Gëzim Zilja: Kapedan Çelo Picari

1724
Xhelil Bega, i mbiquajtur Çelo Picari, ka lindur me 1802 në Picar të vjetër, të Kurveleshit, sot një vend i pabanuar dhe i përbërë nga gërmadha e rrënoja. Ishte i biri i Sefer Begës, që përfaqësonte një fis të madh dhe me emër në krahinë. 

Sefer Bega Sefer Bega 
Kazani me tetë vega(doreza). 
U rrit dhe u formua si luftëtar në oborrin e Ali Pashë Tepelenës ashtu si dhe shumë të rinj të tjerë të marrë nga familje të mëdha si Marko Boçari, Zylyftar Poda, Tahir Abazi, Lul Çapari, etj. Ai shërbeu në oborrin e Aliut dhe mori pjesë në rezistencën e këtij të fundit kundër Portës së Lartë, derisa ky u vra më 1822. Aq shumë për zemër e kanë picariotët heroin e tyre saqë thonë se ky ishte më i fortë nga të gjithë djemtë shqiptarë, që stërviteshin në oborrin e Aliut, madje edhe se Marko Boçari, që shquante për forcën dhe bukurinë fizike. Kënga thotë: 

“Marko Boçari suliot
Qan e të këput me lot
Se me Çelon s’e del dot
Është djalë picariot.

Pas rënies së pashallëkut të Janinës, kthehet në pronat e të atit në Picar. Ai nuk ra pre e Masakrës së Manastirit (1830) duke i njohur mirë intrigat dhe pabesitë e Portës së Lartë. Mes të masakruarve ishin edhe Asllan Kuca dhe Veliko Jaçe. I pari kurveleshas dhe mik i Çelos, i dyti djali i xhaxhait, gati vëllam i tij. Çelua bashkë me vëllanë e Kucos për hakmarrje i vunë zjarrin lagjes qendrore të Janinës dhe rrëmbyen kokat e prera të dy njerëzve të tyre, të cilat po i dërgonin në Stamboll dhe i varrosën në Picar. 

Çelo të pijmë dollinë
Tartarit ç’ia bëtë mirë
Kukën nga kurmi ia çqitnë
Në hejbe i vunë të tijnë
Çelua ynë me mustaqe
Mori hakë e zbardhi faqe. 
Pas kësaj ngjarjeje trupat shqiptare sulmuan dhe morën përkohësisht Gjirokastrën e Delvinën. 
Ra Çelua në Delvinë
Bejlerët nuk e prinë
Ikën muarr arratinë Duall gratë e ulërinë
Çelo të bëjmë rixhanë
Mos të vriten burrat tanë. 
Ai i kundërvihet Portës së Lartë, duke kërkuar që tokat dhe pasuritë e shqiptarëve ashtu si dhe më parë të qeveriseshin nga vendasit. Për këtë ai bashkë me Tafil Buzin dhe Zylyftar Podën si nismëtarët e Lidhjes së Parë Shqiptare më 1828, vazhdojnë luftën për largimin e administratës turke, vendosur pas rënies së Aliut dhe sidomos kundër reformave të Tanzimatit. 

Çelua arapi i zi
Tafili një grusht njeri
Bashkë me Veiz Vasjarë Ikën e zunë Beranë
Duan të marrin kalanë
Të zënë Emin aganë
Me bixhak t’i marrin xhanë. 
Sulmi përfundoi me sukses dhe kryengritësit arritën ta merrnin përkohësisht kalanë e Beratit. Ishte një nga taktikat e Portës së Lartë, që figura të tilla me shumë përkrahje në popull t’i vinte në shërbim, duke u dhënë dhe ndonjë titull. Më 1838 Çelo Picari dhe Veiz Vasjari, emërohen derven agasi gjatë kufirit turko-grek, i pari në Thesali i dyti në zonën e Olimpit. Çelua në mundësitë që lejonte koha ndihmoi në zhvillimin e zonës: 

Me vulë o Çelua ynë
Vure çiflig në udhë
bëre një mulli me gurë
edhe haninë mbi urë. 
Shtëpia e tij siç thonë vargjet ishte një kështjellë dhe përbënte një kërcënim të përhershëm: 
Topi ngrehur në buzë
Kur qëllon shurdhon Korfuzë
Moj Turqi, a mbeç për lumë
Që na bën zullume shumë Sulltani vulos me vulë
Çelua s’bën për këtë punë
Se ngrë vend e na prish punë. 
E ftojnë pranë Portës së Lartë, si zakonisht bashkë me Veiz Vasjarin, për të biseduar për rekrutimin e nizamëve dhe gjoja t’i jepnin një detyrë tjetër. Çelua, në fillim nuk pranon të shkojë, por bindet, pasi del “shahit” (garant) vetë kreu i fesë mysliman,e Sheh-Ul Islami. Fillimisht e burgosin, pastaj e internojnë në Konjë. Por edhe prej andej ai nuk i humbi lidhjet me vendlindjen. 

Çelua kur u dënua
Sheh Islamit iu besua
Sheh Islam mbi dhodhekadhë
Çe bëre Çelo Picarë
Azap(Dënim) Konjënë i dhanë.
Që nga Konja ai lidhet e dërgon letër:
Ditënë që ryri prilli
Dërgon kartëra Xhelili
Kurvelesh krye ngrini Tarafllëqet i lini
Dhe nizam të mos vini. 
Pas gjashtë vjetësh internimi, në 1844, Çelua kthehet në Picar. Lidhet me Zenel Gjolekën, një nga trimat e Kurveleshit dhe me më të ‘’vjetrit’’ Tafil Buzi e Rrapo Hekali, për një kryengritje të re. Në vitin 1846 bëhet bëhet mbledhja e parë në Picar ku u mor vendim për luftë të përbashkët kundër Reformave të Tanzimatit. Kënga e shpjegon fare qartë: 

O Buçi në shesh të Qarrit
Në vend të Çelo Picarit
Aty mblodhi parësinë
ku ka Xhelili shtëpinë

Kuvendi tjetër i Besëlidhjes së Jugut u mbajt më maj të vitit 1847 në Mesaplik në muajin maj. Ja si i përcakton, si në një regjistër të plotë e të saktë kënga kapedanët shqiptarë, që muarën pjesë në Besëlidhjen e Dytë. Asnjë luftëtar- përfaqësues nuk duhet harruar. Emrat e tyre duhet patjetër të gdhenden në kujtesën popullore në jetë të jetëve: 

Shqiptarët anë e mbanë 
U mbëlodhë e fjalën dhanë
mbretit si japim nizamë
Do t’i zë t’i them me rradhë: Të parë Çelo Picarë
të dytë Rrapo Hekalë
dhe pastaj gjithë me rradhë

Po shkruaj më poshtë emrat pa i vendosur dhe cilësitë e udhëheqësve që përshkruhen aq bukur në vargje: Zenel Gjoleka Kuç, Hodo Aliu Nivicë, Veiz Vasjari Tepelenë, Hadër Sulo, Kaninë, Dervish Aliu Dukat, Mato Haxhiu Brataj,Lilo Qendro, Osman Kuci Zhulat, Fejzo Çika Borsh, Hodo Aliu Nivicë, Dule Zoto Smokthinë, Lulo Abazi Tërbaç, Kamber Delo Tragjas, Mete Çobo Vranisht, Selim Agai Vlorë, Hito Dauti Mavrovë, Sheh Aliu Tepelenë, Spiro Stoja Labovë, Foto Kopali Himarë, Gjikë Thanasi Qeparo, Sokrat Leka Qeparo etj. Sërbia edhe Greqia pas shpalljes së pavarësisë, shpalosën zyrtarisht në formën e platformave politike planet e tyre shoviniste. Më 1844 kryeministri grek Janis Koleti, shpalli me bujë të ashtuquajturën “Megali Idea”, me anë të së cilës kërkonte zmadhimin e territoreve greke edhe në kurriz të atyre shqiptare. Forcat greke vërshuan në Janinë, Delvinë, Çamëri, deri në Himarë, (1852) duke kryer krime të tmerrshme mbi popullsinë e pambrojtur. Reagimi i shqiptarëve ishte i menjëhershëm dhe i papërmbajtshëm. Në gjithë Jugun u dha kushtrimi për rezistencë. Nga komandantët shqiptarë që do të luftonin në mbrojtje të territoreve shqiptare shkëlqeu edhe Çelo Picari. Ja si thotë kënga:

Ngreu Çelo përsëri
T’i japç këllëçit veri
Se duall’ andart’ të ri
Griva me vëllazëri. 
Parësi e Bregut Detit S’bënë siç u tha dovleti
Dhe as qir Jano Koleti
Lart e ngritënë direkun 
As me turkun as me grekun. 

Forcat shqiptare jo vetëm që çliruan në luftime të përgjakshme Himarën, Delvinën e Çamërinë, por e shtynë ushtrinë greke në kufijtë e caktuara pas shpalljes së pavarësisë. Kryengritësit rimorën Petën, Nartën, Prevezën e Kallabakën. Për Çelo Picarin dhe shokun e tij të armëve Veiz Vasjarin, nuk ka pushim: 

Edhe Çelua si drangoi
kurveleshasit rreshtoi
vetëtimë në Nartë shkoi
Lufta me Grivën filloi Çelua me Veiz Vasjarë
Hypur mbi kual të bardhë
Katër mijë skllavë zunë
Çelos të falë ia prunë.
Dhe më tej: 
Ky Çelo Picari ynë
zuri skllevër aqë mijë
sa nuk kish tu hidh zinxhirë.

Të gjitha territoret shqiptare duhet t’i pastrojë e pushtojë ky trim i madh me luftëtarët e tij. Pasi mbaroi punë në (N)Artë, ku zuri aq robër sa nuk kishte as zinxhirë t’i lidhte, kënga dhe bashkë me të historia vazhdon: 

Çelua mblodhi fuqinë
bëri gati djelmërinë
në saba pa dirë mirë
Nga Narta çu ngrenë e iknë
Grebene vanë u dinë
… Kallabakës lart iu ngjitnë… 
Hynë brenda trimat labë
Gjirokastritë e vlonjate
Rriturë në zjarr e flakë
Atje në uxhum me shpatë
Në ata shkëmbënj’ të lartë
Papa Kostës me armatë
I dhanë dërmë dhe datë. 
Shumë vjet më vonë, Çelua, do të kujtohej me nostalgji për trimëritë e tij por edhe si flamur qëndrese: 
Medet o Xhelil Aga
Të mbenë trimat sha’
Thotë palla që rri vjerrë
Ku ësht imzot të më nxjerrë? 
Vanë more shokë vanë
gjithë ata burrat e parë
Çelua me Veiz Vasjarë
Me Tafil Buzin me pallë
Bashkë me Gjolekë Lapnë
Nashti duhen po ku janë?
Arbërinë shkretë e lanë. 
Çelo Picari vdiq i varfër në Athinë, në vitin 1882, në moshën 78 vjeç. Më shumë se gjysmën e jetës e kishte kaluar në luftë me armiqtë e Shqipërisë, turq dhe grekë.
Sigal