Gëzim Loka: Zyhdi Kroi, modeli i ushtarakut dhe intelektualit në të dyja kohët

1354
Kam përpara, në tryezën e punës, librin e ushtarakut të shkëlqyer të karrierës, Zydi Kroit, një model në të dyja kohët i shpirtit të përkushtimit dhe sakrificës për shoqërinë dhe kombin shqiptar. ”Gjurmë të një karriere “ është titulli i këtij libri dhe këtu autori shpalos me modesti, pa mburrje, por thjesht me fakte, mbresa e përjetime personale e kolektive, gjurmët e tij si ushtarak në kohë. Janë gjurmë njerëzore, gjurmë pune, netësh pa gjumë, stërvitjesh të gjata e të rënda, gjurmë të një idealisti që e ka dashuruar me shpirt punën e tij dhe ka qenë gjithmonë në ballë të vështirësive e sakrificave. Jo më kot, autori ka zgjedhur si lajtmotiv apo dedikim hyrës të librit një thënie lapidare të shkrimtarit të shquar, Honore De Balzak: “Çdo kohë ka idealet e saj, nëse i heq ato, bëhet pluhur e hi”. Zyhdi Kroi shkëlqeu përgjatë tridhjetë e katër viteve karrierë të suksesshme ushtarake, përgjatë njëmbëdhjetë viteve në tranzicioni si kryetar i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, aktualisht është President Nderi i kësaj shoqate, përgjatë një veprimtarie shoqërore që ka në themel përgjegjësinë e lartë qytetare, intelektuale e shoqërore të një luftëtari të progresit shqiptar. 

Jetëshkrimi
Zyhdi Kroi lindi në Korçë në vitin1941 dhe aktualisht jeton në Tiranë. Rruga e tij e karrierës ushtarake ka nisur që në vitin 1958, kur vuri kapelën e kursantit në Tiranë, në Shkollën e Lartë të Oficerëve dhe gjatë gjithë ciklit të formimit të tij si ushtarak e intelektual, në të gjitha shkollat dhe kurset kualifikuese të kohës. Që nga shtatori i vitit 1961, kur do të emërohet së pari si komandat toge, në detyrat e mëtejshme si komandant kompanie mitraljere, si student në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, me detyra të tjera më të larta në Burrel, Peshkopi, Prenjas, Pogradec dhe Tiranë e deri si komandant batalioni e brigade, pedagog në Akademinë Ushtarake, shef shtabi i divizionit të Tiranës, emri i Kolonel Zyhdi Kroit do të jetë një emër i nderuar jo vetëm midis ushtarakëve dhe më gjerë, por dhe në mjediset intelektuale e elitare mbarë shqiptare. E ka nisur me gradën më të ulët, rreshter e ka përfunduar karrierën për nevoja të reformës me gradën kolonel, në kohën kur Shqipëria kaloi nga sistemi një partiak në sistemin pluralist, ku për fat të keq, roli i ushtarakëve dhe i ushtrisë që pati përballuar një barrë të madhe të përballjes shqiptare me kohën, u minimizua, u mbulua me pluhur e harrim, ndërkohë që ushtarakët që lanë jetën e tyre, lëkurën e tyre në stërvitje e shërbime ditë e natë u mohuan, u morën nëpër këmbë dhe iu kufizuan të drejtat njerëzore. Gjatë gjithë kësaj karriere gjysmëshekullore me rrobën e ushtarakut, Kroi ka manifestuar përgjegjësi e përgatitje të lartë, devotshmëri, shpirt, iniciativë e mbi të gjitha predispozicion për të ndihmuar me çdo mënyrë kolegët dhe vartësit, të cilët i ka trajtuar si shokë dhe është gjendur gjithmonë pranë halleve e nevojave të tyre. Në rolin që i ngarkuan kolegët ushtarakë për ti përfaqësuar në shoqatën e ushtarakëve si kryetar i saj ai do të përballej me burokracinë ushtarake dhe politike të tranzicionit, për të mbrojtur të drejtat e ushtarakëve si pensionin e parakohshëm etj. Për këto cilësi ai gjithmonë ka gëzuar respektin dhe mbështetjen e ushtarakëve dhe gjithë elitës kombëtare, të cilat kanë parë tek Kroi një personalitet të qëndrueshëm dhe gjithmonë në avangardë të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të ushtarakëve. Në të gjitha forumet ndërkombëtare si në Belgjikë, Francë, Belgjikë, Austri, Holandë, Lituani etj., ai ka ngritur zërin e ushtarakëve shqiptarë dhe ka gjetur përkrahjen në konferencën ndërkombëtare të oficerëve në rezervë (CIOR) dhe shoqatave dhe organizatave simotra në Perëndim. Zydi Kroi gjatë këtyre viteve të tranzicionit të vështirë Shqiptar drejt një demokracie funksionale ka botuar disa libra, ku fokuson probleme të ushtrisë shqiptare, çështje të strategjisë kombëtare të mbrojtjes, raportet e ushtarakëve me shoqërinë civile, luftën titanike për të mbrojtur të drejtat e kësaj shtrese kundër harrimit dhe neglizhencës institucionale.
Krijimtaria e Zyhdi Kroit
Zydi Kroj ka botuar këto libra: “10 vjet historiku i shoqatës KURSH”prill 2006, “Rrjedha e fisit Kroi në Tresovë të Gorësi” dhjetor 2006, “Çështje të mbrojtjes dhe të sigurisë” prill 2007, “Gjurmë të një karriere” dhjetor 2007, “Kur shteti dhunon ushtarakët” dhjetor 2008, “Oficeri g.., vëllimi I, II”. Në këto libra ai ka trajtuar shumë probleme që lidhen me ushtrinë dhe mbrojtjen kombëtare. Ai ka fokusuar çështje të origjinës së fisit të tij si një fis atdhetar, por mbi të gjitha është marrë me çështje që kanë të bëjnë me psikologjinë e drejtimit të ushtrisë, me strategjinë e mbrojtjes, me gradat si koncept i një ushtrie të organizuar dhe heqjen e tyre në kohën e komunizmit, duke vlerësuar gjithçka që në të dyja kohët ka çuar dhe çon ujë në mullirin e mbrojtjes mbarëkombëtare. Librat e kolonel Kroit janë dëshmi përkushtimi, dëshmi e vënies së një intelektuali të mirëfilltë, i një idealisti e progresisti të kapaciteteve të tij të brendshme, përvojës dhe gjurmëve në kohë, në shërbim të vlerave ushtarake, qytetare e njerëzore. Një nga librat që do të bënte jehonë dhe do të paraqiste interes jo vetëm për ushtarakët por dhe më gjerë është libri “Kur shteti dhunon ushtarakët”, ku trajtohet psikologjia e një shteti që nuk e do ushtrinë dhe ushtarakët, që iu kundërvihet atyre me metoda të vjetra burokratike përjashtuese e neglizhuese. Në këtë libër ai trajton betejat e tij dhe të kolegëve të tij me burokracinë ushtarake, me burokracinë dhe djallëzinë politike, me të gjitha falangat e një psedudodemokracie, që synojnë ta kthejnë ushtarakun nga një figurë e nderuar dhe ikonë, në një figurë të harruar e të nënvlerësuar. Kolonel Zydi Kroj, edhe pse tanimë është tërhequr nga jeta ushtarake dhe shoqërore, prapë nuk ka reshtur luftën për të drejtën, luftën për të drejtat e kolegëve të tij, luftën për të ndërtuar së bashku me ushtarakët e tjerë një psikologji mbrojtjeje aktive, në kuadrin e NATO-s dhe strukturave euroatlantike ku është përfshirë shoqata e FA të Shqipërisë gjatë këtyre viteve të fundit. Ky kontribut nuk është i rastit, por pjesë e CV-së së tij si ushtarak, CV-i që ka lënë gjurmë në kohë, dje dhe sot dhe do të jetë një model për oficerët e rinj që do të ulen nesër në bankat e shkollave ushtarake brenda e jashtë vendit. Kroi është një organizator i takimeve të brezave të ushtarakëve, ku dalin në pah vlerat e brezave të ushtarakëve shqiptarë, që në kohë të ndryshme, qoftë dje qoftë aktualisht, kanë dhënë e japin ndihmesë për emancipimin e gjithë shoqërisë sonë. Ai gjithashtu shquhet dhe në gjueti, pasion që vjen ndoshta edhe prej faktit që është ushtarak, ku nuk do që të mbetet pas edhe në gjueti. Kësisoj, emri i Zydi Kroit është një emër jo vetëm midis ushtarakëve, jo vetëm midis atyre që mbajnë mbi shpatulla barrën e mbrojtjes kombëtare, por midis të gjithë anëtarëve të qarqeve intelektuale të Tiranës e më gjerë, midis atyre që shkruajnë libra e dëshmojnë të vërtetat e tyre të ndodhura në kohë të ndryshme, pasi shqiptarët sot më shumë se kurrë kanë nevojë për ndërgjegjësim për rrugën nga kanë ardhur dhe rrugën nga ku duhet të shkojnë…
Sigal