Gëzim Zilja: Kaçakët e Çamërisë

1190
Sipas epikës historike
Si në të gjithë Shqipërinë, ku njerëz trima, djem e burra nuk donin të shkonin nizam e të linin kockat për llogari të Turqisë në humbëtirat e perandorisë osmane, 
Ki nizamllëku sa mba
Se kemi të zezat gra
Ç’pijet o i zi ç’pijet
Më shumë se shtatë vjet. 
Dhe më tej: 
Në Jemen shokë se ç’mbeçë
Në Rrepet e Selfixhesë. 
Moj Turqi a mbeç e shkretë
Që na more gjithë djeltë
i shpure nek deshe vet
në vënt të muharrebesë
por dolën malit “firar” edhe në Çamëri pati mjaft të tillë. Me një “gluhë’” të “zgledhur”, të kulluar shqipe, që na vjen nga thellësitë e viteve (shek. XIX), popullsia e asaj treve të martirizuar i ka përjetësuar në vargje të shumta trimat e saj si Mete Zhoti, Feim Muço, Izet Mamani, Mete Dupi, Abedin Kushati, Zeqir Rakipi, Lul Manka, Osman Taka, Çelo Mezani etj. Po japim shkurt disa të dhëna, mbi veprimtarinë e tre kaçakëve, që na e sjellin vargjet nga epika historike. Për Çelo Mezanin dhe Osman Takën kam shkruar më parë.
Lul Manka nga fshati Dishat i Konispolit
Pak të dhëna ka për jetën e Lul Mankës. Edhe ky si shumë kaçakë të tjerë të Çamërisë doli në mal për të mos kryer shërbimin ushtarak. 
Kapetan me vulë në ballë
O Lul Manka lule djalë
Le Dishatn’ e more malë.
Të dhënat flasin për ditën që e rrethuan, rezistencën që bëri deri në fishekun e fundit. 
U takove me koshadhe
Flakë ta bënë surranë
Plagë seç ta mbushnë shtatnë
Një qind e pesëdhjetë fushekë
I dogje mbi zaptijet
Që mëngjes jaram më drekë…
Lul Manka në atë përpjekje të pabarabartë: plagoset rëndë dhe bije në duar të zaptijeve turke.
Ajo ditë, ditë e shkrretë
Malin e mbëluan retë
Nizamët posi bletë, 
Djalë i ri, i sapo martuar e ka të qartë fundin i tij. Nga burgu, nga ku nuk do të kthehej më në Dishatin e tij, pranë njerëzve të dashur, jep porositë e fundit. Kanë shumë ngjashmëri fjalët e tij me këngën e famshme “Mbeçë more shokë mbeçë”. Duket i njëjti motiv, por tashmë i personalizuar në emrin e Lul Mankës: 
Nga hapsana shkrove kartë
Amanet ta lë moj nanë
të më shkoç në ustallarë
t’u març qostekn’ e sahatnë.
Ka një kërkesë të thjeshtë, shumë njerëzore. Ka çuar sahatin te ustai dhe porosit ta marrin e ta kenë si kujtim familjarët e tij, për të mos e harruar. Pasta vjen amaneti i rëndë plumb, amaneti i përjetshëm i shqiptarëve që janë “të dënuar” të luftojnë gjithë jetën për vete dhe për vatanë. 
Amanet ta lë moj nanë
Ta lë Bushenë
( gruaja e L. Mankës)me barrë/
Në na bëft’ ndonjë djalë
Vari pallën, jataganë
Të lëftojë për vatanë
Hakën time të më marrë
Dushmanëve t’u bëjë varrë. 
Pas letrës, këngët nuk japin më informacion. Ato këputen (mbarojnë) bashkë me jetën e kaçakut, kapedanit me “vulë”, Lul Manka. 
Zeqir Rakipi, nga fshati Lopës i Filatit
Doli firar kur mori vesh se do ta thërrisnin për të kryer shërbimin ushtarak. I rrethuar nga ushtarët turq, refuzoi të dorëzohej dhe filloi luftën. I plagosur rëndë, sipas dëshmive, vrau veten të mos bjerë në dorë të zaptijeve turke. Kënga shpjegon qartë arsyen e daljes së tij në mal. Rekrutimi i ushtarëve (nizamllëku) që Porta e Lartë zbatonte me egërsi në trojet shqiptare, shkaktonte fatkeqësi të mëdha në jetën social-ekonomike të banorëve të atyre zonave. Kënga na bën me dije: 
Zeqo(Zeqir) Kipe(Rakipi) hundëdashi
Del se të kërkon bimbashi… 
Ja si na vjen përgjigja dhe njëkohësisht qëndresa e këtij kaçaku trim dhe të mençur të Çamërisë: 
Pse më do bimbashi mua
S’më la djelm e s’më la grua
Edhe dhënt’ në vorrua. 
Dhe më tej shpërthen me urrejtje: 
Jemeni s’ishtë për mua
Unë halldupët s’i dua…. 
Si gjithë historitë e kaçakëve fundi i Kipe Dashit nuk do të ndryshonte kurrë tek shokët e tij. Dua të theksoj faktin, se në drejtim të kapjes ose vrasjes së kaçakëve, që dilnin maleve për të mos vajtur nizam, këmbëngulja e administratës turke për t’i kapur e ekzekutuar ishte e pashembullt. Trupin e vrarë të kaçakut zaptijet turke e kalojnë në mënyrë demonstrative para shtëpisë së motrës: 
Thirri boria Markat
Zeqo Kipe hundëdash
të shkon kokëza në rrap
Rubie të kamte motër
të shkon Zequa në portë
Kur dolli motra në portë
Klau e briti si lopë.
Abedin Kushati nga Spatari
Abedin Kushati, nga fisi i Kapedanëve, bënte pjesë në çetën e famshme të Muharrem Rushitit. Ngjarja e mëposhtme ka të bëjë me një farë Sami Beu nga Berati, mylazim në xhandarmërinë e Janinës. Veç detyrës për ndjekjen e kaçakëve ai ushtronte terror mbi popullsinë e zonës, duke arrestuar njerëz të pafajshëm e pastaj kërkonte para në këmbim të lirimit të tyre. Por në Filat me sa duket punët nuk shkuan si e kishte parashikuar ai. 
Kënga thotë: 
Të njëten(enjten) më tre sahati
Në Filat u dhez fesati
Ka një Sami pusht Berati
O Sami o palo burrë
Bëre çamërit rrëmullë. 
Çeta famshme e Muharrem Rushitit, do të ndeshej me ushtarët turq, që shoqëronin Sami Beun në Filat, duke i zënë atje pusi. 
Ki Samiu ka Berati
S’hëngri dot çorbë Filati
… O Kajmekam o i mjerë
Me dufeqet që ke nxjerrë
Fluturove more erë
Penxhereja t’u duk’ derë.
Me sa informon më tej kënga, Abedin Kushati ose Spatari, qëlloi mbi Sami bejnë: 
Të njëten e shkrretë
Sahati më gjashtë
Ashkosun të kloftë
Abedin o djalë.
Me rrovol në dorë 
Vrave zabitanë
Vrave Sami bejnë
Bashkë me xhandarë. 
Por edhe ky trim i Çamërisë nuk do t’ia dilte dot të shpëtonte pas aktit heroik që kreu. Në atë përleshje të armatosur: 
Në Filat u dhez fesati
e hapi Jasin Murati(Koska)
U plagos Haxhi Murati
U vra Abedin Kushati
..Spatari një rret(fshat) me gurë
Abedini s’lehet(s’lindet) kurrë. 
Sigal