Gëzim Llojdia: Anita Bitri, Amazona e këngës

575

 

 


Gazeta Telegraf/


Zbulohen dorëshkrimet dhe
ditari sekret i Anita Bitrit
 (Materialet janë
origjinale të gjetura në kompjuterin e këngëtares)

 “Anita një ëndërr e bukur, një amazonë e qiejve shqiptarë”, shkruan Xhuljeta Kulla në botimin e fundit 


1.

Rreth 8 vjet më parë, A. Mezini
dhe grupi  online “Art-kafe” komunikonte  për çdo gjë andej
dhe këtej mëmëdheut tonë. Një mbrëmje A. Mezini hodhi këtë ditar të këngëtares
vlonjate, gjetur në kompjuterin e saj. Anita një ëndërr e bukur, një amazonë e
qiejve shqiptarë, shkruan Xhuljeta Kulla në botimin e fundit “Anita-ditari
qiellor  të autores”  A. Ferunit, për këngëtaren që shkoi
nga jeta tragjikisht. Anita pa ditur se qiejt do t’i maste me hapat e saj
ndoshta një ditë, por që askush nuk e di se çfarë dite është, kishte filluar të
shkruante një ditar, i cili u gjet në kompjuterin e saj.

2.

Anita
e paharruar. Me ikjen e Anitës, arti dhe publiku shqiptar humbi një zë të
mrekullueshëm, Shqipëria një patriote të flaktë, diaspora një aktiviste dhe
personalitet muzikor, familja dhe miqtë, e saj një artiste dhe shoqe të
mrekullueshme. (Shqiptarët e Amerikës).

 

Shkruar nga vetë
Anita! Materialet janë origjinale të gjetura në kompjuterin e këngëtares.

 

Në moshën 7-vjeçare kam
dhënë koncertin e parë në skenë, para qindra njerëzve si violiniste, në
shtëpinë e Kulturës në Vlorë, në duet me pedagogun tim, Robert Papavrami. Gjatë
kësaj kohe mund të përmend edhe aktivitetet e tjera si “Festivali i Fatosave
dhe Pionierëve”, ku kam qenë pjesëmarrëse e rregullt e asaj moshe. Prezantimi
im i parë, përsëri në një edicion të gjerë dhe në një sallë koncertale, ka
ndodhur në fillim të vitit 1986, ku unë isha nxënëse e vitit të 4-t në degën e
violinës. Ishte krejt rastësisht, pasi në këtë koncert unë isha me violinë
shoqëruese e orkestrinës së shkollës, ku ishim caktuar të shoqëronim disa nga
këngët e tij. Të gjithë ndodhinë e kam përshkruar në autobiografinë time në
librin e ardhshëm që do të dalë së shpejti, “Rastësia dhe jeta ime”. Mbas këtij
koncertin kam marrë pjesë, duke prezantuar qytetin tim në “Festivalin e
Interpretuesve të Klasës Punëtore” në Elbasan, pavarësisht se ende isha
maturante. Në këtë festival me luftë të madhe, (pasi duhet të largohesha nga
mosha) me ndihmën e publikut të mrekullueshëm elbasanas, u vlerësova me çmim të
tretë dhe kam kënduar këngën “Eja” nga Osman Mula. 7 qershor 1987, pranimi im
si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës, Vlorë. Menjëherë më
bëhet ftesë në qershor të vitit 1987, që të marr pjesë tashmë në një garë
kombëtare në “Festivalin e Interpretuesve” në RTSH. Me shumë përpjekje dhe
kësaj here jam prezantuar në festival me këngën e shoqes sime të klasës,
Laureta Çuku, “Hartimi dhe Dëbora” dhe jam vlerësuar me çmimin e dytë. Pas
suksesit tim për herë të parë në Tiranë, në po të njëjtin vit, pra 1987,
përsëri më bëhet ftesa për të marrë pjesë në “Festivalin e Këngës”në RTSH, ku
kësaj here kënga “E vogla mes shoqesh” e kompozitorit, David Tukiqi më sjell
çmimin e tretë. 1987-1988, fituese dy herë në Anketat Muzikore, me këngët e
kompozuara nga A. Xhunga dhe Th. Çaçi.

 

6
marsi 1988 do të sillte prezantimin tim në Koncertin e Pranverës.

 

Në bashkëpunim me
Aleksandër Vezulin dhe Alqi Boshnjakun do të vijë në skenë kënga “Mos u nxito,
mos u gabo”, një nga perlat e repertorit tim, (që akoma edhe mbas 16 vitesh
është kënga më e kërkuar nga njerëzit në prezantimet e mia artistike), ku
vlerësohem me çmimin e parë. Bashkëpunimi im me kompozitorin Vladimir Kotani do
të ndërpritet (nga anëtarët drejtues që caktonin programin e festivalit, pasi,
sipas tyre, dilte një këngë më tepër dashurie) në momentin e fundit të prezantimit
tonë në “Festivalin e Këngës” në dhjetor 1988, me këngën shumë të preferuar
edhe sot e kësaj ditë “Lulet e majit i çel në janar”. Po në ditët e fundit në
atë festival, duke u vlerësuar si një talent që duhet të paraqitesha patjetër,
jam prezantuar me këngën “Fotografia”, e kompozuar nga David Tukiqi, ku kam
qenë e shoqëruar në sfond nga këngëtarët Gëzim Çela dhe sopranoja Lindita Lole
Mezini. Me këngën e dëshiruar “Lulet e majit i çel në janar”, shoqëruar dhe nga
(kompleksi i çunave) të Pallatit të Kulturës pas një pritjeje të gjatë,
prezantohem në vitin 1989 në “Koncertin e Pranverës”. Këtë këngë akoma edhe
sot, pas 15 vjetëve, vazhdoj ta këndoj dhe është gjithashtu një nga perlat e
repertorit tim.

 

Vazhdimi
i viti 1989, koncerti im i parë recital, që mbante emrin “Anita”.

 

Të ftuar, parodistët e
Vlorës dhe shoqëruese kompleksi këngëtarja Aurela Gaçe. Ky koncert është
xhiruar dhe transmetuar nga TVSH. Koncertet e mia recitale me parodistët e
Vlorës, kanë qenë një nga evenimentet e mia të jetës kulturore në të gjithë
territorin e Shqipërisë. Nuk lë pa përmendur dhe Koncertet e Verës, që
zhvilloheshin nga Ministria e Kulturës. Këto koncerte janë shfaqur gati në të
gjithë Shqipërinë. Të ftuar specialë kanë qenë edhe dy çiftet e Ansamblit të
Shtetit, të shoqëruar nga orkestra e Estradës së Vlorës.“Festivali i këngës” në
dhjetor të vitit 1990, do të sillte bashkëpunimin tim të parë me kokat e
muzikës së lehtë shqiptare, Flamur Shehu dhe Jorgo Papingji. Në këtë festival
edhe një herë vlerësohem me çmimin e parë, kësaj herë fillon bashkëpunimi
tresh. Viti 1991, në “Koncertin e Pranverës” përsëri bashkëpunimi
Bitri-Shehu-Papingji sjell në skenë këngën “S’ka formulë në dashuri”. Viti
1991 do të sjellë para publikut në “Festivalin e Këngës” përsëri një
bashkëpunim me Flamur Shehun dhe Jorgo Papingjin. Prezantohem me këngën “Fat
dhe jetë”, ose siç e mbajnë mend njerëzit, “Filxhani i kafesë”.

 

Koncerti
i Pranverës 1992, përsëri do të sillte në skenë trinomin Bitri-Shehu-Papingji.

 

Kësaj radhe kënga ishte
kushtuar për një pjesë së jetës sime, për vetë autorët, por papritur, një
udhëtim larg atdheut ma bëri të pamundur paraqitjen në këtë koncert. Kthimi në
“Festivalin e Këngës”, në dhjetor të 1993-shit, do të sillte prezantimin tim me
këngën e kompozitorit vlonjat, Artur Dhamo. Vlerësohem me çmim të tretë. Nuk
dua të lë pa përmendur e pa falënderuar publikun e atij viti në pritjen e
interpretimit tim. Viti 1994 sjell mosparaqitjen time para publikut për arsye
largimi nga atdheu. Viti 1995 do të sillte dhe Koncertin e dytë recital para
spektatorit vlonjat, që u ndoq nga 4000 spektatorë për dy ditë me radhë. Të
ftuar në këtë koncert, ishte e mrekullueshmja Silvana Braçe dhe i madhi Met
Bega, si dhe çiftet e baletit të ardhur nga kryeqyteti. Ky koncert u filmua nga
TVSH-ja.  “Festivali i këngës” 1995 do
ishte prezantimi im i fundit para spektatorit. Në këtë festival, unë
prezantohem si e ftuara e nderit, duke mos konkurruar si këngëtare. (Paraqitja
e një dite me vonesë e këngës së kompozitorit vlonjat A.Dhamo para komisionit,
bëri që kënga të dilte jashtë konkurrimit). Vazhdimësia e koncertit
recital do të kapte dhe kufijtë e Veriut. Gjatë koncertit 2-ditor mbajtur në
Tropojë, me të ftuar këngëtaren Fatmira Breçani, pata dhe kërkesën për të
udhëtuar në SHBA. Në mars 1996 u bë i mundur largimi im nga Shqipëria

 

Gjatë qëndrimit në SHBA,
aktiviteti im artistik ka qenë i pandalshëm. Pjesëmarrja në koncertet e
ndryshme të komunitetit si dhe ato të bamirësisë kanë qenë vazhdimësi e rrugës
time si artiste.

 

Viti 1999 solli daljen e
albumit tim “Malli”, realizuar në “Electric Planet Sound” studio, në New York.
Promovimi i këtij albumi u bë në mjediset e Misionit Shqiptar në Kombet e
Bashkuara po në New York. 5 prilli i vitit 1999 përkoi me paraqitjen time në
skenat e Brodoëay-it si e ftuar në një koncert të organizuar nga një prej
organizatave më të njohura në SHBA, “Madre”. Në këtë koncert paraqitja ime si
artiste ishte e dyanshme, pasi për herë të parë unë do të prezantohesha edhe si
violiniste. Aty pata rastin e nderin të njihem me disa nga yjet e Hollivudit si
Tom Robinns, Susan Sarandow, Vanesa Redgrave, Danny Schechter, Eve Essler,
Nenad Bach etj., ku gjatë përshtypjeve që më dhanë më përshkruan si një element
shumë të denjë në artin muzikor dhe më uruan mirëseardhjen në botën amerikane.
12 gushti 1999 është gjithashtu edhe prezantimi im në darkën e organizuar nga
Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara për nder të Ambasadorit, zotit Peter
Burleigh. Misioni im në këtë mbrëmje ishte të shpalosja vlerat e muzikës
shqiptare, popullore dhe moderne. Të gjithë ambasadorët e Botës patën rastin të
kënaqen me muzikën tonë të mrekullueshme. Falënderimi i ambasadorit Burleigh në
letrën drejtuar ambasadorit tonë, zotit Agim Nesho, ishte një vlerësim i madh
për mua. Dhjetori i vitit 1999 përkoi me fitimin e konkursit të zhvilluar nga
kompania amerikane C.P.V. për të kënduar 2 këngë në programet e tyre
televizive, që do të transmetoheshin të përkthyera në shqip. Më 10 prill 2000,
do të kisha rastin të takohesha personalisht me Presidentin e Shqipërisë, zoti
Meidani dhe zonjën e tij në një koncert bamirësie për fëmijët e Shqipërisë, ku
zonja Meidani më shoqëroi gjatë interpretimit tim në sallë, duke kënduar së
bashku disa këngë të vjetra korçare. Vera e vitit 2000 do të ishte e mbushur me
koncertet e mia recitale bashkë me aktorin dhe regjizorin e njohur, Koço Devole
në disa shtete të Amerikës. Në një nga këto koncerte, me dëshirën e tij vjen
prej së largu edhe një nga figurat shqiptare më të njohura, zoti Antoni
Athanas, i cili e vlerësoi shumë muzikën tonë të lehtë. 26 Nëntori 2000 shënoi
edhe pjesëmarrjen time në një nga koncertet më të shënuara të komunitetit të
përbashkët shqiptaro-amerikan, 9-vjetori i gazetës “Illyria”. Në këtë koncert
fuqia ime artistike do të ishte e dyanshme, këngëtare dhe violiniste. Një
moment prekës ishte interpretimi me violinë i potpurisë arbëreshe (e përpunuar
prej meje) dhe lotët e arbëreshit të ftuar nga Italia, zotit Antonio Bellusci.

 

12
Nëntori 2000

 

12 Nëntori 2000 sjell
Koncertin e madh në New York me artisten me famë botërore, Inva Mula dhe
bashkëshortin e saj, Piro Çako, Silvana Braçen, Pali dhe Zerina Kuken etj.,
organizuar po nga i madhi me famë botërore, Fadil Berisha (kam fatin që
fotografitë e albumit të ardhshëm të jenë të bëra prej tij. E veçanta ime në
këtë koncert ishte prezantimi im live
si këngëtare dhe violiniste, ndryshe nga kolegët e mi. Përshtypjet dhe suksesi
im në këtë koncert ishte i padiskutueshëm. Për Fadil Berishën unë isha
“elementi që, pa dashjen time, ia vodha shfaqjen me suksesin tim”. Viti 2001
fillon me një tjetër sukses në jetën time artistike: Më bëhet një ftesë për të
prezantuar muzikën e repertorit tim shqiptar në një koncert të përbashkët
amerikano-shqiptaro-turk, ku do të shpaloseshin vlerat artistike të këtyre tre
vendeve. Një nga ditët më të gëzuara në fushën e artit ka qenë prezantimi im me
një nga kompozitoret më të njohura në Amerikë, Tina Shaffer, e cila e cilësoi
zërin tim si “zë engjëllor që zbret nga qielli”. Shaffer është kompozitore e
Celin Dion-it, Dona Sammer, Betty Midler etj.

 

Vlerësimi
i saj më dha shtytje të futem më thellë në artin amerikan.

 

Viti 2002 do të jetë një
vit pune për gjetjen e muzikës sime në gërshetim me muzikën amerikane. 24
Janari i vitit 2003 do të niste me një nga koncertet e mëdha të mbarë
komunitetit, ku përkrah këngëtarëve kosovarë dhe maqedonas do të më bëhej ftesa
për të prezantuar muzikën e lehtë shqiptare. Të ftuar nderi ishin ambasadori William
Walker dhe Drejtori i projektit të Evropës Lindore në CSIS, zoti Janusz
Bugajski. Shkurti i vitit 2003 do të vendosë edhe kontratën time me një kompani
amerikane “An’Km records@Enterteiment” për realizimin e një albumi amerikan. Në
vitet 2003-2004 aktiviteti im vijon në veprimtaritë më të rëndësishme, ku
shpreheshin vlerat e artit dhe muzikës shqiptare në kufijtë e Amerikës. Në këtë
kohë shënohet gjithashtu edhe fillimi i punës si kant-autore e albumit tim “Çdo
gjë është e mundur”. Viti 2004 do të vazhdojë në dy drejtime: me muzikën
shqiptare dhe atë amerikane. Kontrata me producentin James Avatar në maj të
këtij viti mbaroi për prodhimin e albumit tim shqiptar. Viti 2004 shënoi
realizimin e 3 videoklipeve, të cilët do të shihen nga teleshikuesit shumë
shpejt. Viti 2005 po fillon në kalendarin tim me një ftesë nga Kanadaja për të
dhënë një koncert recital në Toronto.

Sigal