Gëzim Prengzi: Konferenca e Bujanit dhe bashkimi me Kosovën

894
Sigal

Konferenca e Bujanit-projekti i vetëvendosjes dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

(Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit, 31 dhjetor 1943-2 janar 1944)

Nga Gëzim Prengzi

Për shqiptarët që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi, lufta kundër pushtuesit nazifashist pati theks të dyfishtë kombëtar. Duke luftuar kundër pushtuesit të ri fashist, ata aspironin të çliroheshin edhe nga pushtuesi i mëparshëm serbo-sllav. Bashkimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë ishte një aspiratë e kahershme e popullit shqiptar për Shqipërinë etnike. Mbështetur në Kartën e Atlantikut 14 gusht 1941 të nënshkruara nga Ruzvelti, Çërçilli e Stalini, në mes të tjerash theksohej se, për të drejtën e vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje pas fitores mbi fashizmin, gjithashtu në deklarimet e mbledhjes së Teheranit dhjetor 1943, si dhe deklarimin e Titos para gazetarëve anglezë që ishte botuar në “PLELETER” ku mes të tjerash tha se:”Ardhmëria e Kosovës do të rregullohet me plebishit, dhe kufijtë, nëse është nevoja do të rregullohen në të mirë të Shqipërisë”, filluan përpjekjet për ta vënë në baza të sigurta të ardhmen e popullit shqiptar. Gjatë Konsultës VI të Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit mbajtur në malet e Sharrit me 3-5 nëntor 1943 u mor vendimi për mbajtjen e Konferencës Themeluese të Këshillit Krahinor NÇL për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit. Një pjesë e veprimtarëve të shquar të Lëvizjes si, Hajdar Dushi, Xheladin Hana, Zekeria Rexha, u përpoqën që Mbledhja Themeluese të kishte bazë sa më të gjerë përfaqësuese dhe si e tillë të bëhej si përfaqësuese e denjë e aspiratave kombëtare të popullit shqiptar. Për zgjerimin e Luftës Çlirimtare Antifashiste në Kosovë duke e lidhur këtë edhe me zgjidhjen e problemit kombëtar pas Luftës, u mblodh Konferenca e Këshillit NÇL të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, e njohur me emrin KONFERENCA E BUJANIT, e cila i zhvilloi punimet me 31 dhjetor 1943-2 janar 1944 në Bujan të Malësisë së Gjakovës,Tropojë. Në Konferencë ishin të pranishëm 49 pjesëmarrës, prej të cilëve 43 shqiptarë, 3 serbë e 3 malazezë, ndërsa 12 të ftuar të tjerë nuk morën pjesë për arsye të ndryshme. Punimet e Konferencës i drejtoi një Kryesi me kryetar prof. Zekeria Rexha. Në natën e parë me 31 dhjetor 1943 iu dërguan telegrame forumeve më të larta të Lëvizjes NÇL në Jugosllavi, Shqipëri e Kosovë. Ditën e dytë u mbajtën dy referate, diskutime, dhe u miratua dokumenti kryesor i Konferencës, Rezolucioni, i cili u lexua në gjuhën shqipe dhe serbishte, dhe u firmos nga të gjithë te pranishmit. Shkaqet dhe rrethanat në të cilat u mblodh Konferenca e Bujanit. Konferenca e Bujanit u mblodh me 31 dhjetor 1943-2 janar 1944 në shtëpinë e veprimtarit të shquar popullor, bajraktarit të Krasniqes Sali Man Mulosmani, i cili deklaroi se do ta siguronte mbajtjen e një mbledhje të tillë në çdo rrethanë. Konferenca e Bujanit përbën momentin më të rëndësishëm për shqiptarët që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi gjatë LANÇ-it, si konkretizim i përpjekjeve të gjithhershme të shqiptarëve për të realizuar të drejtën e vetëvendosjes. Në të njëjtën kohë do të shërbente edhe si “prova” për politikën e PKJ për mbajtjen e premtimeve të deklaruara më parë. Rrethanat politike e ushtarake, situata kombëtare e ndërkombëtare që përgatitën terrenin dhe hapësirën për organizimin e Konferencës ishin: *Karta e Atlantikut me 14 gusht 1941 në të cilën përveç të tjerash flitej për kufijtë pas luftës midis shteteve ndërluftuese. *Marrëveshja e Mukjes 1-2 gusht 1943 ku u pranua nga të gjitha palët bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. *Kapitullimi i Italisë Fashiste me 8 shtator 1943. *Me 3-5 nëntor 1943 në malin Sharr u mbajt Mbledhja e Këshillimit të Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit ku u mor vendimi për formimin e Këshillit Krahinor NÇL. *Me 28-30 nëntor u mbajt Konferenca e AVNOJ-it ku Kosova nuk u njoh si njësi e veçantë e Federatës Jugosllave dhe nuk iu njoh e drejta e vetëvendosjes si popujve të tjerë që përbënin Federatën.

 

Në natën e parë të Konferencës pas fjalimeve përshëndetëse, iu dërguan telegrame forumeve më të larta të Lëvizjeve NCL në Jugosllavi,në Shqipëri e Kosovë. Në ditën e dytë u mbajtën dy referate nga Mehmet Hoxha dhe Xhavit Nimani dhe më pas diskutime. Pas diskutimeve u propozua një komision për hartimin e Rezolutës dhe Proklamatës si dokumente kryesore të Konferencës. Hartuesit kryesorë të Rezolutës ishin Zekeria Rexha, Xheladin Hana e Hajdar Dushi. Rezoluta u formulua shqip dhe serbisht. Në Rezolutë mes të tjerash konstatohej: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit asht një krahinë e banueme në shumicë nga populli shqiptar,i cili si gjithmonë,ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipërinë. Prandaj e ndjejmë për detyrë me i tregue rrugën e drejtë që duhet me ndjekë populli shqiptar për me realizue aspiratat e veta. Rruga e vetme që populli shqiptar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipërinë asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit fashist gjaksuer e rrogëtarëve të tij”.

 

Konferenca zgjodhi Këshillin NÇL për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit nga i cili doli edhe Kryesia e përbërë nga 9 vetë: 1.Mehmet Hoxha, kryetar 2. Pavle Joviçeviç, n/kryetar 3. Rifat Berisha, n/kryetar ndërsa anëtarë, Xhevdet Doda, Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Zekeria Rexha, Ali Shukriu, Millan Zeqar. Vendimet e Konferencës u firmosën pa kundërshtim nga pjesëmarrësit e të gjitha nacionaliteteve, serbë, malazezë, maqedonas. Firmosja e vendimeve të Rezolutës nga të gjithë këta përfaqësues nuk lënë shteg për të manipuluar se ajo që u vendos në Bujan ishte mashtrim ose qëndrim i njëanshëm shqiptaromadh. Në Konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të misionit anglez Hendzi e Baily. PKSH-ja shprehu qëndrimin e saj pozitiv ndaj Konferencës së Bujanit, ajo u shpreh në gazetën “Bashkimi”. Udhëheqja Jugosllave që në fillim dhe në mënyrë sistematike duke mos respektuar as deklarimet e veta të mëparshme (Tito 1943) nuk njohu vendimet e Konferencës dhe deklaroi se:”Sot nuk duhet të flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sepse në këto momente nuk është fjala për caktimin e kufijve mes Jugosllavisë e Shqipërisë…”.

 

Në Konferencën e Jaltës u vendos që Jugosllavia të restaurohej në kufijtë e vjetër të Mbretërisë së Karagjeorgjeviçëve duke u mohuar popullsisë shqiptare të Kosovës, Maqedonisë Perëndimore të drejtën e shprehjes së vullnetit të tyre të lirë për vetëvendosje. Menjëherë pas Konferencës filloi dhuna e terrori, ekzekutimi fizik i organizatorëve dhe firmëtarëve të Rezolutës së Bujanit. Jaho Salihi vritet në luftime me gjermanët, Hajdar Dushi, hartues dhe firmëtar i Rezolutës vritet në Kala të Dodës,vritet Xheladin Hana, vritet sponsori i Konferencës Tefik Çanga, Zekeria Rexha dëbohet nga Kosova, Rifat Berisha vritet me 1949, vriten Halim Spahia e Ramiz Cërnica, internohen e persekutohen Xhafer e Bije Vokshi, Qamil Luzha etj. Udhëheqja Jugosllave për farsë politike me 8-10 korrik 1945 organizoi Kuvendin e Prizrenit në të cilin u hodh poshtë me forcën e armëve Rezoluta e Bujanit,dhe në seancën e parlamentit Jugosllav me 7-10 gusht 1945 thuhet:”Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit në mbledhjen e zhvilluar në Prizren me 10 korrik 1945 kane miratuar Rezolutën në të cilën territori i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit i bashkangjitet Serbisë Federale”. Mjerisht këtë Vendim që quhet “Dokumenti i tradhtisë së pafalshme” e firmosën edhe disa firmëtarë të Rezolutës së Bujanit.

 

Konferenca e Bujanit gjykuar nga harku kohor, rrethanat kombëtare e ndërkombëtare, përmbajtja dhe kërkesat e ligjshme të shqiptarëve për vetëvendosje dhe bashkimin me Shqipërinë brenda parimeve dhe normave të përcaktuara nga Karta e Atlantikut,Konferenca e Teheranit etj., krahasohet me mbledhjet e kuvendet më të mëdha që nga Lidhja e Prizrenit. Konferenca e Bujanit ishte një aksident për udhëheqjen jugosllave. Konferenca e Bujanit mbetet si pikë referimi për brezat shqiptarë për bashkimin kombëtar. Akademiku Rexhep Qosja thotë: “Bashkimi i shqiptarëve është e drejtë legjitime dhe demokratike e shqiptarëve…politikisht dhe moralisht e arsyeshme,kurse historikisht e pashmangshme”.