Sigal

Arkeologia shqiptare në vitet 60 ishte një shkencë e re si pjesë e historisë. Shkenca mbi lashtësinë në shekullin XX, jo vetëm një shkence e ditëve tona, por edhe aktuale. Në një sesion shkencor të këtyre viteve, arkeologu Skënder Anamali sjell tezën: Ilirët kanë qenë banorët e lashtë të vendit tonë dhe nëpërmjet kumtesës: “Bashkëbisedim me shekujt e kaluem” ai sjell të dhëna nga gërmimet arkeologjike që kishin filluar prej 15-20 vjetësh ndër qendrat ilire.

“Në burimet arkeologjike, thotë arkeologu – në bazë të të cilëve rindërtohen edhe faktet historike, mungojnë personazhet. Arkeologet mund të gjykojnë jo vetëm mbi veglat e punës, jetesën ose ekonominë e kohës së lashtë, për edhe mbi trajtat e jetës shoqërore. Mjetet e prodhimit janë me shumë rëndësi për studimin e formacioneve shkencore që janë zhdukur. Këtu qëndron edhe vlera e madhe e zbulimeve arkeologjike.”

2.

“Për arkeologjinë shqiptare problemi i etnogjenezës ilire, i lashtësisë së ilirëve në vendin to­në është një problem i dorës së parë dhe i rrahur nga dijetarët, thotë S.Anamali. Zbulimet e Pazhokut e të Maliqit i tronditën themelet e tezës së vjetrueme të dijetareve, e cila i bën iliret të ardhur në gadishullin ballkanik në një kohë relativisht të vonë.”

Në kumtesën mbi rezultatet e gërmimeve në vendbanimin prehistorik të Trenit (Bilisht-Korçë) del se të dhënat arkeologjike tregojnë se fillimet e formimit të elementeve të etnosit ilir i përkasin, neolitit, çka do të thotë se: Ilirët janë autoktonë, në Ballkan.

Cili qe zhvillimi ekonomik, shoqëror e kulturor i ilirëve që banuan në vendin tonë gjatë gjithë kohës së ekzistencës së tyre? pyet arkeologu S. Anamali. Kërkojnë përgjigje mendimet e vjetra edhe të reja, të cilat janë përpjeke për t’i copëtuar ilirët dhe t’i shohin në krahina të veçanta, tipare të veçanta kulture dhe si pasojë edhe origjinë etnike.

Anamali sjell të dhënat e mëposhtme si: Kodërvarret e Krumës (Kukës) që u gërmuan në këtë vit i përkasin fun­dit të kohës së bronzit dhe fillimit të hekurit; nuk ndryshojnë nga kodër -varret e tjera të kësaj kohe të zbuluara në Pazhok, Mat, Vajzë e Dropull.

Gjurmuesit e këtyre kodër-varreve ngritën me të drejtë problemin e rishikimit të diferencimit shoqëror te ilirët. Për një qytet ilir, për praninë e një ekonomie e kulture qytetare të një shoqërie skllavopronare kumtuan edhe arsimtarët e Kolonjës, të cilët plot dëshirë me forcat e veta, gërmuan në kodrën e Hallmit, në afërsi të qytetit të Ersekës. Për një zhvillim të tillë kumtuan edhe gjurmues të tjerë të lashtësive ilire. Në krahinën e Matit gjetjet ar­keologjike, që i përkasin kulturës ili­re shtohen dita ditës. Jo tërë harta e Shqipërisë, por edhe harta e Matit është mbushur plot qendra ilire. E tillë është edhe qyteza malore e Xibrit, jo shumë larg Klosit.

3.

Nga të gërmimet në qendrat ilire, arkeologu sjell këto të dhëna:

“Sendet arkeologjike të zbuluara në gërmime, ashtu sikurse u kumtue ne sesion, i përkasin ilirëve dhe janë të ngjashme me ata të viseve të tjera ilire.” Për vendbanime të fortifikuara ilire, për qytete ilire folën në sesion edhe mësues e arkeologë të tjerë. Në rrethet e Pogradecit, Elbasanit e Korçës ekspeditat, gjurmimet arkeo­logjike kanë zbuluar një tok qendrash të reja të panjohura deri më dje që shkojnë nga parahistoria deri në Mesjetë. Në kalanë e Pogradecit, nën muret mesjetare, dolën muret e qytezës ilire. Duke shikuar objektet e ekspozueme në këtë sesion së bashku me materialet ilustruese të gërmimeve e gjurmimeve arkeologjike, të tërhiqte vëmendjen diçka e vogël, por shumë interesante.

Nga Elbasani ishte sjellë e ekspozuar një përkrenare ilire, e gjendur në varrin e një luftari po në qytezën e shkëmbit Shlliut, (Elbasan) e cila mbante emrin ilir të pronarit. Fragmentet e një përkrenareje bashkë me armë ilire gjendeshin edhe midis materialeve të zbuluara në kodërvarret e Krumës. Një kodërvarri nga Mati i takon edhe një përkrenare tjetër ilire. Në fotografitë, që tregonin zbulimet e reja në rrethin Pogradecit ishte edhe ajo e  përkrenares ilire të Starovës. Këtyre katër përkrenareve mund t’iu shtohen edhe të tjera të zbuluara në këto vitet e fundit në vende të tjera. Kur di se përkrenaret ilire  janë  përdorë si mjet për përcaktimin e një krahine ilire me tipare të veçanta, e cila dikur mendohej se përfshinte vetëm veriun e Shqipërisë. Nuk është vështirë të kuptohet se sa pa themelta janë këto përpjekje për copëtimin e Ilirisë. Vetë materialet arkeologjike po hedhin poshtë dëmet etno -kulturale të sajuara gjoja mbi të dhënat e arkeologjisë.

4.

Në rrënojat e Jermës, pranë Gjirokastrës po dalin në dritë tepricat e një qyteti ilir, me një ekonomi e kulturë qytetare të lulëzuar ashtu si shumë qytete të tjera ilire bashkëkohëse.

Qyteti ilir i Jermës u ngrit në shek. IV p.e.s, që është edhe koha e formimit të shoqërisë skllavopronare ilire. Ai ka qenë një qytet Kaon, e njërit nga tre fiset e mëdha ilire të jugut.

“Në gërmimet u kumtue se materialet, që pasqyrojnë kulturën ilire në këto vise po bëhen gjithnjë më të shumtë. Arkeologjia shqiptare e ka provuar se emrat e njohur në historiografi si epirotë e Epir, për banoret e trevën më jugore të Ilirisë kanë kuptim thjesht gjeografik. Për kaonet, thespirotet, moloset e banoret e tjerë të Epirit nuk ka vend dhe as që mund të mendohet për përkatësi etnike tjetër, veçse ilire. Elementet e kulturës helene nuk janë tjetër veçse ndikime të ardhura si rrjedhim i zgjanimit të marrëdhënieve ekonomike dhe të hyme në kushtet e një niveli të caktuar të zhvillimit të forcave prodhuese të ilirëve, fenomen ky i vërejtur edhe në vise të tjera, të botës antike.”

Duke folur për gjurmimet e tyre kumtuesit zunë në gojë edhe emrat e disa qyteteve ilire, të njohura nga burimet e shkruara të lashta.

Qytetet ilire si: Lynku, Omfali, Syberi, Enkelana kanë ekzistuar në një kohë kur në Iliri kishte edhe qytete të tje­ra; si Shkodra, Lisi, Dimali, Amanria, Bylisi, Foinika, rrënojat e të cilave tashme dihen se ku gjenden.

5.

Arkeologët, sot kanë sjellë të dhëna për gërmimet në lindje të Shkodrës dhe flasin për qytetin e Sardës. Këtë qytet S. Anamali por edhe  arkeologët e këtij referimi e e hodhën si ide se gjendej pikërisht atje që në vitet ’60.

Ja çfarë shkruan arkeologu:

“Pranë ilireve në kumtesat që u mbajtën përmenden edhe arbërit. Arbënt si pasardhës të ilirëve, jetuan aty ku para tyre ki­shin pas trojet ilirët dhe trashëguan kulturën e tyre. Nuk ka si të jetë ndryshe, (sado që edhe këtë të vërtetë ka dijetarë që duan t’ia mohojnë shqiptareve), sepse këtë e tregojnë fort bukur të dhënat e arkeologjisë. Arsimtari i Mirditës po i gjen gjurmët e arbenve gjithandej, deri në viset e thella malore. Arbënve të Mesjetës i takon edhe qyteti Sarda, sot rrënojat e tij gjinden në Shurdhah, në lindje të Shkodres. Sikurse njoftuen kumtuesit gërmimet e porsa fillueme janë shume premtuese dhe para dëgjuesve në sesion ato përmendin muret e epërme e të poshtme të qytetit, materialet e gjetuna në gërmime, sidomos ato të varrezës, të cilat i përkasin kulturës së arbënve mesjetare.”