Geverina Muzhaqi: Poezia është forma më e mirë që më përfaqëson!

825
Mund ta quajmë pa frikë vitin 2015, si vitin çelës të suksesit për autoren Geverina Muzhaqi. Ajo, prezantoi në panairin e librit, nëntor 2015 vëllimin e saj poetik “Këmbëzbathur nëpër hënë”, kurse botimi i saj i parë, romani “Stina e pestë”, i ka dhënë çmimin e ‘shkrimtares më të mirë debutuese’ të këtij viti, në panairin e Prishtinës në 2015. “Këmbëzbathur nëpër hënë” nuk është titulli i asnjë poezie të këtij vëllimi poetik, por këtë ndjesi i fal autores shkrimi, si poezia si proza. E sipas saj të dyja kanë veçantinë e tyre: – poezia është si urë ndërlidhëse me vetveten dhe proza si një dritare e botës…
– Cila është filozofia e poezive tuaja Geverina?
– Poezia është një shpërthim ndjenjash dhe emocionesh e kësisoj, nuk ndjek ndonjë filozofi të caktuar, por shfaq vetveten. Poezia është një lundrim imagjinar dhe magjepsës në ujërat e turbullta e të stuhishme të botës së mrekullueshme të shpirtit njerëzor.
– Për çfarë shkruani ju?
– Unë, sikurse çdo shkrimtar tjetër, besoj, shkruaj për veçoritë e ndryshme jetësore që më shqetësojnë së tepërmi. Shkruaj për dhunën, por edhe për paqen. Për dashurinë, po ashtu edhe për urrejtjen dhe hakmarrjen. Për tërheqjen fatale ndaj fizikes, të prekshmes, por edhe për prehjen shpirtërore dhe lumturinë. Shkruaj për buzëqeshjen e fëmijës dhe plogështinë e të moshuarit, për varfërinë, për të pandjeshmit, për angështinë e atyre që vuajnë e të tjerët që prej vuajtjes ngrenë krye dhe rifillojnë të jetojnë.
– Çfarë risie sillni ju në poezi?
– Unë jam e mendimit se në një epokë në të cilën çdo gjë kopjohet ose riciklohet, përfshirë fatkeqësisht edhe artin, e vetmja rrugë për të spikatur mbi të tjerët është origjinaliteti. Duke përdorur të njëjtët elemente jetësore dhe tematika të njohura e të rrahura më parë, por pa rënë kurrsesi në plagjiaturë, duke shtuar këtu edhe gjuhën e pasuruar me fjalë të rralla të leksikut tonë, poezia ime synon të pasqyrojë atë çka unë jam, si një shkrirje në një të vetme të mendimit me emocionin. Përnjëmend, poezia është forma më e mirë që më përfaqëson, është një reflektim besnik i imi, si një pasqyrë.
– Bashkëpunimi juaj i ngushtë me fjalorin e gjuhës shqipe, vërehet menjëherë në përzgjedhjen e fjalëve, kjo jo vetëm te vëllimi juaj me poezi, por edhe te romani “Stina e pestë”…
– Më pëlqen që të punoj mbi poliseminë e të gërmoj ato fjalë të vjetra e të rralla të gjuhës sonë dhe t’u rikthej rivitalizimin e tyre. Kjo vihet re më së miri te poezitë, porse nëpërmjet këtyre fjalëve synoj që t’ua shtoj atyre përmbajtjen emocionale dhe kuptimor. Gjuha nuk është diçka statike, por është përherë në transformim. Ndaj edhe jam e mendimit që gjithsecili prej nesh, e veçanërisht artistët, duhet të kontribuojnë në pasurimin e mëtejshëm të leksikut të saj.
– Si është pritur poezia juaj deri tani?
– Vëllimi im i parë poetik, “Këmbëzbathur nëpër hënë”, ka më pak se një javë që ka ardhur në jetë, ndonëse unë kam filluar të shkruaj poezi hershëm. E megjithëkëtë, personazhe të njohur të letrave shqipe, si poeti i mirënjohur Preç Zogaj apo miku dhe shkrimtari Albatros Rexhaj i kanë lexuar përpara, se poezitë të shkonin në botim dhe i kanë vlerësuar maksimalisht. 
– Sa ndikoheni nga realiteti për të realizuar poezi, por edhe për të krijuar personazhet tuaja?
– Për t’i bërë personazhet e mi sa më të besueshëm dhe përfaqësues, më duhet të marr frymëzim nga bota që më rrethon, e sidomos nga gjërat që më shqetësojnë apo më tërheqin më tepër. Për të kuptuar dhe përshkruar personazhin kryesor të romanit tim, për shembull, më janë dashur hulumtime të hollësishme të manualeve psikologjikë, juridikë dhe shëndetësorë, por edhe mu desh të flas personalisht me gra të dhunuara. Ndërsa poezia është krejtësisht një çast i shkëputur nga realiteti. Nuk mund të shkruaj për diçka që nuk e njoh apo nuk e ndiej. Pikërisht kjo është e bukura e letërsisë: përthyerja e imagjinatës mbi realitetin.
– Ju keni lëvruar dy zhanër të ndryshëm, poezi dhe prozë. Romani juaj i parë ju dha çmimin e “shkrimtares më të mirë debutuese për vitin 2015”, në panairin e Prishtinës. Ku e gjeni veten më mirë?
– Poezitë e mia janë si copëza pasqyre, ku reflektoj vetveten, ndërsa proza është si një dritare prej nga ku mund të vëzhgoj e të njoh botën që më rrethon. Që të dyja, – poezia si urë ndërlidhëse me vetveten dhe proza si një dritare e botës, – janë pjesë e pandarë e krijimtarisë time. Po të lexoni romanin “Stina e pestë” do të kuptoni se unë, paevitueshmërisht, përcjell shumë poezi edhe në prozë. 
– Kohët e fundit, ju keni përkthyer edhe një roman për shtëpinë botuese Dudaj, “Pallati Soljano” të autores Sveva Casati Modignani. Çfarë mund të na thoni për këtë përvojë të re?
– Po, kam vetëm pak kohë që kam mbaruar së përkthyeri romanin e autores italiane Sveva Casati Modignani të titulluar “Pallati Soljano” që pritet të dalë së shpejti përpara lexuesit. Dhe flet për një familje të vjetër, mbledhës dhe përpunues të gurit koral në Torre del Greco, në Napoli. Në fakt është një dinasti e tërë që trashëgojnë zanatin e korolarit.
Dhe flet për një milaneze që hyn nuse në këtë familje dhe sa e vështirë është për të që të ambientohet…
Eja në botën time
Unë do të jem pranë teje,
Kur nata të të rëndojë mbi qerpikë,
Kur të kesh nevojë për një këshillë
Ose një shpatull të ngrohtë ku të qash. 
Do të vuash,
vogëlushja ime, 
Si të gjithë,
Do të vuash,
Por në vuajtjen tënde do të më gjesh.
Tek përpiqem të të jap kurajë e të të them:
– Gjithçka do të kalojë.
Do të ndihesh e lumtur, zemër,
E lumtur,
Kur të biesh në dashuri,
Ose kur të gjesh miqtë e vërtetë.
Ndaj mos ki frikë të vish në këtë botë,
Gjëra të bukura të presin,
Zemra jote do të rrahë përgjithmonë brenda meje,
Edhe pasi të kesh lindur.
Do të kujdesem për ty,
Ashtu si kujdeset uji për lulet,
Ashtu si kujdeset ajri për tokën.
Do të të thonë se dashuria nuk ekziston
Se nuk duhet t’i besosh askujt,
Dhe se paraja është ingranazhi,
Që vë në lëvizje jetën.
Por ti mos u beso, vogëlushe: 
Jeta është e bukur,
Unë do të jem pranë teje,
Kur nata të të rëndojë mbi qerpikë,
Kur të kesh nevojë për një këshillë,
Ose një shpatull të ngrohtë ku të qash…
Harku i pafajësisë
Të pafajshëm janë të porsadashuruarit,
Me buzët e përflakura nga puthjet,
Me vështrimin e fildishtë dhe dashurinë e purpurt,
Me besimin e mpiksur mbi përjetësinë e gënjeshtërt.
Si në jerm, dielli derdhet nga limbi i qiellit,
Dhe pikëlon mbi pafajësinë e foshnjës,
Ajri e vesh me ëndrra të bukura,
Që përthyhen hijshëm mbi buzëqeshjet foshnjërore. 
Të pafajshëm janë të moshuarit vetmitarë,
Që lahen me dritë e vishen me terr,
Dhe përvajshëm e qajnë me lot të padredhur,
Rininë që u iku e më nuk kthehet pas.
Në një botë,
Ku gjithçka ndryshon, lind dhe vdes,
Kemi nevojë për pakëz pafajësi:
Kjo frymëmarrje përjetësie,
E shkërmoqur prore mbi shpirtrat e mirë.
Sigal