai shkon edhe më tej duke nxjerrë përfundimin e pasaktë: “Është e rëndësishme të theksojmë këtu se ushtria osmane ishte tepër e kujdesëshme për të mos i shkaktuar dëmtime të panevojshme popullit dhe pronës së tyre.” (M. M. Historia Osmane dhe Institucionet. Fq.207) Dihet botërshit se ushtria osmane kishte dy shtylla mbështetëse: Islamin dhe plaçkitjen. Pas pushtimit të qyteteve pjesa më domethënëse për ushtrinë osmane ishte vjedhja, plaçkitja, dhe përvetësimi i pasurisë së popujve të mundur. Mjafton të lexohen kronikat e kohës lidhur me pushtimin e Kostandinopojës sesi u plaçkitën e u shkretuan ato vende, aq sa më vonë me urdhër të Sulltanit u organizua ripopullimi i saj ngaqë pjesa më e madhe e popullsisë u shkua nën tehun e shpatës ose u dëbua.

Profesori Maksudoglu gabon që në krye të herës ose për padituri ose qëllimisht. Nëse do të ishte ashtu si thotë ai, Devleti do të kishte një ushtri dishepujsh ose predikatorësh të fesë islame në trevat e banuara nga “të paudhët“ dhe “të pafetë“ siç quheshin padrejtësisht besimtarët e feve të tjera. Por në fillim ishte shpata, lufta, pushtimi ushtarak. Një shtet apo mbretëri pushtohej me forcën e ushtrisë së famshme osmane e njohur për ekzektimet, plaçkitjet dhe rrënimin e qyteteve. Po le të citojmë sërish kronikanin e famshëm, gjatë ekspeditave turke në Shqipëri:
Kronikat e Tursun Beut, faqe 149.
“Çdo çadër ishte mbushur me plaçkë të rrëmbyer. Atëherë u dha urdhëri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye në çdo vendqëndrim silleshin para sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatësfap-fap i ekzekutonin . I bënë kështu ata njerëz që aq të etur e të dëshiruar qenë pas vdekjes të shijonin verën e rrënimit që derdhej prej shpatës së shndritshme. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë katë mijë shtatë mijë nga të pafetë. Prej kufomave të shumta lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra. Prej gjakut të derdhur rrafshina të gjera tani ngjasonin si Amudarja (lumë në Persi. Shen.im) që rridhet.

A nuk është ky një pushtim me dhunë, ku gjaku i kundërshtarit rrjedh si lumë e luginat kthehen në kodra nga kufomat e të mundurve? Ç’kuptim ka fjala Fet’h ose hapje ndaj islamit, kur shpata dhe zjarri kanëshkatërruar gjithçka? Po le të shkojmë më tej. Citojmë: “Nga perspektiva ekonomike pretendimi se shtrirja osmane drejt territoreve të tjera për të përfituar lëndën e parë për industrinë e tyre është i gabuar. Për shembull, vajtja e tyre në Jemen nuk ishte për shkak të naftës por për t’i parandaluar fuqitë evropiane që t‘i afroheshin rajonit të Detit të Kuq dhe dy qyteteve të shenjta islame Mekës dhe Medinës. Me pak fjalë Devleti Osman nuk kishte për qëllim shfrytëzimin e popullsisë së territoreve të aneksuara prej tij. Në fakt tregëtia dhe industria ishin në duart e popujve jo myslimanë. (M. Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet. Fq 31) Mund të ishte dhe ashtu si thotë historiani turk. Por dihet madje kjo pohohet disa herë në libër që tokat e pushtuara (hapje, fet’hi) shpalleshin prona të Devletit Osman, të Sulltanit dhe si sundimtar në to caktohej një ushtarak i lartë osman ose jo. Ai qeveriste si vasal i Sulltanit dhe duhet të paguante një shumë të madhe (haraç) në monedhat e kohës. Veç kësaj gjithë populli duhet t‘i paguante përfaqësuesit të Sulltani (spahiut) deri në pesëmbëdhjetë lloje taksash (haraç e xhelepe s’ka/ është vendi fukara/jetojmë me lakëra/ katër shtëpi me një ka, Këngë popullore e kohës së pushtimit osman.) dhe të nxirrte ushtarë çdo herë për fushatat e pafundme ushtarake të perandorisë.

Popullsia veç taksës që i shkonte direkt Sulltanit paguante taksa të tjera lokale. Në të gjithë perandorinë popujt e nënshtruar ishin të detyruar që në çdo luftë që zhvillonte sulltani të rekrutonin shpesh me forcë djem të rinj që linin kockat në territoret e pafundme të perandorisë në një luftë që nuk kishte kuptim për ta. (O djema buzë burbuqe/Do vemi te Molla e Kuqe/Do na flasë yzbashi turçe/Moj Turqi a mbeç e shkretë/Qysh s’më le asnjë nga djemtë? Këngë nizamësh). Ku mund të flitet për lumturi e drejtësi të fshatarit shqiptar, bullgar, rumun, grek, serb nën sundimin osman? Mjafton të lexohet “Historia e Ballkanit” në vitet e sundimit osman të kujtdo autori, për të kuptuar absurditetin e këtij arsyetimi. Citojmë gjithashtu pa koment: Fan. S. Noli Vepra III, fq 295. Kritobuli (Critoboulos) nga Imbri (shek XV) Jeta e Mehmetit të II, Libri III, fq. 367,368. Atëherë Sulltani si përparoi më të tërë ushtrinë u derdh brenda vendit të tyre në kohën që gruri kishte filluar të lulëzonte duke i rënë anë e mabanë pjesës më të madhe të vendit prishi të mbjellat dhe mori me vete një plaçkë të madhe njerëzish dhe koesh të çdo lloji Pastaj shtiu në dorë kështjellat disa me sulm të tjerat me rrethim dhe i bëri rrafsh me tokën.Me një fjalë gjithë çgjeti në rrugën e tij e shkrtoi e grabiti e plaçkiti e rrënoi më së miri. Bënë plaçkë shumë të madhe (rënia e kështjellës së Krujës) me skllevër burra gra e fëmijë me bagëti të çdo lloji shkurt me çdo lloj pasurie të tundëshme dhe të gjitha këto i zbritën poshtë në fushim.

Xhihadi si luftë e shenjtë e diktuar nga Allahu.
Teza e tretë, shumë e diskutueshme është, që lufta për xhihad (lufta e shënjtë) është një luftë e drejtë kudo dhe kurdo që ajo zhvillohet.
Autori shpjegon që është i natyrshëm dhe i drejtë pushtimi i tokave në Evropë pasi ato iu dedikuan qyteteve të shenjta të islamit. Ai shkruan: “Kur Tirjaki Hasan Pasha u rrethua në Kështjellën Kanixhe në vitin 1601 nga Duka i Madh Ferdinand i Austrisë dhe nga një ushtri e madhe hungareze, komandanti i rrethuar i nxiti moralisht ushtarët e tij duke iu thënë: Kanixha dhe territori rrethues i saj janë kthyer në Vakëf, për qytetin e shenjtë Medine el-Munevvveres, që do të thotë se të ardhurat e përfituara nga ky vend do të shkonin për qytetin e Pejagamberit dhe se krijuesi nuk do të lejonte që kjo pjesë toke të binte në duart e jo besimtarëve.” M. Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet. fq 48. Dhe më tej Ekspasioni i osmanëve ishte domosdoshmëri e “besimit‘të qenët” një devlet që zbatonte Urdhëresat e shenjta mbi tokë. (Po aty. fq 195) Personalisht gjithçka e shkruar më sipër më ngjason mjaft me tezat e ekspasionit të fesë islame nga grupimet radikale në ditët e sotme. Meqënëse këto toka të Austro-Hungarisë, dhe shumë të tjera të pushtuara me luftë ishin toka shpallur vakëf nga Sulltani, ku jetonin njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me islamin, që nuk ishin të pafe (ishin të krishterë, shen.im), ishte e mjaftueshme sipas Maksudoglu-së që të derdhej gjak e të mos i merrnin tokat dhe qytetet ata, që jetonin në tokat e tyre. 

Dhe më tej: “Një luftë e zakonshme mund të bëhet për shkaqe territoresh apo tregëtie, hakmarrjeje apo lavdie ushtarake, “të gjitha këto të mira të përkohëshme të kësaj bote.” Një luftë e tillë është e dënueshme. Por një luftë xhihadi ndërrmeret në kushte të rrepta të caktuara nga rregullat e islamit, dhe vetëm në emër të çështjes së Allahut. Të gjitha motivet e tjera të ulëta përjashtohen rreptësisht. (M. Maksudoglu: Historia Osmane dhe Institucionet. fq.206. Dhe meqënëse Allahu është i pagabueshëm del që lufta për xhihad në kundërshtim me çdo luftë tjetër ishte (është) një luftë e drejtë. Po cili është këtu ndryshimi me tezat e myslimanëve radikalë sot për luftën e shenjtë dhe vendosjen e Shtetit të Kalifatit në të gjithë botën? Nëse flitet për luftë të shenjtë dhe pushtime në emër të zgjerimit të fesë islame, cilët popuj dhe shtete do të ishin ata që do të pranonin të pushtoheshin se pëlqejnë islamin? Nëse libri do të shkruhej për historinë e perandorisë osmane nuk do të ishte ndonjë gjë e re. Por nëse tezat për pushtimet osmane si hapës (Fet’h) të fesë islame do të merreshin si një vullnet i Zotit, kjo jo vetëm nuk është e vërtetë por, është një teori mjaft e rrezikshme. Asnjë kombi nuk mund t’i imponohesh me shpatë dhe ta konsiderosh “të pafe”, thjesht se nuk është i fesë myslimane.