Gëzim Nika: Ju rrëfej rrugëtimin tim të 35 viteve në skenë…

182

Era Çela

Gëzim Nika është një legjendë e muzikës patriotike shqiptare që prej vitesh tashmë jeton në Amerikë. Teksa e takon për herë të parë të jep atë përshtypjen sikur ke vite që e njeh, buzëqeshja dhe mirësia e karakterizon gjatë gjithë kohës. Përveç se një artist i kompletuar një tjetër karakteristikë e veçantë tek ai është se Gëzimi zotëron një humor i shkëlqyer teksa rri e tregon batuta të shumta që i vinë spontane dhe më pas kthehen në barsoleta nga miqtë apo mikeshat e tij. Nika gjithmonë dëshiron të ndihmojë çdo koleg apo kolege por jo vetëm kaq, por çdo njeri që ka nevojë për të ai i gjendet pranë tij pa kaluar sa sekonda. “Çdo këngëtar apo këngëtare që ka ardhur në Amerikë dhe m’i ka rënë telefonit për ta pritur, e kam bërë”, thotë ai, “e me shumë kënaqësi madje”. Gëzim Nika edhe Shqipërinë vazhdon ta vizitojë shpeshherë, qoftë për pushime, qoftë për koncerte të ndryshme. E dua vendim tim dhe do ta dua gjithmonë, thotë ai, edhe pse Shqipëria nënë nuk është treguar aq e mirë me familjen time, por gjithsesi mbetet vendlindja ime dhe pikërisht për këtë arsye këngën “Shqipëri oj nëna ime” do ta këndoj dhe lidhur para hekurave. Në një intervistë për gazetën “Telgeraf” Nika rrëfen rrugëtimin e tij në skenë, flet për ngjarjet e rënda që i kanë ndodhur në familjen e tij në kohën e regjimit komunist, por nuk mundi t’i shpëtojë dot dhe përgjigjeve për disa pyetje që ne ia drejtuam për jetën e tij private. Ai na tregon se si është njohur me bashkëshorten e tij, koreografen Angjelina Nika një ndër gratë më të suksesshme të Amerikës.

Gëzim Nika, 35 vite në skenë, si ka nisur rrugëtimi juaj në fushën e muzikës?

Është e vërtetë që kam 35 vjet në skenë, por rrugëtimi im në muzikë në fakt ka nisur që në fëmijëri, si të thuash e kam trashëgimi. Edhe babai im ka pasur një zë shumë të mirë për të kënduar, por ka qenë sistemi që s’e ka lënë, pasi ne quheshim si familje antikomuniste. E megjithatë ai na ka dhënë gjithmonë shtytje drejt artit. Ai vetë këndonte gjithmonë në shtëpi dhe iu ka rënë veglave muzikore tradicionale. Ne jemi pesë vëllezër por katër jemi marrë me muzikë që në moshë fare të vogël, bëhet fjalë për moshën 6 vjeç e mbrapa. Vëllait të madh babai i bleu fizarmonikë, vëllait pas meje i bleu violinë sharki, tjetrit çiftelinë dhe ne këndonim së bashku në shtëpi. Kështu u zgjerua e u bë interesante koha që ne merreshim me muzikë. Në fillim ne e bënim këtë për qefin tonë, por dalëngadalë njerëzit vinin e na dëgjonin që kur ne ishim 10 vjeç, kishte prej tyre që dhe na incizonin kush kishte magnetofon dhe kapnin ndonjë këngë tonën. Por gjithmonë ishte shteti që nuk na linte të aktivizoheshim. Kur unë kam mbaruar klasën e tetë dhe kam kërkuar të më jepnin të drejtën për të vazhduar Liceun por nuk ma dhanë këtë mundësi për arsye biografie, madje as gjimnazin s’më dhanë, kështu që në atë kohë unë mbarova shkollën e mesme bujqësore. Në lëvizjet amatore nisi dhe rruga ime drejt muzikës. Në 83-shin, diku nga shkurti a marsi marr pjesë në një aktivitet në Tropojë me një duet me këngën “Ma ka luajt djali kapuçin” e aty mora adhurimin e publikut maksimal

Si ishte ecuria juaj më pas në rrugën e bukur të këngës?

Po unë më pas startova në Festivalin e Gjirokastrës me këngën “N’Dardani bien tupanat”. që kënga u prit me entuziazëm nga publiku dhe këtu mori shumë hov perspektiva ime në art. Kjo është edhe arsyeja që kam shumë rrëshek për Gjirokastrën, se aty kam startuar karriera ime. Kisha një këngë që mori vlerësimet më të larta edhe gjithmonë transmetohej në televizion dhe në radio. Fill mbrapa saj kam realizuar këngë shumë të mira pavarësisht se i kanë kënduar dhe të tjerët mbrapa. Në shkurt të 84-s kam realizuar këngën “Jakup Ferra, more ku je” këngë që e këndojnë edhe sot shumë këngëtarë, megjithëse këngët e mia të gjitha pothuajse i këndojnë pavarësisht se s’kanë respektuar të drejtën e autorit këtu. Më pas kam vazhduar me këngë të tjera, siç është kënga “Liridona”.

E mbani mend daljen tuaj të parë në skenë?

E mbaj mend shumë mirë, në Tropojë kam dalë për herë të parë kam dalë me vëllezërit e mi si orkestër. Ka qenë një gjë shumë e madhe, se ka qenë dhe mosha shumë e re dhe gjërat nuk i vlerëson si i vlerëson sot, por gjithsesi ka qenë një kënaqësi aq e madhe sa nuk di ta përshkruaj, pasi pritja ishte madhështore. Këtu kam marrë pjesë me duetin “Ma ka luajt djali kapuçin” që u prit shumë mirë e më hapi rrugën e artit të bukur të këngës.

Prej vitesh jetoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa e vështirë ka qenë për ju?

Para se unë të shkoj në Amerikë kisha lëvizur nëpër Evropë. Nga viti ’89 kam lëvizur në të gjithë Evropën e më pas në vitin 91-shin shkova në Amerikë për tre muaj. U ktheva e shkova serish ku qëndrova disa muaj. Në vitin ’94 jam kthyer me mendimin se Shqipëria do bëhet mirë dhe unë mendoj gjithmonë mirë për vendin tim. Vendosa që të mos lëviz, me thënë të drejtën, deri në ’97-n dhe kështu bëra, nuk lëviza. Kam bërë 180 koncerte në Evropë dhe e vërteta është se koncerti më i vogël ka qenë me 3 mijë vetë e lart, por u largova në kulmin e karrierës sime. Edhe atje unë e kam gjetur veten, sepse kemi shumë shqiptarë në Amerikë, një komunitet jashtëzakonisht shumë i mirë, sa që uroj me zemër që të gjithë shqiptarët në Ballkan të jenë si shqiptarët e Amerikës, të kenë dashamirësinë për vendin e vet, për gjuhën e vet, për kulturën e vet dhe duke iu shërbyer komunitetit tim në Amerikë unë kam qenë shumë i suksesshëm.

Po flisni për suksese, a ka qenë e vështirë për të arritur këtu ku jeni sot?

Nuk ka qenë shumë e vështirë për mua, sepse unë isha një këngëtar i njohur, një këngëtar i dashur, sidomos për diasporën. Isha shumë më i dashur, edhe sepse vetë këngët e mia vetvetiu janë të llojit për t’i dashur diaspora, prandaj them se nuk e kam pasur shumë të vështirë. Tani vështirësi ka në çdo hap të jetës, por duke falënderuar zotin për talentin që më ka dhënë, punën time që kam bërë për 35 vite, komunitetin tim shqiptar në Amerikë dhe anë e mbanë botës për mbështetjen që më kanë dhënë, pasi unë këndoj në Kanada, Londër, Greqi,Shqipëri etj.

Hidhemi pak te Gëzim Nika në jetën e tij private, si jeni njohur me bashkëshorten, koreografen Angjelina Nika?

Eh! Qyteti i Bajram Currit është shumë i vogël dhe unë isha shumë i ri. Normal që kishte vajza të bukura, në Pallatin e Kulturës kishte valltare e aty njihem me të. Është tre vjet e gjysmë më e vogël se unë. U takuam në qytet me të e duke bërë fotografi, aty bëmë muhabet për herë të parë, madje më kujtohet si tani, kemi pasur edhe një debat për një këngë, pasi ajo thoshte ‘është kështu si them unë’ kurse unë thosha ‘jo është kështu si them unë’. (qesh ) Kështu pas disa kohësh nisën dhe shkëndijat e para. Në festivalin në 84-n, kur unë dola me këngën e “Jakup Ferrit”, aty ishte edhe takimi i parë që nisi gjithçka, pasi i pëlqeu Gëzimi por dhe mua normalisht që më pëlqeu Angjelina. Por duhet të them një gjë që ka rëndësi në marrëdhënien tonë, pasi martesa është bërë shumë herët, por unë e kam dashur fort dhe vazhdoj ta dua po aq fort, sepse është një grua e mrekullueshme e, mbi të gjitha, një nënë e mrekullueshme. Ka rritur tre fëmijë të mrekullueshëm.

 Më thatë që keni tre fëmijë, a ka dëshirë ndonjëri prej tyre të ndjekë rrugën e muzikës si babai?

Jo, jo, e kanë vetëm për kulturë të përgjithshme, domethënë mund të ulen t’i bien një pjesë në piano për qejf. Ata mbaruan shkollën e i kanë realizuar me shumë sukses rrugët e jetës, sepse unë kam qenë ai që s’i kam lejuar të linin pas dore mësimet e të merreshin vetëm me muzikë. Dhe unë jam shumë krenar për ta.

 A është dashuria e përjetshme?

Është një pyetje pak e vështirë. Në ditët e sotme është pak e vështirë të ekzistojë, por tek unë dhe Angjelina është vërtetuar që jemi të dashuruar me njeri tjetrin përjetë.

Më thatë që në Amerikë është një ditë e shënuar që quhet, Dita e Gëzim Nikës?

Ato janë çmime! Westchester county aty ku unë jetoj është një zonë e Nju Jorkut dhe në një nga ditët që përkon me datën 1 dhjetor, mua m’u dha një kënaqësi që më befasoi dhe lumturoi. Në ditën që unë festova 35-vjetorin e karrierës sime kishte miq amerikanë dhe shqiptarë, të cilët erdhën së bashku me shumë figura të rëndësishme nga shumë fusha të jetës, por njërin do doja ta veçoja. E kam fjalën për z. Elez Biberaj që erdhi dhe më dha mirënjohjen nga “Zëri i Amerikës”. Aty në atë ceremoni mora shumë çmime; nga senatorë, nga asambleja e Nju Jorkut, nga majori, si i themi ne Kryetarit të bashkisë. Mora shuma medalje atë natë që nuk i kisha pritur, madje me kishin bërë dhe këngën surprizë përmes Albërije Adërgjonajt. Ramazan Ceka dhe Shpëtim Saraçi kishin bërë këngën pa e ditur unë, por faleminderit tyre se vërtet më surprizuan. Ja kjo ishte Dita Çmim, Dita e Gëzim Nikës.

Faleminderit!