Sigal

Gëzim Prengzi

Komandant Tahir Sinani hyri në historinë e re kombëtare me prirjen luftarake, diturinë e fituar në Zall-Herr dhe përvojën e Ushtrisë shqiptare, si instruktor i stërvitjeve, shef i Sektorit për ndërhyrje të shpejta dhe oficer i Kampit të stërvitjeve në Tropojë. Lindi në Gri të Tropojës më 6 maj 1964, në një familje me tradita patriotike, gjak nga gjaku i Mic Sokolit. I ati i Tahirit, Mal Halili ka qenë partizan në Brigadën  XX Sulmuese. Pas kushtrimit të komandantit legjendar Adem Jashari, është ndër e patriotët e parë që i përgjigjet luftës historike të UÇK-së së lavdishme, luftës më të organizuar antisllave gjatë një shekulli përshkuar e gjakosur nga gjenocidi serb. Në nëntor 1998 hidhet në luftimet në Kosovë, bëhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, themelon Qendrën stërvitore dhe komandon njësitin special Arbri, duke vepruar me sulme të rrufeshme e të befasishme mbi makinerinë fashiste serbe dhe duke mbrojtur popullsinë civile. Në Betejën e Qafës së Pagarushës, në grykën e Carralevës, në Biraç e në Blinajë, në Shkozë e në Zborc, në Malishevë e Anadrin shfaqi trimërinë e tij.

Në fazën me vendimtare të Luftës çlirimtare Tahir Sinani del në krye të Zonës operative të Pashtrikut. Ai shquhet sidomos në betejën frontale të Celinës për të hapur korridorin e ndërveprimit me operacionin Shigjeta të Pashtrikut. Heroike është mbrojtja e vijës Llapushnik-Berishë-Qafë Duhel, zonë me 100 mijë banorë, ku vepronte edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Më 12 qershor 1999 brigadat e kësaj zone hyjnë triumfalisht në Prizrenin historik. Pas çlirimit të Kosovës duheshin përgatitur shpejt forcat e rregullta ushtarake, prandaj eprori me përvojë të gjatë emërohet komandant i Qendrës së stërvitjes dhe të doktrinës në Nashec, ndërsa në qershor 2000 komandant i Shkollës së nënoficerëve të Akademisë Hamëz Jashari të TMK-së. Shpirti liridashës i komandant Tahir Sinanit nuk qetësohet deri në çlirimin e plotë të trojeve të pushtuara shqiptare. Ai ishte njeri i veprimit dhe jo i vajtimit, një hero i heshtur: fjalëpakë e punëshumë. Komandanti ishte i vetëdijshëm se vetëm populli i organizuar mund të jetë subjekt historik. Tahir Sinani është promotor i luftërave tona çlirimtare. Ai është strateg i tri fronteve kombëtare. Hapat e tij janë historike. Veprimtaria e tij kishte përmasa vertikale e horizontale. Kur në nëntor 1999 pëlcet lufta në viset e Kosovës Lindore, njësiti i tij special hidhet në fushëbetejat në Konçul, Dobrosin e Bujanovc. Në qershor 2000 Brigada e tij 116 vendoset në zonën e Gostivarit dhe të Radikës. Kjo brigadë zhvillon luftime në pranverë 2001 në shpatet e Sharrit dhe në Likovë. Në të gjitha operacionet ushtarake komandanti shquhet njësoj për guximin, intuitën e profesionalizmin luftarak. Kudo që kishte shkelur këmbë e tij kishte zgjuar admirimin, dashurinë e krenarinë e bashkëluftëtarëve dhe të popullit. Ishte bërë legjendë e gjallë, mit i lirisë. Veprimtaria e tij kishte përmasa vertikale e horizontale. Figura e tij erdhi duke u rritur në rrathë koncentrikë: Tahir Tropoja, Kosova, Presheva, Tetova dhe në fund Tahir Shqipëria. Pas këtij marshimi të lirisë, Tahir Sinani bie në fushën e nderit më 29 korrik 2001, vetë i pesti, me bashkëluftëtarët; Hyre Emini e Brahim Ademi nga Ferizaj dhe Isa Fazliu e Naser Ademi nga Gostivari.

Edhe rënia e Tahirit, në Tanushën e bukur, rrëzë Korabit legjendar, është madhështore, si e Micit në grykë të topit, duke shpërndarë trupin gjithandej atdheut. Pas rënies së Tahirit, brigada 116 merr emrin e tij, ndërsa Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e gradon gjeneral brigadë. Sot eshtrat e Tahir Sinanit prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, ku janë rivarrosur më 24 maj 2002. Pavarësisht se edhe sot nuk është realizuar plotësisht ideali ynë kombëtar, shtegtimi i Tahir Sinanit ka hapur rrugët e atij ideali, duke lënë shenjat historike. Ai është emblemë e dinjitetit kombëtar, që shqiptarët të jenë zot në atdheun e tyre. Tahir Sinani erdhi në këtë botë, më 25 maj 1964. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Gri, ndërsa të mesmet, drejtimi i agronomisë, në qytetin piktoresk Bajram Curri. Ishte i zgjuar dhe shumë i interesuar për historinë e të parëve. Njeriu duke e ditur prejardhjen e tij, duke njohur mirë të parët e vet, nxjerr mësimet nga e kaluara, vendos objektivat e tij për jetën- shkruan ai në një historik të shkurtër të familjes së tij, një dokument origjinal. “Shpirti im nuk qetësohet përderisa edhe cepi më i skajshëm i trojeve shqiptare lëngon nën thundrën e huaj!” Të mos harrojmë se ky luftëtar i madh i lirisë, që kur ishte komandant i TMK-së, në Qendrën e Stërvitjes dhe të Doktrinës në Nashec, në nëntor të vitit 1999, kishte vënë lidhje me krerët kryesorë të UÇPMB-së si me Shefqet Musliun, Ridvan Qazimin (Lleshin), Jonuz Musliun etj. Pasi i mblodhi edhe disa trima, që vetë i kishte përgatitur më parë, iu përvesh betejave në Dobrasin, Konçul e në Bujanoc. Dhe, sërish u nis drejt fronteve të reja të luftës. Kësaj here në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. As atje, në Luginën e Vardarit, nuk vajti i vetëm.
Edhe ata të Preshevës e të Bujanovcit kaptuan majat e Korabit kryelartë dhe shkëlqyen në Tanushë të Gostivarit, ku po komandonte, siç po quanin tashti, Tahir Tetova. Edhe korriku përcëllues po i numëronte ditët. Ishte data 29 korrik 2001. Tahir Tetova, me trimat e trimëreshat, që vdekjen e shikon në sy dhe i thoshin ku je, nuk do të ndaleshin pa i çliruar cep më cep trojet, ku bukës i thoshin bukë e ujit ujë. Atë ditë kishin ndarë mendje të bënin minimin e territorit të armikut. Dhe, ecnin me këngë në gojë, për t’u shndërruar edhe vetë në këngë: Tahir Sinani- TETOVA, Hyrë Emini -MIRA, Brahim Ademi (TT), Naser Ademi dhe Hisa Fazliu. Më 24 maj të vitit 2002, trupi i dëshmorit Tahir Sinani rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve, në Landovicë të Prizrenit. Rivarrimi i tij qe madhështor, asi çfarë e meritonte trimi i paepur, i cili luftoi për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Edhe pjesëmarrësit ishin nga të gjitha trojet shqiptare, nga Drenica e nga Tropoja, nga Anadrini e nga Presheva, nga Kumanova e nga Dukagjini, nga Llapi e nga Tetova, nga Bujanoci e nga Gostivari. Shembulli i tij do të mbetet unikal dhe përherë do të jetë frymëzim për brezat e ardhmërisë. I frymëzuar nga kjo, luftëtari dhe njëri prej themeltarëve të UÇK-së, gjeneral major Rexhep Selimi do të shkruajë:

Rruga jonë ka nis me shekuj

Shokë ju mos u ndalni

Nëse doni t’më kujtoni

Amanetin mbani

Unë jam veç një çlirimtar

Kështu m’deshi liria

M’kanë pas thënë Tahir Sinani

Jam Tahir Shqipnia!

Emri dhe vepra e tij nuk harrohen për jetë të jetëve. Për të thuren vargje e këndohen këngë. Kënga del prej grykës së pushkës,- thoshin dijetarët drenicarë. Në një ceremoni solemne, organizuar në Kuvendin e Kosovës, ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka nderuar me dekorata e medalje një varg personalitetesh të njohura të kombit shqiptar. Dëshmori Tahir Sinani dekorohet me medaljen “Adem Jashari”. Për merita dhe aftësi të jashtëzakonshme ushtarake dhe për kontributin e madh që dha në të gjitha luftërat dhe betejat për çlirimin e trojeve shqiptare, komandant Tahir Sinani, është graduar, dekoruar dhe shpërblyer nga shumë shoqata e institucione shtetërore e ushtarake. Brigada 116 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilën e kishte udhëhequr vetë me gradën gjeneralmajor, në shenjë respekti, mori emrin “TAHIR SINANI”. Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së e ka dekoruar me Urdhrin Adem Jashari, ndërsa Këshilli i Bashkisë i qytetit Bajram Curri i ka dhënë titullin “Qytetar nderi”. Akademia e Mbrojtjes “Hamëz Jashari” i ka akorduar Dekoratë, ndërsa Qendra e Stërvitjes dhe e Doktrinës në Nashec i ka dhënë Mirënjohje. Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare, me seli në Manhaim i ka dhënë Mirënjohje. Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, Brigada 112 “Sherif Januzi- Enver Ramadani” i ka dhenë Lëvdatë. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me dekret të shtatorit 2001, posmortum e gradoi Gjeneral brigade. Më 29 korrik 2003, në dy-vjetorin e rënies së dëshmorit Tahir Sinani, Organizata Kombëtare “Për Dëshmorët e Atdheut”, në Muzeun Historik Kombëtar, organizoi një veprimtari përkujtimore. Atë ditë, në emër të Shoqatës TROPOJA, kryetari i saj, Adil Neziri, familjes se tij ia dorëzoi Certifikatën “Tahir Sinani – Nderi i Shoqatës Tropoja” dhe ka propozuar që gjeneralit, i cili bëri tri luftëra për bashkimin e trojeve shqiptare t’i jepet titulli i lartë NDERI I KOMBIT. Edhe më ka Mirënjohje, Dekorata e Lëvdata, qoftë për dëshmorin, qoftë për familjen e tij, por nuk është nevoja të përmenden të gjitha. Për merita dhe aftësi të jashtëzakonshme ushtarake dhe për kontributin e madh që dha në të gjitha luftërat dhe betejat për çlirimin e trojeve shqiptare, komandant Tahir Sinani, është graduar, dekoruar dhe shpërblyer nga shumë shoqata e institucione shtetërore e ushtarake.